Matheu 18
- Në atë orë erdhën nxënësit tek Jisui e i thanë: Vallë, cili është më i madh në mbretërinë e qiejve?
- Edhe Jisui thirri pranë vetes së tij një djalë të vogël, dhe e vendosi atë në mes të tyre, e tha:
- Me të vërtetë po ju them juve, në mos u kthefshi e të bëheni si djemtë e vegjël, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve.
- Ai që të përulë pra veten e tij si ky djalë i vogël, ky është më i madh në mbretërinë e qiejve.
- Dhe ai që të presë një të këtillë djalë të vogël në emrin tim, më ka pritur mua.
- Po kush të pengojë një nga këta të vegjlit që më besojnë, është më mirë për të t’i varet një gur mulliri mbi qafë dhe të hidhet në fund të detit.
- Mjerë bota nga skandalet! Sepse është e nevojshme të vijnë skandalet, po mjerë ai njeri, prej të cilit vjen skandali.
- Edhe në të skandalizoftë dora jote a këmba jote, preji, dhe hidhi prej teje; është më mirë për ty të hysh në jetë i çalë a dorac, se të kesh dy duar a dy këmbë e të hidhesh në zjarr të pasosur.
- Edhe në të skandalizoftë syri yt, nxirre atë dhe hidhe prej teje; më mirë është për ty të hysh në jetë me një sy vetëm, se të kesh dy sy e të hidhesh në gjehenën e zjarrit.
- Shikoni, mos përçmoni një nga këta të vegjlit; sepse po ju them juve, se engjëjt e tyre në qiejt shohin gjithnjë faqen e Atit tim që është në qiejt.
- Sepse Biri i njeriut erdhi të shpëtojë të humburin.
- Ç’ju duket juve? Në pastë ndonjë njeri njëqind dhen, edhe t’i humbasë një nga ato, a nuk le të nëntëdhjetenëntat, e vete nëpër male të kërkojë të humburën?
- Edhe në qoftë se e gjen, me të vërtetë po ju them juve, se gëzohet më tepër për atë sesa për të nëntëdhjetenëntat, që s’kanë humbur.
- Kështu nuk është e dashur përpara Atit tuaj që është në qiejt, të humbasë një nga këta të vegjlit.
- Edhe në të bëftë faj yt vëlla, shko dhe qortoje në mes teje dhe të atij vetëm; në të dëgjoftë, e fitove vëllanë tënd.
- Po në mos të dëgjoftë, merr me vete dhe një ose dy veta, që të qëndrojë çdo fjalë në gojë të dy a tre dëshmitarëve.
- Edhe në mos i dëgjoftë ata, thuaja këtë kishës; e në mos e dëgjoftë edhe kishën, atëherë le të jetë ai si pagani e tagrambledhësi.
- Me të vërtetë po ju them juve, ç’të lidhni mbi dhe, do të jenë lidhur në qiell; dhe ç’të zgjidhni mbi dhe, do të jenë zgjidhur në qiell.
- Përsëri po ju them juve, se në qofshin mbi dhe dy veta nga ju në një fjalë, për çdo gjë që të lypin, do t’u bëhet atyre nga Ati im që është në qiejt.
- Sepse ku të jenë dy a tre veta mbledhur në emrin tim, atje jam edhe unë në mes tyre.
- Atëherë i erdhi pranë Pjetri, e tha: Zot, sa herë duhet të bëjë faj ndaj meje im vëlla, dhe t’ia fal atij? Deri në shtatë herë?
- Jisui i thotë atij: Nuk të them deri në shtatë herë, po deri në shtatëdhjetë herë shtatë.
- Prandaj mbretëria e qiejve ngjan me një njeri mbret, që deshi të lajë llogaritë me shërbëtorët e tij.
- Edhe kur zuri të lajë llogaritë, i prunë një huamarrës që i detyrohej dhjetë mijë talanta.
- Edhe pasi ai nuk kishte t’i lante, i zoti urdhëroi të shitet ai dhe gruaja e tij dhe të bijtë e gjithë ç’kishte, dhe të lahej detyrimi.
- Po shërbëtori i ra ndër këmbë, e i lutej, duke thënë: Zot, bëhu zemërgjerë me mua, dhe do të t’i laj të gjitha.
- Edhe të zotit, si iu dhimbs për atë shërbëtor, e lëshoi, dhe ia la detyrimin.
- Po ai shërbëtor, si doli, gjeti një nga shokët e tij shërbëtorë që i detyrohej atij njëqind dinarë; dhe si e zuri, po e mbyste, duke thënë: Më laj ç’detyrim më ke.
- Atëherë pra shoku i tij shërbëtor i ra ndër këmbë, e i lutej, duke thënë: Bëhu zemërgjerë me mua, dhe do të t’i laj të gjitha.
- Edhe ai nuk donte, po shkoi dhe e vuri në burg, deri sa t’i lante detyrimin.
- Edhe shokët e tij shërbëtorë, kur panë se ç’u bë, u helmuan fort; dhe erdhën e i rrëfyen të zotit gjithë sa u bënë.
- Atëherë i zoti e thirri pranë e i tha: Shërbëtor i lig, gjithë atë detyrim ta lashë ty, sepse m’u lute.
- A nuk duhej edhe ti ta përdëlleje shokun tënd shërbëtor, siç të përdëlleva edhe unë ty?
- Edhe i zoti u zemërua, edhe e dha në duart e atyre që mundojnë, deri sa të lante gjithë detyrimin që i kishte atij.
- Kështu edhe Ati im qiellori do t’jua bëjë juve, në mos ua falshi prej zemrës suaj gjithësecili të vëllait fajet e veta.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου