Mattheu 27
- Edhe si u gdhi, gjithë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit dhanë e morën këshillë kundër Jisuit, që ta vrasin.
- Edhe si e lidhën, e çuan dhe e dhanë në duart e Pont Pilatit, qeveritarit.
- Atëherë kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se u gjykua për vdekje, u pendua, dhe ktheu prapë të tridhjetë argjendet te kryepriftërinjtë dhe te pleqtë, duke thënë: Bëra faj që dorëzova gjak të pafajshëm.
- Edhe ata thanë: ç’punë kemi ne? Ti ke për të parë.
- Edhe ai, si hodhi argjendet në tempull, iku dhe shkoi e u var.
- Edhe kryepriftërinjtë si morën argjendet, thanë: Nuk është e udhës t’i vemë ato në thesarin e tempullit, sepse janë çmim gjaku.
- Edhe si dhanë e morën këshillë, blenë me to arën e shtëmbarit, për të varrosur atje të huajt.
- Prandaj ajo arë u quajt Arë Gjaku, deri në ditët e sotme.
- Atëherë u përmbush ç’është thënë me anë të profetit Jeremia, që thotë: “Edhe morën të tridhjetë argjendet, çmimin e të çmuarit nga të bijtë e Izraelit,
- dhe i dhanë në arën e shtëmbarit, siç më porositi Zoti”.
- Edhe Jisui ndenji përpara qeveritarit; dhe qeveritari e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe Jisui i tha: Ti po thua.
- Edhe kur akuzohej nga kryepriftërinjtë dhe nga pleqtë, nuk përgjigjej fare.
- Atëherë Pilati i thotë: Nuk dëgjon sa dëshmojnë kundër teje?
- Po ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kaq sa qeveritari çuditej fort.
- Edhe qeveritari kishte zakon për të kremte t’i lëshonte popullit një të burgosur, atë që të donin ata.
- Dhe atëherë kishin një të burgosur me emër, që quhej Baraba.
- Ndërsa ata pra ishin mbledhur, Pilati u tha atyre: Cilin doni t’ju lëshoj juve? Barabain apo Jisuin që quhet Krisht.
- Sepse e dinte se e dorëzuan nga smira.
- Edhe ndërsa ai po rrinte mbi fronin e gjyqit, gruaja e tij dërgoi një njeri tek ai, e i tha: Ti mos i bëj gjë atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për atë.
- Edhe kryepriftërinjtë dhe pleqtë u mbushën mendjen turmave që të lypin Barabain, dhe Jisuin ta vrasin.
- Edhe qeveritari u përgjigj e u tha atyre: Cilin nga këta të dy doni t’ju lëshoj juve?
- Edhe ata thanë: Barabain. Pilati u thotë atyre: Ç’ta bëj pra Jisuin që quhet Krisht? Të gjithë i thonë: Le të kryqëzohet.
- Edhe qeveritari tha: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata bërtitnin më tepër, duke thënë: Le të kryqëzohet.
- Edhe Pilati, si pa se s’ka dobi, po më tepër trazirë bëhet, mori ujë e lau duart përpara turmës, duke thënë: I pafajshëm jam nga gjaku i këtij të drejti. Ju keni për të parë.
- Edhe gjithë populli u përgjigj e tha: Gjaku i tij qoftë mbi ne dhe mbi bijtë tanë.
- Atëherë u lëshoi atyre Barabain. Dhe Jisuin, si e rrahu me shufër, e dorëzoi që të kryqëzohet.
- Atëherë ushtarët e qeveritarit morën me vete Jisuin në pretore (guvernatorat), dhe mblodhën mbi të gjithë togën e ushtarëve.
- Edhe e zhveshën, e i veshën atij një rrobë të gjatë të kuqe.
- Edhe thurën një kurorë ferrash e ia vunë mbi krye, dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe ranë në gjunjë para tij dhe e përqeshnin, duke thënë: Gëzohu, o mbret i Judenjve.
- Edhe si e pështynë, morën kallamin e i binin kokës së tij.
- Edhe pasi e përqeshën, i zhveshën rrobat, dhe e çuan ta kryqëzojnë.
- Edhe duke dalë, gjetën një njeri Qireneas, që e kishte emrin Simon. Këtë e zunë angari që të ngrerë kryqin e atij.
- Edhe kur erdhën në një vend që quhet Golgota, që do të thotë Vendi i Kafkës,
- i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, si e provoi, nuk deshi të pinte.
- Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short, që të plotësohet ç’është thënë nga profeti: “Ndanë rrobat e mia në mes tyre, dhe për veshjen time hodhën short”.
- Edhe duke ndenjur e ruanin atë atje.
- Edhe vunë sipër kokës së tij shkakun e kryqëzimit të tij të shkruar: Ky është Jisui, mbreti i Judenjve.
- Atëherë kryqëzohen bashkë me atë dy kusarë, një në anë të djathtë dhe një në anë të majtë.
- Edhe ata që shkonin pranë, e shanin atë duke tundur kryet e tyre, e duke thënë:
- Ti që prish tempullin dhe për tri ditë e ndërton, shpëto veten tënde. Në je i Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi.
- Kështu edhe kryepriftërinjtë bashkë me shkruesit e pleqtë duke e përqeshur atë thoshin:
- Të tjerë shpëtoi, veten e tij nuk mund ta shpëtojë. Në është mbret i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe do t’i besojmë.
- Shpresonte në Perëndinë; le ta shpëtojë tani, në qoftë se e do; sepse tha se jam bir Perëndie.
- Gjithashtu edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të, e shanin.
- Edhe që nga ora e gjashtë u bë një errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë.
- Edhe në orën e nëntë Jisui bërtiti me zë të madh, duke thënë: “Ili, Ili lama sabakthani”, që do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?”
- Edhe disa nga ata që ishin atje kur dëgjuan, thanë se ky po thërret Ilian.
- Edhe menjëherë u lëshua një nga ata dhe mori një sfungjer dhe e mbushi me uthull, dhe e vuri mbi një kallam, e i jepte të pijë.
- Edhe të tjerët thoshin: Le të shohim, në qoftë se vjen Ilia ta shpëtojë.
- Edhe Jisui si thirri përsëri me zë të madh, dha shpirtin.
- Edhe ja kurtina e tempullit tek u ça më dysh prej së larti deri poshtë; dhe toka u tund; dhe gurët plasën;
- edhe varret u hapën, dhe shumë trupa shenjtorësh që kishin vdekur u ngjallën,
- edhe dolën nga varret pas ngjalljes së tij, e hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumë vetave.
- Edhe kryeqindëshi dhe ata që ishin bashkë me të duke ruajtur Jisuin, kur panë tërmetin dhe ç’punë u bënë, u frikësuan fort, e thanë: Me të vërtetë ky paska qenë bir Perëndie.
- Edhe atje ishin shumë gra duke vëzhguar prej së largu, të cilat kishin shkuar prapa Jisuit nga Galilea, duke i shërbyer atij.
- Në mes tyre ishte Maria Magdalena, dhe Maria, e ëma e Jakovit dhe e Josiut, dhe e ëma e bijve të Zevedheut.
- Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea me emrin Josif, që edhe ai vetë kishte qenë nxënës tek Jisui.
- Ky shkoi tek Pilati e kërkoi trupin e Jisuit. Atëherë Pilati urdhëroi t’i jepet trupi.
- Edhe Josifi mori trupin dhe e mbështolli me pëlhurë të pastër,
- edhe e vuri në varrin e tij të ri, që e kishte gërmuar në shkëmb, dhe si rrokullisi një gur të madh në derën e varrit, iku.
- Edhe atje ishte Maria Magdalena, dhe Maria tjetër, duke ndenjur përballë varrit.
- Edhe të nesërmen, që është pas së premtes, u mblodhën kryepriftërinjtë dhe Farisenjtë tek Pilati,
- duke thënë: Zot, ne mbajmë mend, se ai gënjeshtari tha kur qe ende i gjallë: Pas tri ditësh do të ngjallem.
- Urdhëro pra të ruhet varri deri në të tretën ditë, se mos vijnë nxënësit e tij natën dhe e vjedhin, dhe i thonë popullit se u ngjall prej së vdekurish. Dhe gënjeshtra e fundit do të jetë më e keqe se e para.
- Edhe Pilati u tha atyre: Keni roje, shkoni dhe sigurojeni si të dini.
- Edhe ata shkuan dhe siguruan varrin, duke vulosur gurin bashkë me rojet.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου