Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 5

Matheu 5

  1. Edhe kur pa turmat, ai u ngjit në mal, dhe si ndenji, i erdhën pranë nxënësit e tij.
  2. Edhe atëherë hapi gojën, e i mësonte duke thënë:
  3. Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
  4. Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.
  5. Lum ata që janë të butë, sepse ata do të trashëgojnë dhenë.
  6. Lum ata që kanë uri e etje për drejtësinë, sepse ata do të ngopen.
  7. Lum ata që janë përdëllimtarë, sepse ata do të përdëllehen.
  8. Lum ata që kanë zemër të pastër, sepse ata do të shohin Perëndinë.
  9. Lum ata që bëjnë paqe, sepse ata do të quhen bij Perëndie.
  10. Lum ata që ndiqen për punë drejtësie, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
  11. Të lumtur jeni ju, kur t’ju poshtërojnë e t’ju përndjekin, e të thonë kundër jush çdo lloj fjale të keqe me gënjeshtra për shkakun tim.
  12. Gëzohuni e gazmohuni, sepse paga juaj është e shumtë në qiej. Sepse kështu përndoqën edhe profetët që kanë qenë përpara jush.
  13. Ju jeni kripa e dheut. Po në u prishtë kripa, me çfarë do të kripet? Për asgjë nuk vlen më, përveçse të hidhet jashtë, dhe të shkelet nga njerëzit.
  14. Ju jeni drita e botës. Një qytet që është mbi mal nuk mund të fshihet.
  15. As nuk ndezin kandilin, që ta vënë atë nën shinik, po e vënë mbi kandilmbajtëse, dhe ndrit mbi të gjithë ata që janë në shtëpi.
  16. Kështu le të ndriçojë drita juaj përpara njerëzve, që të shohin punët tuaja të mira, e të lavdërojnë Atin tuaj që është në qiejt.
  17. Mos kujtoni se erdha të prish ligjin a profetët. Nuk erdha të prish, po të përmbush.
  18. Sepse me të vërtetë po ju them juve, deri sa të shkojë qielli edhe dheu, as një jota a një pikë nuk do të shkojë nga ligji, deri sa të bëhen të gjitha.
  19. Ai pra që të shkelë qoftë edhe një nga këto porositë e vogla, dhe të mësojë kështu njerëzit, i vogël do të quhet në mbretërinë e qiejve; por ai që t’i bëjë e të mësojë të tjerët, ky do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.
  20. Sepse po ju them juve, se në mos teproftë drejtësia juaj më tepër se ajo e shkruesve dhe e Farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve.
  21. Keni dëgjuar se u është thënë të vjetërve: “Mos vrit”, dhe ai që të vrasë do të jetë fajtor në gjyq.
  22. Por unë po ju them juve se kushdo që zemërohet më kot kundër vëllait të tij, do të jetë fajtor në gjyq; dhe ai që t’i thotë të vëllait: “Rraka”, do të jetë fajtor në kuvend; dhe ai që t’i thotë: “i marrë”, do të jetë fajtor për në gjehenë të zjarrit.
  23. Në prufsh, pra, dhuratën tënde në therore, dhe atje kujtohesh, se yt vëlla diçka ka kundër teje,
  24. lëre atje dhuratën tënde përpara altarit, dhe shko e pajtohu më parë me tët vëlla, dhe atëherë, si të vish, bjer dhuratën tënde.
  25. Ndrequ shpejt me ndërgjyqësin tënd, deri sa të jesh në udhë bashkë me të; se mos të të japë ndërgjyqësi në dorë të gjyqtarit dhe gjyqtari të jep në dorë të shërbëtorit, e hidhesh në burg.
  26. Me të vërtetë po të them ty: Nuk do të dalësh andej, deri sa të paguash edhe asprën e fundit.
  27. Keni dëgjuar se u është thënë të moçmëve: “Mos shkel kurorën”.
  28. Por unë po ju them juve, se kushdo që vë re grua me dëshirim, e ka shkelur atë në zemër të tij.
  29. Edhe në të skandalizoftë syri yt i djathtë, nxirre atë e hidhe prej teje; sepse është më mirë për ty të humbasë një nga copat e trupit tënd, dhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë.
  30. Edhe në të skandalizoftë dora jote e djathtë, preje atë, dhe hidhe prej teje, sepse është më mirë për ty të humbasë një nga copat e trupit tënd, dhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë.
  31. Edhe është thënë, se ai që të lërë gruan e tij, le t’i japë asaj letrën e ndarjes.
  32. Por unë po ju them juve, se ai që të lërë gruan e tij, vetëm për fjalë imoraliteti, e bën atë të bëjë imoralitet; dhe ai që të marrë grua të ndarë bën imoralitet.
  33. Përsëri keni dëgjuar se u është thënë të moçmëve: Mos bëj be të rreme, por t’ia japësh Zotit betimet e tua.
  34. Por unë po ju them juve, të mos bëni be fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë;
  35. as për dhenë, sepse është vendi që vë këmbët e tij Perëndia; as për Jerusalemin, sepse është qytet i mbretit të madh.
  36. As për kryet tënd të mos bësh be, sepse nuk mund të bësh një qime të bardhë a të zezë.
  37. Por le të jetë fjala juaj, Po, po; Jo, jo; sepse e tepërta e këtyre është nga i ligu.
  38. Keni dëgjuar se është thënë: “Sy në vend të syrit, dhe dhëmb në vend të dhëmbit”.
  39. Por unë po ju them juve, të mos i qëndroni kundër të ligut; por atij që të të bjerë ty një shuplakë në nofullën tënde të djathtë, ktheji atij edhe tjetrën.
  40. Edhe atij që do të gjykohet me ty, e do të marrë këmishën tënde, lëri atij edhe rrobën.
  41. Edhe ai që të të marrë ty angari një milje, ec bashkë me atë dy.
  42. Jepi atij që lyp prej teje; edhe mos e kthe fytyrën mënjanë prej atij që do hua prej teje.
  43. Keni dëgjuar se është thënë: Të duash të afërmin tënd, dhe t’i kesh mëri armikut tënd.
  44. Por unë po ju them juve: Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë juve, bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri juve, dhe faluni për ata që ju bëjnë keq e ju ndjekin ju;
  45. që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiejt, sepse ai bën diellin e tij të lindë mbi të ligj e mbi të mirë, dhe lëshon shiun mbi të drejtë e mbi të shtrembër.
  46. Sepse në daçi ata që ju duan, çfarë page keni? A nuk e bëjnë këtë edhe tagrambledhësit?
  47. Edhe në përshëndetshi vetëm vëllezërit tuaj, ç’bëni më tepër? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
  48. Bëhuni, pra, ju të përsosur, siç është i përsosur Ati juaj që është në qiejt.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου