Mattheu 25
- Atëherë mbretëria e qiejve do të ngjajë me dhjetë virgjëresha, të cilat morën llambat e tyre e dolën të presin dhëndrin.
- Edhe nga ato, pesë ishin të mençura dhe pesë të marra.
- Ato të marrat, kur morën llambat e tyre, nuk morën vaj me vete.
- Po të mençurat morën vaj në enët e tyre bashkë me llambat e tyre.
- Edhe dhëndri si u vonua, i zuri gjumi të gjitha dhe flinin.
- Edhe në mes të natës u bë një thirrje: Ja dhëndri tek po vjen; dilni për ta pritur atë.
- Atëherë, gjithë ato virgjëreshat u ngritën dhe ndreqën llambat e tyre.
- Po të marrat u thanë të mençurave: Jepnani nga vaji juaj, sepse po na shuhen llambat.
- Dhe të mençurat u përgjigjën, duke thënë: Mos nuk do të na dalë neve dhe juve; po më mirë shkoni tek ata që shesin dhe blini për veten tuaj.
- Edhe kur shkuan të blejnë, dhëndri erdhi; dhe ato që ishin gati hynë bashkë me atë në dasmë dhe u mbyll dera.
- Po pastaj vijnë edhe virgjëreshat e tjera, e thonë: Zot, zot, hapna.
- Por ai u përgjigj e tha: Me të vërtetë po ju them juve, nuk ju njoh.
- Rrini zgjuar pra, sepse nuk e dini ditën, as orën, në të cilën vjen Biri i njeriut.
- Sepse do të vijë si një njeri, i cili, kur do të ikte në dhe të huaj, thirri shërbëtorët e tij e u dha atyre pasurinë e tij.
- Edhe njërit i dha pesë talanta, e tjetrit dy, e tjetrit një; gjithësecilit sipas fuqisë së tij; dhe menjëherë iku në dhe të huaj.
- Atëherë ai që mori të pesë talantat, shkoi e punoi me ato dhe bëri pesë talanta të tjera.
- Kështu edhe ai që mori dy, fitoi edhe ai dy të tjera.
- Po ai që mori njërën, shkoi e gërmoi në dhe, edhe fshehu argjendin e të zotit.
- Edhe pas shumë kohe vjen i zoti i atyre shërbëtorëve, dhe bën llogari me ta.
- Edhe si i erdhi pranë ai që pati marrë të pesë talantat, pruri pesë talanta të tjera, duke thënë: Zot, pesë talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre pesë talanta të tjera.
- Edhe i zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta qe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti.
- Erdhi pranë edhe ai që pati marrë të dy talantat, dhe tha:
- Zot dy talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre dy talanta të tjera. I zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta qe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti.
- Erdhi pranë edhe ai që pati marrë një talantë, e tha: Zot, të dija se je njeri i ashpër, që korr tek nuk mbolle, dhe mbledh tek nuk shpërndave.
- Edhe pasi pata frikë, shkova e fsheha talantën tënde në dhe. Ja tek e ke tënden.
- Edhe i zoti u përgjigj e i tha: Shërbëtor i lig e përtac, ti e dije se unë korr tek nuk mbolla, dhe mbledh tek nuk shpërndava.
- Duhej pra ta vije argjendin tim te bankierët dhe kur të vija unë, do të merrja timen bashkë me kamatën.
- Merrni pra prej atij talantën, dhe jepjani atij që ka të dhjetë talantat.
- Sepse kujtdo që ka, do t’i jepet dhe do t’i teprojë; dhe prej atij që s’ka, edhe ajo që të ketë, do të merret prej tij.
- Edhe shërbëtorin e pavlefshëm hidheni në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
- Edhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, dhe gjithë engjëjt e shenjtë bashkë me të, atëherë do të rrijë mbi fronin e lavdisë së tij.
- Edhe do të mblidhen përpara tij gjithë kombet; dhe do t’i ndajë ata njërin nga tjetri, siç ndan bariu dhentë nga kecat.
- Edhe do të vërë dhentë në të djathtë dhe kecat në të majtë.
- Atëherë mbreti do t’u thotë atyre që rrinë në të djathtë të tij: Ejani të bekuarit e tim Eti, trashëgoni mbretërinë që është bërë gati për ju që kur se është themeluar bota.
- Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; i huaj isha, e më morët në shtëpi;
- i zhveshur, e më veshët; u sëmura, dhe erdhët të më shihni; isha në burg, dhe erdhët tek unë.
- Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri e të ushqyem? Apo duke pasur etje, e të dhamë të pish?
- Edhe kur të pamë të huaj, e të morëm nëpër shtëpira? Apo të zhveshur, e të veshëm?
- Edhe kur të pamë të sëmurë ose në burg, dhe erdhëm tek ti?
- Edhe mbreti do të përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua.
- Atëherë do t’u thotë edhe atyre që rrinë në të majtë: Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, që është bërë gati për djallin e për engjëjt e tij.
- Sepse pata uri, e s’më dhatë të ha; pata etje, e s’më dhatë të pi;
- isha i huaj, e nuk më morët brenda; i zhveshur, dhe nuk më veshët; i sëmurë e në burg, dhe nuk erdhët të më shihni.
- Atëherë do t’i përgjigjen edhe ata, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri, a duke pasur etje, a të huaj, a të zhveshur, a të sëmurë, a në burg, e nuk të shërbyem?
- Atëherë do t’u përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa nuk i bëtë njërit prej këtyre më të vegjëlve, as mua nuk ma keni bërë.
- Edhe këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm; dhe të drejtët në jetë të përjetshme.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου