Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 19

Matheu 19

  1. Edhe Jisui, kur mbaroi këto fjalë, u ngrit nga Galilea, dhe erdhi në kufijtë e Judesë, përtej Jordanit.
  2. Edhe i shkuan pas atij shumë turma; dhe i shëroi ata atje.
  3. Edhe erdhën tek ai Farisenjtë duke e ngacmuar atë e duke i thënë atij: A është e udhës të lërë njeriu gruan e tij për çdo arsye?
  4. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: A nuk keni lexuar se ai që i bëri ata që në fillim, mashkull e femër i bëri ata dhe tha:
  5. “Për këtë punë njeriu do të lërë të atin e të ëmën, dhe do të ngjitet pas gruas së tij, dhe të dy do të jenë një mish”?
  6. Kaq sa nuk janë më dy, por një mish. Atë pra që Perëndia e bëri çift, njeri le të mos e ndajë.
  7. I thonë atij: Pse pra Moisiu ka porositur t’i japë burri gruas kartën e ndarjes dhe ta lëshojë?
  8. U thotë atyre: Sepse Moisiu prej zemërashpërsisë suaj ju dha leje të lëshoni gratë tuaja; po në fillim s’ka qenë kështu.
  9. Dhe po ju them juve, se ai që lëshon gruan e tij, përveçse për punë imoraliteti, dhe martohet me tjetër, bën imoralitet; dhe ai që martohet me grua të lëshuar, bën imoralitet.
  10. Nxënësit e tij i thonë: Në qoftë kështu puna e njeriut me gruan, nuk është mirë të martohet.
  11. Edhe ai u thotë atyre: Nuk mund ta presin këtë fjalë të gjithë, por ata të cilëve u është dhënë.
  12. Sepse ka eunukë që kanë lindur kështu që nga barku i nënës; dhe ka eunukë që u bënë të tillë nga njerëzit; dhe ka eunukë që e bënë të tillë veten e tyre për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta pranojë këtë le ta pranojë.
  13. Atëherë i sollën atij ca fëmijë të vegjël, që të vinte duart mbi ta e t’i bekonte; dhe nxënësit i qortuan.
  14. Po Jisui tha: Lërini fëmijët e vegjël, dhe mos i ndaloni të vijnë tek unë, sepse e të këtillëve është mbretëria e qiejve.
  15. Edhe si vuri duart mbi ata, iku andej.
  16. Edhe ja tek i erdhi pranë një njeri, e i tha: Mësues i mirë, ç’të mirë të bëj që të kem jetë të pasosur?
  17. Edhe ai i tha: Ç’më thua i mirë? Asnjë s’është i mirë, veç një, Perëndia. Po nëse do të hysh në jetë, ruaj porositë.
  18. I thotë atij: Cilat? Edhe Jisui i tha: “Mos vrit; mos shkel kurorën; mos vidh; mos jep dëshmi të rreme;
  19. ndero atin tënd dhe nënën tënde”; dhe “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”.
  20. Djaloshi i thotë atij: Të gjitha këto i kam ruajtur që në rininë time, po ç’më mbetet më?
  21. Jisui i tha atij: Në do të bëhesh i përsosur, shko e shit pasurinë tënde, dhe jepua të varfërve; dhe do të kesh thesar në qiell, dhe eja e ndiqmë pas.
  22. Por djaloshi kur dëgjoi këtë fjalë, iku i helmuar, sepse kishte shumë pasuri.
  23. Edhe Jisui u tha nxënësve të tij: Me të vërtetë po ju them juve, se njeriu i pasur mezi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.
  24. Edhe përsëri po ju them juve: Më kollaj është të shkojë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se të hyjë i pasuri në mbretërinë e Perëndisë.
  25. Edhe nxënësit e tij, kur dëgjuan, tmerroheshin fort e thoshin: Vallë, cili mund të shpëtojë?
  26. Po Jisui hodhi sytë mbi ta e u tha atyre: Për njerëzit kjo është punë që s’mund të bëhet, por për Perëndinë të gjitha janë të mundshme.
  27. Atëherë u përgjigj Pjetri e i tha atij: Ja ne tek i lamë të gjitha, dhe erdhëm pas teje. Vallë, ç’do të jetë për ne?
  28. Edhe Jisui u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se ju që më erdhët pas, në krijesën e re, kur të rrijë i Biri i njeriut mbi fronin e lavdisë së tij, do të rrini edhe ju mbi dymbëdhjetë frone duke gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
  29. Edhe kushdo që la shtëpi, a vëllezër, a motra, a atë, a nënë, a grua, a bij, a ara, për hir të emrit tim, do të marrë njëqind për një, dhe do të trashëgojë jetë të pasosur.
  30. Po shumë të parë do të jenë të fundit, dhe të fundit të parë.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου