Matheu 24
- Edhe Jisui doli e iku nga tempulli; dhe nxënësit e tij i erdhën pranë që t’i tregojnë ndërtesat e tempullit.
- Po Jisui u tha atyre: A nuk i shihni gjithë këto? Me të vërtetë po ju them juve se nuk do të mbetet këtu gur mbi gur që të mos rrëzohet.
- Edhe ndërsa ai ishte duke ndenjur mbi Malin e Ullinjve, nxënësit iu afruan mënjanë, duke thënë: Thuajna, kur do të bëhen këto? Edhe cila është shenja e ardhjes tënde dhe e mbarimit të jetës?
- Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Shikoni se mos ju gënjen ju ndonjë.
- Sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë: Unë jam Krishti, dhe do të gënjejnë shumë veta.
- Edhe do të dëgjoni luftëra e zëra luftërash. Shikoni, mos u turbulloni, sepse të gjitha këto duhet të bëhen; por fundi ende nuk është.
- Sepse do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie; dhe do të ketë zira e murtaja, dhe tërmete në vende të ndryshme.
- Por të gjitha këto janë fillimi i dhimbjeve.
- Atëherë do t’ju dorëzojnë juve për shtrëngim dhe do t’ju vrasin; dhe do t’ju kenë mëri gjithë kombet për emrin tim.
- Edhe atëherë do të skandalizohen shumë veta, dhe do të tradhtojnë njëri-tjetrin, dhe do t’i kenë mëri njëri-tjetrit.
- Edhe shumë profetë të rremë do të ngrihen dhe do të gënjejnë shumë veta;
- Edhe pasi të shumohet paligjshmëria, dashuria e të shumtëve do të ftohet.
- Po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.
- Edhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet nëpër gjithë botën, për dëshmi mbi gjithë kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.
- Kur të shihni pra “ndyrësinë e shkretimit”, që është thënë nga profeti Daniel, duke ndenjur në vend të shenjtë, - ai që lexon le ta kuptojë -.
- Atëherë ata që janë në Jude le të ikin nëpër male.
- Kush të gjendet mbi kulm, le të mos zbresë që të marrë gjë nga shtëpia e tij.
- Edhe kush të gjendet në arë, le të mos kthehet prapa që të marrë rrobat e tij.
- Edhe mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që kanë foshnja në gji në ato ditë.
- Edhe faluni që të mos bëhet ikja juaj në dimër, as të shtunën.
- Sepse atëherë do të jetë shtrëngim i madh, i atillë që nuk është bërë që në fillim të botës e deri tani, as nuk do të bëhet.
- Edhe po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjë trup; po ato ditë do të shkurtohen për të zgjedhurit.
- Atëherë në ju thëntë juve ndonjëri: Ja tek është këtu Krishti, apo aty, mos besoni.
- Sepse do të ngrihen krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe çudira, kaq sa do të gënjejnë edhe të zgjedhurit, në mundshin.
- Ja tek jua thashë juve më përpara.
- Në ju thënshin pra juve: Ja tek është në shkretëtirë, mos dilni. Ja në dhomat, mos besoni.
- Sepse siç del vetëtima nga lind dielli dhe duket deri tek perëndon, kështu do të jetë edhe ardhja e birit të njeriut.
- Sepse ku të jetë kërma, atje do të mblidhen shqiponjat.
- Edhe menjëherë pas shtrëngimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë ndriçimin e saj; dhe yjet do të bien nga qielli, dhe fuqitë e qiejve do të tunden.
- Edhe atëherë do të duket shenja e Birit të njeriut në qiell; dhe atëherë do të bëjnë vajtim gjithë fiset e dheut, dhe do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi e me lavdi shumë.
- Edhe do të dërgojë engjëjt e tij me trumbetë që nxjerr zë të madh, dhe do të mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat (anët e horizontit), prej fundit të anëve të qiejve e deri në fund të anëve të tyre.
- Edhe nga druri i fikut mësoni paravolinë: Kur bëhet tashmë dega e tij e butë dhe nxjerr gjethet, e dini se vera është afër.
- Kështu edhe ju kur të shihni gjithë këto, ta dini se është afër ndër dyer.
- Me të vërtetë po ju them juve, ky brez nuk do të shkojë, deri sa të bëhen të gjitha këto.
- Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.
- Edhe për atë ditë e për atë orë, asnjë nuk di gjë, as engjëjt e qiejve, veç Ati im vetëm.
- Edhe siç ishin ditët e Noes, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.
- Sepse siç ishin njerëzit në ato ditë përpara përmbytjes, që hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në atë ditë që hyri Noeja në arkë,
- edhe nuk e kuptuan deri sa erdhi përmbytja dhe i ngriti të gjithë; kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.
- Atëherë dy veta do të jenë në arë; njëri merret e tjetri lihet.
- Dy gra do të bluajnë në mulli; njëra merret e tjetra lihet.
- Rrini zgjuar pra, sepse nuk dini në ç’orë vjen Zoti juaj.
- Po këtë e dini, se ta dinte i zoti i shtëpisë, në ç’kohë të natës vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar, dhe nuk do të linte të shpohej shtëpia e tij.
- Prandaj edhe ju bëhuni gati, sepse Biri i njeriut vjen në atë orë që nuk jua pret mendja juve.
- Vallë, cili është ai shërbëtor besnik dhe i mençur, të cilin i zoti e vuri mbi punëtorët e tij, që t’u japë atyre ushqimin në kohë?
- Lum ai shërbëtor, të cilin, kur të vijë i zoti, ta gjejë duke bërë kështu.
- Me të vërtetë po ju them juve, se do ta vërë atë kujdestar mbi gjithë pasurinë e tij.
- Edhe ai shërbëtori i lig, në thëntë në zemrën e tij: Im zot vonon të vijë;
- edhe të zërë të rrahë shokët e tij shërbëtorë dhe të hajë e të pijë bashkë me ata që dehen,
- i zoti i atij shërbëtori do të vijë në atë ditë që ai nuk e pret dhe në atë orë që nuk e di;
- edhe do ta ndajë mënjanë dhe do ta vërë pjesën e atij bashkë me hipokritët; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου