Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 28

Mattheu 28

1. Edhe si shkoi e shtuna, duke gdhirë e Diel, që është e para ditë e javës, erdhi Maria Magdalena dhe Maria tjetër, që të shihnin varrin.

2. Edhe ja tek u bë një tërmet i madh; sepse engjëlli i Zotit zbriti nga qielli dhe erdhi e rrokullisi gurin nga dera e varrit, dhe rrinte sipër tij.

3. Edhe fytyra e tij ishte si vetëtimë, dhe rroba e tij e bardhë si dëborë.

4. Edhe ata që ruanin, u trembën nga frika e atij dhe u bënë si të vdekur.

5. Edhe engjëlli u përgjigj e u tha grave: Mos kini frikë, sepse e di se kërkoni Jisuin që u kryqëzua.

6. Nuk është këtu, sepse u ngjall, siç pati thënë. Ejani, shihni vendin ku dergjej Zoti.

7. Edhe shkoni shpejt e u thoni nxënësve të tij se u ngjall prej së vdekurish; dhe ja tek po shkon ai më përpara se ju në Galile; atje do ta shihni atë. Ja tek jua thashë juve.

8. Edhe ato dolën shpejt nga varri me frikë e me gëzim të madh dhe vrapuan të lajmëronin nxënësit e tij.

9. Edhe duke shkuar t’u jepnin zë nxënësve të tij, ja Jisui tek u takua me to, e u tha: Gëzohuni. Edhe ato i erdhën pranë e i zunë këmbët dhe iu falën.

10. Atëherë Jisui u tha atyre: Mos kini frikë, shkoni, lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin.

11. Edhe ndërsa ato ishin duke shkuar, ja ca nga rojet tek erdhën në qytet e lajmëruan kryepriftërinjtë për gjithë sa u bënë.

12. Edhe ata u mblodhën bashkë me pleqtë dhe, si u këshilluan, u dhanë ushtarëve mjaft argjende, duke thënë:

13. Thoni se nxënësit e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim.

14. Edhe në u dëgjoftë kjo nga qeveritari, ne do t’i mbushim atij mendjen dhe do të bëjmë që ju të mos keni përgjegjësi.

15. Edhe ata si morën argjendet, bënë siç u mësuan. Edhe kjo fjalë u përhap nëpër Judenjtë deri në ditët e sotme.

16. Edhe të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal që i pati porositur Jisui.

17. Edhe kur e panë, iu falën atij; po disa nga ata dyshonin.

18. Edhe Jisui erdhi pranë e u foli atyre, duke thënë: M’u dha çdo pushtet në qiell e mbi dhe.

19. Shkoni pra e mësoni gjithë kombet dhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.

20. Edhe i mësoni ata të ruajnë gjithë sa ju kam porositur ju. Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës.

Amin.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου