Matheu 20
- Sepse mbretëria e qiejve ngjan me një njeri zot shtëpie, i cili doli që me natë të pajtojë punëtorë për vreshtin e tij.
- Edhe si pajtoi punëtorët nga një dinar në ditë, i dërgoi në vreshtin e tij.
- Pastaj doli rreth orës së tretë, dhe pa të tjerë duke ndenjur në treg pa punë.
- U thotë edhe atyre: Shkoni dhe ju në vresht, dhe do t’ju jap ç’të jetë e udhës. Edhe ata shkuan.
- Përsëri doli rreth orës së gjashtë e të nëntë, dhe bëri po ashtu.
- Edhe si doli rreth orës së njëmbëdhjetëtë, gjeti të tjerë duke ndenjur pa punë. U thotë edhe atyre: Pse rrini këtu tërë ditën pa punë?
- I thonë atij: Sepse asnjë s’na pajtoi. U thotë atyre: Shkoni edhe ju në vresht, dhe do të merrni ç’të jetë e udhës.
- Edhe si u ngrys, i zoti i vreshtit i thotë kujdestarit të tij: Thirr punëtorët, dhe laju pagën atyre, duke nisur nga të fundit deri tek të parët.
- Edhe erdhën ata që ishin pajtuar rreth orës së njëmbëdhjetë, dhe morën nga një dinar.
- Edhe kur erdhën të parët, pandehën se do të marrin më shumë; po edhe ata morën nga një dinar.
- Edhe si i morën, qaheshin kundër të zotit të shtëpisë, duke thënë:
- Se këta të fundit bënë një orë, dhe i bëre të barabartë me ne që mbajtëm peshën e ditës dhe vapën.
- Po ai u përgjigj e i tha njërit nga ata: Mik, nuk të bëj keq. A nuk bëre fjalë me mua për një dinar?
- Merr tëndin dhe ik. Dhe këtij të fundit do t’i jap si edhe ty.
- Apo s’mundem unë të bëj ç’të dua në punën time? Apo syri yt është i lig, sepse unë jam i mirë?
- Kështu do të jenë të fundit të parë, dhe të parët të fundit. Sepse shumë veta janë të thirrur, por pak të zgjedhur.
- Edhe Jisui, duke u ngjitur në Jerusalem, mori me vete të dymbëdhjetë nxënësit mënjanë në udhë, dhe u tha atyre:
- Ja tek po ngjitemi në Jerusalem, dhe i Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve; dhe do ta dënojnë me vdekje;
- edhe do t’ia dorëzojnë kombeve që ta përqeshin e ta rrahin e ta kryqëzojnë; dhe të tretën ditë do të ngjallet.
- Atëherë i erdhi pranë e ëma e të bijve të Zevedheut bashkë me të bijtë, duke u lutur e duke lypur një gjë nga ai.
- Edhe ai i tha asaj: Ç’do? Ajo i thotë atij: Thuaj të rrinë këta të dy bijtë e mi, njëri në të djathtën tënde e njëri në të majtën, në mbretërinë tënde.
- Po Jisui u përgjigj e tha: Nuk dini se ç’lypni. A mund të pini kupën, që do të pi unë, dhe të pagëzoheni me pagëzimin që do të pagëzohem unë? Ata i thonë atij: Mundemi.
- Edhe ai u thotë atyre: Kupën time do ta pini, dhe me pagëzimin që pagëzohem unë do të pagëzoheni; por të rrini në të djathtën time dhe në të majtën time, nuk është në dorën time ta jap, por do t’u jepet atyre që u është bërë gati nga Ati im.
- Edhe të dhjetët, kur dëgjuan, u zemëruan për të dy vëllezërit.
- Po Jisui i thirri ata e tha: E dini se të parët e kombeve kanë pushtet mbi ata, dhe të mëdhenjtë i urdhërojnë ata.
- Po kështu nuk do të jetë ndër ju; po kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj.
- Edhe kush të dojë të jetë i parë ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj,
- ashtu si i Biri i njeriut nuk erdhi që të shërbehet, po që të shërbejë, dhe të japë jetën e tij si shpërblim për shumë veta.
- Edhe ndërsa ata po dilnin nga Jerikoja, i shkuan pas atij shumë njerëz.
- Edhe ja, dy të verbër, që rrinin në rrugë, kur dëgjuan se po shkonte Jisui, bërtitën, duke thënë: Përdëllena, o Zot, bir i Davidit.
- Edhe turma i qortoi ata, që të pushonin; po ata bërtitnin më fort, duke thënë: Përdëllena, o Zot, bir i Davidit.
- Edhe Jisui qëndroi e i thirri ata, dhe tha: ç’doni t’ju bëj juve?
- I thonë: Zot, të na hapen sytë.
- Edhe Jisui, si iu dhimbs për ta, preku sytë e tyre; dhe menjëherë u hapën sytë e tyre, dhe shkuan pas atij.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου