Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 26

Mattheu 26

  1. Edhe Jisui, kur mbaroi gjithë këto fjalë, u tha nxënësve të tij:
  2. E dini se pas dy ditësh është pashka dhe Biri i njeriut dorëzohet për t’u kryqëzuar.
  3. Atëherë u mblodhën kryepriftërinjtë dhe shkruesit dhe pleqtë e popullit në avllinë e kryepriftit, që quhej Kaiafa,
  4. edhe bënë këshillë që ta zënë Jisuin me mashtrim dhe ta vrasin.
  5. Edhe thoshin: Jo të kremten, që të mos bëhet trazirë në popull.
  6. Edhe kur ishte Jisui në Betani, në shtëpinë e Simon lebrozit,
  7. erdhi pranë tij një grua që kishte një alabastër me vaj ere shumë të shtrenjtë dhe e derdhi mbi kryet e tij, ndërsa ishte duke ndenjur në mësallë.
  8. Edhe nxënësit e tij kur panë, u zemëruan, e thanë: Përse të humbasë kjo gjë?
  9. Sepse ky vaj ere mund të shitej me shumë vlerë dhe t’u jepej të varfërve.
  10. Edhe Jisui, si kuptoi, u tha atyre: Përse e mundoni këtë grua? Sepse kjo bëri punë të mirë tek unë.
  11. Sepse të varfërit i keni përherë me veten tuaj, po mua nuk më keni përherë.
  12. Sepse kjo, kur derdhi këtë vaj ere mbi trupin tim, e bëri këtë për futjen time në varr.
  13. Me të vërtetë po ju them juve, kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, do të flitet edhe ç’punë bëri kjo, që të mbahet mend.
  14. Atëherë një nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Juda Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë e tha:
  15. Ç’do të më jepni, që dhe unë t’jua dorëzoj juve atë?
  16. Edhe ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi. Edhe që atëherë kërkonte kohën e duhur ta dorëzonte.
  17. Edhe të parën ditë të të pabrumëtave, nxënësit erdhën pranë Jisuit e i thanë: Ku do të bëjmë gati për ty të hash pashkën?
  18. Edhe ai tha: Shkoni në qytet tek filani, dhe i thoni: Mësuesi thotë: Koha ime është afër. Do të bëj pashkën tek ti bashkë me nxënësit e mi.
  19. Edhe nxënësit bënë siç i porositi Jisui, dhe bënë gati pashkën.
  20. Edhe kur u ngrys, ishte duke ndenjur në mësallë bashkë me të dymbëdhjetët.
  21. Edhe ndërsa ata ishin duke ngrënë, tha: Me të vërtetë po ju them juve, se një nga ju do të më tradhtojë.
  22. Edhe ata u hidhëruan fort dhe zunë t’i thonë gjithësecili nga ata: Zot, mos jam unë?
  23. Edhe ai u përgjigj e tha: Ai që futi dorën në kupë bashkë me mua, ky do të më dorëzojë.
  24. I Biri i njeriut ikën, siç është shkruar për të; po mjerë ai njeri me anë të të cilit dorëzohet i Biri i njeriut. Do të ishte mirë për atë njeri të mos kishte lindur.
  25. Dhe Juda, ai që e tradhtoi, u përgjigj e tha: Mos jam unë, Rabi? I thotë atij: Ti po thua.
  26. Dhe ndërsa ata ishin duke ngrënë, Jisui mori bukën, dhe si e bekoi, e theu, dhe ua dha nxënësve e tha:
  27. Merrni hani; ky është trupi im. Edhe mori potirin, dhe si falënderoi, ua dha atyre, duke thënë: Pini të gjithë prej këtij;
  28. sepse ky është gjaku im i dhiatës së re, që derdhet për shumë veta për ndjesën e mëkateve.
  29. Edhe po ju them juve se nuk kam për të pirë që tani e tutje nga kjo pemë, që pjell hardhia, deri në atë ditë kur ta pi të re bashkë me ju në mbretërinë e Atit tim.
  30. Edhe si psalën, dolën në Malin e Ullinjve.
  31. Atëherë Jisui u thotë atyre: Të gjithë ju do të skandalizoheni për mua këtë natë; sepse është shkruar: “Do të godas bariun dhe dhentë e tufës do të shpërndahen”.
  32. Edhe pasi të ngjallem unë, do të shkoj përpara jush në Galile.
  33. Edhe Pjetri u përgjigj e i tha: Edhe në u skandalizofshin të gjithë për ty, unë nuk do të skandalizohem kurrë. Jisui i tha:
  34. Me të vërtetë po të them se këtë natë, para se të këndojë këndezi, tri herë do të më mohosh.
  35. Pjetri i thotë: Edhe në u dashtë të vdes unë bashkë me ty, nuk do të të mohoj. Kështu thanë edhe të gjithë nxënësit.
  36. Atëherë Jisui vjen bashkë me ata në një fshat që quhet Gjethsimani; dhe u thotë nxënësve: Rrini aty, deri sa të shkoj e të falem atje.
  37. Edhe mori me vete Pjetrin dhe të dy bijtë e Zevedheut, e zuri të hidhërohet e t’i vijë rëndë.
  38. Atëherë u thotë atyre: Shpirti im është i hidhëruar deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua.
  39. Edhe si shkoi pakëz më tej, ra mbi fytyrën e tij përmbys, duke u falur e duke thënë: Ati im, në qoftë se mundet, le të hiqet prej meje kjo kupë; por jo si dua unë, po si të duash ti.
  40. Edhe vjen te nxënësit e i gjen ata duke fjetur, dhe i thotë Pjetrit: Kështu nuk mundët të rrini zgjuar një orë bashkë me mua?
  41. Rrini zgjuar dhe faluni, që të mos hyni në ngasje; sepse shpirti im është i gatshëm, po mishi është i pafuqishëm.
  42. Prapë për së dyti shkoi e u fal, duke thënë: Ati im, në qoftë se nuk mund të hiqet prej meje kjo kupë, që të mos e pi atë, le të bëhet vullneti yt.
  43. Edhe erdhi e i gjeti përsëri duke fjetur; sepse sytë e tyre ishin rënduar.
  44. Edhe si i la ata, shkoi përsëri e u fal për së treti, duke thënë po atë fjalë.
  45. Atëherë vjen te nxënësit e tij dhe u thotë atyre: Flini pra, dhe prehuni. Ja tek u afrua ora, dhe Biri i njeriut jepet në duar fajtorësh.
  46. Ngrihuni, le të shkojmë. Ja tek u afrua ai që do të më dorëzojë.
  47. Edhe ndërsa ai ishte duke folur, ja tek erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe bashkë me të erdhën shumë njerëz me thika e me dru nga ana e kryepriftërinjve dhe pleqve të popullit.
  48. Edhe ai që e dorëzonte atë, u dha atyre shenjë, duke thënë: Ai që do të puth unë, ai është. Zëreni.
  49. Edhe përnjëherë erdhi pranë Jisuit e tha: Gëzohu, Rabi. Dhe e puthi.
  50. Edhe Jisui i tha: Mik, përse erdhe? Atëherë u afruan e vunë duart mbi Jisuin dhe e zunë.
  51. Edhe ja një nga ata që ishin bashkë me Jisuin zgjati dorën e nxori thikën e tij dhe i ra shërbëtorit të kryepriftit e i preu veshin.
  52. Atëherë Jisui i thotë atij: Ktheje thikën tënde në vendin e saj, sepse të gjithë ata që vënë dorë mbi thikë, prej thike do të humbasin.
  53. Apo të duket se nuk mund t’i lutem tani Atit tim, dhe të më nxjerrë përpara më tepër se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?
  54. Si do të plotësohen pra shkrimet se kështu duhet të bëhet?
  55. Në atë orë Jisui u tha turmave: Si mbi një kusar keni dalë me thika e me dru të më zini? Përditë rrija tek ju duke ju mësuar në tempull, dhe nuk më zutë.
  56. Po gjithë kjo u bë, që të plotësohen shkrimet e profetëve. Atëherë gjithë nxënësit e lanë dhe ikën.
  57. Edhe ata, si zunë Jisuin, e prunë te Kaiafa, kryeprifti, atje ku ishin mbledhur shkruesit dhe pleqtë.
  58. Po Pjetri i shkoi prapa për së largu, deri në avllinë e kryepriftit; dhe si hyri brenda, rrinte bashkë me shërbëtorët, që të shihte fundin.
  59. Edhe kryepriftërinjtë e pleqtë dhe gjithë kuvendi kërkonin dëshmi të rreme kundër Jisuit, që ta vrisnin atë, po nuk gjetën.
  60. Edhe ndonëse erdhën shumë dëshmitarë të rremë, nuk gjetën. Po pastaj erdhën dy dëshmitarë të rremë, e thanë:
  61. Ky tha: Mund të prish tempullin e Perëndisë dhe për tri ditë ta ndërtoj atë.
  62. Edhe kryeprifti u ngrit e i tha: Fare nuk përgjigjesh? Ç’dëshmojnë këta kundër teje?
  63. Po Jisui nuk bënte zë. Edhe kryeprifti u përgjigj e i tha: Të vë në be për Perëndinë e gjallë, të na thuash në je ti Krishti, Biri i Perëndisë.
  64. Jisui i thotë atij: Ti po thua. Por unë po ju them juve: Që tani e tutje do të shihni Birin e njeriut duke ndenjur në anë të djathtë të fuqisë e duke ardhur mbi retë e qiellit.
  65. Atëherë kryeprifti çori rrobat e tij, duke thënë se: Blasfemoi; ç’nevojë kemi më për dëshmitarë? Ja tani tek e dëgjuat blasfeminë e tij. Si ju duket juve?
  66. Dhe ata u përgjigjën e thanë: Eshtë fajtor për vdekje.
  67. Atëherë e pështynë atë ndër sy dhe i ranë me grusht, dhe të tjerë i ranë me shuplaka,
  68. duke thënë: Profetizona, o Krisht, cili është ai që të ra?
  69. Edhe Pjetri rrinte përjashta në avlli; dhe i erdhi pranë një shërbëtore duke thënë: Edhe ti ishe bashkë me Jisu Galileasin.
  70. Po ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: Nuk di se ç’thua.
  71. Edhe kur ai doli në derë të avllisë, e pa atë një tjetër, dhe u thotë atyre që ishin atje: Edhe ky ishte bashkë me Jisu Nazaretasin.
  72. Edhe përsëri e mohoi me be se nuk e njoh njerinë.
  73. Edhe pas pakëz erdhën pranë tij ata që ishin duke ndenjur e i thanë Pjetrit: Me të vërtetë edhe ti je nga ata; sepse edhe të folurit tënd të tregon ty.
  74. Atëherë zuri të mallkojë e të bëjë be se nuk e njoh njerinë.
  75. Edhe përnjëherë këndoi këndezi. Atëherë i ra ndër mend Pjetrit fjala e Jisuit që i pati thënë se para se të këndojë këndezi, tri herë do të më mohosh; dhe doli jashtë e qau hidhur.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου