Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 13

Matheu 13

  1. Edhe atë ditë si doli Jisui nga shtëpia, rrinte pranë detit.
  2. Edhe u mblodhën tek ai shumë njerëz, kaq sa ai hyri në lundër e rrinte; dhe gjithë turma rrinte buzë detit.
  3. Edhe u foli atyre shumë me paravoli, duke thënë: Ja mbjellësi tek doli të mbjellë.
  4. Edhe ndërsa ai po mbillte, disa fara ranë pranë udhës; dhe erdhën shpendët e i hëngrën të gjitha.
  5. Edhe të tjera ranë mbi gurishte, ku s’kishte tokë shumë; edhe përnjëherë mbinë, sepse s’kishte tokë të thellë.
  6. Po kur lindi dielli, u dogjën, dhe pasi nuk kishin rrënjë, u thanë.
  7. Edhe të tjera ranë mbi drizat, dhe u rritën drizat, e i mbytën ato.
  8. Edhe të tjera ranë mbi dhe të mirë; dhe jepnin fruta, njëra njëqind, e tjetra gjashtëdhjetë, e tjetra tridhjetë.
  9. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
  10. Edhe nxënësit erdhën pranë e i thanë atij: Përse u flet atyre me paravoli?
  11. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Sepse juve ju është dhënë të merrni vesh të fshehtat e mbretërisë së qiejve, po atyre nuk u është dhënë.
  12. Sepse atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të teprojë; kurse atij që nuk ka, edhe ç’të ketë do të merret nga ai.
  13. Prandaj u flas atyre me paravoli, sepse duke parë nuk shohin, dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë, as nuk kuptojnë.
  14. Edhe mbushet në ata profecia e Isaisë, që thotë: “Për të dëgjuar do të dëgjoni, por nuk do të merrni vesh; dhe duke parë do të shihni, por nuk do të kuptoni.
  15. Sepse u trash zemra e këtij populli, dhe dëgjuan rëndë me veshët e tyre, dhe mbyllën sytë e tyre, se mos shohin ndonjëherë me sytë dhe dëgjojnë me veshët, dhe kuptojnë me zemrën, edhe kthehen, e i shëron ata”.
  16. Po juve ju janë të lumtur sytë, se shohin; edhe veshët tuaj, se dëgjojnë.
  17. Sepse me të vërtetë po ju them juve, se shumë profetë dhe të drejtë dëshiruan të shohin sa shihni ju, dhe nuk panë; edhe të dëgjojnë sa dëgjoni ju, dhe nuk dëgjuan.
  18. Ju pra dëgjoni paravolinë e mbjellësit.
  19. Kujtdo që dëgjon fjalën e Perëndisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe rrëmben atë që është mbjellë në zemrën e tij; ky është si ajo fara që u mboll pranë udhës.
  20. Edhe ç’u mboll mbi gurishte, ky është ai që dëgjon fjalën, dhe përnjëherë e merr me gëzim;
  21. por s’ka rrënjë në veten e tij, prandaj është për pak kohë; sepse kur bëhet shtrëngim ose përndjekje për fjalën, menjëherë skandalizohet.
  22. Edhe ç’u mboll ndër drizat, ky është ai që dëgjon fjalën; por kujdesi i kësaj bote, dhe gënjimi i pasurisë mbyt fjalën, dhe bëhet i pafrytshëm.
  23. Edhe ç’u mboll mbi tokë të mirë, ky është ai që dëgjon fjalën, dhe e kupton; prandaj ai sjell fryte, dhe bën njëri njëqind, dhe tjetri gjashtëdhjetë, e tjetri tridhjetë.
  24. Një tjetër paravoli u pruri atyre, duke thënë: Mbretëria e qiejve ngjan me një njeri që mbolli farë të mirë në arën e tij.
  25. Po ndërsa flinin njerëzit, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit, dhe iku.
  26. Edhe kur mbiu bari e bëri pemë, atëherë u duk edhe egjëri.
  27. Edhe shërbëtorët erdhën pranë të zotit të shtëpisë e i thanë: Zot, a nuk mbolle ti farë të mirë në arën tënde? Nga doli pra egjëri?
  28. Po ai u tha atyre: Ndonjë njeri armik e ka bërë këtë. Edhe shërbëtorët i thanë atij: Do pra të shkojmë e ta mbledhim atë?
  29. Po ai tha: Jo, sepse duke mbledhur egjërin, mos shkulni edhe grurin bashkë me të.
  30. Lërini të rriten të dy bashkë deri në korrje dhe në kohën e korrjes do t’u them korrësve: Mblidhni më përpara egjërin dhe e lidhni dorëza për ta djegur atë; po grurin mblidheni në grunarin tim.
  31. Një tjetër paravoli u pruri atyre duke thënë: Mbretëria e qiejve ngjan me një kokërr sinapi, të cilën e mori një njeri dhe e mbolli në arën e tij.
  32. Ajo është më e vogël se gjithë farërat, po kur rritet, është më e madhe se lakrat, dhe bëhet dru, kaq sa vijnë zogjtë e qiellit e rrinë në degët e tij.
  33. Një tjetër paravoli u foli atyre: Mbretëria e qiejve ngjan me brumin, të cilin e mori një grua dhe e fshehu në tri masa mielli, deri sa u mbrujt i gjithë.
  34. Këto të gjitha ua foli Jisui turmave me paravolira, dhe pa paravoli nuk u fliste atyre;
  35. që të përmbushet ç’është thënë nga profeti që thotë: “Do të hap gojën time me paravolira; do të flas gjëra të fshehta që kur është themeluar bota”.
  36. Atëherë Jisui la turmën e erdhi në shtëpi, dhe nxënësit e tij i erdhën pranë e i thanë: Zgjidhna paravolinë e egjërit të arës.
  37. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ai që mbjell farën e mirë është i Biri i njeriut;
  38. dhe ara është bota; dhe fara e mirë, këta janë të bijtë e mbretërisë; dhe egjëri janë të bijtë e të ligut.
  39. Edhe armiku që mbolli atë, është djalli; dhe korrja është mbarimi i jetës; dhe korrësit janë engjëjt.
  40. Pra siç mblidhet egjëri dhe digjet në zjarr, kështu do të jetë në mbarim të kësaj jete.
  41. I Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që punojnë paudhësinë.
  42. Edhe do t’i hedhin ata në furrën e zjarrit; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
  43. Atëherë të drejtët do të ndrisin si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
  44. Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në arë, të cilin kur e gjeti një njeri e fshehu; dhe nga gëzimi i tij shkon e shet gjithçka dhe blen atë arë.
  45. Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një njeri tregtar, që kërkonte margaritarë të mirë,
  46. i cili kur gjeti një margaritar shumë të vlefshëm, shkoi e shiti gjithë sa kishte dhe e bleu atë.
  47. Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një rrjetë që u hodh në det dhe mblodhi çdo lloj gjëje.
  48. Edhe si u mbush, e nxorën atë në buzë të detit dhe ndenjën e mblodhën të mirat në enë, dhe të këqijat i hodhën jashtë.
  49. Kështu do të jetë në mbarim të jetës. Do të dalin engjëjt e do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët,
  50. edhe do t’i hedhin ata në furrën e zjarrit; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
  51. U thotë atyre Jisui: A i kuptuat këto të gjitha? I thonë atij: Po, Zot.
  52. Edhe ai u tha atyre: Prandaj çdo shkrues që ka mësuar punët e mbretërisë së qiejve ngjan me një njeri zot shtëpie, që nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja dhe të vjetra.
  53. Edhe Jisui, si mbaroi këto paravolira, iku andej.
  54. Edhe si erdhi në dhe të tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kaq sa ata çuditeshin e thoshin: Nga i erdhi këtij kjo dituri e këto fuqi?
  55. A nuk është ky i biri i mjeshtrit? E ëma e tij a nuk quhet Mariam, dhe të vëllezërit e tij Jakov dhe Josi dhe Simon dhe Juda?
  56. Edhe të motrat e tij a nuk janë të gjitha ndër ne? Nga i erdhën këtij pra këto të gjitha?
  57. Edhe skandalizoheshin me të. Por Jisui u tha atyre: Nuk ka profet të panderuar, përveçse në atdheun e tij e në shtëpinë e tij.
  58. Edhe nuk bëri atje shumë çudira për shkak të pabesisë së tyre.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου