Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 14

Matheu 14

    1. Në atë kohë Irodi, tetrarku, dëgjoi për Jisuin.
    2. Edhe u tha shërbëtorëve të tij: Ky është Joan Pagëzori. Ai është ngjallur së vdekurish, dhe prandaj bëhen çudira nga ai.
    3. Sepse Irodi zuri Joanin, dhe e lidhi, dhe e vuri në burg, për shkak të Irodiadës, gruas së Filipit, të vëllait.
    4. Sepse Joani i thoshte atij: Nuk është e lejueshme ta kesh ti atë.
    5. Edhe donte ta vriste atë, po kishte frikë prej turmës, sepse e kishin për profet.
    6. Edhe kur po bëhej festimi i ditës së lindjes së Irodit, e bija e Irodiadës luajti valle në mes, dhe i pëlqeu Irodit.
    7. Prandaj iu zotua asaj me be t’i japë ç’të kërkonte.
    8. Edhe ajo, si u mësua prej së ëmës, thotë: Jepmë kryet e Joan Pagëzorit këtu mbi një pjatë.
    9. Edhe mbretit i erdhi keq, po për betimet që kishte bërë, dhe për ata që ishin ndenjur në tryezë bashkë me të, urdhëroi t’i jepet.
    10. Edhe dërgoi e i preu kryet Joanit në burg.
    11. Edhe kryet e tij u pru mbi një pjatë e iu dha vajzës. Edhe ajo ia pruri së ëmës.
    12. Edhe si erdhën nxënësit e atij e ngritën trupin dhe e varrosën; pastaj erdhën e lajmëruan Jisuin.
    13. Edhe Jisui, kur dëgjoi, iku prej andej me lundër në një vend të shkretë veçan; dhe turmat kur dëgjuan, i shkuan prapa me këmbë nga qytetet.
    14. Edhe kur doli Jisui, pa shumë njerëz, dhe iu dhimbs për ta, dhe shëroi të sëmurët e tyre.
    15. Edhe si u ngrys, i erdhën pranë nxënësit e tij, e i thanë: Vendi është i shkretë dhe koha tani ka shkuar. Lësho turmën, që të shkojnë nëpër kryefshatrat të blejnë të ngrëna për veten e tyre.
    16. Por Jisui u tha atyre: Nuk kanë nevojë të shkojnë. Jepuni ju atyre të hanë.
    17. Edhe ata i thonë atij: Nuk kemi këtu veçse pesë bukë dhe dy peshq.
    18. Edhe ai tha: M’i sillni mua ato këtu.
    19. Edhe urdhëroi turmat të rrinë mbi bar, dhe mori të pesë bukët e të dy peshqit, dhe ngriti sytë përpjetë në qiejt dhe bekoi; dhe pasi i theu, ua dha bukët nxënësve, dhe nxënësit turmave.
    20. Edhe hëngrën të gjithë e u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, dymbëdhjetë kofinë plot.
    21. Edhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, veç grave e fëmijëve.
    22. Edhe përnjëherë Jisui i shtrëngoi nxënësit e tij të hyjnë në lundër, dhe të shkojnë përtej më përpara se ai, deri sa të lëshojë turmat.
    23. Edhe si lëshoi turmat, u ngjit në mal veçan që të falet; dhe si u ngrys, ishte vetëm atje.
    24. Edhe lundra ishte tani në mes të detit duke u përpjekur nga valët; sepse era ishte kundër.
    25. Edhe në orën e katërt të natës Jisui shkoi tek ata, duke ecur përmbi det.
    26. Edhe nxënësit kur e panë që po ecte përmbi det, u trembën e thanë se është hije. Dhe nga frika bërtitën.
    27. Po Jisui përnjëherë u foli atyre, duke thënë: Guxim, jam unë, mos u frikësoni.
    28. Edhe Pjetri iu përgjigj e tha: Zot, në je ti, urdhëromë të vij tek ti mbi ujërat.
    29. Edhe ai tha: Eja. Edhe Pjetri zbriti nga lundra dhe eci mbi ujërat, që të vinte tek Jisui.
    30. Po kur pa erën e fortë, u frikësua; dhe si zuri të zhytet, bërtiti, duke thënë: Zot, shpëtomë.
    31. Edhe Jisui përnjëherë zgjati dorën, e zuri, dhe i thotë: O besëpakë, përse dyshove?
    32. Edhe si hynë ata në lundër, pushoi era.
    33. Edhe ata që ishin në lundër erdhën e iu falën atij, duke thënë: Me të vërtetë je bir Perëndie.
    34. Edhe si shkuan përtej, erdhën në dheun Gjenisaret.
    35. Edhe njerëzit e atij vendi, kur e njohën, dërguan nëpër gjithë ato anë dhe i prunë atij gjithë ata që kishin keq.
    36. Edhe i luteshin atij të preknin vetëm cepin e rrobës së tij. Dhe gjithë sa e prekën u shëruan.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου