Τετάρτη 2 Σεπτεμβρίου 2009

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 1

Marku 1

    1. Fillimi i ungjillit të Jisu Krishtit, të Birit të Perëndisë,
    2. siç është shkruar në profetët: “Ja unë tek po dërgoj engjëllin tim përpara faqes tënde, i cili do të ndreqë udhën tënde përpara teje”.
    3. “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij”.
    4. Joani ishte duke pagëzuar në shkretëtirë, dhe duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e fajeve.
    5. Edhe dilnin tek ai gjithë vendi i Judesë dhe Jerusalemasit, dhe të gjithë pagëzoheshin nga ai në lumin e Jordanit, duke rrëfyer fajet e tyre.
    6. Edhe Joani ishte veshur me lesh gamileje, dhe kishte brez të lëkurtë rreth mesit të tij dhe hante karkaleca e mjaltë të egër.
    7. Edhe predikonte, duke thënë: Prapa meje vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti të ulem e t’i zgjidh rripin e këpucëve.
    8. Unë ju pagëzova me ujë, po ai do t’ju pagëzojë me Shpirt të Shenjtë.
    9. Edhe në ato ditë erdhi Jisui nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Joani në Jordan.
    10. Edhe menjëherë, duke dalë nga uji, pa qiejt duke u hapur dhe Shpirtin e Shenjtë si pëllumb duke zbritur mbi të.
    11. Edhe erdhi një zë nga qiejt: Ti je Biri im i dashur që e kam pëlqyer.
    12. Edhe menjëherë Shpirti e nxjerr Jisuin në shkretëtirë.
    13. Edhe ishte atje në shkretëtirë dyzet ditë dhe ngitej nga Satanai. Edhe ishte bashkë me egërsirat. Edhe engjëjt i shërbenin.
    14. Edhe pasi u dorëzua Joani, Jisui erdhi në Galile, duke predikuar Ungjillin e mbretërisë së Perëndisë,
    15. duke thënë se u plotësua koha, dhe u afrua mbretëria e Perëndisë; pendohuni, dhe i besoni ungjillit.
    16. Edhe duke ecur buzë detit të Galilesë, pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetën në det; sepse ishin peshkatarë.
    17. Edhe Jisui u tha atyre: Ejani pas meje, dhe do t’ju bëj ju të bëheni peshkatarë njerëzish.
    18. Edhe ata menjëherë lanë rrjetat e tyre dhe shkuan pas tij.
    19. Edhe duke shkuar prej andej pak më tej pa Jakovin, të birin e Zevedheut, dhe Joanin, të vëllanë e tij, ndërsa ishin në lundër duke ndrequr rrjetat.
    20. Edhe menjëherë i thirri ata; dhe ata lanë të atin e tyre, Zevedheun, në lundër bashkë me punëtorët dhe shkuan pas tij.
    21. Edhe hyjnë në Kapernaum; dhe Jisui menjëherë të shtunën hyri në sinagogë e mësonte.
    22. Edhe çuditeshin për mësimin e tij, sepse ishte duke i mësuar ata si ndonjë që ka pushtet dhe jo si shkruesit.
    23. Edhe ishte në sinagogën e tyre një njeri që kishte frymë të ndyrë, dhe bërtiti duke thënë:
    24. Mjerë! ç’ke ti me ne, Jisu Nazaretasi? Erdhe të na humbasësh? Të di cili je, Shenjti i Perëndisë.
    25. Po Jisui e qortoi, duke thënë: Mbyll gojën dhe dil nga ai.
    26. Edhe fryma e ndyrë, si e shkleu dhe bërtiti me zë të madh, doli nga ai.
    27. Edhe të gjithë u habitën, kaq sa pyesnin njëri-tjetrin, duke thënë: Ç’është kjo? Ç’është ky mësim i ri? Sepse me pushtet urdhëron edhe frymët e ndyra, edhe i binden.
    28. Edhe menjëherë i doli nami nëpër gjithë vendin rreth Galilesë.
    29. Edhe përnjëherë dolën nga sinagoga e erdhën në shtëpinë e Simonit e të Andreas bashkë me Jakovin e me Joanin.
    30. Edhe e vjehrra e Simonit po dergjej në ethe; dhe menjëherë i thonë për të.
    31. Edhe ai u afrua dhe, duke e rrokur atë prej dore, e ngriti; dhe atë e lanë ethet menjëherë, dhe u shërbente atyre.
    32. Edhe si u ngrys, në perëndim të diellit, prunë tek ai gjithë ata që kishin keq dhe të demonizuarit.
    33. Edhe tërë qyteti ishte mbledhur te dera.
    34. Edhe shëroi shumë veta që vuanin prej sëmundjesh të ndryshme; dhe shumë djaj nxori, dhe s’i linte djajtë të flisnin, sepse e njihnin.
    35. Edhe në mëngjes fort me natë u ngrit e doli, dhe shkoi në një vend të shkretë, dhe falej atje.
    36. Edhe e ndoqën prapa Simoni dhe ata që ishin bashkë me të.
    37. Edhe kur e gjetën, i thonë se të gjithë po të kërkojnë.
    38. Edhe ai u thotë atyre: Le të shkojmë në kryefshatrat e afërt, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam dalë.
    39. Edhe ishte duke predikuar nëpër sinagogat e tyre, në gjithë Galilenë, dhe duke nxjerrë djajtë.
    40. Edhe vjen tek ai një lebroz e i lutet, dhe bie në gjunjë përpara tij e i thotë se po të duash, mund të më pastrosh.
    41. Dhe Jisuit iu dhimbs, zgjati dorën, e si e preku i thotë: Dua, pastrohu.
    42. Edhe sapo ai tha këtë, përnjëherë i shkoi lebra, dhe u pastrua.
    43. Edhe si e porositi rreptë, menjëherë e nxori jashtë, dhe i thotë:
    44. Vështro se mos i thuash gjë ndonjërit, po shko dhe rrëfe veten tënde te prifti, dhe sill për pastrimin tënd ato që ka urdhëruar Moisiu për dëshmi mbi ata.
    45. Por ai, si doli, nisi të predikojë shumë dhe të përhapë fjalën, kaq sa ai s’mundej më të hynte haptas në qytet, por ishte jashtë nëpër vende të shkreta; dhe vinin tek ai nga të gjitha anët

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 2

Marku 2

  1. Edhe pas disa ditësh përsëri hyri në Kapernaum; dhe u dëgjua se është në shtëpi.
  2. Edhe përnjëherë u mblodhën shumë veta, kaq sa as vendet pranë derës s’i nxinin më; dhe ai u predikonte atyre fjalën.
  3. Atëherë vijnë tek ai e sjellin një të paralizuar që e ngrinin katër veta.
  4. Edhe pasi s’mund të afroheshin tek ai nga turma e madhe, zbuluan kulmin ku ishte ai, edhe si bënë një vrimë, zbritën shtratin, mbi të cilin dergjej i paralizuari.
  5. Edhe Jisui, kur pa besimin e tyre, i thotë të paralizuarit: Bir, t’u falën mëkatet e tua.
  6. Edhe ca nga shkruesit ishin atje duke ndenjur, dhe duke menduar në zemrat e tyre:
  7. Ç’flet ky kështu blasfemira? Cili mund të falë mëkate, përveçse një, Perëndia?
  8. Edhe Jisui menjëherë si e mori vesh me shpirtin e tij se po mendohen kështu me veten e tyre, u tha atyre: Përse i mendoni këto në zemrat tuaja?
  9. Ç’është më kollaj t’i them të paralizuarit: T’u falën mëkatet, apo t’i them: Ngrihu, e merr shtratin tënd, dhe ec?
  10. Po që ta dini se i biri i njeriut ka pushtet të falë mëkate mbi dhe, - i thotë të paralizuarit: -
  11. Ty të them, ngrihu dhe merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde.
  12. Edhe ai u ngrit menjëherë dhe mori shtratin, dhe doli përpara të gjithëve, kaq sa të gjithë çuditeshin dhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë se kurrë s’kemi parë kështu.
  13. Edhe doli përsëri buzë detit; dhe gjithë turma vinte tek ai, dhe ai i mësonte ato.
  14. Edhe duke shkuar pa Leviun, të birin e Alfeut, duke ndenjur në doganë; dhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij.
  15. Edhe kur po rrinte në tryezë në shtëpinë e atij, ishin ulur në tryezë edhe shumë tagrambledhës e mëkatarë bashkë me Jisuin e me nxënësit e tij; sepse ishin shumë veta, dhe shkuan pas tij.
  16. Edhe shkruesit e Farisenjtë, kur e panë atë duke ngrënë bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë, u thoshin nxënësve të tij: Përse ha e pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?
  17. Edhe Jisui, kur dëgjoi, u thotë atyre: Të shëndoshët s’kanë nevojë për shërues, po ata që vuajnë; s’kam ardhur për të thirrur të drejtë, po mëkatarë në pendim.
  18. Edhe nxënësit e Joanit dhe ata të Farisenjve agjëronin; dhe vijnë, e i thonë: Pse nxënësit e Joanit e ata të Farisenjve agjërojnë dhe nxënësit e tu nuk agjërojnë?
  19. Edhe Jisui u tha: Mos mundin të agjërojnë dasmorët, deri sa të jetë dhëndri bashkë me ta? Sa kohë kanë dhëndrin me vete, s’mund të agjërojnë.
  20. Por do të vijnë ditë kur do të merret dhëndri, dhe atëherë do të agjërojnë në ato ditë.
  21. Edhe asnjë s’qep arnë pëlhure të re në rrobë të vjetër; në mos, mbushja e saj e re heq prej së vjetrës dhe grisja bëhet më e keqe.
  22. Edhe asnjë s’vë verë të re në calikë të vjetër; në mos, vera e re gris calikët, edhe vera derdhet, edhe calikët prishen; po vera e re duhet të vihet në calikë të rinj.
  23. Edhe ndërsa ai po shkonte një ditë të shtunë nëpër ara të mbjella, nxënësit e tij, duke bërë udhë, zunë të shkoqin kallinj.
  24. Edhe Farisenjtë i thoshin: Shih, pse bëjnë ditën e shtunë atë që nuk lejohet?
  25. Edhe ai u thoshte atyre: Kurrë s’keni lexuar ç’bëri Davidi kur pat nevojë dhe i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me të?
  26. Si hyri në shtëpinë e Perëndisë në ditët e kryepriftit Abiatar dhe hëngri bukët e paravënies, të cilat nuk lejohet t’i hajë tjetër njeri, veç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që ishin bashkë me të?
  27. Prandaj u thoshte atyre: E shtuna është bërë për njeriun, e jo njeriu për të shtunën.
  28. Prandaj i biri i njeriut është i zoti edhe i së shtunës.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 3

Marku 3

  1. Pastaj hyri përsëri në sinagogë; dhe atje ishte një njeri që e kishte dorën të thatë.
  2. Edhe vinin re atë nëse do ta shëronte të shtunën, që ta akuzonin.
  3. Edhe ai i thotë njeriut që kishte dorën e thatë: Ngrihu e qëndro në mes.
  4. Pastaj u thotë atyre: A lejohet të bëjë njeriu mirë të shtunave apo të bëjë keq? Të shpëtojë shpirt apo të vrasë? Po ata s’bënin zë.
  5. Atëherë si i vuri re përreth me zemërim, sepse i erdhi keq për ashpërsinë e zemrës së tyre, i thotë njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai e shtriu; dhe dora e tij u bë e shëndoshë si tjetra.
  6. Edhe Farisenjtë si dolën, menjëherë bënë këshillë bashkë me Irodianët kundër tij, që ta vrasin.
  7. Edhe Jisui shkoi bashkë me nxënësit e tij buzë detit; dhe i shkoi pas një turmë e madhe nga Galilea
  8. dhe nga Judea, dhe nga Jerusalemi, dhe nga Idumea, e që përtej Jordanit; dhe një turmë e madhe nga ata që ishin rreth Tirit e Sidonës, kur dëgjuan se sa punë bënte, erdhën tek ai.
  9. Edhe ai u tha nxënësve të tij ta presë atë afër një lundër, për shkak të turmës, që të mos e shtrëngojnë.
  10. Sepse shëroi shumë veta, kaq sa binin sipër atij, që ta preknin, sa veta kishin sëmundje.
  11. Edhe frymët e ndyra kur e vështronin, i binin përpara dhe bërtitnin duke thënë se ti je i biri i Perëndisë.
  12. Po ai i qortonte shumë, që të mos e shfaqnin.
  13. Pastaj ngjitet në mal dhe thërret pranë vetes sa njerëz deshi ai; dhe ata shkuan tek ai.
  14. Edhe zgjodhi dymbëdhjetë veta, që të jenë bashkë me të dhe që t’i dërgojë të predikojnë.
  15. Edhe të kenë pushtet të shërojnë sëmundjet, dhe të nxjerrin djajtë:
  16. Simonin, të cilit ia vuri emrin Pjetër;
  17. dhe Jakovin, të birin e Zevedheut, dhe Joanin, të vëllanë e Jakovit, dhe ua vuri emrin Voanergjes, që domethënë Bij bubullime;
  18. dhe Andrean, e Filipin, e Vartholomeun, e Matheun, e Thomain, e Jakovin, të birin e Alfeut, e Tadeun, e Simon Kananeasin,
  19. dhe Juda Iskariotin, i cili edhe e tradhtoi.
  20. Edhe vijnë në një shtëpi; edhe mblidhet përsëri turmë, kaq sa ata s’mund të hanin as bukë.
  21. Edhe kur dëgjuan njerëzit e tij, dolën ta mbajnë, sepse thoshin se nuk është në vete.
  22. Edhe shkruesit që zbritën nga Jerusalemi thoshnin se ka Velzevulin dhe se i nxjerr djajtë me anë të të parit të djajve.
  23. Po ai, si i thirri ata pranë, u thoshte me paravolira: Si mund të nxjerrë Satanai Satanain?
  24. Edhe një mbretëri në u ndaftë kundër vetes së saj, ajo mbretëri s’mund të qëndrojë.
  25. Edhe një shtëpi në u ndaftë kundër vetes së saj, ajo shtëpi s’mund të qëndrojë.
  26. Edhe Satanai nëse u ngrit kundër vetes së tij dhe u nda, s’mund të qëndrojë, po i erdhi fundi.
  27. Asnjë s’mund të hyjë në shtëpinë e të fortit e të rrëmbejë enët e tij, në mos e lidhtë më përpara të fortin, dhe atëherë do të rrëmbejë shtëpinë e atij.
  28. Me të vërtetë po ju them juve se bijve të njerëzve do t’u ndjehen gjithë mëkatet dhe gjithë sharjet që do të blasfemojnë.
  29. Por ai që të blasfemojë kundër Shpirtit të Shenjtë, nuk ka ndjesë për gjithë jetën, po është fajtor për dënim të pasosur;
  30. sepse thoshin: Ka frymë të ndyrë.
  31. Vijnë pra të vëllezërit dhe e ëma e tij, dhe si qëndruan jashtë, dërguan tek ai që ta thërrasin.
  32. Edhe turma rrinte rreth tij; dhe i thanë atij: Ja nëna jote dhe vëllezërit e tu po të kërkojnë jashtë.
  33. Po ai iu përgjigj atyre, duke thënë: Cila është nëna ime ose cilët janë vëllezërit e mi?
  34. Dhe si hodhi sytë rrotull mbi ata që rrinin pranë tij, tha: Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
  35. Sepse ai që të bëjë vullnetin e Perëndisë, ky është im vëlla, dhe ime motër, dhe nëna.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 4

Marku 4

  1. Edhe përsëri zuri të mësonte buzë detit; dhe u mblodh pranë tij një turmë e madhe, aq sa ai hyri në lundër dhe rrinte në det.
  2. Edhe tërë turma ishte mbi dhe pranë detit dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra me paravolira dhe u thoshte atyre në mësimin e tij:
  3. Dëgjoni. Ja tek doli mbjellësi të mbjellë.
  4. Edhe në mbjellje, një pjesë e farës ra në rrugë, dhe erdhën zogjtë dhe e hëngrën.
  5. Edhe tjetra ra mbi gurishte, ku s’kishte dhe shumë, edhe menjëherë mbiu, sepse s’kishte dhe të thellë,
  6. po kur lindi dielli, u dogj, dhe meqenëse s’kishte rrënjë, u tha.
  7. Edhe një pjesë tjetër ra në drizat; dhe drizat hipën dhe e mbytën, dhe pemë s’dha.
  8. Edhe një tjetër ra në dhe të mirë, dhe jepte pemë duke hipur e duke u rritur, dhe pruri pemë njëra tridhjetë, e njëra gjashtëdhjetë, e njëra njëqind. –
  9. Edhe u thoshte atyre: Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
  10. Edhe kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për paravolinë.
  11. Edhe ai u thoshte atyre: Juve ju është dhënë të njihni fshehtësinë e mbretërisë së Perëndisë. Po për ata që janë jashtë, të gjitha bëhen me paravolira,
  12. që duke parë të vështrojnë, dhe të mos shohin; dhe duke dëgjuar të dëgjojnë, dhe të mos kuptojnë, se mos ndonjëherë kthehen e u falen mëkatet.
  13. Pastaj u thotë atyre: Nuk e dini këtë paravoli? Dhe si do të kuptoni gjithë paravolitë?
  14. Mbjellësi është ai që mbjell fjalën.
  15. Edhe ata pranë udhës janë këta, në të cilët mbillet fjala; po kur dëgjojnë, përnjëherë vjen Satanai dhe merr fjalën që është mbjellë në zemrat e tyre.
  16. Edhe gjithashtu ata që mbillen në gurishte janë këta, të cilët, kur dëgjojnë fjalën, përnjëherë e marrin me gëzim,
  17. po s’kanë rrënjë në veten e tyre, dhe janë për pak kohë. Pastaj, kur bëhet shtrëngim a përndjekje për fjalën, përnjëherë skandalizohen.
  18. Edhe ata që mbillen në drizat janë këta, të cilët e dëgjojnë fjalën,
  19. por kujdesjet e kësaj jete dhe gënjimi i pasurisë, dhe dëshirimet për të tjera gjëra, hyjnë e mbysin fjalën, dhe kjo bëhet e pafrytshme.
  20. Por ata që u mbollën në dhe të mirë janë këta, të cilët dëgjojnë fjalën dhe e presin, dhe sjellin pemë, një tridhjetë, një gjashtëdhjetë dhe një njëqind.
  21. Edhe u thoshte atyre: Mos vjen kandili që të vihet nën shinik apo nën shtrat? E jo që të vihet mbi kandilmbajtëse?
  22. Sepse s’ka gjë të fshehtë që të mos shpallet; as nuk është bërë ndonjë gjë e fshehur, që të mos shfaqet.
  23. Nëse ka ndonjë veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
  24. Edhe u thoshte atyre: Vini re ç’dëgjoni. Me ç’matës matni, do t’ju matet edhe juve, dhe do të shtohet mbi ju që dëgjoni.
  25. Sepse atij që ka do t’i jepet edhe tjetër, dhe prej atij që s’ka, edhe ajo që ka do t’i merret.
  26. Edhe thoshte: Kështu është mbretëria e Perëndisë, si një njeri që hedh farën mbi dhe,
  27. edhe fle e ngrihet natë e ditë; dhe fara mbin e rritet, kështu që ai s’e di se si.
  28. Sepse dheu prej vetiu sjell pemë, më parë bar, pastaj kalli, pastaj grurë të plotë në kalli.
  29. Edhe kur arrihet pema, dërgon drapërin, sepse arriti të korrët.
  30. Edhe thoshte: Me se ta përngjajmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë paravolie ta barazojmë?
  31. Eshtë si një kokërr sinapi, e cila, kur mbillet në dhe, është më e vogël se gjithë farërat që janë mbi dhe.
  32. Por, si mbillet, rritet e bëhet më e madhe se gjithë lakrat, dhe bën degë të mëdha, kaq sa zogjtë e qiellit mund të rrinë nën hijen e tij.
  33. Edhe me shumë të këtilla paravolira u fliste atyre fjalën, siç mund ta dëgjonin.
  34. Edhe pa paravolira nuk ua fliste atyre; po veçan nxënësve të tij ua zgidhte të gjitha.
  35. Edhe atë ditë, si u ngrys, u thotë atyre: Le të hidhemi përtej.
  36. Edhe nxënësit, si lanë turmën, e marrin siç ishte në lundër; dhe të tjera lundërza ishin bashkë me të.
  37. Edhe bëhet një stuhi e madhe ere; dhe valët binin brenda në lundër, kaq sa ajo tani po mbushej.
  38. Edhe ai ishte në anën e prapme të lundrës duke fjetur mbi nënkresë; dhe e zgjojnë e i thonë: Mësues, nuk do të dish se po humbasim?
  39. Edhe ai u ngrit e qortoi erën, dhe i tha detit: Pusho, zbutu.
  40. Edhe pushoi era, edhe u bë bunacë e madhe. Pastaj u tha atyre: Pse jeni frikacakë kështu? Si s’keni besim?
  41. Edhe ata u frikësuan me frikë të madhe, dhe i thoshin njëri-tjetri: Cili vallë është ky, që edhe era edhe deti e dëgjojnë?

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 5

Marku 5

  1. Edhe erdhën në anën e përtejme të detit, në vendin e Gadarinëve.
  2. Edhe sapo doli nga lundra, përnjëherë i doli përpara nga varret një njeri me frymë të ndyrë,
  3. që kishte banesën në varre, dhe asnjë s’mund ta lidhte as me vargje hekurash.
  4. Sepse shumë herë qe lidhur me hekura ndër këmbë e me vargje hekurash, po ai i kishte këputur vargjet e hekurave dhe kishte thyer hekurat e këmbëve; dhe asnjë s’mund ta zbuste.
  5. Edhe gjithnjë, ditë e natë, ishte nëpër varre e nëpër male duke bërtitur e duke copëtuar veten e tij me gurë.
  6. Edhe kur pa Jisuin për së largu, u lëshua me vrap dhe iu fal.
  7. Edhe duke bërtitur me zë të madh thotë: Ç’ke ti me mua, o Jisu, biri i Perëndisë së lartë? Të vë në be në Perëndinë, të mos më mundosh.
  8. Sepse Jisui i thoshte: Dil nga njeriu, o frymë e ndyrë.
  9. Edhe e pyeste: Si ta thonë emrin? Edhe ai u përgjigj e tha: Legjion ma thonë emrin, sepse jemi shumë.
  10. Edhe i lutej shumë, që të mos e dërgojë jashtë vendit.
  11. Edhe atje në mal ishte duke kullotur një tufë e madhe derrash.
  12. Edhe iu lutën atij gjithë djajtë, duke thënë: Dërgona tek derrat, që të hyjmë tek ata.
  13. Edhe Jisui përnjëherë u dha leje. Edhe frymët e ndyra dolën e hynë tek derrat; dhe tufa e derrave u hodh prej shkëmbit në det, - dhe ishin afro dy mijë, - dhe u mbytën në det.
  14. Edhe ata që kullotnin derrat ikën dhe lajmëruan në qytet e nëpër ara. Edhe dolën të shohin ç’është kjo punë që u bë.
  15. Edhe vijnë tek Jisui dhe venë re të demonizuarin që pati pasur legjionin duke ndenjur, dhe të veshur e të urtësuar; dhe u frikësuan.
  16. Edhe ata që panë u treguan atyre, si ngjau puna me të demonizuarin, si edhe për derrat.
  17. Edhe zunë t’i luten të ikë nga kufijtë e tyre.
  18. Edhe kur po hynte ai në lundër, ai që pat qenë i demonizuar i lutej të jetë bashkë me atë.
  19. Edhe Jisui s’e la, por i thotë: Shko në shtëpinë tënde tek njerëzit e tu dhe njoftoi për gjithë sa të bëri Zoti dhe të përdëlleu.
  20. Dhe ai iku e zuri të predikojë në Dekapol sa i bëri atij Jisui; dhe të gjithë çuditeshin.
  21. Edhe si kapërceu Jisui përsëri me lundër në anën e përtejme, shumë njerëz u mblodhën tek ai; dhe ai ishte pranë detit.
  22. Edhe ja tek vjen një nga të parët e sinagogës, që e kishte emrin Jair; dhe ky kur pa atë, i bie ndër këmbë,
  23. edhe i lutej shumë, duke thënë se ime bijë është në frymë të fundit; të lutem të vish e të vësh duart mbi të, që të shpëtojë; dhe do të rrojë.
  24. Edhe ai shkoi bashkë me të; dhe shumë njerëz i vinin pas dhe e shtrëngonin.
  25. Edhe një grua që kishte rrjedhje gjaku dymbëdhjetë vjet,
  26. edhe që kishte hequr shumë nga shumë shërues, dhe që kishte prishur gjithë ç’kishte pasur, dhe që s’kishte parë asnjë dobi, po ishte bërë edhe më keq,
  27. kur dëgjoi për Jisuin, erdhi në mes të turmës nga pas, dhe preku rrobën e tij.
  28. Sepse thoshte se edhe rrobat e atij në preksha, do të shpëtoj.
  29. Edhe përnjëherë u tha burimi i gjakut të saj, dhe e ndjeu në trup se u shërua nga sëmundja.
  30. Edhe Jisui përnjëherë, si e kuptoi në vete fuqinë që doli nga ai, u kthye nga turma, e thoshte: Kush më preku rrobat?
  31. Edhe nxënësit e tij i thoshin: Sheh turmën që të shtrëngon, dhe thua kush më preku?
  32. Po ai vinte re përqark që të shohë atë që bëri këtë.
  33. Edhe gruaja duke u trembur e duke u dridhur, sepse e dinte, se ç’ishte bërë tek ajo, erdhi e i ra ndër këmbë, dhe i tha gjithë të vërtetën.
  34. Edhe ai i tha: Bijë, besimi yt të shpëtoi; shko në paqe, dhe ji e shëndoshë nga sëmundja jote.
  35. Ndërsa ai po fliste ende, vijnë nga i pari i sinagogës, duke i thënë këtij se jot bijë vdiq; përse po e mundon mësuesin?
  36. Po Jisui sapo dëgjoi fjalën që po flitej, i thotë të parit të sinagogës: Mos ki frikë, vetëm beso.
  37. Edhe s’la asnjë të shkojë prapa bashkë me të, përveç Pjetrit dhe Jakovit dhe Joanit, vëllait të Jakovit.
  38. Edhe vjen në shtëpinë e të parit të sinagogës, dhe vështron trazira, e njerëz që qanin e ulërinin shumë.
  39. Edhe si hyri, u thotë atyre: Pse bëni trazirë e qani? Vajza nuk vdiq, por po fle.
  40. Edhe ata e përqeshnin. Po ai, si i nxori jashtë të gjithë, merr me vete të atin e vajzës dhe të ëmën dhe ata që ishin bashkë me të, dhe hyri atje ku ishte dergjur vajza.
  41. Edhe duke rrokur dorën e vajzës, i tha asaj: “Talitha kumi”, që e përkthyer do të thotë: Vajzë, të them, ngrihu.
  42. Edhe përnjëherë vajza u ngrit dhe ecte; sepse ishte dymbëdhjetë vjeç. Edhe u çuditën me çudi të madhe.
  43. Edhe i porositi shumë të mos e marrë vesh këtë asnjeri; dhe tha t’i jepet asaj të hajë.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 6

Marku 6

  1. Edhe doli andej dhe erdhi në vendin e tij, dhe nxënësit e tij i shkojnë pas.
  2. Edhe kur erdhi e shtuna, zuri të mësojë në sinagogë; dhe shumë veta kur dëgjonin, çuditeshin, e thoshin: Që kur i erdhën këtij këto? Edhe ç’është kjo dituri që i është dhënë këtij, dhe të këtilla çudira bëhen nga duart e tij?
  3. A nuk është ky mjeshtri, i biri i Marisë, e i vëllai i Jakovit e i Josiut e i Judës e i Simonit? Dhe a nuk janë motrat e tij këtu ndër ne? Edhe skandalizoheshin për të.
  4. Po Jisui u thoshte atyre se nuk ka profet të panderuar, përveçse në atdheun e tij, dhe ndër njerëzit e tij, dhe në shtëpinë e tij.
  5. Edhe s’mundi të bënte atje asnjë çudi, veç mbi pak të sëmurë vuri duart e i shëroi.
  6. Edhe çuditej për pabesinë e tyre. Edhe shkonte fshatrave përreth, duke mësuar njerëzit.
  7. Edhe thirri pranë të dymbëdhjetët dhe zuri t’i dërgojë dy nga dy; dhe u jepte pushtet kundër frymëve të ndyra.
  8. Edhe i porositi ata të mos mbajnë asgjë udhës, veçse vetëm një shkop; as trastë, as bukë, as bakër në brez.
  9. Por të jenë mbathur me sandale dhe të mos veshin dy rroba.
  10. Edhe u thoshte atyre: Në ç’shtëpi që të hyni, qëndroni atje deri sa të dilni që andej.
  11. Edhe sa veta të mos ju presin, as të mos ju dëgjojnë, kur të dilni andej, shkunduni pluhurin që është poshtë këmbëve tuaja, për dëshmi mbi ata; me të vërtetë po ju them juve, më i durueshëm do të jetë mundimi në Sodomë e në Gomorrë në ditën e gjyqit, se mbi atë qytet.
  12. Edhe ata dolën e predikuan që të pendohen njerëzit.
  13. Edhe nxirrnin shumë djaj; dhe lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.
  14. Edhe dëgjoi mbreti Irod, - se emri i tij (i Jisuit) ishte bërë i njohur, - dhe thoshte se Joani që pagëzonte është ngjallur prej së vdekurish, dhe prandaj fuqitë e qiellit punojnë me anë të tij.
  15. Të tjerë thoshin se ai ishte Ilia. Por të tjerë thoshin se është profet ose si një nga profetët.
  16. Po Irodi, kur dëgjoi, tha se ky është Joani, të cilit unë i preva kryet; ai është ngjallur prej së vdekurish.
  17. Sepse vetë Irodi dërgoi e zuri Joanin, dhe e lidhi në burg për Irodiadën, gruan e Filipit, të vëllait, sepse e kishte marrë për grua.
  18. Sepse Joani i thoshte Irodit se s’është e udhës të kesh ti gruan e vëllait tënd.
  19. Prandaj Irodiada e kishte mëri, dhe donte ta vriste, po nuk mundej.
  20. Sepse Irodi kishte frikë nga Joani, duke e ditur atë për njeri të drejtë dhe për shenjt; dhe e ruante, dhe bënte shumë punë duke e dëgjuar atë, dhe me gëzim e dëgjonte.
  21. Edhe kur erdhi një ditë e mbarë në të cilën Irodi u bëri darkë për ditëlindjen e tij të mëdhenjve të tij e kryemijëshve e të parëve të Galilesë,
  22. edhe si hyri e bija e Irodiadës dhe kërceu, edhe i pëlqeu Irodit e atyre që ishin ndenjur bashkë në tryezë, mbreti i tha vajzës: Kërkomë ç’të duash dhe do të ta jap.
  23. Dhe i bëri be asaj, se çdo gjë që do më lypësh do të ta jap, deri në gjysmën e mbretërisë sime.
  24. Edhe ajo doli e i tha së ëmës: Ç’të lyp? Edhe ajo tha: Kryet e Joan Pagëzorit.
  25. Edhe ajo përnjëherë hyri me nxitim te mbreti, e kërkoi duke thënë: Dua të më japësh tani në pjatë kryet e Joan Pagëzorit.
  26. Edhe mbreti u hidhërua fort, po për betimet që kishte bërë, dhe për ata që ishin ulur bashkë me të në tryezë, nuk deshi t’ia hedhë poshtë kërkesën
  27. Edhe menjëherë mbreti dërgoi një trim dhe urdhëroi të sillet kryet e atij.
  28. Edhe ai shkoi e i preu kryet në burg; dhe e pruri kryet e tij mbi pjatë dhe ia dha vajzës; dhe vajza ia dha së ëmës.
  29. Edhe nxënësit e tij, kur dëgjuan, erdhën dhe ngritën trupin e tij, dhe e vunë në varr.
  30. Edhe apostujt mblidhen tek Jisui dhe i rrëfyen të gjitha, edhe sa bënë, edhe sa mësuan.
  31. Edhe u tha atyre: Ejani ju vetë veçan në një vend të shkretë dhe prehuni pak; sepse ishin shumë ata që vinin e shkonin, dhe as për të ngrënë s’kishin kohë.
  32. Edhe ata shkuan me lundër në një vend të shkretë veçan.
  33. Edhe turmat i panë ata duke shkuar, dhe shumë veta e njohën; edhe me këmbë nga gjithë qytetet u sulën atje, dhe arritën më përpara se ata, dhe u mblodhën pranë atij.
  34. Edhe Jisui, kur doli, pa shumë njerëz dhe iu dhimbs për ta, sepse ishin si dhen që s’kanë bari; dhe zuri t’i mësojë shumë.
  35. Edhe tani, meqenëse kishte shkuar shumë koha, iu afruan atij nxënësit e i thonë se vendi është i shkretë dhe tani koha ka shkuar shumë,
  36. lëshoi ata, që të shkojnë nëpër arat e nëpër fshatrat përreth e të blejnë bukë për veten e tyre, sepse s’kanë se ç’të hanë.
  37. Po ai u përgjigj e u tha atyre: Jepuni ju atyre të hanë. Edhe ata i thonë: Të shkojmë e të blejmë dyqind dinarë bukë e t’u japim atyre të hanë?
  38. Edhe ai u thotë atyre: Sa bukë keni? Shkoni e shihni. Edhe si shkuan e panë, i thonë: Pesë, dhe dy peshq.
  39. Edhe ai i urdhëroi t’i vënë ata të rrinë të gjithë grupe-grupe përmbi barin e njomë.
  40. Edhe ata ndenjën togje-togje, nga njëqind e nga pesëdhjetë.
  41. Edhe ai, si mori të pesë bukët e të dy peshqit, ngriti sytë në qiell, bekoi, dhe theu bukët e ua dha nxënësve të tij, që t’i vënë përpara tyre; edhe të dy peshqit ua ndau të gjithëve.
  42. Edhe të gjithë hëngrën e u ngopën.
  43. Edhe u ngritën dymbëdhjetë kofinë plot me copa, edhe nga peshqit.
  44. Edhe ata që hëngrën bukët ishin rreth pesë mijë burra.
  45. Edhe menjëherë i shtrëngoi nxënësit e tij të hyjnë në lundër dhe të shkojnë më parë se ai matanë, në Betsaida, deri sa ai të lëshonte turmën.
  46. Edhe si i lëshoi, shkoi në mal të falet.
  47. Edhe kur u ngrys, lundra ishte në mes të detit, dhe ai vetëm mbi tokë.
  48. Edhe pa ata që po mundoheshin në vozitje, sepse era ishte kundër tyre; dhe në rojen e katërt të natës vjen tek ata, duke ecur mbi det; dhe donte t’i kapërcente.
  49. Po ata, kur panë atë që po ecte mbi det, pandehën se ishte hije dhe bërtitën.
  50. Sepse të gjithë e panë dhe u drodhën. Edhe menjëherë foli bashkë me ata e u thotë atyre: Guxim, jam unë, mos u frikësoni. Edhe hipi tek ata në lundër; dhe era pushoi.
  51. Edhe me veten e tyre habiteshin fort tepër, dhe mahniteshin.
  52. Sepse nuk e morën vesh nga bukët; sepse zemra e tyre ishte ashpërsuar.
  53. Edhe si kapërcyen detin, erdhën në tokën Gjenisaret dhe hodhën spirancën në liman.
  54. Dhe kur dolën nga lundra, ata e njohën menjëherë,
  55. edhe u turrën nëpër gjithë ato vende përreth e zunë të sillnin mbi shtretër ata që kishin keq atje ku dëgjonin se është.
  56. Edhe kudo që hynte në fshatra ose në qytete ose në ara, vinin të sëmurët nëpër tregje dhe i luteshin të preknin vetëm cepin e rrobës së tij; dhe gjithë sa e preknin, shëroheshin.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 7

Marku 7

  1. Atëherë mblidhen tek ai Farisenjtë dhe disa nga shkruesit, që kishin ardhur nga Jerusalemi.
  2. Edhe kur panë se disa nga nxënësit e tij hanin bukë me duar të fëlliqura, domethënë të palara, i përfolën.
  3. Sepse Farisenjtë dhe gjithë Judenjtë, në mos lafshin duart deri në bërryl, nuk hanë, se mbajnë traditën e pleqve;
  4. Edhe kur kthehen nga tregu, në mos u lafshin, nuk hanë; dhe shumë të tjera zakone ka që kanë marrë për të mbajtur, si të lara kupash, e enësh, e të bakërtash, e shtretërish.
  5. Pastaj Farisenjtë e shkruesit e pyesin: Përse nxënësit e tu nuk ecin sipas fjalëve që kanë lënë pleqtë, po me duar të palara hanë bukë?
  6. Po ai u përgjigj e u tha atyre se mirë profetizoi Isaia për ju hipokritët, siç është shkruar: “Ky popull me buzët më nderon, po zemra e tyre është larg prej meje.
  7. Edhe kot më nderojnë, duke mësuar mësime porosi njerëzish”.
  8. Sepse keni lënë porosinë e Perëndisë, e mbani fjalët që kanë lënë njerëzit, të lara enësh e kupash, dhe bëni shumë të tjera të tilla si këto.
  9. Edhe u thoshte atyre: Mirë, hidhni poshtë porosinë e Perëndisë, që të ruani traditën tuaj.
  10. Sepse Moisiu ka thënë: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”; dhe: “Kush flet keq për të atin a për të ëmën pa fjalë të vritet”.
  11. Po ju thoni: Në i thëntë njeriu të atit ose së ëmës, kurban, që domethënë dhuratë, është çdo e mirë që do të shohësh prej meje, është mjaft;
  12. dhe s’e lini më t’i bëjë asgjë të atit ose së ëmës,
  13. edhe shkelni fjalën e Perëndisë për traditën tuaj që morët; dhe bëni shumë të tilla punë si këto.
  14. Edhe si thirri pranë gjithë turmën, u thoshte atyre: Dëgjomëni të gjithë, dhe merrni vesh.
  15. S’ka asgjë nga përjashta njeriut që hyn tek ai që mund ta ndyjë, po ato që dalin prej tij, ato janë që e ndyjnë njeriun.
  16. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
  17. Edhe kur hyri në një shtëpi prej turmës, e pyesnin nxënësit e tij për paravolinë.
  18. Edhe ai u tha atyre: Kështu edhe ju të pamarrë vesh jeni? S’merrni vesh se çdo gjë që i hyn njeriut nga jashtë nuk mund ta ndyjë?
  19. Sepse nuk hyn në zemrën e tij, po në bark; dhe del në jashtëqitje, duke pastruar gjithë të ngrënat.
  20. Por, thoshte se ç’del nga njeriu, ajo e ndyn njeriun.
  21. Sepse që përbrenda, nga zemra e njerëzve dalin mendimet e liga, ndyrësira, imoralitete, vrasje,
  22. vjedhje, lakmira, ligësira, mashtrim, shthurje, shikim me sy të keq, blasfemi, madhështi, marrëzi.
  23. Gjithë këto të liga nga përbrenda dalin dhe ndyjnë njeriun.
  24. Edhe u ngrit prej andej e shkoi në kufijtë e Tirit e të Sidonës, dhe si hyri në një shtëpi, nuk deshi ta marrë vesh asnjeri; po s’mundi të fshihet.
  25. Sepse një grua, e bija e së cilës kishte frymë të ndyrë, kur dëgjoi për të, erdhi e i ra ndër këmbë.
  26. Edhe gruaja ishte greke, sirofenikase nga kombi; dhe i lutej të nxjerrë djallin prej së bijës.
  27. Po Jisui i tha asaj: Le të ngopen më përpara fëmijët; sepse s’është mirë të marrë ndonjëri bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhë këlyshëve të qenve.
  28. Po ajo u përgjigj e i tha: Po, Zot, por edhe këlyshët poshtë tryezës hanë nga thërrimet e fëmijëve të vegjël.
  29. Edhe ai i tha asaj: Për këtë fjalë shko. Djalli doli nga jot bijë.
  30. Edhe ajo kur shkoi në shtëpinë e saj, gjeti të bijën rënë mbi shtrat dhe djallin të nxjerrë.
  31. Edhe përsëri doli nga kufijtë e Tirit e të Sidonës, dhe erdhi buzë detit të Galilesë përmes kufijve të Dekapolit.
  32. Edhe i sjellin një të shurdhër belbacuk, dhe i luten të vërë dorën mbi të.
  33. Edhe ai e mori prej turmës veçan, dhe vuri gishtërinjtë e tij në veshët e atij, dhe si pështyu, i preku gjuhën.
  34. Edhe si ngriti sytë në qiell, psherëtiu, dhe i thotë atij: Effatha, që domethënë Hapu.
  35. Edhe përnjëherë u hapën veshët e tij, dhe u zgjidh të lidhurit e gjuhës së tij, dhe fliste drejt.
  36. Edhe Jisui i porositi të mos i thonë asnjeriu; po sa më tepër i porosiste ai, aq më tepër ata e predikonin.
  37. Edhe çuditeshin fort tepër e thoshin: Mirë i ka bërë të gjitha; edhe të shurdhërit i bën të dëgjojnë, edhe memecët të flasin.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 8

Marku 8

  1. Në ato ditë, pasi ishte shumë popull, dhe s’kishin se ç’të hanin, Jisui thërriti pranë nxënësit e tij dhe u thotë atyre:
  2. Më dhimbset për turmën, sepse tanimë kanë tri ditë që rrinë pranë meje, dhe s’kanë se ç’të hanë.
  3. Edhe në i lëshofsha të pangrënë për në shtëpitë e tyre, do të këputen në udhë; sepse ca nga ata kanë ardhur prej së largu.
  4. Edhe nxënësit e tij iu përgjigjën: Nga do të mundet njeriu t’i ngopë këta me bukë këtu në shkretëtirë?
  5. Edhe ai i pyeti: Sa bukë keni? Edhe ata i thanë: Shtatë.
  6. Edhe porositi turmën të ulet përdhe; dhe si mori të shtatë bukët, falënderoi e i theu, dhe ua dha nxënësve të tij, që t’i vënë përpara njerëzve; dhe ata i vunë përpara popullit.
  7. Edhe kishin pak peshq të vegjël; dhe si i bekoi, u tha t’ua vënë përpara edhe ato.
  8. Edhe hëngrën e u ngopën. Edhe ngritën teprica copash, shtatë shporta.
  9. Edhe ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lëshoi ata.
  10. Edhe përnjëherë hyri në lundër bashkë me nxënësit e tij dhe erdhi në anët e Dalmanutasë.
  11. Edhe dolën Farisenjtë e zunë të bisedojnë me atë, dhe të lypin nga ai shenjë prej qiellit, duke e ngarë atë.
  12. Po ai si psherëtiu në shpirtin e tij, thotë: Përse kërkon shenjë ky brez? Me të vërtetë po ju them juve, nuk do t’i jepet shenjë këtij brezi.
  13. Edhe si i la, hyri përsëri në lundër, e shkoi në anën e përtejme.
  14. Edhe ata harruan të marrin bukë, dhe s’kishin me vete në lundër veçse një bukë.
  15. Edhe ai i porosiste, duke thënë: Shikoni, ruhuni nga brumi i Farisenjve dhe nga brumi i Irodit.
  16. Dhe ata mendoheshin në mes tyre, duke thënë se s’kemi bukë.
  17. Edhe Jisui si e kuptoi, u tha atyre: Ç’mendoni, se s’keni bukë? Ende s’merrni vesh, as nuk kuptoni? Ende po të ashpër e keni zemrën tuaj?
  18. Duke pasur sy, nuk shihni, dhe duke pasur veshë, nuk dëgjoni? Dhe nuk kujtoni?
  19. Kur ju theva të pesë bukët për të pesë mijët, sa kofinë plot me copa ngritët? I thonë: Dymbëdhjetë.
  20. Edhe kur ju theva të shtatë bukët për të katër mijët, sa shporta plot me copa ngritët? Edhe ata thanë: Shtatë.
  21. Edhe u thoshte atyre: Si nuk kuptoni?
  22. Pastaj vjen në Betsaida; dhe i sjellin një të verbër, dhe i luten ta prekë.
  23. Edhe si e preku nga dora të vërbërin, e nxori jashtë fshatit; dhe si pështyu në sytë e tij, vuri duart mbi të, dhe e pyeste në sheh gjë.
  24. Edhe ai si hapi sytë, tha: Shoh njerëzit që ecin si drurë.
  25. Pastaj përsëri vuri duart mbi sytë e atij dhe e bëri atë të hapë sytë, dhe u shërua, dhe i shihte kthjellët të gjitha.
  26. Edhe e dërgoi në shtëpinë e tij, duke i thënë: As në fshat të mos hysh, as të mos ia thuash këtë njeriu në fshat.
  27. Pastaj doli Jisui dhe nxënësit e tij nëpër fshatrat e Qesarisë së Filipit; dhe udhës pyeste nxënësit e tij, duke u thënë atyre: Cili thonë njerëzit se jam unë?
  28. Edhe ata iu përgjigjën: Joan Pagëzori; dhe të tjerë thonë, Ilia; dhe të tjerë, një nga profetët.
  29. Edhe ai u thotë atyre: Po ju cili thoni se jam unë?
  30. Edhe Pjetri u përgjigj, e i thotë: Ti je Krishti. Edhe Jisui i porositi ata rreptë që të mos i thonë njeriu për të.
  31. Edhe zuri t’i mësojë ata se i biri i njeriut duhet të pësojë shumë, dhe të mos pëlqehet nga pleqtë e nga kryepriftërinjtë e nga shkruesit, dhe të vritet, dhe pas tri ditësh të ngjallet.
  32. Edhe e fliste fjalën haptas. Edhe Pjetri e mori veçan dhe zuri ta qortojë.
  33. Po ai, si u kthye, e vuri re nxënësit e tij, qortoi Pjetrin, duke thënë: Ik prej meje, Satana; sepse s’ke ndër mend punët e Perëndisë, po punët e njerëzve.
  34. Edhe si thirri pranë turmën bashkë me nxënësit e tij, u tha atyre: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrerë kryqin e tij, dhe le të më vijë pas.
  35. Sepse kush të dojë të shpëtojë shpirtin e tij, do ta humbasë; po kush të humbasë shpirtin e tij për shkakun tim dhe të ungjillit, ky do ta shpëtojë.
  36. Sepse ç’dobi do të ketë njeriu, në fitoftë gjithë botën, dhe të dëmtojë shpirtin e tij?
  37. Apo ç’do të japë njeriu për këmbim të shpirtit të tij?
  38. Sepse cilitdo që t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në këtë brez të përdalë e fajtor, edhe të birit të njeriut do t’i vijë turp për atë, kur të vijë në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e shenjtë.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 9

Marku 9

  1. Edhe u thoshte atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se janë disa prej këtyre që rrinë këtu, që nuk do të provojnë vdekje, deri sa të shohin mbretërinë e Perëndisë të ardhur me fuqi.
  2. Edhe pas gjashtë ditësh Jisui merr Pjetrin e Jakovin e Joanin, edhe i ngjit ata vetëm mbi një mal të lartë veçan; dhe ndërroi fytyrën përpara tyre.
  3. Edhe rrobat e tij u bënë të shkëlqyera, të bardha fort si dëbora, të tilla që rrobëzbardhës mbi dhe s’mund t’i zbardhë kështu.
  4. Edhe iu shfaq atyre Ilia bashkë me Moisiun; dhe ishin duke folur bashkë me Jisuin.
  5. Edhe Pjetri u përgjigj e i tha Jisuit: Rabi, mirë është të jemi ne këtu; dhe le të bëjmë tri tenda, një për ty, dhe një për Moisiun, dhe një për Ilian.
  6. Sepse s’dinte se ç’të fliste, sepse ishin trembur keq.
  7. Edhe një re i mbuloi, dhe erdhi një zë prej resë duke thënë: Ky është biri im i dashur, atë dëgjoni.
  8. Edhe befas kur vunë re përqark, s’panë më asnjë, po Jisuin vetëm bashkë me veten e tyre.
  9. Edhe ndërsa ata ishin duke zbritur nga mali, i porositi ata të mos i tregojnë asnjeriu sa panë, veç kur të ngjallet i Biri i njeriut prej së vdekurish.
  10. Edhe ata e ruajtën fjalën në vete, duke biseduar njëri me tjetrin: Ç’është kjo ngjallje prej së vdekurish?
  11. Edhe e pyesnin atë, duke thënë: Pse thonë shkruesit se duhet të vijë më përpara Ilia?
  12. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ilia vjen më përpara, edhe vë në vend të gjitha punët; dhe pse nuk thonë edhe si është shkruar për të birin e njeriut se duhet të pësojë shumë dhe të shnderohet?
  13. Por ju them juve, se edhe Ilia erdhi, edhe se i bënë sa deshën, siç është shkruar për atë.
  14. Edhe kur erdhi tek nxënësit, pa shumë njerëz rreth tyre, dhe shkruesit duke biseduar me ata.
  15. Edhe menjëherë gjithë turma, kur e panë atë, u habitën, dhe duke nxituar e përshëndetnin.
  16. Edhe ai pyeti shkruesit, ç’bisedoni me ata?
  17. Edhe një prej turmës u përgjigj, e tha: Prura tek ti tim bir që ka frymë të pagojë.
  18. Edhe kudo ta zërë, e hedh poshtë dhe shkumëzon, e kërcëllin dhëmbët e tij, dhe thahet. Edhe u thashë nxënësve të tu ta nxjerrin, por nuk mundën.
  19. Edhe ai iu përgjigj e tha: O brez i pabesë, deri kur do të jem bashkë me ju? Deri kur do t’ju duroj ju? Silleni atë tek unë.
  20. Edhe e prunë tek ai; dhe kur pa atë, përnjëherë fryma e shkleu; dhe ai ra përdhe, dhe rrokullisej duke shkumëzuar.
  21. Edhe ai pyeti të atin e atij: Sa kohë ka qëkurse i ngjau kjo? Edhe ai tha: Qëkurse ishte djalë i vogël.
  22. Edhe shumë herë e hodhi edhe në zjarr dhe në ujëra, që ta humbasë; po nëse mund të bësh gjë, le të të dhimbset për ne dhe ndihmona.
  23. Edhe Jisui i tha këtë: Nëse mund të besosh, të gjitha janë të mundura për atë që beson.
  24. Edhe përnjëherë i ati i djalit të vogël thirri me lot, duke thënë: Besoj, Zot. Ndihmoi pabesisë sime.
  25. Edhe Jisui kur pa se po shtohet turmë, qortoi frymën e ndyrë, duke i thënë: Frymë e pagojë dhe e shurdhër, unë të urdhëroj, dil nga ai, dhe të mos hysh më tek ai.
  26. Edhe fryma duke bërtitur e duke e shklyer atë fort, doli; dhe djali u bë si i vdekur, kaq sa shumë veta thoshin se vdiq.
  27. Edhe Jisui e kapi për dore dhe e ngriti; edhe u ngrit.
  28. Edhe kur hyri në një shtëpi, nxënësit e tij e pyesnin veçan se pse ne nuk mundëm ta nxjerrim.
  29. Edhe ai u tha atyre: Ky farë kombi s’mund të dalë me tjetër gjë, veçse me falje e me agjërim.
  30. Edhe si dolën andej, shkonin nëpër Galile, dhe s’donte ta marrë vesh njeri.
  31. Sepse mësonte nxënësit e tij, e u thosh atyre se i Biri i njeriut u dorëzohet njerëzve, dhe do ta vrasin, dhe si të vritet, të tretën ditë do të ngjallet.
  32. Po ata nuk e kuptonin fjalën dhe kishin frikë ta pyesnin.
  33. Edhe erdhi në Kapernaum; dhe kur hyri në shtëpi, i pyeste ata: Ç’mendonit udhës në mes tuaj?
  34. Po ata s’bënin zë; sepse udhës flisnin në mes tyre, cili është më i madh.
  35. Edhe si ndenji, thirri të dymbëdhjetët, edhe u thotë atyre: Kush të dojë të jetë i parë, do të jetë i fundit i të gjithëve, dhe shërbëtor i të gjithëve.
  36. Edhe mori një djalë të vogël dhe e vuri në mes tyre, dhe si e mori në krah, u tha atyre:
  37. Kush të presë një nga të këtillët fëmijë të vegjël në emrin tim, më ka pritur mua; dhe kush të më presë mua, s’më ka pritur mua, po atë që më ka dërguar.
  38. Edhe Joani iu përgjigj, duke thënë: Mësues, pamë një njeri që nxjerr djaj në emrin tënd, i cili nuk na vjen pas; dhe e ndalëm sepse nuk na vjen pas.
  39. Po Jisui tha: Mos e ndalni, sepse s’ka asnjë që do të bëjë çudira në emrin tim, dhe do të mundë njëkohësisht të flasë keq për mua.
  40. Sepse kush nuk është kundër nesh, është bashkë me ne.
  41. Sepse kush t’ju japë juve një gotë ujë në emrin tim, sepse jeni të Krishtit, me të vërtetë po ju them juve, se nuk do ta humbasë pagën e tij.
  42. Edhe kush të skandalizojë një nga këta të vegjlit që më besojnë, është më mirë për atë, në iu lidhtë një gur mulliri në qafë të tij, dhe të hidhet në det.
  43. Edhe në të skandalizoftë dora jote, preje; është më mirë për ty të hysh në jetë dorac, se duke pasur të dy duart të shkosh në gjehenë, në zjarr të pashuar,
  44. ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, dhe zjarri s’ka të shuar”.
  45. Edhe në të skandalizoftë ty këmba jote, preje; sepse është më mirë për ty të hysh në jetë i çalë, se duke pasur të dy këmbët të hidhesh në gjehenë, në zjarr të pashuar,
  46. ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, dhe zjarri s’ka të shuar”.
  47. Edhe në të skandalizoftë syri yt, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë, se duke pasur dy sy të hidhesh në gjehenë të zjarrit,
  48. ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, dhe zjarri s’ka të shuar”.
  49. Sepse çdo njeri me zjarr do të kripet, dhe çdo theror me kripë do të kripet.
  50. E mirë është kripa, po në u bëftë kripa e pashëllirshme, me se do ta ndreqni? Të keni kripë në veten tuaj dhe paqe njëri me tjetrin.

Ungilli sipas Markut KAPITULLI 10

Marku 10

  1. Edhe si u ngrit andej, vjen në kufijtë e Judesë, në anën e përtejme të Jordanit, dhe prapë turma mblidhen pranë tij, dhe siç e kishte zakon, përsëri i mësonte.
  2. Edhe si i erdhën pranë Farisenjtë, e pyetën duke e ngarë atë: A është e udhës burri ta lërë gruan?
  3. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ç’ju ka porositur Moisiu?
  4. Edhe ata thanë: Moisiu dha leje të shkruajë kartë ndarjeje dhe ta lërë.
  5. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Për zemrën tuaj të ashpër jua shkroi juve këtë porosi.
  6. Po që në fillim të krijesës, mashkull e femër i bëri ata Perëndia.
  7. “Për këtë punë njeriu do të lërë të atin e të ëmën,
  8. edhe do të ngjitet pas gruas së tij, dhe do të jenë të dy në një mish”, kaq sa nuk janë më dy, po një mish.
  9. Atë pra që Perëndia e bëri çift, njeriu le të mos e ndajë.
  10. Edhe në shtëpi përsëri e pyetën nxënësit e tij po për atë gjë.
  11. Edhe ai u thotë atyre: Kush të lërë gruan e tij e të martohet me tjetër, bën imoralitet me atë.
  12. Edhe gruaja, në lëntë burrin e saj dhe të martohet me tjetër, bën imoralitet.
  13. Edhe i prunë atij fëmijë të vegjël, që t’i prekë; dhe nxënësit i qortonin ata që i sillnin.
  14. Po Jisui kur pa, u zemërua dhe u tha atyre: Lerini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i ndaloni; sepse e të këtillëve është mbretëria e Perëndisë.
  15. Me të vërtetë po ju them juve, ai që të mos presë mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël nuk do të hyjë në të.
  16. Edhe si i mori në krah, vuri duart mbi ata dhe i bekoi.
  17. Edhe ndërsa po dilte në rrugë, një njeri u lëshua me vrap, edhe ra në gjunjë përpara tij, dhe e pyeste: Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?
  18. Edhe Jisui i tha: Ç’më thua i mirë? Asnjë s’është i mirë, përveç një, Perëndia.
  19. Porositë i di: “Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos jep dëshmi të rreme. Mos bëj dëm. Ndero atin tënd dhe nënën tënde”.
  20. Edhe ai iu përgjigj, e i tha: Mësues, këto i kam ruajtur që në rininë time.
  21. Edhe Jisui hodhi sytë mbi të, dhe e deshi, dhe i tha: Një gjë të mungon, shko e shit sa ke, edhe jepua të varfërve dhe do të kesh thesar në qiell, dhe eja, ngri kryqin e eja pas meje.
  22. Po ai u mërzit nga kjo fjalë, dhe iku i hidhëruar, se kishte gjë shumë.
  23. Edhe Jisui, si hodhi sytë përreth, u tha nxënësve të tij: Sa me vështirësi do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që kanë pasuri!
  24. Edhe nxënësit tmerroheshin për fjalët e tij. Po Jisui përsëri u përgjigj e u tha atyre: Djem, sa gjë e vështirë është të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që shpresojnë në pasurinë!
  25. Më kollaj është të shkojë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.
  26. Edhe ata çuditeshin tepër, duke thënë me veten e tyre: Dhe cili mund të shpëtojë?
  27. Edhe Jisui si hodhi sytë mbi ta, tha: Për njerëzit është punë e pamundur, po jo për Perëndinë; sepse të gjitha janë të mundura për Perëndinë.
  28. Edhe Pjetri zuri t’i thotë: Ja ne tek i lamë të gjitha dhe erdhëm pas teje.
  29. Edhe Jisui u përgjigj e tha: Me të vërtetë po ju them juve, se s’ka asnjë, që la shtëpi, a vëllezër, a motra, a atë, a nënë, a grua, a djem, a ara, për shkakun tim dhe të ungjillit,
  30. që të mos marrë për një njëqind tani në këtë kohë, shtëpi, e vëllezër, e motra, e nënë, e bij, e ara, bashkë me përndjekje, dhe në jetën që vjen jetë të përjetshme.
  31. Po shumë të parë do të jenë të fundit, dhe të fundit të parë.
  32. Edhe ishin në udhë duke u ngjitur në Jerusalem; dhe Jisui ishte duke shkuar përpara tyre, dhe ata çuditeshin, dhe vinin prapa duke pasur frikë. Edhe ai mori pranë përsëri të dymbëdhjetët, dhe zuri t’u thotë ato që do t’i ngjanin atij,
  33. se ja tek po ngjitemi në Jerusalem, dhe i Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve dhe shkruesve, edhe do ta gjykojnë për vdekje, dhe do t’ua dorëzojnë kombeve;
  34. edhe do ta përqeshin, dhe do ta rrahin, dhe do ta pështyjnë, dhe do ta vrasin, dhe të tretën ditë do të ngjallet.
  35. Edhe atëherë vijnë tek ai Jakovi dhe Joani, të bijtë e Zevedheut, duke thënë: Mësues, duam të na bësh atë që të kërkojmë.
  36. Edhe ai u tha atyre: Ç’doni t’ju bëj unë juve?
  37. Edhe ata i thanë: Jepna të rrimë njëri nga e djathta jote dhe njëri nga e majta jote, në lavdinë tënde.
  38. Po Jisui u tha atyre: S’dini se ç’lypni. A mundeni të pini kupën që pi unë, dhe të pagëzoheni me pagëzimin që pagëzohem unë?
  39. Edhe ata i thanë: Mundemi. Edhe Jisui u tha atyre: Kupën, që pi unë, do ta pini, dhe me pagëzimin, që pagëzohem unë, do të pagëzoheni.
  40. Po të rrini nga e djathta ime e nga e majta ime, nuk është puna ime ta jap, po do t’u jepet atyre, për të cilët është bërë gati.
  41. Edhe të dhjetët kur dëgjuan, zunë të zemërohen për Jakovin dhe për Joanin.
  42. Por Jisui, si i thirri pranë, u thotë atyre: E dini se ata që mbahen për të parë të kombeve me shtrëngim zotërojnë mbi ata, dhe të mëdhenjtë e tyre me pushtet i urdhërojnë ata.
  43. Por nuk do të jetë kështu ndër ju, po kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj.
  44. Edhe kush të dojë prej jush të bëhet i parë, do të jetë shërbëtor i të gjithëve.
  45. Sepse edhe i Biri i njeriut nuk erdhi të shërbehet, po të shërbejë, dhe të japë jetën e tij shpërblim për shumë veta.
  46. Pastaj vijnë në Jeriko; dhe ndërsa dilte prej Jerikosë ai dhe nxënësit e tij, dhe mjaft njerëz, Bartimeu i verbër, i biri i Timeut, rrinte pranë udhës duke lypur.
  47. Edhe kur dëgjoi se është Jisu Nazaretasi, zuri të thërrasë e të thotë: Jisu, bir i Davidit, përdëllemë.
  48. Edhe shumë veta e qortonin, që të mos bëjë zë; po ai thërriste shumë më tepër: Bir i Davidit, përdëllemë.
  49. Edhe Jisui qëndroi dhe tha të thërritet; dhe ata e thërresin të verbërin, e i thonë: Merr zemër, ngrihu; po të thërret.
  50. Edhe ai, si hodhi rrobën e tij, u ngrit e erdhi tek Jisui.
  51. Edhe Jisui u përgjigj e i thotë: Ç’do të të bëj? Edhe i verbëri i tha: Rabuni, të hap sytë.
  52. Edhe Jisui i tha: Shko; besimi yt të shpëtoi. Edhe përnjëherë hapi sytë, dhe vinte pas Jisuit në rrugë.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 11

Marku 11

  1. Edhe kur afrohen në Jerusalem, në Betfagji e në Betani, pranë Malit të Ullinjve, dërgoi dy nga nxënësit e tij,
  2. edhe u thotë atyre: Shkoni në fshatin që është përballë jush, dhe menjëherë, sapo të hyni në të, do të gjeni një pulisht të lidhur, të cilit s’i ka hipur asnjë prej njerëzve; zgjidheni dhe silleni.
  3. Edhe në ju thëntë ndonjë juve: Ç’bëni kështu? thuajini se Zoti ka nevojë për të; dhe përnjëherë ai do ta dërgojë përsëri këtu.
  4. Edhe ata shkuan edhe gjetën pulishtin lidhur pranë derës jashtë në udhë; dhe e zgjidhën.
  5. Edhe disa nga ata që rrinin atje u thoshin atyre: Ç’bëni kështu që zgjidhni pulishtin?
  6. Edhe u thonë atyre siç i pati porositur Jisui; edhe ata e lanë.
  7. Edhe prunë pulishtin tek Jisui, dhe vunë rrobat e tyre mbi të; dhe ai i hipi.
  8. Edhe shumë veta shtruan rrobat e tyre në rrugë; dhe të tjerë këputnin degë prej pemëve e i shtronin në rrugë.
  9. Edhe ata që shkonin përpara, si dhe ata që vinin prapa, bërtisnin, duke thënë: Hosana, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.
  10. E bekuar është mbretëria që vjen në emrin e Zotit të atit tonë David; Hosana në të lartat.
  11. Edhe Jisui hyri në Jerusalem dhe në tempull; dhe si i vuri re përqark të gjitha, meqenëse tani ishte vonë, doli në Betani bashkë me të dymbëdhjetët.
  12. Edhe të nesërmen, si dolën nga Betania, i erdhi uri.
  13. Edhe kur pa një dru fiku për së largu që kishte fletë, erdhi, se mos gjente gjë në të; dhe si erdhi tek ai, s’gjeti gjë, veç fletë; sepse s’ishte kohë fiqsh.
  14. Edhe Jisui u përgjigj e i tha drurit të fikut: Asnjë mos ngrëntë më pemë prej teje për jetë. Edhe nxënësit e tij e dëgjonin.
  15. Edhe vijnë në Jerusalem; dhe Jisui, si hyri në tempull, zuri të nxjerrë jashtë ata që shisnin e blinin në tempull; dhe tryezat e sarafëve, dhe fronet e atyre që shisnin pëllumba i përmbysi.
  16. Edhe nuk linte asnjë të kalojë enë përmes tempullit.
  17. Edhe i mësonte, duke u thënë atyre: A nuk është shkruar “se shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për gjithë kombet”? Po ju e bëtë “shpellë kusarësh”.
  18. Edhe dëgjuan shkruesit e kryepriftërinjtë, dhe kërkonin si ta zhduknin; sepse kishin frikë prej tij, se gjithë populli çuditej për mësimin e tij.
  19. Edhe kur u ngrys, doli jashtë qytetit.
  20. Edhe në mëngjes, duke shkuar, panë drurin e fikut të tharë që nga rrënja.
  21. Edhe Pjetri si u kujtua i tha atij: Rabi, shiko, druri i fikut, që mallkove, u tha.
  22. Edhe Jisui u përgjigj, e u tha atyre: Kini besim në Perëndinë,
  23. sepse me të vërtetë po ju them juve, se kush t’i thotë këtij mali: Ngrihu dhe hidhu në det, dhe të mos ketë dyshim në zemrën e tij, por të besojë se sa thotë bëhen, do t’i bëhet atij çdo gjë që të thotë.
  24. Prandaj po ju them juve, gjithë sa të lypni duke u falur, besoni se do t’i merrni, dhe do t’ju bëhen juve.
  25. Edhe kur të rrini të faleni, ndjeni, në paçi gjë kundër ndonjërit, që edhe Ati juaj që është në qiejt t’ju ndjejë juve fajet tuaja.
  26. Po në mos ua ndjefshi ju, as Ati juaj që është në qiejt nuk do të ndjejë fajet tuaja.
  27. Edhe vijnë përsëri në Jerusalem; dhe ndërsa ai po ecte në tempull, vijnë tek ai kryepriftërinjtë dhe shkruesit e pleqtë,
  28. e i thonë: Me çfarë pushteti i bën këto? Edhe cili ta ka dhënë këtë pushtet që të bësh këto?
  29. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Edhe unë do t’ju pyes ju një fjalë. Dhe përgjigjmuni, dhe atëherë do t’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto:
  30. Pagëzimi i Joanit prej qielli ishte, apo prej njerëzish? Përgjigjmuni.
  31. Edhe ata mendoheshin me veten e tyre, duke thënë: Në thënçim prej qielli, do të thotë: Përse pra s’i besuat atij?
  32. Po në thënçim prej njerëzish; - kishin frikë nga populli; sepse të gjithë e kishin Joanin se ishte me të vërtetë profet.
  33. Edhe ata u përgjigjën e i thanë Jisuit: Nuk e dimë. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: As unë s’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 12

Marku 12

  1. Pastaj zuri t’u flasë atyre me paravolira. Një njeri mbolli një vresht, dhe e thuri me gardh, dhe gërmoi një sternë, dhe ndërtoi një pirg, dhe e pajtoi ndër bujq, edhe iku në dhe të huaj.
  2. Edhe në kohën e pemëve dërgoi një shërbëtor tek bujqit, që të marrë prej bujqve nga pema e vreshtit.
  3. Po ata e zunë dhe e rrahën, dhe e dërguan prapë zbrazët.
  4. Edhe përsëri dërgoi një tjetër shërbëtor tek ata; por edhe atë e rrahën me gurë, dhe i çanë kryet, dhe e dërguan prapë të turpëruar.
  5. Edhe përsëri dërgoi një tjetër; po edhe atë e vranë; dhe shumë të tjerë dërgoi, por disa i rrahën, dhe disa i vranë.
  6. Duke pasur pra edhe një bir, të dashurin e tij, e dërgoi edhe atë tek ata më në fund, duke thënë se do të kenë turp prej tim biri.
  7. Po ata bujqit thanë njëri me tjetrin se ky është trashëgimtari; ejani, le ta vrasim, dhe trashëgimi do të jetë yni.
  8. Edhe e morën, dhe e vranë, dhe e hodhën jashtë vreshtit.
  9. Ç’do të bëjë pra i zoti i vreshtit? Do të vijë e do të prishë bujqit, dhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve.
  10. As këtë shkrim s’e keni lexuar: “guri që s’e pëlqyen ata që ndërtojnë, ky u bë kreu i qoshes;
  11. prej Zotit u bë kjo, dhe është e çuditshme në sytë tanë”.
  12. Edhe ata kërkonin ta kapin; po patën frikë nga turma; sepse e kuptuan se për ata e tha paravolinë; dhe e lanë e ikën.
  13. Edhe dërgojnë tek ai disa nga Farisenjtë dhe nga Irodianët, që ta zënë me fjalë;
  14. Edhe ata erdhën e i thonë: E dimë se je i vërtetë dhe se s’do të dish për asnjeri; sepse nuk shikon në faqe njerëzish, po mëson udhën e Perëndisë me të vërtetë: Eshtë e udhës t’i japim Qezarit taksë, apo jo? Të japim a të mos japim?
  15. Edhe ai duke njohur hipokrizinë e tyre, u tha: Ç’më ngisni? Sillmëni një dinar që ta shoh.
  16. Edhe ata i prunë. Edhe ai u thotë atyre: E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim? Edhe ata i thanë: Të Qezarit.
  17. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Jepni Qezarit ato që janë të Qezarit, dhe Perëndisë ato që janë të Perëndisë. Edhe ata u çuditën për atë.
  18. Pastaj vijnë tek ai Saduqenj, të cilët thonë se s’ka ngjallje; dhe e pyetën,
  19. duke thënë: Mësues, Moisiu na ka shkruar, se në i vdektë ndonjërit i vëllai, edhe të lërë grua e të mos lërë bij, i vëllai të marrë gruan e atij, dhe të ngjallë farë për të vëllain e tij.
  20. Ishin pra shtatë vëllezër; dhe i pari mori një grua, dhe kur vdiq nuk la farë.
  21. Edhe i dyti e mori atë, dhe vdiq, po as ky s’la farë. Edhe i treti gjithashtu.
  22. Edhe të shtatë e morën atë, dhe nuk lanë farë; më pas nga të gjithë vdiq edhe gruaja.
  23. Në ngjallje pra, kur të ngjallen, e cilit nga ata do të jetë gruaja? Sepse që të shtatë e patën atë grua.
  24. Po Jisui u përgjigj e u tha atyre: A nuk gënjeheni për këtë, sepse nuk dini shkrimet, as fuqinë e Perëndisë?
  25. Sepse kur të ngjallen prej së vdekurish, as martojnë, as martohen, po janë si engjëjt që janë në qiejt.
  26. Edhe për të vdekurit, se ngjallen, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut, si i tha atij Perëndia në ferrë, duke thënë: “Unë jam Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakovit”?
  27. Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve; ju pra gënjeheni shumë.
  28. Atëherë një nga shkruesit, që i dëgjoi ata duke u ngrënë me fjalë, duke ditur se iu përgjigj mirë atyre, u afrua dhe e pyeti: Cila porosi është e para e të gjithave?
  29. Edhe Jisui iu përgjigj se e para e gjithë porosive është: “Dëgjo, Izrael, Zoti Perëndia ynë është një Zot.
  30. Edhe të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë fuqinë tënde”. Kjo është e para porosi.
  31. Edhe e dyta që ngjan me këtë është kjo: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”. Tjetër porosi më të madhe nga kjo nuk ka.
  32. Edhe shkruesi i tha: Mirë, mësues, me të vërtetë the se një Perëndi ka, dhe s’ka tjetër veç atij.
  33. Edhe se ta dojë njeriu atë me gjithë zemrën dhe me gjithë mendjen dhe me gjithë shpirtin dhe me gjithë fuqinë, dhe të dojë të afërmin si veten e tij, është më tepër se të gjithë therorët me djegie të plotë dhe flijimet.
  34. Edhe Jisui kur pa atë se u përgjigj me mend, i tha: Nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë. Edhe asnjë më s’guxonte ta pyeste.
  35. Edhe Jisui u përgjigj e tha, duke mësuar njerëzit në tempull: Si thonë shkruesit se Krishti është biri i Davidit?
  36. Sepse vetë Davidi ka thënë me anë të Shpirtit të Shenjtë: “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbje të këmbëve të tua”.
  37. Vetë Davidi pra i thotë Zot; dhe nga është bir i atij? Edhe gjithë turmës ia kishte ënda ta dëgjonte atë.
  38. Edhe u thoshte atyre në mësimin e tij: Ruhuni nga shkruesit, të cilët duan të ecin me stolira, dhe duan përshëndetje nëpër tregjet,
  39. edhe frone të para nëpër sinagogat, dhe vende të para nëpër darkat;
  40. të cilët hanë shtëpitë e grave të veja, dhe këtë e bëjnë duke nxjerrë shkak se falen shumë; këta do të marrin më tepër mundim.
  41. Edhe Jisui ndenji përballë arkës së asprave dhe vinte re se si njerëzit hidhnin të holla në arkën e asprave; dhe shumë të pasur hidhnin shumë.
  42. Edhe erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy të imëta, domethënë një kodrant.
  43. Edhe Jisui thirri pranë nxënësit e tij e u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se kjo e ve e varfër hodhi më tepër se të gjithë ata që hodhën në arkën e thesarit.
  44. Sepse të gjithë hodhën prej tepricës së tyre; por kjo prej skamjes së saj hodhi gjithë sa kishte, gjithë gjënë e saj.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 13

Marku 13

  1. Edhe ndërsa po dilte nga tempulli, i thotë një nga nxënësit e tij: Mësues, shiko çfarë gurësh e çfarë ndërtesash!
  2. Edhe Jisui u përgjigj, e i tha: I sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbesë gur mbi gur që të mos rrëzohet.
  3. Edhe ndërsa po rrinte në Malin e Ullinjve, përballë tempullit, e pyetnin atë veçan Pjetri dhe Jakovi dhe Joani dhe Andrea:
  4. Thuajna, kur do të bëhen këto, dhe ç’shenjë do të jetë, kur do të mbarohen këto të gjitha?
  5. Edhe Jisui, duke u përgjigjur, zuri t’u thotë atyre: Vini re, se mos ju gënjejë ndonjë ju.
  6. Sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë se unë jam; dhe do të gënjejnë shumë veta.
  7. Edhe kur të dëgjoni luftra, dhe zëra luftrash, mos u frikësoni; sepse duhet të bëhen këto, po ende nuk është fundi.
  8. Sepse do të ngrihet komb kundër kombi, dhe mbretëri kundër mbretërie; dhe do të bëhen tërmete në vende të ndryshme, dhe do të bëhen zira e trazira. Këto janë fillimet e dhembjeve.
  9. Po ju vështroni veten tuaj, sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër kuvende, e nëpër sinagoga do të rriheni, dhe përpara qeveritarëve e mbretërve do të rrini për shkakun tim, për dëshmi mbi ata.
  10. Edhe duhet të predikohet Ungjilli më përpara nëpër gjithë kombet.
  11. Edhe kur t’ju çojnë që t’ju dorëzojnë ju, mos u kujdesni që më parë, se ç’do të flisni, as mos u mendoni; po ç’t’ju jepet juve në atë kohë, këtë flisni; sepse s’jeni ju ata që flisni, po Shpirti i Shenjtë.
  12. Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllanë për vdekje, dhe i ati të birin; dhe djemtë do të ngrenë krye kundër prindërve dhe do t’i vrasin.
  13. Edhe të gjithë do t’ju kenë mëri për emrin tim; po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.
  14. Edhe kur të shihni ndyrësinë e shkretimit, që është thënë nga profeti Daniel, të rrijë atje ku nuk duhet, - ai që lexon le të kuptojë, - atëherë ata që të jenë në Jude, le të ikin nëpër male.
  15. Edhe ai që të jetë mbi kulm të shtëpisë, le të mos zbresë në shtëpi, as le të mos hyjë të marrë gjë nga shtëpia e tij.
  16. Edhe ai që të jetë në arë, le të mos kthehet prapa që të marrë rrobën e tij.
  17. Po mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji në ato ditë.
  18. Edhe faluni që të mos bëhet ikja juaj në dimër.
  19. Sepse në ato ditë do të jetë i këtillë shtrëngim, që i tillë nuk është bërë që në fillim të krijimit, që krijoi Perëndia, e deri tani, dhe as do të bëhet.
  20. Edhe të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, s’kishte për të shpëtuar asnjë mish; po për të zgjedhurit që i ka zgjedhur i shkurtoi ditët.
  21. Edhe atëherë në u thëntë juve ndonjë: Ja këtu është Krishti; ose: Ja, atje, mos besoni.
  22. Sepse do të ngrihen krishtër të rremë e profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja e çudira, që të gënjejnë, në mundet, edhe të zgjedhurit.
  23. Por ju vini re; ja tek jua thashë juve të gjitha që përpara.
  24. Po në ato ditë, pas atij shtrëngimi, dielli do të erret, dhe hëna nuk do të japë dritën e saj,
  25. dhe yjet e qiellit do të bien, dhe fuqitë që janë në qiejt do të tunden.
  26. Edhe atëherë do të shohin të Birin e njeriut duke ardhur ndër re me fuqi shumë e me lavdi.
  27. Edhe atëherë ai do të dërgojë engjëjt e tij, dhe do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër erërat (anët e horizontit), prej këndit të dheut e deri në kënd të qiellit.
  28. Edhe prej drurit të fikut merrni vesh paravolinë: kur dega e tij bëhet e butë dhe nxjerr fletët, e dini se vera është afër.
  29. Kështu edhe ju, kur të shihni këto se bëhen, dijeni se është afër, në dyer.
  30. Me të vërtetë po ju them juve, se ky brez nuk do të shkojë deri sa të bëhen këto të gjitha.
  31. Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.
  32. Edhe për atë ditë a orë asnjë nuk di, as engjëjt që janë në qiell, as Biri, veç Ati.
  33. Vini re, rrini zgjuar dhe faluni, sepse nuk e dini kur është koha.
  34. Sepse kjo do të jetë si një njeri i ikur, i cili la shtëpinë e tij, dhe ua dha pushtetin shërbëtorëve të tij, dhe secilit punën e tij, dhe portierin e porositi të rrijë zgjuar.
  35. Rrini zgjuar pra, - sepse s’e dini kur vjen i zoti i shtëpisë, në të ngrysur, a në mes të natës, a në këndim të kokoshit, a në mëngjes; -
  36. Se mos vijë papandehur e t’ju gjejë duke fjetur.
  37. Edhe ato që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 14

Marku 14

  1. Edhe pas dy ditësh ishte pashka dhe të pabrumëtat; dhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin, si ta kapin me mashtrim dhe ta vrasin.
  2. Edhe thoshin: Jo të kremten, se mos bëhet trazirë nga populli.
  3. Edhe ndërsa ai ishte në Betani, në shtëpinë e Simon lebrozit, duke ndenjur në tryezë, erdhi një grua që kishte një alabastër me vaj ere prej nardi të thjeshtë e shumë të shtrenjtë; dhe si e theu alabastrin, e derdhi vajin mbi kryet e tij.
  4. Edhe ishin ca veta që zemëroheshin në veten e tyre e thoshin: Pse të humbasë ky vaj ere?
  5. Sepse ky mund të shitej mbi treqind dinarë dhe t’u jepeshin të varfërve; edhe zemëroheshin kundër saj.
  6. Po Jisui tha: Lëreni; pse e mundoni? Punë të mirë bën për mua.
  7. Sepse të varfërit i keni gjithnjë me veten tuaj, dhe kur të doni, mund t’u bëni mirë atyre; po mua nuk më keni gjithnjë.
  8. Atë që mundi, ajo e bëri; arriti që përpara të lyejë me vaj ere trupin tim për varrimin tim.
  9. Me të vërtetë po ju them juve: Kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, edhe ç’ bëri kjo do të flitet për kujtim të saj.
  10. Edhe Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë atë atyre.
  11. Edhe ata kur dëgjuan, u gëzuan; dhe iu zotuan t’i japin argjende. Edhe ai kërkonte sesi në kohën e duhur ta tradhtojë atë.
  12. Edhe të parën ditë të të pabrumëtave, kur bënin theror pashkën, nxënësit e tij i thonë: Ku do të shkojmë e të bëjmë gati që të hash pashkën?
  13. Edhe ai dërgon dy nga nxënësit e tij, dhe u thotë atyre: Shkoni në qytet, dhe do t’ju takojë ju një njeri që mban një shtambë uji; shkoni pas tij,
  14. edhe ku të hyjë ai, thuajini të zotit të shtëpisë se Mësuesi thotë: Ku është vendi ku do të ha pashkën bashkë me nxënësit e mi?
  15. Edhe ai do t’ju tregojë juve lart një dhomë të madhe të shtruar gati; atje bëjeni gati për mua.
  16. Edhe nxënësit e tij dolën dhe erdhën në qytet, dhe gjetën siç u kishte thënë, dhe bënë gati pashkën.
  17. Edhe kur u ngrys, vjen me të dymbëdhjetët.
  18. Edhe ndërsa po rrinin në tryezë e po hanin, Jisui tha: Me të vërtetë po ju them juve se një prej jush do të më tradhtojë, ai që ha bashkë me mua.
  19. Edhe atyre zuri t’u vijë keq, dhe t’i thonë një nga një: Mos jam unë? Edhe tjetri: Mos jam unë?
  20. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Një nga të dymbëdhjetët, ai që lyen bashkë me mua në kupë.
  21. I Biri i njeriut shkon, siç është shkruar për të, po mjerë për atë njeri, me anë të të cilit tradhtohet; mirë do të ishte për atë njeri të mos kishte lindur.
  22. Edhe ndërsa po hanin, Jisui mori bukë, dhe si e bekoi, e theu, dhe ua dha atyre, dhe tha: Merrni hani. Ky është trupi im.
  23. Edhe mori kupën, dhe si falënderoi, ua dha atyre,
  24. Ky është gjaku im, ai i dhiatës së re, që derdhet për shumë veta.
  25. Me të vërtetë po ju them juve se nuk do të pi më nga pema e hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë.
  26. Edhe si psalën, dolën në Malin e Ullinjve.
  27. Edhe Jisui u thotë atyre se të gjithë do të skandalizoheni për mua këtë natë; sepse është shkruar: “Do të godas bariun dhe dhentë do të shpërndahen”.
  28. Por pasi të ngjallem, do të shkoj më përpara se ju në Galile.
  29. Po Pjetri i tha: Edhe në u skandalizofshin të gjithë, por unë jo.
  30. Edhe Jisui u thotë atyre: Me të vërtetë po të them se sot, këtë natë, para se të këndojë këndezi dy herë, tri herë do të më mohosh.
  31. Po ai edhe më tepër thoshte se në u dashtë të vdes unë bashkë me ty, nuk do të të mohoj. Po ashtu thoshin edhe të gjithë të tjerët.
  32. Pastaj vijnë në një vend që quhet Gjethsimani; dhe u thotë nxënësve të tij: Rrini këtu deri sa të falem.
  33. Edhe merr me vete Pjetrin dhe Jakovin dhe Joanin, dhe zuri të frikësohet e t’i vijë rëndë.
  34. Edhe u thotë atyre: Shpirti im është i hidhëruar deri në vdekje; qëndroni këtu, dhe rrini zgjuar.
  35. Edhe ai, si shkoi pak përpara, ra përdhe, dhe falej që, në qoftë se është e mundur, të shkojë prej atij kjo orë.
  36. Edhe thoshte: Ava, o Atë, të gjitha janë të mundura për ty; largoje prej meje këtë kupë; por le të bëhet jo ç’dua unë, por ç’do ti.
  37. Edhe vjen e i gjen ata duke fjetur; dhe i thotë Pjetrit: Simon, po fle? S’munde një orë të rrish zgjuar?
  38. Rrini zgjuar dhe faluni, që të mos hyni në ngasje. Sepse shpirti është gati, por mishi është i dobët.
  39. Edhe përsëri shkoi e u fal duke thënë po atë fjalë.
  40. Edhe kur u kthye i gjeti ata përsëri duke fjetur; sepse sytë e tyre ishin rënduar, dhe nuk dinin ç’t’i përgjigjen atij.
  41. Pastaj vjen të tretën herë, e u thotë atyre: Flini pra, dhe prehuni; mjaft; erdhi ora. Ja i Biri i njeriut tek u dorëzohet fajtorëve.
  42. Zgjohuni, le të shkojmë. Ja ai që më tradhton tek u afrua.
  43. Edhe përnjëherë, ndërsa ai ishte ende duke folur, vjen Juda, që ishte një nga të dymbëdhjetët, dhe bashkë me të një turmë e madhe me thika e me dru, nga ana e kryepriftërinjve dhe e shkruesve dhe e pleqve.
  44. Edhe ai që e tradhton u kishte dhënë atyre shenjë, duke thënë: Ai që të puth unë, ai është. Kapeni dhe çojeni duke e siguruar.
  45. Edhe kur erdhi, përnjëherë u afrua tek ai e i thotë: Rabi, Rabi. Edhe e puthi.
  46. Edhe ata vunë duart e tyre mbi të, dhe e zunë.
  47. Edhe një nga ata që rrinin atje hoqi thikën e i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin.
  48. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Si mbi një kusar keni dalë me thika e me dru të më zini?
  49. Përditë kam qenë ndër ju në tempull duke ju mësuar, dhe nuk më zutë; po kjo u bë që të përmbushen shkrimet.
  50. Edhe të gjithë e lanë e ikën.
  51. Edhe njëfarë djaloshi i vinte prapa duke qenë i mbështjellë mbi lakuriqësinë e tij me një pëlhurë; dhe djemtë e kapin.
  52. Po ai e la pëlhurën dhe iku nga ata lakuriq.
  53. Edhe prunë Jisuin te kryeprifti. Dhe mblidhen tek ai gjithë kryepriftërinjtë e shkruesit.
  54. Edhe Pjetri i shkoi pas prej së largu deri brenda në oborrin e kryepriftit; dhe ishte duke ndenjur bashkë me shërbëtorët, dhe po ngrohej në zjarr.
  55. Edhe kryepriftërinjtë e gjithë kuvendi kërkonin dëshmi kundër Jisuit që ta vritnin, po nuk gjenin.
  56. Sepse shumë veta dhanë dëshmi të rreme kundër atij; po dëshmitë nuk ishin të njëllojta.
  57. Edhe disa u ngritën e jepnin dëshmi të rreme kundër tij,
  58. duke thënë se ne e dëgjuam atë të thotë se unë do ta prish këtë tempull të bërë me dorë, dhe për tri ditë do të ndërtoj një tjetër të pabërë me dorë.
  59. Po as kështu dëshmia e tyre s’ishte e njëllojtë.
  60. Atëherë kryeprifti u ngrit në mes dhe pyeti Jisuin, duke thënë: Nuk përgjigjesh asgjë? Ç’dëshmi japin këta kundër teje?
  61. Po ai s’bënte zë, dhe nuk përgjigjej asgjë. Përsëri kryprifti e pyeti atë duke i thënë atij: Ti je Krishti, i Biri i të Bekuarit?
  62. Edhe Jisui tha: Unë jam; dhe do të shihni të Birin e njeriut duke ndenjur nga e djathta e fuqisë, dhe duke ardhur bashkë me retë e qiellit.
  63. Atëherë kryeprifti çori rrobat e tij e thotë: Ç’nevojë kemi më për dëshmitarë?
  64. E dëgjuat blasfeminë; ç’ju duket juve? Edhe ata të gjithë e gjykuan se është fajtor për vdekje.
  65. Edhe disa zunë ta pështyjnë dhe t’i mbulojnë fytyrën dhe t’i bien me shuplaka, dhe t’i thonë: Profetizo. Edhe shërbëtorët i binin me purteka.
  66. Edhe ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, vjen një nga shërbëtoret e kryepriftit,
  67. edhe kur pa Pjetrin duke u ngrohur, hodhi sytë mbi të e tha: Edhe ti ishe bashkë me Jisu Nazaretasin.
  68. Por ai e mohoi, duke thënë: Nuk di, as nuk marr vesh ç’thua ti. Edhe doli jashtë në avlli; dhe këndezi këndoi.
  69. Edhe shërbëtorja, kur e pa atë përsëri, zuri t’u thotë atyre që ishin duke ndenjur atje se ky është nga ata.
  70. Po ai përsëri e mohonte. Edhe pas pak here ata që ishin duke ndenjur atje përsëri i thanë Pjetrit: Me të vërtetë je nga ata; sepse je Galileas, dhe të folurit tënd ngjan.
  71. Po ai zuri të mallkojë edhe të bëjë be se nuk e njoh këtë njeri që thoni.
  72. Edhe këndezi këndoi për së dyti. Edhe Pjetrit i ra ndër mend fjala që i pati thënë Jisui se para se të këndojë këndezi dy herë, do të më mohosh tri herë. Edhe zuri të qajë.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 15

Marku 15

  1. Edhe menjëherë në mëngjes kryepriftërinjtë bashkë me pleqtë e me shkruesit, dhe gjithë kuvendi mbajtën këshillë, dhe si e lidhën Jisuin, e prunë dhe ia dorëzuan Pilatit.
  2. Edhe Pilati e pyeti: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe ai u përgjigj e i tha: Ti po thua.
  3. Edhe kryepriftërinjtë e akuzonin shumë.
  4. Edhe Pilati përsëri e pyeti, duke thënë: Nuk përgjigjesh asgjë? Shiko sa dëshmojnë kundër teje.
  5. Po Jisui nuk u përgjigj më asgjë, kaq sa Pilati çuditej.
  6. Edhe për të kremte u lëshonte atyre një të burgosur, cilin të kërkonin ata.
  7. Edhe një, që thuhej Baraba, ishte burgosur bashkë me shokët e tij kryengritës, të cilët në kryengritje kishin bërë vrasje.
  8. Edhe turma bërtiti, e zuri të kërkojë siç bënte përherë për ata.
  9. Edhe Pilati iu përgjigj atyre, duke thënë: Doni t’ju lëshoj juve mbretin e Judenjve?
  10. Sepse e dinte që kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar për smirë.
  11. Po kryepriftërinjtë shtynë turmën të lypë më tepër t’u lëshojë atyre Barabain.
  12. Edhe Pilati u përgjigj përsëri, e u tha atyre: Ç’doni pra t’i bëj këtij që i thoni mbret i Judenjve?
  13. Edhe ata përsëri bërtitën: Kryqëzoje.
  14. Edhe Pilati u thoshte atyre: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata më tepër bërtitën: Kryqëzoje.
  15. Edhe Pilati, pasi donte t’i bënte qejfin turmës, u lëshoi Barabain, dhe Jisuin e dorëzoi, pasi e rrahu me frushkull, që të kryqëzohet.
  16. Atëherë ushtarët e prunë brenda oborrit, që është pretorja*, edhe mbledhin gjithë togën e ushtarëve.
  17. Edhe i veshin një rrobë të kuqe, edhe thurën një kurorë ferrash, e ia vënë rreth kokës.
  18. Edhe zunë ta përshëndesin, duke thënë: Gëzohu, o mbret i Judenjve.
  19. Edhe i binin në kokë me kallam, dhe e pështynin, dhe i binin në gjunjë e i faleshin.
  20. Edhe si e përqeshën, i zhveshën rrobën e kuqe, dhe i veshën rrobat e tij, dhe e çuan jashtë, që ta kryqëzojnë.
  21. Edhe zënë angari, për të ngritur kryqin e atij, një farë Simon Qireneasi, të atin e Aleksandrit e të Rufit, i cili shkonte andej, duke ardhur nga ara.
  22. Edhe e sjellin në vendin Golgota, që e përkthyer do të thotë “Vendi i kafkës”.
  23. Edhe i jepnin të pijë verë të përzier me smirnë; por ai nuk e mori.
  24. Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short mbi to, ç’të marrë secili.
  25. Edhe ishte ora e tretë, dhe e kryqëzuan.
  26. Edhe mbishkrimi i fajit të tij ishte shkruar përsipër: Mbreti i Judenjve.
  27. Edhe bashkë me atë kryqëzojnë dy kusarë, një nga e djathta, e një nga e majta e tij.
  28. Edhe u përmbush shkronja që thotë: “Edhe me të paudhët u numërua”.
  29. Edhe ata që shkonin andej e shanin, duke tundur kryet e tyre, e duke thënë: Ua, ti që prish tempullin, dhe për tri ditë e ndërton,
  30. shpëto veten tënde, dhe zbrit nga kryqi.
  31. Kështu edhe kryepriftërinjtë e përqeshnin në mes tyre bashkë me shkruesit, e thoshin: Të tjerë shpëtoi, veten e tij s’mund ta shpëtojë.
  32. Krishti mbreti i Izraelit le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim dhe të besojmë. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e shanin.
  33. Edhe kur u bë ora e gjashtë, u bë një errësirë mbi gjithë dheun, deri në orën e nëntë.
  34. Edhe në të nëntën orë Jisui bërtiti me zë të madh, duke thënë:“Eloi, Eloi, lama Sabakthani?”, që e përkthyer do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?”.
  35. Edhe disa nga ata që ishin duke ndenjur atje, kur dëgjuan, thoshin: Ja tek po thërret Ilian.
  36. Edhe njëri u sul e mbushi një sfungjer me uthull, dhe e vuri mbi një kallam, e i dha të pijë, duke thënë: Lëreni, le të shohim nëse vjen Ilia ta zbresë.
  37. Edhe Jisui nxori zë të madh e dha shpirt.
  38. Edhe kurtina e tempullit u ça më dysh, prej së larti deri poshtë.
  39. Edhe kryeqindëshi, që rrinte përballë atij, kur pa se duke bërtitur kështu dha shpirt, tha: Me të vërtetë ky njeri paska qenë Bir Perëndie.
  40. Ishin edhe gra duke vëzhguar prej së largu; ndër ato ishte edhe Maria Magdalena, dhe Maria, e ëma e Jakovit të vogël dhe e Josiut, dhe Saloma,
  41. të cilat, edhe kur ishte në Galile, i vinin pas, dhe i shërbenin; si dhe shumë të tjera që qenë ngjitur bashkë me të në Jerusalem.
  42. Edhe tani si u ngrys, - sepse ishte e premte, domethënë dita para së shtunës, -
  43. erdhi Josifi që ishte nga Arimatea, këshilltar i nderuar, që edhe ai priste mbretërinë e Perëndisë; dhe guxoi e hyri tek Pilati dhe lypi trupin e Jisuit.
  44. Edhe Pilati u çudit, në qoftë se kishte vdekur tani; dhe thërriti pranë kryeqindëshin, dhe e pyeti në ka kohë që vdiq.
  45. Edhe si mori vesh prej kryeqindëshit, i fali trupin Josifit.
  46. Edhe ky bleu pëlhurë, dhe e zbriti, dhe e mbështolli me pëlhurën, dhe e vuri në një varr, që ishte latuar prej shkëmbi; dhe rrokullisi një gur në derën e varrit.
  47. Edhe Maria Magdalena, edhe Maria, e ëma e Josiut, vinin re ku po vihet.

* Pretore ishte pallati ose shtëpia e qeveritarit.

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 16

Marku 16

  1. Edhe si shkoi e shtuna, Maria Magdalena, dhe Maria, e ëma e Jakovit, dhe Saloma, blenë erëra, që të vijnë e ta lyejnë.
  2. Edhe shumë shpejt në mëngjes, të parën ditë të javës, vijnë në varr, ndërsa po lindte dielli.
  3. Edhe thoshin në mes tyre: Cili do të na rrokullisë gurin prej derës së varrit?
  4. Edhe kur hodhën sytë, shohin se guri ishte rrokullisur; sepse ishte fort i madh.
  5. Edhe si hynë në varr, panë një djalosh duke ndenjur në të djathtë, të veshur me rroba të bardha; dhe u trembën.
  6. Po ai u thotë atyre: Mos u trembni; kërkoni Jisu Nazaretasin, që u kryqëzua? U ngjall, nuk është këtu. Ja vendi ku e vunë.
  7. Po shkoni, e u thoni nxënësve të tij dhe Pjetrit se ai shkon më përpara se ju në Galile. Atje do ta shihni, siç ju tha juve.
  8. Edhe ato dolën shpejt e ikën nga varri; sepse i kishte zënë të dridhur e habi; dhe asnjeriu s’i thanë gjë, sepse kishin frikë.
  9. Edhe si u ngjall, në mëngjes, të parën ditë të javës, iu shfaq të parën herë Maria Magdalenës, prej së cilës kishte nxjerrë shtatë djaj.
  10. Ajo shkoi e lajmëroi ata që kishin qenë me të, atje tek ishin duke vajtuar e duke qarë.
  11. Edhe ata kur dëgjuan se rron, dhe se u pa nga ajo, nuk besuan.
  12. Edhe pastaj iu tregua në tjetër formë dy vetave nga ata, ndërsa po ecnin duke shkuar në arë.
  13. Edhe ata shkuan e lajmëruan të tjerët; por as atyre s’u besuan.
  14. Pastaj u tregua tek të njëmbëdhjetët, ndërsa ishin duke ndenjur në tryezë, dhe i shau për pabesinë e tyre, dhe për zemrën e ashpër, sepse nuk u besuan atyre që e panë të ngjallur.
  15. Edhe u tha atyre: Shkoni nëpër gjithë botën, dhe predikoni ungjillin nëpër gjithë krijesën.
  16. Kush të besojë dhe të pagëzohet, do të shpëtojë; po kush të mos besojë, do të dënohet.
  17. Edhe shenja mbi ata që do të besojnë do të jenë këto: Në emrin tim do të nxjerrin djaj, gjuhë të reja do të flasin, gjarpërinj do të zënë.
  18. Edhe në pifshin ndonjë gjë që sjell vdekje, nuk do t’u bëjë dëm atyre; përmbi të sëmurë dy duar do të vënë, dhe do të shërohen.
  19. Zoti pra, pasi u foli atyre, u ngjit në qiell dhe ndenji në të djathtë të Perëndisë.
  20. Edhe ata dolën e predikuan kudo, edhe Zoti ishte duke vepruar bashkë me ta dhe duke vërtetuar fjalën me çuditë që e shoqëronin. Amin.

Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 1



Matheu 1

  1. Libri i gjenealogjisë së Jisu Krishtit, të birit të Davidit, të birit të Abrahamit.
  2. Abrahamit i lindi Isaku; dhe Isakut i lindi Jakovi; dhe Jakovit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij;
  3. Edhe Judës i lindi Faresi dhe Zarai nga Tamara; dhe Faresit i lindi Esromi; dhe Esromit i lindi Arami;
  4. Edhe Aramit i lindi Aminadavi; dhe Aminadavit i lindi Nasoni; dhe Nasonit i lindi Salmoni;
  5. Edhe Salmonit i lindi Vozi nga Rahaba; dhe Vozit i lindi Ovidi nga Ruthi; dhe Ovidit i lindi Jeseu;
  6. Edhe Jeseut i lindi Davidi, mbreti. Edhe mbretit David i lindi Solomoni nga gruaja e Uriut;
  7. Edhe Solomonit i lindi Roboami; dhe Roboamit i lindi Abiai; dhe Abiait i lindi Asai;
  8. Edhe Asait i lindi Josafati; dhe Josafatit i lindi Jorami; dhe Joramit i lindi Ozia;
  9. Edhe Ozisë i lindi Joatami; dhe Joatamit i lindi Akazi; dhe Akazit i lindi Ezekia;
  10. Edhe Ezekisë i lindi Manasiu; dhe Manasiut i lindi Amoni; dhe Amonit i lindi Josia;
  11. Edhe Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babilonë.
  12. Edhe pas shpërnguljes në Babilonë, Jehonisë i lindi Salatieli; dhe Salatielit i lindi Zorobabeli;
  13. Edhe Zorobabelit i lindi Aviudi; dhe Aviudit i lindi Eliakimi; dhe Eliakimit i lindi Azori;
  14. Edhe Azorit i lindi Saduku; dhe Sadukut i lindi Akimi; dhe Akimit i lindi Eliudi;
  15. Edhe Eliudit i lindi Eleazari; dhe Eleazarit i lindi Matani; dhe Matanit i lindi Jakovi;
  16. Edhe Jakovit i lindi Josifi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jisui që thuhet Krisht.
  17. Gjithë brezat pra, që nga Abrahami e deri në ditët e Davidit, janë katërmbëdhjetë breza; dhe që nga Davidi e deri në shpërnguljen në Babilonë katërmbëdhjetë breza; dhe nga shpërngulja në Babilonë e deri në ditët e Krishtit katërmbëdhjetë breza.
  18. Edhe lindja e Jisu Krishtit kështu ka qenë; pasi u fejua e ëma e tij, Maria, me Josifin, përpara se të bashkoheshin, u gjend shtatzënë nga Shpirti i Shenjtë.
  19. Edhe Josifi, burri i saj, duke qenë i drejtë, e duke mos dashur t’i nxjerrë asaj zë të lig, deshi ta lëshojë fshehurazi.
  20. Po ndërsa ai ishte duke menduar këto, ja një engjëll i Zotit tek iu duk në ëndërr, duke thënë: Josif, bir i Davidit, mos u frikëso të marrësh me vete gruan tënde Mariamin; sepse mbarsja që u bë tek ajo është nga Shpirti i Shenjtë.
  21. Edhe do të lindë djalë dhe do t’ia vësh emrin Jisu; sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga fajet e atyre.
  22. Edhe gjithë kjo u bë, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë:
  23. “Ja virgjëresha tek do të mbarset, dhe do të lindë djalë, dhe do t’ia vënë emrin Emanuel”, që e përkthyer do me thënë, Perëndia bashkë me ne.
  24. Edhe Josifi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç e urdhëroi engjëlli i Zotit, dhe mori pranë vetes gruan e tij.
  25. Edhe nuk e njohu atë, derisa bëri të birin e saj, të parëlindurin; dhe ia vuri emrin Jisu.

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 2

Matheu 2

  1. Edhe si lindi Jisui në Betlehem të Judesë, në ditët e mbretit Irod, ja, ca magë nga Lindja erdhën në Jerusalem,
  2. e thoshin: Ku është mbreti i Judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij nga lindja dhe erdhëm që t’i falemi.
  3. Edhe mbreti Irod kur dëgjoi, u drodh, dhe bashkë me të edhe gjithë Jerusalemi.
  4. Edhe si mblodhi gjithë kryepriftërinjtë dhe shkruesit e popullit, pyeste të merrte vesh prej tyre se ku lind Krishti.
  5. Edhe ata i thanë atij: Në Betlehem të Judesë. Sepse kështu është shkruar me anë të profetit:
  6. “Edhe ti, Betlehem, dheu i Judesë, aspak nuk je më i vogli ndër zotërinjtë e Judesë; sepse prej teje do të dalë një i parë, i cili do të kullosë popullin tim Izrael”.
  7. Atëherë Irodi thirri fshehurazi magët, dhe mori vesh mirë nga ata kohën e yllit që ishte dukur.
  8. Edhe duke i dërguar ata në Betlehem, tha: Shkoni e vëzhgoni mirë për djalin, dhe si ta gjeni, të më lajmëroni, që të vij edhe unë e t’i falem atij.
  9. Edhe ata si dëgjuan mbretin ikën; dhe ja ylli që kishin parë në lindje tek shkonte përpara tyre, deri sa erdhi e qëndroi sipër tek ishte djali.
  10. Edhe ata kur panë yllin, u gëzuan me gëzim fort të madh.
  11. Edhe si erdhën në shtëpi, gjetën djalin bashkë me të ëmën, Marinë, dhe ranë mbi dhe e iu falën atij, dhe si hapën thesaret e tyre, i prunë atij dhurata, ar e temjan e miro.
  12. Edhe si iu tregua atyre nga Perëndia në ëndërr të mos kthehen tek Irodi, shkuan në vendin e tyre nga një tjetër udhë.
  13. Edhe pasi ikën ata, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit, duke thënë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, dhe ik në Egjipt. Dhe rri atje deri kur të të them ty, sepse Irodi do të kërkojë djalin që ta vrasë.
  14. Edhe ai u ngrit, e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij natën, dhe iku në Egjipt.
  15. Edhe ndenji atje deri në vdekjen e Irodit, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë: “Nga Egjipti thirra tim bir”.
  16. Atëherë Irodi, kur pa se u gënjye nga magët, u zemërua fort, dhe dërgoi e vrau gjithë djemtë që ishin në Betlehem e nëpër gjithë kufijtë e tij, që nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës që kishte marrë vesh mirë nga magët.
  17. Atëherë u përmbush ç’është thënë nga profeti Jeremia, që thotë:
  18. “Zë u dëgjua në Rama, vaj e të qarë e gjëmë shumë. Rakela qante djemtë e saj, dhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë”.
  19. Edhe si vdiq Irodi, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit në Egjipt
  20. e i thotë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe shko në dhe të Izraelit; sepse vdiqën ata që kërkonin jetën e djalit.
  21. Dhe ai u ngrit e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe erdhi në dhe të Izraelit.
  22. Po kur dëgjoi se Arkelau mbretëron në Jude në vend të Irodit, të atit të tij, pati frikë të shkojë atje; dhe siç iu tregua atij nga Perëndia në ëndërr, iku në anët e Galilesë,
  23. dhe erdhi e ndenji në një qytet që quhet Nazaret; që të përmbushet ç’është thënë nga profetët, se Nazaretas do të quhet.