Τετάρτη 2 Σεπτεμβρίου 2009

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 1

Marku 1

    1. Fillimi i ungjillit të Jisu Krishtit, të Birit të Perëndisë,
    2. siç është shkruar në profetët: “Ja unë tek po dërgoj engjëllin tim përpara faqes tënde, i cili do të ndreqë udhën tënde përpara teje”.
    3. “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij”.
    4. Joani ishte duke pagëzuar në shkretëtirë, dhe duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e fajeve.
    5. Edhe dilnin tek ai gjithë vendi i Judesë dhe Jerusalemasit, dhe të gjithë pagëzoheshin nga ai në lumin e Jordanit, duke rrëfyer fajet e tyre.
    6. Edhe Joani ishte veshur me lesh gamileje, dhe kishte brez të lëkurtë rreth mesit të tij dhe hante karkaleca e mjaltë të egër.
    7. Edhe predikonte, duke thënë: Prapa meje vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti të ulem e t’i zgjidh rripin e këpucëve.
    8. Unë ju pagëzova me ujë, po ai do t’ju pagëzojë me Shpirt të Shenjtë.
    9. Edhe në ato ditë erdhi Jisui nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Joani në Jordan.
    10. Edhe menjëherë, duke dalë nga uji, pa qiejt duke u hapur dhe Shpirtin e Shenjtë si pëllumb duke zbritur mbi të.
    11. Edhe erdhi një zë nga qiejt: Ti je Biri im i dashur që e kam pëlqyer.
    12. Edhe menjëherë Shpirti e nxjerr Jisuin në shkretëtirë.
    13. Edhe ishte atje në shkretëtirë dyzet ditë dhe ngitej nga Satanai. Edhe ishte bashkë me egërsirat. Edhe engjëjt i shërbenin.
    14. Edhe pasi u dorëzua Joani, Jisui erdhi në Galile, duke predikuar Ungjillin e mbretërisë së Perëndisë,
    15. duke thënë se u plotësua koha, dhe u afrua mbretëria e Perëndisë; pendohuni, dhe i besoni ungjillit.
    16. Edhe duke ecur buzë detit të Galilesë, pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetën në det; sepse ishin peshkatarë.
    17. Edhe Jisui u tha atyre: Ejani pas meje, dhe do t’ju bëj ju të bëheni peshkatarë njerëzish.
    18. Edhe ata menjëherë lanë rrjetat e tyre dhe shkuan pas tij.
    19. Edhe duke shkuar prej andej pak më tej pa Jakovin, të birin e Zevedheut, dhe Joanin, të vëllanë e tij, ndërsa ishin në lundër duke ndrequr rrjetat.
    20. Edhe menjëherë i thirri ata; dhe ata lanë të atin e tyre, Zevedheun, në lundër bashkë me punëtorët dhe shkuan pas tij.
    21. Edhe hyjnë në Kapernaum; dhe Jisui menjëherë të shtunën hyri në sinagogë e mësonte.
    22. Edhe çuditeshin për mësimin e tij, sepse ishte duke i mësuar ata si ndonjë që ka pushtet dhe jo si shkruesit.
    23. Edhe ishte në sinagogën e tyre një njeri që kishte frymë të ndyrë, dhe bërtiti duke thënë:
    24. Mjerë! ç’ke ti me ne, Jisu Nazaretasi? Erdhe të na humbasësh? Të di cili je, Shenjti i Perëndisë.
    25. Po Jisui e qortoi, duke thënë: Mbyll gojën dhe dil nga ai.
    26. Edhe fryma e ndyrë, si e shkleu dhe bërtiti me zë të madh, doli nga ai.
    27. Edhe të gjithë u habitën, kaq sa pyesnin njëri-tjetrin, duke thënë: Ç’është kjo? Ç’është ky mësim i ri? Sepse me pushtet urdhëron edhe frymët e ndyra, edhe i binden.
    28. Edhe menjëherë i doli nami nëpër gjithë vendin rreth Galilesë.
    29. Edhe përnjëherë dolën nga sinagoga e erdhën në shtëpinë e Simonit e të Andreas bashkë me Jakovin e me Joanin.
    30. Edhe e vjehrra e Simonit po dergjej në ethe; dhe menjëherë i thonë për të.
    31. Edhe ai u afrua dhe, duke e rrokur atë prej dore, e ngriti; dhe atë e lanë ethet menjëherë, dhe u shërbente atyre.
    32. Edhe si u ngrys, në perëndim të diellit, prunë tek ai gjithë ata që kishin keq dhe të demonizuarit.
    33. Edhe tërë qyteti ishte mbledhur te dera.
    34. Edhe shëroi shumë veta që vuanin prej sëmundjesh të ndryshme; dhe shumë djaj nxori, dhe s’i linte djajtë të flisnin, sepse e njihnin.
    35. Edhe në mëngjes fort me natë u ngrit e doli, dhe shkoi në një vend të shkretë, dhe falej atje.
    36. Edhe e ndoqën prapa Simoni dhe ata që ishin bashkë me të.
    37. Edhe kur e gjetën, i thonë se të gjithë po të kërkojnë.
    38. Edhe ai u thotë atyre: Le të shkojmë në kryefshatrat e afërt, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam dalë.
    39. Edhe ishte duke predikuar nëpër sinagogat e tyre, në gjithë Galilenë, dhe duke nxjerrë djajtë.
    40. Edhe vjen tek ai një lebroz e i lutet, dhe bie në gjunjë përpara tij e i thotë se po të duash, mund të më pastrosh.
    41. Dhe Jisuit iu dhimbs, zgjati dorën, e si e preku i thotë: Dua, pastrohu.
    42. Edhe sapo ai tha këtë, përnjëherë i shkoi lebra, dhe u pastrua.
    43. Edhe si e porositi rreptë, menjëherë e nxori jashtë, dhe i thotë:
    44. Vështro se mos i thuash gjë ndonjërit, po shko dhe rrëfe veten tënde te prifti, dhe sill për pastrimin tënd ato që ka urdhëruar Moisiu për dëshmi mbi ata.
    45. Por ai, si doli, nisi të predikojë shumë dhe të përhapë fjalën, kaq sa ai s’mundej më të hynte haptas në qytet, por ishte jashtë nëpër vende të shkreta; dhe vinin tek ai nga të gjitha anët

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 2

Marku 2

  1. Edhe pas disa ditësh përsëri hyri në Kapernaum; dhe u dëgjua se është në shtëpi.
  2. Edhe përnjëherë u mblodhën shumë veta, kaq sa as vendet pranë derës s’i nxinin më; dhe ai u predikonte atyre fjalën.
  3. Atëherë vijnë tek ai e sjellin një të paralizuar që e ngrinin katër veta.
  4. Edhe pasi s’mund të afroheshin tek ai nga turma e madhe, zbuluan kulmin ku ishte ai, edhe si bënë një vrimë, zbritën shtratin, mbi të cilin dergjej i paralizuari.
  5. Edhe Jisui, kur pa besimin e tyre, i thotë të paralizuarit: Bir, t’u falën mëkatet e tua.
  6. Edhe ca nga shkruesit ishin atje duke ndenjur, dhe duke menduar në zemrat e tyre:
  7. Ç’flet ky kështu blasfemira? Cili mund të falë mëkate, përveçse një, Perëndia?
  8. Edhe Jisui menjëherë si e mori vesh me shpirtin e tij se po mendohen kështu me veten e tyre, u tha atyre: Përse i mendoni këto në zemrat tuaja?
  9. Ç’është më kollaj t’i them të paralizuarit: T’u falën mëkatet, apo t’i them: Ngrihu, e merr shtratin tënd, dhe ec?
  10. Po që ta dini se i biri i njeriut ka pushtet të falë mëkate mbi dhe, - i thotë të paralizuarit: -
  11. Ty të them, ngrihu dhe merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde.
  12. Edhe ai u ngrit menjëherë dhe mori shtratin, dhe doli përpara të gjithëve, kaq sa të gjithë çuditeshin dhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë se kurrë s’kemi parë kështu.
  13. Edhe doli përsëri buzë detit; dhe gjithë turma vinte tek ai, dhe ai i mësonte ato.
  14. Edhe duke shkuar pa Leviun, të birin e Alfeut, duke ndenjur në doganë; dhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij.
  15. Edhe kur po rrinte në tryezë në shtëpinë e atij, ishin ulur në tryezë edhe shumë tagrambledhës e mëkatarë bashkë me Jisuin e me nxënësit e tij; sepse ishin shumë veta, dhe shkuan pas tij.
  16. Edhe shkruesit e Farisenjtë, kur e panë atë duke ngrënë bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë, u thoshin nxënësve të tij: Përse ha e pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?
  17. Edhe Jisui, kur dëgjoi, u thotë atyre: Të shëndoshët s’kanë nevojë për shërues, po ata që vuajnë; s’kam ardhur për të thirrur të drejtë, po mëkatarë në pendim.
  18. Edhe nxënësit e Joanit dhe ata të Farisenjve agjëronin; dhe vijnë, e i thonë: Pse nxënësit e Joanit e ata të Farisenjve agjërojnë dhe nxënësit e tu nuk agjërojnë?
  19. Edhe Jisui u tha: Mos mundin të agjërojnë dasmorët, deri sa të jetë dhëndri bashkë me ta? Sa kohë kanë dhëndrin me vete, s’mund të agjërojnë.
  20. Por do të vijnë ditë kur do të merret dhëndri, dhe atëherë do të agjërojnë në ato ditë.
  21. Edhe asnjë s’qep arnë pëlhure të re në rrobë të vjetër; në mos, mbushja e saj e re heq prej së vjetrës dhe grisja bëhet më e keqe.
  22. Edhe asnjë s’vë verë të re në calikë të vjetër; në mos, vera e re gris calikët, edhe vera derdhet, edhe calikët prishen; po vera e re duhet të vihet në calikë të rinj.
  23. Edhe ndërsa ai po shkonte një ditë të shtunë nëpër ara të mbjella, nxënësit e tij, duke bërë udhë, zunë të shkoqin kallinj.
  24. Edhe Farisenjtë i thoshin: Shih, pse bëjnë ditën e shtunë atë që nuk lejohet?
  25. Edhe ai u thoshte atyre: Kurrë s’keni lexuar ç’bëri Davidi kur pat nevojë dhe i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me të?
  26. Si hyri në shtëpinë e Perëndisë në ditët e kryepriftit Abiatar dhe hëngri bukët e paravënies, të cilat nuk lejohet t’i hajë tjetër njeri, veç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që ishin bashkë me të?
  27. Prandaj u thoshte atyre: E shtuna është bërë për njeriun, e jo njeriu për të shtunën.
  28. Prandaj i biri i njeriut është i zoti edhe i së shtunës.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 3

Marku 3

  1. Pastaj hyri përsëri në sinagogë; dhe atje ishte një njeri që e kishte dorën të thatë.
  2. Edhe vinin re atë nëse do ta shëronte të shtunën, që ta akuzonin.
  3. Edhe ai i thotë njeriut që kishte dorën e thatë: Ngrihu e qëndro në mes.
  4. Pastaj u thotë atyre: A lejohet të bëjë njeriu mirë të shtunave apo të bëjë keq? Të shpëtojë shpirt apo të vrasë? Po ata s’bënin zë.
  5. Atëherë si i vuri re përreth me zemërim, sepse i erdhi keq për ashpërsinë e zemrës së tyre, i thotë njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai e shtriu; dhe dora e tij u bë e shëndoshë si tjetra.
  6. Edhe Farisenjtë si dolën, menjëherë bënë këshillë bashkë me Irodianët kundër tij, që ta vrasin.
  7. Edhe Jisui shkoi bashkë me nxënësit e tij buzë detit; dhe i shkoi pas një turmë e madhe nga Galilea
  8. dhe nga Judea, dhe nga Jerusalemi, dhe nga Idumea, e që përtej Jordanit; dhe një turmë e madhe nga ata që ishin rreth Tirit e Sidonës, kur dëgjuan se sa punë bënte, erdhën tek ai.
  9. Edhe ai u tha nxënësve të tij ta presë atë afër një lundër, për shkak të turmës, që të mos e shtrëngojnë.
  10. Sepse shëroi shumë veta, kaq sa binin sipër atij, që ta preknin, sa veta kishin sëmundje.
  11. Edhe frymët e ndyra kur e vështronin, i binin përpara dhe bërtitnin duke thënë se ti je i biri i Perëndisë.
  12. Po ai i qortonte shumë, që të mos e shfaqnin.
  13. Pastaj ngjitet në mal dhe thërret pranë vetes sa njerëz deshi ai; dhe ata shkuan tek ai.
  14. Edhe zgjodhi dymbëdhjetë veta, që të jenë bashkë me të dhe që t’i dërgojë të predikojnë.
  15. Edhe të kenë pushtet të shërojnë sëmundjet, dhe të nxjerrin djajtë:
  16. Simonin, të cilit ia vuri emrin Pjetër;
  17. dhe Jakovin, të birin e Zevedheut, dhe Joanin, të vëllanë e Jakovit, dhe ua vuri emrin Voanergjes, që domethënë Bij bubullime;
  18. dhe Andrean, e Filipin, e Vartholomeun, e Matheun, e Thomain, e Jakovin, të birin e Alfeut, e Tadeun, e Simon Kananeasin,
  19. dhe Juda Iskariotin, i cili edhe e tradhtoi.
  20. Edhe vijnë në një shtëpi; edhe mblidhet përsëri turmë, kaq sa ata s’mund të hanin as bukë.
  21. Edhe kur dëgjuan njerëzit e tij, dolën ta mbajnë, sepse thoshin se nuk është në vete.
  22. Edhe shkruesit që zbritën nga Jerusalemi thoshnin se ka Velzevulin dhe se i nxjerr djajtë me anë të të parit të djajve.
  23. Po ai, si i thirri ata pranë, u thoshte me paravolira: Si mund të nxjerrë Satanai Satanain?
  24. Edhe një mbretëri në u ndaftë kundër vetes së saj, ajo mbretëri s’mund të qëndrojë.
  25. Edhe një shtëpi në u ndaftë kundër vetes së saj, ajo shtëpi s’mund të qëndrojë.
  26. Edhe Satanai nëse u ngrit kundër vetes së tij dhe u nda, s’mund të qëndrojë, po i erdhi fundi.
  27. Asnjë s’mund të hyjë në shtëpinë e të fortit e të rrëmbejë enët e tij, në mos e lidhtë më përpara të fortin, dhe atëherë do të rrëmbejë shtëpinë e atij.
  28. Me të vërtetë po ju them juve se bijve të njerëzve do t’u ndjehen gjithë mëkatet dhe gjithë sharjet që do të blasfemojnë.
  29. Por ai që të blasfemojë kundër Shpirtit të Shenjtë, nuk ka ndjesë për gjithë jetën, po është fajtor për dënim të pasosur;
  30. sepse thoshin: Ka frymë të ndyrë.
  31. Vijnë pra të vëllezërit dhe e ëma e tij, dhe si qëndruan jashtë, dërguan tek ai që ta thërrasin.
  32. Edhe turma rrinte rreth tij; dhe i thanë atij: Ja nëna jote dhe vëllezërit e tu po të kërkojnë jashtë.
  33. Po ai iu përgjigj atyre, duke thënë: Cila është nëna ime ose cilët janë vëllezërit e mi?
  34. Dhe si hodhi sytë rrotull mbi ata që rrinin pranë tij, tha: Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
  35. Sepse ai që të bëjë vullnetin e Perëndisë, ky është im vëlla, dhe ime motër, dhe nëna.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 4

Marku 4

  1. Edhe përsëri zuri të mësonte buzë detit; dhe u mblodh pranë tij një turmë e madhe, aq sa ai hyri në lundër dhe rrinte në det.
  2. Edhe tërë turma ishte mbi dhe pranë detit dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra me paravolira dhe u thoshte atyre në mësimin e tij:
  3. Dëgjoni. Ja tek doli mbjellësi të mbjellë.
  4. Edhe në mbjellje, një pjesë e farës ra në rrugë, dhe erdhën zogjtë dhe e hëngrën.
  5. Edhe tjetra ra mbi gurishte, ku s’kishte dhe shumë, edhe menjëherë mbiu, sepse s’kishte dhe të thellë,
  6. po kur lindi dielli, u dogj, dhe meqenëse s’kishte rrënjë, u tha.
  7. Edhe një pjesë tjetër ra në drizat; dhe drizat hipën dhe e mbytën, dhe pemë s’dha.
  8. Edhe një tjetër ra në dhe të mirë, dhe jepte pemë duke hipur e duke u rritur, dhe pruri pemë njëra tridhjetë, e njëra gjashtëdhjetë, e njëra njëqind. –
  9. Edhe u thoshte atyre: Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
  10. Edhe kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për paravolinë.
  11. Edhe ai u thoshte atyre: Juve ju është dhënë të njihni fshehtësinë e mbretërisë së Perëndisë. Po për ata që janë jashtë, të gjitha bëhen me paravolira,
  12. që duke parë të vështrojnë, dhe të mos shohin; dhe duke dëgjuar të dëgjojnë, dhe të mos kuptojnë, se mos ndonjëherë kthehen e u falen mëkatet.
  13. Pastaj u thotë atyre: Nuk e dini këtë paravoli? Dhe si do të kuptoni gjithë paravolitë?
  14. Mbjellësi është ai që mbjell fjalën.
  15. Edhe ata pranë udhës janë këta, në të cilët mbillet fjala; po kur dëgjojnë, përnjëherë vjen Satanai dhe merr fjalën që është mbjellë në zemrat e tyre.
  16. Edhe gjithashtu ata që mbillen në gurishte janë këta, të cilët, kur dëgjojnë fjalën, përnjëherë e marrin me gëzim,
  17. po s’kanë rrënjë në veten e tyre, dhe janë për pak kohë. Pastaj, kur bëhet shtrëngim a përndjekje për fjalën, përnjëherë skandalizohen.
  18. Edhe ata që mbillen në drizat janë këta, të cilët e dëgjojnë fjalën,
  19. por kujdesjet e kësaj jete dhe gënjimi i pasurisë, dhe dëshirimet për të tjera gjëra, hyjnë e mbysin fjalën, dhe kjo bëhet e pafrytshme.
  20. Por ata që u mbollën në dhe të mirë janë këta, të cilët dëgjojnë fjalën dhe e presin, dhe sjellin pemë, një tridhjetë, një gjashtëdhjetë dhe një njëqind.
  21. Edhe u thoshte atyre: Mos vjen kandili që të vihet nën shinik apo nën shtrat? E jo që të vihet mbi kandilmbajtëse?
  22. Sepse s’ka gjë të fshehtë që të mos shpallet; as nuk është bërë ndonjë gjë e fshehur, që të mos shfaqet.
  23. Nëse ka ndonjë veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
  24. Edhe u thoshte atyre: Vini re ç’dëgjoni. Me ç’matës matni, do t’ju matet edhe juve, dhe do të shtohet mbi ju që dëgjoni.
  25. Sepse atij që ka do t’i jepet edhe tjetër, dhe prej atij që s’ka, edhe ajo që ka do t’i merret.
  26. Edhe thoshte: Kështu është mbretëria e Perëndisë, si një njeri që hedh farën mbi dhe,
  27. edhe fle e ngrihet natë e ditë; dhe fara mbin e rritet, kështu që ai s’e di se si.
  28. Sepse dheu prej vetiu sjell pemë, më parë bar, pastaj kalli, pastaj grurë të plotë në kalli.
  29. Edhe kur arrihet pema, dërgon drapërin, sepse arriti të korrët.
  30. Edhe thoshte: Me se ta përngjajmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë paravolie ta barazojmë?
  31. Eshtë si një kokërr sinapi, e cila, kur mbillet në dhe, është më e vogël se gjithë farërat që janë mbi dhe.
  32. Por, si mbillet, rritet e bëhet më e madhe se gjithë lakrat, dhe bën degë të mëdha, kaq sa zogjtë e qiellit mund të rrinë nën hijen e tij.
  33. Edhe me shumë të këtilla paravolira u fliste atyre fjalën, siç mund ta dëgjonin.
  34. Edhe pa paravolira nuk ua fliste atyre; po veçan nxënësve të tij ua zgidhte të gjitha.
  35. Edhe atë ditë, si u ngrys, u thotë atyre: Le të hidhemi përtej.
  36. Edhe nxënësit, si lanë turmën, e marrin siç ishte në lundër; dhe të tjera lundërza ishin bashkë me të.
  37. Edhe bëhet një stuhi e madhe ere; dhe valët binin brenda në lundër, kaq sa ajo tani po mbushej.
  38. Edhe ai ishte në anën e prapme të lundrës duke fjetur mbi nënkresë; dhe e zgjojnë e i thonë: Mësues, nuk do të dish se po humbasim?
  39. Edhe ai u ngrit e qortoi erën, dhe i tha detit: Pusho, zbutu.
  40. Edhe pushoi era, edhe u bë bunacë e madhe. Pastaj u tha atyre: Pse jeni frikacakë kështu? Si s’keni besim?
  41. Edhe ata u frikësuan me frikë të madhe, dhe i thoshin njëri-tjetri: Cili vallë është ky, që edhe era edhe deti e dëgjojnë?

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 5

Marku 5

  1. Edhe erdhën në anën e përtejme të detit, në vendin e Gadarinëve.
  2. Edhe sapo doli nga lundra, përnjëherë i doli përpara nga varret një njeri me frymë të ndyrë,
  3. që kishte banesën në varre, dhe asnjë s’mund ta lidhte as me vargje hekurash.
  4. Sepse shumë herë qe lidhur me hekura ndër këmbë e me vargje hekurash, po ai i kishte këputur vargjet e hekurave dhe kishte thyer hekurat e këmbëve; dhe asnjë s’mund ta zbuste.
  5. Edhe gjithnjë, ditë e natë, ishte nëpër varre e nëpër male duke bërtitur e duke copëtuar veten e tij me gurë.
  6. Edhe kur pa Jisuin për së largu, u lëshua me vrap dhe iu fal.
  7. Edhe duke bërtitur me zë të madh thotë: Ç’ke ti me mua, o Jisu, biri i Perëndisë së lartë? Të vë në be në Perëndinë, të mos më mundosh.
  8. Sepse Jisui i thoshte: Dil nga njeriu, o frymë e ndyrë.
  9. Edhe e pyeste: Si ta thonë emrin? Edhe ai u përgjigj e tha: Legjion ma thonë emrin, sepse jemi shumë.
  10. Edhe i lutej shumë, që të mos e dërgojë jashtë vendit.
  11. Edhe atje në mal ishte duke kullotur një tufë e madhe derrash.
  12. Edhe iu lutën atij gjithë djajtë, duke thënë: Dërgona tek derrat, që të hyjmë tek ata.
  13. Edhe Jisui përnjëherë u dha leje. Edhe frymët e ndyra dolën e hynë tek derrat; dhe tufa e derrave u hodh prej shkëmbit në det, - dhe ishin afro dy mijë, - dhe u mbytën në det.
  14. Edhe ata që kullotnin derrat ikën dhe lajmëruan në qytet e nëpër ara. Edhe dolën të shohin ç’është kjo punë që u bë.
  15. Edhe vijnë tek Jisui dhe venë re të demonizuarin që pati pasur legjionin duke ndenjur, dhe të veshur e të urtësuar; dhe u frikësuan.
  16. Edhe ata që panë u treguan atyre, si ngjau puna me të demonizuarin, si edhe për derrat.
  17. Edhe zunë t’i luten të ikë nga kufijtë e tyre.
  18. Edhe kur po hynte ai në lundër, ai që pat qenë i demonizuar i lutej të jetë bashkë me atë.
  19. Edhe Jisui s’e la, por i thotë: Shko në shtëpinë tënde tek njerëzit e tu dhe njoftoi për gjithë sa të bëri Zoti dhe të përdëlleu.
  20. Dhe ai iku e zuri të predikojë në Dekapol sa i bëri atij Jisui; dhe të gjithë çuditeshin.
  21. Edhe si kapërceu Jisui përsëri me lundër në anën e përtejme, shumë njerëz u mblodhën tek ai; dhe ai ishte pranë detit.
  22. Edhe ja tek vjen një nga të parët e sinagogës, që e kishte emrin Jair; dhe ky kur pa atë, i bie ndër këmbë,
  23. edhe i lutej shumë, duke thënë se ime bijë është në frymë të fundit; të lutem të vish e të vësh duart mbi të, që të shpëtojë; dhe do të rrojë.
  24. Edhe ai shkoi bashkë me të; dhe shumë njerëz i vinin pas dhe e shtrëngonin.
  25. Edhe një grua që kishte rrjedhje gjaku dymbëdhjetë vjet,
  26. edhe që kishte hequr shumë nga shumë shërues, dhe që kishte prishur gjithë ç’kishte pasur, dhe që s’kishte parë asnjë dobi, po ishte bërë edhe më keq,
  27. kur dëgjoi për Jisuin, erdhi në mes të turmës nga pas, dhe preku rrobën e tij.
  28. Sepse thoshte se edhe rrobat e atij në preksha, do të shpëtoj.
  29. Edhe përnjëherë u tha burimi i gjakut të saj, dhe e ndjeu në trup se u shërua nga sëmundja.
  30. Edhe Jisui përnjëherë, si e kuptoi në vete fuqinë që doli nga ai, u kthye nga turma, e thoshte: Kush më preku rrobat?
  31. Edhe nxënësit e tij i thoshin: Sheh turmën që të shtrëngon, dhe thua kush më preku?
  32. Po ai vinte re përqark që të shohë atë që bëri këtë.
  33. Edhe gruaja duke u trembur e duke u dridhur, sepse e dinte, se ç’ishte bërë tek ajo, erdhi e i ra ndër këmbë, dhe i tha gjithë të vërtetën.
  34. Edhe ai i tha: Bijë, besimi yt të shpëtoi; shko në paqe, dhe ji e shëndoshë nga sëmundja jote.
  35. Ndërsa ai po fliste ende, vijnë nga i pari i sinagogës, duke i thënë këtij se jot bijë vdiq; përse po e mundon mësuesin?
  36. Po Jisui sapo dëgjoi fjalën që po flitej, i thotë të parit të sinagogës: Mos ki frikë, vetëm beso.
  37. Edhe s’la asnjë të shkojë prapa bashkë me të, përveç Pjetrit dhe Jakovit dhe Joanit, vëllait të Jakovit.
  38. Edhe vjen në shtëpinë e të parit të sinagogës, dhe vështron trazira, e njerëz që qanin e ulërinin shumë.
  39. Edhe si hyri, u thotë atyre: Pse bëni trazirë e qani? Vajza nuk vdiq, por po fle.
  40. Edhe ata e përqeshnin. Po ai, si i nxori jashtë të gjithë, merr me vete të atin e vajzës dhe të ëmën dhe ata që ishin bashkë me të, dhe hyri atje ku ishte dergjur vajza.
  41. Edhe duke rrokur dorën e vajzës, i tha asaj: “Talitha kumi”, që e përkthyer do të thotë: Vajzë, të them, ngrihu.
  42. Edhe përnjëherë vajza u ngrit dhe ecte; sepse ishte dymbëdhjetë vjeç. Edhe u çuditën me çudi të madhe.
  43. Edhe i porositi shumë të mos e marrë vesh këtë asnjeri; dhe tha t’i jepet asaj të hajë.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 6

Marku 6

  1. Edhe doli andej dhe erdhi në vendin e tij, dhe nxënësit e tij i shkojnë pas.
  2. Edhe kur erdhi e shtuna, zuri të mësojë në sinagogë; dhe shumë veta kur dëgjonin, çuditeshin, e thoshin: Që kur i erdhën këtij këto? Edhe ç’është kjo dituri që i është dhënë këtij, dhe të këtilla çudira bëhen nga duart e tij?
  3. A nuk është ky mjeshtri, i biri i Marisë, e i vëllai i Jakovit e i Josiut e i Judës e i Simonit? Dhe a nuk janë motrat e tij këtu ndër ne? Edhe skandalizoheshin për të.
  4. Po Jisui u thoshte atyre se nuk ka profet të panderuar, përveçse në atdheun e tij, dhe ndër njerëzit e tij, dhe në shtëpinë e tij.
  5. Edhe s’mundi të bënte atje asnjë çudi, veç mbi pak të sëmurë vuri duart e i shëroi.
  6. Edhe çuditej për pabesinë e tyre. Edhe shkonte fshatrave përreth, duke mësuar njerëzit.
  7. Edhe thirri pranë të dymbëdhjetët dhe zuri t’i dërgojë dy nga dy; dhe u jepte pushtet kundër frymëve të ndyra.
  8. Edhe i porositi ata të mos mbajnë asgjë udhës, veçse vetëm një shkop; as trastë, as bukë, as bakër në brez.
  9. Por të jenë mbathur me sandale dhe të mos veshin dy rroba.
  10. Edhe u thoshte atyre: Në ç’shtëpi që të hyni, qëndroni atje deri sa të dilni që andej.
  11. Edhe sa veta të mos ju presin, as të mos ju dëgjojnë, kur të dilni andej, shkunduni pluhurin që është poshtë këmbëve tuaja, për dëshmi mbi ata; me të vërtetë po ju them juve, më i durueshëm do të jetë mundimi në Sodomë e në Gomorrë në ditën e gjyqit, se mbi atë qytet.
  12. Edhe ata dolën e predikuan që të pendohen njerëzit.
  13. Edhe nxirrnin shumë djaj; dhe lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.
  14. Edhe dëgjoi mbreti Irod, - se emri i tij (i Jisuit) ishte bërë i njohur, - dhe thoshte se Joani që pagëzonte është ngjallur prej së vdekurish, dhe prandaj fuqitë e qiellit punojnë me anë të tij.
  15. Të tjerë thoshin se ai ishte Ilia. Por të tjerë thoshin se është profet ose si një nga profetët.
  16. Po Irodi, kur dëgjoi, tha se ky është Joani, të cilit unë i preva kryet; ai është ngjallur prej së vdekurish.
  17. Sepse vetë Irodi dërgoi e zuri Joanin, dhe e lidhi në burg për Irodiadën, gruan e Filipit, të vëllait, sepse e kishte marrë për grua.
  18. Sepse Joani i thoshte Irodit se s’është e udhës të kesh ti gruan e vëllait tënd.
  19. Prandaj Irodiada e kishte mëri, dhe donte ta vriste, po nuk mundej.
  20. Sepse Irodi kishte frikë nga Joani, duke e ditur atë për njeri të drejtë dhe për shenjt; dhe e ruante, dhe bënte shumë punë duke e dëgjuar atë, dhe me gëzim e dëgjonte.
  21. Edhe kur erdhi një ditë e mbarë në të cilën Irodi u bëri darkë për ditëlindjen e tij të mëdhenjve të tij e kryemijëshve e të parëve të Galilesë,
  22. edhe si hyri e bija e Irodiadës dhe kërceu, edhe i pëlqeu Irodit e atyre që ishin ndenjur bashkë në tryezë, mbreti i tha vajzës: Kërkomë ç’të duash dhe do të ta jap.
  23. Dhe i bëri be asaj, se çdo gjë që do më lypësh do të ta jap, deri në gjysmën e mbretërisë sime.
  24. Edhe ajo doli e i tha së ëmës: Ç’të lyp? Edhe ajo tha: Kryet e Joan Pagëzorit.
  25. Edhe ajo përnjëherë hyri me nxitim te mbreti, e kërkoi duke thënë: Dua të më japësh tani në pjatë kryet e Joan Pagëzorit.
  26. Edhe mbreti u hidhërua fort, po për betimet që kishte bërë, dhe për ata që ishin ulur bashkë me të në tryezë, nuk deshi t’ia hedhë poshtë kërkesën
  27. Edhe menjëherë mbreti dërgoi një trim dhe urdhëroi të sillet kryet e atij.
  28. Edhe ai shkoi e i preu kryet në burg; dhe e pruri kryet e tij mbi pjatë dhe ia dha vajzës; dhe vajza ia dha së ëmës.
  29. Edhe nxënësit e tij, kur dëgjuan, erdhën dhe ngritën trupin e tij, dhe e vunë në varr.
  30. Edhe apostujt mblidhen tek Jisui dhe i rrëfyen të gjitha, edhe sa bënë, edhe sa mësuan.
  31. Edhe u tha atyre: Ejani ju vetë veçan në një vend të shkretë dhe prehuni pak; sepse ishin shumë ata që vinin e shkonin, dhe as për të ngrënë s’kishin kohë.
  32. Edhe ata shkuan me lundër në një vend të shkretë veçan.
  33. Edhe turmat i panë ata duke shkuar, dhe shumë veta e njohën; edhe me këmbë nga gjithë qytetet u sulën atje, dhe arritën më përpara se ata, dhe u mblodhën pranë atij.
  34. Edhe Jisui, kur doli, pa shumë njerëz dhe iu dhimbs për ta, sepse ishin si dhen që s’kanë bari; dhe zuri t’i mësojë shumë.
  35. Edhe tani, meqenëse kishte shkuar shumë koha, iu afruan atij nxënësit e i thonë se vendi është i shkretë dhe tani koha ka shkuar shumë,
  36. lëshoi ata, që të shkojnë nëpër arat e nëpër fshatrat përreth e të blejnë bukë për veten e tyre, sepse s’kanë se ç’të hanë.
  37. Po ai u përgjigj e u tha atyre: Jepuni ju atyre të hanë. Edhe ata i thonë: Të shkojmë e të blejmë dyqind dinarë bukë e t’u japim atyre të hanë?
  38. Edhe ai u thotë atyre: Sa bukë keni? Shkoni e shihni. Edhe si shkuan e panë, i thonë: Pesë, dhe dy peshq.
  39. Edhe ai i urdhëroi t’i vënë ata të rrinë të gjithë grupe-grupe përmbi barin e njomë.
  40. Edhe ata ndenjën togje-togje, nga njëqind e nga pesëdhjetë.
  41. Edhe ai, si mori të pesë bukët e të dy peshqit, ngriti sytë në qiell, bekoi, dhe theu bukët e ua dha nxënësve të tij, që t’i vënë përpara tyre; edhe të dy peshqit ua ndau të gjithëve.
  42. Edhe të gjithë hëngrën e u ngopën.
  43. Edhe u ngritën dymbëdhjetë kofinë plot me copa, edhe nga peshqit.
  44. Edhe ata që hëngrën bukët ishin rreth pesë mijë burra.
  45. Edhe menjëherë i shtrëngoi nxënësit e tij të hyjnë në lundër dhe të shkojnë më parë se ai matanë, në Betsaida, deri sa ai të lëshonte turmën.
  46. Edhe si i lëshoi, shkoi në mal të falet.
  47. Edhe kur u ngrys, lundra ishte në mes të detit, dhe ai vetëm mbi tokë.
  48. Edhe pa ata që po mundoheshin në vozitje, sepse era ishte kundër tyre; dhe në rojen e katërt të natës vjen tek ata, duke ecur mbi det; dhe donte t’i kapërcente.
  49. Po ata, kur panë atë që po ecte mbi det, pandehën se ishte hije dhe bërtitën.
  50. Sepse të gjithë e panë dhe u drodhën. Edhe menjëherë foli bashkë me ata e u thotë atyre: Guxim, jam unë, mos u frikësoni. Edhe hipi tek ata në lundër; dhe era pushoi.
  51. Edhe me veten e tyre habiteshin fort tepër, dhe mahniteshin.
  52. Sepse nuk e morën vesh nga bukët; sepse zemra e tyre ishte ashpërsuar.
  53. Edhe si kapërcyen detin, erdhën në tokën Gjenisaret dhe hodhën spirancën në liman.
  54. Dhe kur dolën nga lundra, ata e njohën menjëherë,
  55. edhe u turrën nëpër gjithë ato vende përreth e zunë të sillnin mbi shtretër ata që kishin keq atje ku dëgjonin se është.
  56. Edhe kudo që hynte në fshatra ose në qytete ose në ara, vinin të sëmurët nëpër tregje dhe i luteshin të preknin vetëm cepin e rrobës së tij; dhe gjithë sa e preknin, shëroheshin.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 7

Marku 7

  1. Atëherë mblidhen tek ai Farisenjtë dhe disa nga shkruesit, që kishin ardhur nga Jerusalemi.
  2. Edhe kur panë se disa nga nxënësit e tij hanin bukë me duar të fëlliqura, domethënë të palara, i përfolën.
  3. Sepse Farisenjtë dhe gjithë Judenjtë, në mos lafshin duart deri në bërryl, nuk hanë, se mbajnë traditën e pleqve;
  4. Edhe kur kthehen nga tregu, në mos u lafshin, nuk hanë; dhe shumë të tjera zakone ka që kanë marrë për të mbajtur, si të lara kupash, e enësh, e të bakërtash, e shtretërish.
  5. Pastaj Farisenjtë e shkruesit e pyesin: Përse nxënësit e tu nuk ecin sipas fjalëve që kanë lënë pleqtë, po me duar të palara hanë bukë?
  6. Po ai u përgjigj e u tha atyre se mirë profetizoi Isaia për ju hipokritët, siç është shkruar: “Ky popull me buzët më nderon, po zemra e tyre është larg prej meje.
  7. Edhe kot më nderojnë, duke mësuar mësime porosi njerëzish”.
  8. Sepse keni lënë porosinë e Perëndisë, e mbani fjalët që kanë lënë njerëzit, të lara enësh e kupash, dhe bëni shumë të tjera të tilla si këto.
  9. Edhe u thoshte atyre: Mirë, hidhni poshtë porosinë e Perëndisë, që të ruani traditën tuaj.
  10. Sepse Moisiu ka thënë: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”; dhe: “Kush flet keq për të atin a për të ëmën pa fjalë të vritet”.
  11. Po ju thoni: Në i thëntë njeriu të atit ose së ëmës, kurban, që domethënë dhuratë, është çdo e mirë që do të shohësh prej meje, është mjaft;
  12. dhe s’e lini më t’i bëjë asgjë të atit ose së ëmës,
  13. edhe shkelni fjalën e Perëndisë për traditën tuaj që morët; dhe bëni shumë të tilla punë si këto.
  14. Edhe si thirri pranë gjithë turmën, u thoshte atyre: Dëgjomëni të gjithë, dhe merrni vesh.
  15. S’ka asgjë nga përjashta njeriut që hyn tek ai që mund ta ndyjë, po ato që dalin prej tij, ato janë që e ndyjnë njeriun.
  16. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
  17. Edhe kur hyri në një shtëpi prej turmës, e pyesnin nxënësit e tij për paravolinë.
  18. Edhe ai u tha atyre: Kështu edhe ju të pamarrë vesh jeni? S’merrni vesh se çdo gjë që i hyn njeriut nga jashtë nuk mund ta ndyjë?
  19. Sepse nuk hyn në zemrën e tij, po në bark; dhe del në jashtëqitje, duke pastruar gjithë të ngrënat.
  20. Por, thoshte se ç’del nga njeriu, ajo e ndyn njeriun.
  21. Sepse që përbrenda, nga zemra e njerëzve dalin mendimet e liga, ndyrësira, imoralitete, vrasje,
  22. vjedhje, lakmira, ligësira, mashtrim, shthurje, shikim me sy të keq, blasfemi, madhështi, marrëzi.
  23. Gjithë këto të liga nga përbrenda dalin dhe ndyjnë njeriun.
  24. Edhe u ngrit prej andej e shkoi në kufijtë e Tirit e të Sidonës, dhe si hyri në një shtëpi, nuk deshi ta marrë vesh asnjeri; po s’mundi të fshihet.
  25. Sepse një grua, e bija e së cilës kishte frymë të ndyrë, kur dëgjoi për të, erdhi e i ra ndër këmbë.
  26. Edhe gruaja ishte greke, sirofenikase nga kombi; dhe i lutej të nxjerrë djallin prej së bijës.
  27. Po Jisui i tha asaj: Le të ngopen më përpara fëmijët; sepse s’është mirë të marrë ndonjëri bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhë këlyshëve të qenve.
  28. Po ajo u përgjigj e i tha: Po, Zot, por edhe këlyshët poshtë tryezës hanë nga thërrimet e fëmijëve të vegjël.
  29. Edhe ai i tha asaj: Për këtë fjalë shko. Djalli doli nga jot bijë.
  30. Edhe ajo kur shkoi në shtëpinë e saj, gjeti të bijën rënë mbi shtrat dhe djallin të nxjerrë.
  31. Edhe përsëri doli nga kufijtë e Tirit e të Sidonës, dhe erdhi buzë detit të Galilesë përmes kufijve të Dekapolit.
  32. Edhe i sjellin një të shurdhër belbacuk, dhe i luten të vërë dorën mbi të.
  33. Edhe ai e mori prej turmës veçan, dhe vuri gishtërinjtë e tij në veshët e atij, dhe si pështyu, i preku gjuhën.
  34. Edhe si ngriti sytë në qiell, psherëtiu, dhe i thotë atij: Effatha, që domethënë Hapu.
  35. Edhe përnjëherë u hapën veshët e tij, dhe u zgjidh të lidhurit e gjuhës së tij, dhe fliste drejt.
  36. Edhe Jisui i porositi të mos i thonë asnjeriu; po sa më tepër i porosiste ai, aq më tepër ata e predikonin.
  37. Edhe çuditeshin fort tepër e thoshin: Mirë i ka bërë të gjitha; edhe të shurdhërit i bën të dëgjojnë, edhe memecët të flasin.