Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 22

Matheu 22

  1. Edhe Jisui u përgjigj përsëri e u tha atyre me paravolira, duke thënë:
  2. Mbretëria e qiejve ngjan me një njeri mbret, i cili bëri dasmë për të birin e tij.
  3. Edhe dërgoi shërbëtorët e tij të thërresin ata që qenë ftuar në dasmë, por nuk deshën të vijnë. Përsëri dërgoi të tjerë shërbëtorë,
  4. duke thënë: Thuajuni atyre që janë ftuar: Ja tek bëra gati drekën time. Demat e mi dhe berrat e ushqyer janë gati; ejani në dasmë.
  5. Po ata përtuan e shkuan, njëri në arën e tij e tjetri në tregtinë e tij.
  6. Edhe të tjerët zunë shërbëtorët e atij e i shanë e i vranë.
  7. Po mbreti kur dëgjoi u zemërua dhe dërgoi ushtritë e tij dhe i shfarosi ata gjaksorët, dhe dogji qytetin e tyre.
  8. Atëherë u thotë shërbëtorëve të tij: Dasma është gati, po ata që qenë të ftuar nuk ishin të denjë.
  9. Shkoni pra nëpër daljet e udhëve, dhe sa të gjeni, t’i ftoni në dasmë.
  10. Edhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë e mblodhën gjithë sa gjetën, të ligj e të mirë; dhe dasma u mbush me njerëz që rrinin në mësallë.
  11. Dhe mbreti kur hyri të shohë ata që rrinin në mësallë, pa atje një njeri që s’kishte veshur rrobë dasme.
  12. Edhe i thotë atij: Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme? Po ai mbylli gojën.
  13. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: Lidheni atë prej këmbësh e prej duarsh dhe ngrijeni, dhe hidheni në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
  14. Sepse shumë veta janë të thirrur, por pak të zgjedhur.
  15. Atëherë Farisenjtë shkuan e bënë këshillë, si ta zënë në lak me fjalë.
  16. Edhe dërgojnë tek ai nxënësit e tyre bashkë me Irodianët, duke thënë: Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe mëson udhën e Perëndisë me të vërtetë dhe nuk do të dish për asgjë; sepse nuk shikon në faqe njerëzish.
  17. Thuajna pra: Ç’të duket? Eshtë e udhës t’i japim taksë Qezarit, apo jo?
  18. Po Jisui, si njohu djallëzinë e tyre, tha: ç’më ngisni, hipokritë?
  19. Tregomëni monedhën e pagesës.
  20. Edhe ata i prunë një dinar. Edhe ai u thotë atyre: E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?
  21. Ata i thonë: E Qezarit. Atëherë u thotë atyre: Jepini pra Qezarit ç’janë të Qezarit dhe Perëndisë ç’janë të Perëndisë.
  22. Edhe ata, kur dëgjuan, u çuditën, dhe e lanë atë e ikën.
  23. Në atë ditë i erdhën pranë Saduqenj, të cilët thonë se nuk ka ngjallje; dhe e pyetën,
  24. duke thënë: Mësues, Moisiu tha: “Në vdektë ndonjë pa pasur bij, i vëllai do të martohet me gruan e tij”, dhe do t’i ngjallë farë të vëllait të tij.
  25. Edhe ishin tek ne shtatë vëllezër. Dhe i pari, si u martua, vdiq; dhe pasi nuk kishte bir, ia la gruan e tij të vëllait të tij.
  26. Kështu dhe i dyti, dhe i treti, deri në të shtatin.
  27. Edhe më pas nga të gjithë vdiq edhe gruaja.
  28. Në ngjallje pra, gruaja e kujt do të jetë nga këta të shtatë? Sepse të gjithë e patën marrë atë.
  29. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Jeni të gënjyer, se nuk dini shkronjat, as fuqinë e Perëndisë.
  30. Sepse në ngjallje as martohen, as martojnë, por janë si engjëj të Perëndisë në qiell.
  31. Edhe për ngjalljen e të vdekurve a s’keni lexuar ç’ju është thënë juve prej Perëndisë, kur thotë:
  32. “Unë jam Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakovit”? Perëndia nuk është Perëndi të vdekurish, por të gjallësh.
  33. Dhe turmat kur dëgjuan, tmerroheshin për mësimin e tij.
  34. Por Farisenjtë kur dëgjuan se u mbylli gojën Saduqenjve, u mblodhën bashkë.
  35. Edhe një mësues ligji nga ata e pyeti duke e ngacmuar atë,
  36. e duke thënë: Mësues, cila porosi është e madhe në ligj?
  37. Edhe Jisui i tha atij: “Të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”.
  38. Kjo është porosi e parë dhe e madhe.
  39. Edhe e dyta që është e barabartë me të është: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”.
  40. Gjithë ligji dhe profetët varen nga këto dy porosi.
  41. Edhe ndërsa ishin mbledhur Farisenjtë, Jisui i pyeti,
  42. duke thënë: Ç’mendoni ju për Krishtin? I biri i kujt është? I thonë: I Davidit.
  43. U thotë atyre: Si pra Davidi me Shpirt e quan atë Zot,
  44. duke thënë “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbje të këmbëve të tua”?
  45. Në qoftë pra se Davidi e quan Zot, si është i biri i atij?
  46. Dhe asnjë nuk mundej t’i përgjigjej ndonjë fjalë; as nuk guxoi ndonjë që atë ditë ta pyesë më.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου