Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 1



Matheu 1

  1. Libri i gjenealogjisë së Jisu Krishtit, të birit të Davidit, të birit të Abrahamit.
  2. Abrahamit i lindi Isaku; dhe Isakut i lindi Jakovi; dhe Jakovit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij;
  3. Edhe Judës i lindi Faresi dhe Zarai nga Tamara; dhe Faresit i lindi Esromi; dhe Esromit i lindi Arami;
  4. Edhe Aramit i lindi Aminadavi; dhe Aminadavit i lindi Nasoni; dhe Nasonit i lindi Salmoni;
  5. Edhe Salmonit i lindi Vozi nga Rahaba; dhe Vozit i lindi Ovidi nga Ruthi; dhe Ovidit i lindi Jeseu;
  6. Edhe Jeseut i lindi Davidi, mbreti. Edhe mbretit David i lindi Solomoni nga gruaja e Uriut;
  7. Edhe Solomonit i lindi Roboami; dhe Roboamit i lindi Abiai; dhe Abiait i lindi Asai;
  8. Edhe Asait i lindi Josafati; dhe Josafatit i lindi Jorami; dhe Joramit i lindi Ozia;
  9. Edhe Ozisë i lindi Joatami; dhe Joatamit i lindi Akazi; dhe Akazit i lindi Ezekia;
  10. Edhe Ezekisë i lindi Manasiu; dhe Manasiut i lindi Amoni; dhe Amonit i lindi Josia;
  11. Edhe Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babilonë.
  12. Edhe pas shpërnguljes në Babilonë, Jehonisë i lindi Salatieli; dhe Salatielit i lindi Zorobabeli;
  13. Edhe Zorobabelit i lindi Aviudi; dhe Aviudit i lindi Eliakimi; dhe Eliakimit i lindi Azori;
  14. Edhe Azorit i lindi Saduku; dhe Sadukut i lindi Akimi; dhe Akimit i lindi Eliudi;
  15. Edhe Eliudit i lindi Eleazari; dhe Eleazarit i lindi Matani; dhe Matanit i lindi Jakovi;
  16. Edhe Jakovit i lindi Josifi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jisui që thuhet Krisht.
  17. Gjithë brezat pra, që nga Abrahami e deri në ditët e Davidit, janë katërmbëdhjetë breza; dhe që nga Davidi e deri në shpërnguljen në Babilonë katërmbëdhjetë breza; dhe nga shpërngulja në Babilonë e deri në ditët e Krishtit katërmbëdhjetë breza.
  18. Edhe lindja e Jisu Krishtit kështu ka qenë; pasi u fejua e ëma e tij, Maria, me Josifin, përpara se të bashkoheshin, u gjend shtatzënë nga Shpirti i Shenjtë.
  19. Edhe Josifi, burri i saj, duke qenë i drejtë, e duke mos dashur t’i nxjerrë asaj zë të lig, deshi ta lëshojë fshehurazi.
  20. Po ndërsa ai ishte duke menduar këto, ja një engjëll i Zotit tek iu duk në ëndërr, duke thënë: Josif, bir i Davidit, mos u frikëso të marrësh me vete gruan tënde Mariamin; sepse mbarsja që u bë tek ajo është nga Shpirti i Shenjtë.
  21. Edhe do të lindë djalë dhe do t’ia vësh emrin Jisu; sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga fajet e atyre.
  22. Edhe gjithë kjo u bë, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë:
  23. “Ja virgjëresha tek do të mbarset, dhe do të lindë djalë, dhe do t’ia vënë emrin Emanuel”, që e përkthyer do me thënë, Perëndia bashkë me ne.
  24. Edhe Josifi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç e urdhëroi engjëlli i Zotit, dhe mori pranë vetes gruan e tij.
  25. Edhe nuk e njohu atë, derisa bëri të birin e saj, të parëlindurin; dhe ia vuri emrin Jisu.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου