Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 4

Matheu 4

    1. Atëherë Jisui u pru në shkretëtirë prej Shpirtit, që të ngitej prej djallit.
    2. Edhe si agjëroi dyzet ditë e dyzet net, pastaj i erdhi uri.
    3. Edhe ai që nget erdhi tek ai e tha: Në je i biri i Perëndisë, thuaj të bëhen bukë këta gurë.
    4. Po ai u përgjigj e tha: Eshtë shkruar: “Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo lloj fjale që del nga goja e Perëndisë”.
    5. Atëherë djalli e merr me vete në qytetin e shenjtë, dhe e vuri përmbi fletëzën e tempullit,
    6. edhe i thotë atij: Në je i biri i Perëndisë, hidhu poshtë. Sepse është shkruar: “Se do të urdhërojë engjëjt e tij për ty dhe do të të ngrenë ty mbi duart e tyre, që të mos përpjekësh këmbën tënde mbi gur”.
    7. Jisui i tha atij: Përsëri është shkruar: “Të mos ngasësh Zotin Perëndinë tënd”.
    8. Përsëri djalli e merr me vete mbi një mal shumë të lartë, dhe i tregon gjithë mbretëritë e botës edhe lavdinë e tyre,
    9. e i thotë: Të gjitha këto do të t’i jap ty, nëse bie të më falesh.
    10. Atëherë Jisui i thotë atij: Ik prej meje, Satana. Sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd do t’i falesh, dhe vetëm atij do t’i lutesh”.
    11. Atëherë djalli e la atë. Edhe ja engjëjt tek erdhën pranë e i shërbenin.
    12. Edhe Jisui kur dëgjoi se Joanin e dorëzuan, iku në Galile.
    13. Edhe si la Nazaretin, erdhi e ndenji në Kapernaum që është pranë detit, në kufijtë e Zavulonit dhe të Neftalimit,
    14. që të përmbushet ç’është thënë nga profeti Isaia, që thotë:
    15. “Dheu Zavulon edhe dheu Neftalim, në udhën e detit përtej Jordanit, Galilea e kombeve,
    16. populli që rrinte në errësirë pa dritë të madhe, dhe mbi ata që rrinin në vend e në hije vdekjeje lindi dritë”.
    17. Që atëherë Jisui zuri të predikojë e të thotë: Pendohuni, sepse u afrua mbretëria e qiejve.
    18. Edhe tek ecte Jisui pranë detit të Galilesë, pa dy vëllezër, Simonin, që thirrej edhe Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det; sepse ishin peshkatarë.
    19. Edhe u thotë atyre: Ejani pas meje, dhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.
    20. Edhe ata menjëherë lanë rrjetat, e shkuan pas tij.
    21. Edhe si shkoi më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakovin, të birin e Zevedheut, dhe Joanin, të vëllain e tij, në lundër bashkë me Zevedheun, të atin e tyre, duke ndrequr rrjetat e tyre, dhe i thirri ata.
    22. Edhe ata përnjëherë lanë lundrën dhe të atin e tyre, dhe shkuan pas tij.
    23. Edhe Jisui vinte përqark gjithë Galilesë, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre, dhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë, dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
    24. Edhe shkoi zëri i tij nëpër gjithë Sirinë, dhe sillnin tek ai gjithë ata që kishin keq, të kapur prej sëmundjesh të ndryshme e mundimesh, dhe të demonizuar, e të zënë nga sëmundja e hënës (e tokës), e të paralizuar; edhe i shëroi ata.
    25. Edhe i shkuan pas shumë njerëz nga Galilea e nga Dekapoli e nga Jerusalemi e nga Judea dhe që përtej Jordanit

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου