Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 10

Matheu 10

  1. Edhe si thirri të dymbëdhjetë nxënësit e tij, u dha atyre pushtet kundër frymëve të ndyra, që t’i nxjerrin ato dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.
  2. Edhe emrat e të dymbëdhjetë Apostujve janë këto: i pari, Simoni, që thuhet Pjetër, dhe Andrea, vëllai i tij; Jakovi i Zevedheut edhe Joani i vëllai i atij;
  3. Filipi dhe Vartholomeu; Thomai dhe Mathe tagrambledhësi; Jakovi i Alfeut dhe Leveu që u quajt me përmbiemrin Tade;
  4. Simon Kananeasi dhe Juda Iskarioti, i cili edhe e tradhtoi atë.
  5. Këta të dymbëdhjetë dërgoi Jisui, pasi i porositi ata, duke thënë: Në udhë kombesh mos shkoni, dhe në qytet Samaritanësh mos hyni;
  6. por shkoni më tepër nëpër dhentë e humbura të shtëpisë së Izraelit.
  7. Edhe duke shkuar, predikoni duke thënë se u afrua mbretëria e qiejve.
  8. Shëroni të sëmurë, pastroni lebrozë, ngjallni të vdekur, nxirrni djaj; falas morët, falas jepni.
  9. Mos kini ar, as argjend, as bakër nëpër brezat tuaj.
  10. Mos kini trastë në udhë, as dy rroba, as këpucë, as shkop; sepse punëtori e meriton ushqimin e tij.
  11. Edhe në çdo qytet a kryefshat që të hyni, vëzhgoni cili është i denjë në të, dhe qëndroni atje deri sa të dilni.
  12. Edhe kur të hyni në një shtëpi, përshëndeteni atë.
  13. Edhe në qoftë shtëpia e denjë, paqja juaj le të vijë mbi të; por në mos qoftë e denjë, paqja juaj le të kthehet mbi ju.
  14. Edhe atij që të mos ju presë ju, as të mos dëgjojë fjalët tuaja, kur të dilni prej asaj shtëpie, a prej atij qyteti, shkundini pluhurin e këmbëve tuaja.
  15. Me të vërtetë po ju them juve, se më i durueshëm do të jetë mundimi në tokën e Sodomës e të Gomorrës në ditët e gjyqit, se në atë qytet.
  16. Ja tek po ju dërgoj unë ju si dhen në mes të ujqërve; bëhuni pra të urtë si gjarpërinjtë, dhe të butë si pëllumbat.
  17. Edhe ruhuni nga njerëzit; sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër kuvende, dhe do t’ju rrahin nëpër sinagogat e tyre;
  18. Edhe do t’ju nxjerrin për shkakun tim përpara të parëve dhe përpara mbretërve, për dëshmi mbi ata dhe mbi kombet.
  19. Po kur t’ju dorëzojnë, mos kini kujdes se si a se ç’do të flisni.
  20. Sepse nuk jeni ju ata që flisni, po Shpirti i Atit tuaj që flet ndër ju.
  21. Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllanë në vrasje, dhe i ati të birin; dhe bijtë do të ngrenë krye kundër prindërve e do t’i vrasin.
  22. Edhe do t’ju kenë mëri të gjithë për emrin tim; dhe ai që të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.
  23. Po kur t’ju ndjekin ju në këtë qytet, ikni në tjetrin; sepse me të vërtetë po ju them juve: Nuk do t’i mbaroni së bredhuri qytetet e Izraelit, deri sa të vijë i biri i njeriut.
  24. Nuk është nxënësi përmbi mësuesin, as shërbëtori përmbi të zotin.
  25. Mjafton për nxënësin të bëhet si mësuesi i tij, dhe shërbëtori si i zoti. Në qoftë se të zotin e shtëpisë e quajtën Velzevul, sa më shumë pjesëtarët e shtëpisë së tij?
  26. Mos u keni frikë pra atyre; sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet; dhe gjë të fshehur që nuk do të dihet.
  27. Atë që po ju them juve në errësirë, thuajeni në dritë, dhe atë që dëgjoni në vesh, predikojeni mbi shtëpi.
  28. Edhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, dhe shpirtin s’mund ta vrasin; por kini frikë më shumë nga ai që mund të humbasë në gjehenë edhe shpirtin edhe trupin.
  29. A nuk shiten dy zogj për një aspër? Po as një nga ata nuk do të bjerë mbi dhe, pa urdhrin e Atit tuaj.
  30. Po juve edhe qimet e kokës ju janë të numëruara.
  31. Mos kini frikë, pra; ju ndryshoni nga shumë zogj.
  32. Kushdo, pra, që të më pohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta pohoj atë përpara Atit tim që është në qiejt.
  33. Por këdo që të më mohojë përpara njerëzve, do ta mohoj edhe unë atë përpara Atit tim që është në qiejt.
  34. Mos pandehni se kam ardhur të vë paqe mbi dhe; s’kam ardhur të vë paqe, por thikë.
  35. Sepse kam ardhur të ndaj njeriun kundër të atit, dhe bijën kundër së ëmës, dhe nusen kundër së vjehrrës.
  36. Edhe armiqtë e njeriut do të jenë pjesëtarët e shtëpisë së tij.
  37. Ai që do të atin ose të ëmën më tepër se mua, nuk është i denjë për mua; edhe ai që do bir a bijë më tepër se mua, nuk është i denjë për mua.
  38. Edhe ai që nuk merr kryqin e tij e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.
  39. Ai që gjeti jetën e tij, do ta humbasë; dhe ai që të humbasë jetën e tij për shkakun tim, do ta gjejë atë.
  40. Ai që ju pret ju, më ka pritur mua; dhe ai që më pret mua, ka pritur atë që më ka dërguar mua.
  41. Ai që pret profet në emër profeti, pagë profeti do të marrë; dhe ai që pret të drejtë në emër të drejti, pagë të drejti do të marrë.
  42. Dhe ai që t’i japë vetëm një kupë ujë të ftohtë ndonjërit nga këta të vegjëlit në emër nxënësi, me të vërtetë po ju them juve, se nuk do ta humbasë pagën e tij.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου