Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 15

Matheu 15

  1. Atëherë vijnë tek Jisui shkruesit dhe Farisenjtë nga Jerusalemi, e i thonë:
  2. Përse nxënësit e tu shkelin fjalën që kanë lënë pleqtë? Sepse s’lajnë duart e tyre, kur hanë bukë.
  3. Po ai u përgjigj e u tha atyre: Përse edhe ju shkelni porosinë e Perëndisë për hir të traditës suaj?
  4. Sepse Perëndia porositi, duke thënë: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”, dhe: “Ai që flet keq për të atin ose për të ëmën le të vritet”.
  5. Po ju thoni: Kush t’i thotë të atit apo së ëmës se çdo të mirë që të shohësh prej meje është dhuratë, është mjaft, dhe mund të mos nderojë të atin apo të ëmën.
  6. Dhe s’mbajtët porosinë e Perëndisë për hir të traditës suaj.
  7. Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, duke thënë:
  8. “Ky popull më afrohet me gojën e tij, dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre është larg prej meje.
  9. Edhe kot më nderojnë, duke mësuar mësime që janë porosi njerëzish”.
  10. Edhe si thirri turmën, u tha: Dëgjoni dhe kuptoni.
  11. Ç’hyn në gojë nuk e ndyn njeriun, por ç’del nga goja, kjo e ndyn njeriun.
  12. Atëherë u afruan nxënësit e tij, e i thanë: A e di se Farisenjtë kur dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?
  13. Edhe ai u përgjigj e tha: Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellori, do të shkulet.
  14. Lërini ata, se janë të verbër që u heqin udhën të verbërve. Dhe në qoftë se një i verbër i heq udhën një të verbëri, të dy do të bien në gropë.
  15. Edhe Pjetri u përgjigj e i tha atij: Shpjegona këtë paravoli.
  16. Edhe Jisui tha: Ende po pa mend jeni ju?
  17. Edhe nuk po kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë zbret në bark, dhe nxirret në jashtëqitje?
  18. Por ato që dalin nga goja, dalin nga zemra, dhe ato e ndyjnë njeriun.
  19. Sepse nga zemra dalin mendime të liga, vrasje, ndyrësira, imoralitete, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemira.
  20. Këto janë ato që e ndyjnë njeriun; kurse të ngrënët me duar të palara nuk e ndyn njeriun.
  21. Edhe Jisui, si doli andej, iku në anët e Tirit e të Sidonës.
  22. Edhe ja një grua Kananease tek doli nga kufijtë e tyre, e i thërriste duke thënë: Përdëllemë, o Zot, bir i Davidit. Ime bijë mundohet keq prej djallit.
  23. Po ai nuk iu përgjigj asaj ndonjë fjalë. Dhe nxënësit e tij erdhën pranë e i luteshin, duke thënë: Lëshoje atë, sepse po thërret prapa nesh.
  24. Por ai u përgjigj e tha: Nuk u dërgova gjetiu, veç te dhentë e humbura të shtëpisë së Izraelit.
  25. Pastaj ajo erdhi e i falej atij, duke thënë: Zot, ndihmomë.
  26. Por ai u përgjigj e tha: Nuk është mirë të marrë njeriu bukën e fëmijëve, e t’ua hedhë këlyshëve të qenve.
  27. Edhe ajo tha: Po, Zot; por edhe këlyshët e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve.
  28. Atëherë Jisui u përgjigj e i tha asaj: O grua, besa jote është e madhe; t’u bëftë si do. Edhe e bija u shërua që në atë çast.
  29. Edhe Jisui iku andej, e erdhi pranë detit të Galilesë, dhe u ngjit në mal, e rrinte atje.
  30. Edhe erdhën tek ai shumë njerëz, që kishin me vete të çalë, të verbër, të shurdhër, doracë, dhe shumë të tjerë; dhe i hodhën pranë këmbëve të Jisuit, dhe ai i shëroi ata,
  31. kaq sa u çuditën turmat, kur panë të shurdhër të flasin, doracë të shëndoshur, të çalë të ecin, dhe të verbër të shohin; dhe lavdëruan Perëndinë e Izraelit.
  32. Atëherë Jisui thirri pranë nxënësit e tij, e tha: Më dhimbset për turmën, sepse kanë tashmë tri ditë që rrinë pranë meje e s’kanë ç’të hanë; dhe nuk dua t’i lëshoj ata pa ngrënë, se mos këputen udhës.
  33. Edhe nxënësit e tij i thonë: Ku do të na gjenden këtu në shkretëtirë kaq bukë, sa të ngopen kaq njerëz?
  34. Edhe Jisui u tha atyre: Sa bukë keni? Edhe ata thanë: Shtatë, dhe pak peshq të vegjël.
  35. Edhe ai urdhëroi turmat të ulen përdhe.
  36. Edhe si mori të shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, dhe i theu, dhe ua dha nxënësve të tij, dhe nxënësit turmave.
  37. Edhe hëngrën të gjithë e u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë shporta plot.
  38. Edhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, veç grave e fëmijëve të vegjël.
  39. Edhe si lëshoi turmat, hyri në lundër, dhe erdhi në kufijtë e Magdalasë.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου