Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 12

Matheu 12

  1. Në atë kohë Jisui shkonte nëpër të mbjellat një ditë të shtunë; dhe nxënësve të tij u erdhi uri, dhe zunë të shkoqin kallinj e të hanë.
  2. Edhe Farisenjtë kur panë i thanë atij: Ja nxënësit e tu tek bëjnë atë që nuk është e udhës ta bëjnë të shtunën.
  3. Po ai u tha atyre: A nuk keni lexuar ç’bëri Davidi, kur i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me të?
  4. Si hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paravënies, të cilat nuk ishte e lejueshme t’i hante ai, as ata që ishin bashkë me të, por vetëm priftërinjtë?
  5. Apo nuk keni lexuar në ligj se të shtunave priftërinjtë e prishin të shtunën në tempull, dhe janë të pafajshëm?
  6. Edhe po ju them juve se këtu është një më i madh se tempulli.
  7. Edhe po ta kishit ditur ç’është “Dua përdëllim, e jo theror”, nuk do t’i kishit dënuar të pafajshmit.
  8. Sepse i Biri i njeriut është i zoti edhe i së shtunës.
  9. Edhe si iku andej, erdhi në sinagogën e tyre.
  10. Edhe ja tek ishte një njeri që kishte dorën të tharë; dhe e pyetën Jisuin, duke thënë nëse lejohet të shërojë njeriu të shtunën; që ta përflisnin atë.
  11. Edhe ai u tha atyre: Cili nga ju është ai njeri, që, nëse do të ketë një dele, dhe në i rëntë kjo në gropë ditën e shtunë, nuk do ta zërë e ta ngrerë atë?
  12. Sa më tepër pra ndryshon njeriu nga delja! Prandaj është e udhës të bëjë mirë njeriu të shtunave.
  13. Atëherë i thotë njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai e shtriu, dhe dora u bë e shëndoshë si tjetra.
  14. Po Farisenjtë dolën e bënë këshillë kundër atij, që ta zhdukin.
  15. Po Jisui si e kuptoi, iku andej; dhe shkuan pas tij shumë turma, dhe i shëroi ata të gjithë.
  16. Edhe i porositi ata rreptë të mos e tregojnë atë;
  17. që të përmbushet ç’është thënë nga profeti Isaia, që thotë:
  18. “Ja shërbëtori im që e zgjodha, i dashuri im, që e pëlqeu shpirti im; do të vë Shpirtin tim mbi atë, dhe ai do t’u shpallë gjyq kombeve.
  19. Nuk do të bëjë fjalë, as nuk do të bërtasë; as nuk do të dëgjojë ndonjë zërin e tij nëpër rrugë.
  20. Kallam të shtypur nuk do të shqyejë, dhe fitil liri që nxjerr tym nuk do të shuajë, derisa të nxjerrë gjyqin në fitore.
  21. Edhe kombet do të shpresojnë në emrin e tij”.
  22. Atëherë i prunë atij një të demonizuar, të verbër e të shurdhër, dhe e shëroi atë, kaq sa i verbëri dhe i shurdhëri fliste dhe shihte.
  23. Edhe gjithë turmat habiteshin e thoshin: Mos është ky i biri i Davidit?
  24. Po Farisenjtë kur dëgjuan, thanë: Ky nuk i nxjerr djajtë, veçse me anë të Velzevulit, të parit të djajve.
  25. Edhe Jisui si njohu mendimet e tyre, u tha atyre: Çdo mbretëri në u ndaftë kundër vetes së saj, shkretohet; dhe çdo qytet a shtëpi në u ndaftë kundër vetes së saj, nuk do të qëndrojë.
  26. Edhe Satanai në nxjerrtë Satanain, u nda kundër vetes së tij; si pra do të qëndrojë mbretëria e tij?
  27. Dhe në qoftë se unë i nxjerr djajtë me anë të Velzevulit, bijtë tuaj me çfarë i nxjerrin? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
  28. Por në qoftë se unë i nxjerr djajtë me anë të Shpirtit të Perëndisë, pa fjalë arriti tek ju mbretëria e Perëndisë.
  29. Ose si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fortit, e të rrëmbejë enët e tij, në mos lidhtë më përpara të fortin, dhe atëherë ta bëjë rrëmujë shtëpinë e atij?
  30. Ai që nuk është bashkë me mua, është kundër meje; dhe ai që nuk mbledh bashkë me mua, shpërndan.
  31. Prandaj ju them juve: Çdo faj e çdo sharje do t’u ndjehet njerëzve; po sharja kundër Shpirtit të Shenjtë nuk do t’u ndjehet njerëzve.
  32. Edhe atij që të thotë fjalë kundër të Birit të njeriut, do t’i ndjehet; po atij që të thotë fjalë kundër Shpirtit të Shenjtë, nuk do t’i ndjehet as në këtë jetë, as në atë që vjen.
  33. Ose bëni drurin të mirë dhe pemën e tij të mirë; ose bëni drurin të lig dhe pemën e tij të ligë; sepse druri njihet nga pema.
  34. Pjellë nepërkash, si mund të flisni të mira, duke qenë të ligj? Sepse goja flet nga teprica e zemrës.
  35. Njeriu i mirë nxjerr të mirat nga thesari i mirë i zemrës; dhe njeriu i lig nxjerr të liga nga thesari i lig.
  36. Dhe po ju them juve se çdo fjalë të kotë në e folshin njerëzit, do të japin llogari për atë në ditën e gjyqit.
  37. Sepse nga fjalët e tua do të dalësh i drejtë, dhe nga fjalët e tua do të dënohesh.
  38. Atëherë u përgjigjën disa nga shkruesit e nga Farisenjtë, duke thënë: Mësues, duam të shohim shenjë prej teje.
  39. Edhe ai u përgjigj, e u tha atyre: Brez i lig dhe i përdalë lyp shenjë; dhe shenjë nuk do t’i jepet atij, përveç shenjës së profetit Jona.
  40. Sepse siç ishte Jonai në bark të balenës tri ditë e tri net, kështu do të jetë edhe i Biri i njeriut në zemër të dheut tri ditë e tri net.
  41. Burra Ninevitë do të ngjallen në ditën e gjyqit bashkë me këtë brez dhe do ta gjykojnë për të lig; sepse u penduan në predikimin e Jonait; dhe ja këtu tek është më tepër se Jonai.
  42. Mbretëresha e jugut do të ngjallet bashkë me këtë brez në ditën e gjyqit, dhe do ta gjykojë për të lig; sepse erdhi nga anët e fundit të dheut, që të dëgjojë diturinë e Solomonit; dhe ja këtu tek është më tepër se Solomoni.
  43. Edhe fryma e ndyrë kur del nga njeriu shkon nëpër vende pa ujë, duke kërkuar prehje dhe nuk gjen.
  44. Atëherë thotë: Le të kthehem në shtëpinë time, andej nga dola. Edhe si vjen, e gjen atë të zbrazët, të fshirë e të stolisur.
  45. Atëherë shkon e merr me vete shtatë frymë të tjera më të liga se veten e saj, dhe hyjnë e rrinë atje; dhe të pastajmet e atij njeriu bëhen më të këqija se të parat. Kështu do të jetë me këtë brez të lig.
  46. Edhe ndërsa ai ishte duke i folur turmës, ja e ëma dhe të vëllezërit e tij tek po rrinin jashtë, e kërkonin të flisnin me të.
  47. Atëherë një njeri i tha atij: Ja nëna jote dhe vëllezërit e tu tek po rrinë jashtë, e kërkojnë të flasin me ty.
  48. Po ai u përgjigj e i tha atij që tha këtë: Cila është nëna ime, dhe cilët janë vëllezërit e mi?
  49. Edhe shtriu dorën e vet mbi nxënësit e tij, e tha: Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
  50. Sepse kush të bëjë dëshirën e Atit tim që është në qiejt, ai më është vëlla dhe motër dhe nënë.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου