Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 11

Matheu 11

  1. Edhe kur mbaroi Jisui së porosituri të dymbëdhjetë nxënësit e tij, iku andej, që të mësojë e të predikojë nëpër qytetet e tyre.
  2. Edhe Joani kur dëgjoi në burg punët e Krishtit, dërgoi dy nga nxënësit e tij,
  3. e i tha atij: Ti je ai që ka për të ardhur, apo presim tjetër?
  4. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Shkoni e lajmëroni Joanin për ato që dëgjoni e shihni.
  5. Të verbër shohin dhe të çalë ecin; lebrozë pastrohen dhe të shurdhër dëgjojnë; të vdekur ngjallen dhe të varfërve u rrëfehet Ungjilli.
  6. Edhe i lumtur është ai që nuk do të skandalizohet për mua.
  7. Edhe tek po shkonin këta, Jisui zuri t’i thotë turmës për Joanin: Ç’dolët të shikoni në shkretëtirë? Kallam që tundet nga era?
  8. Po ç’dolët të shihni? Njeri të veshur me rroba të buta? Ja ata që kanë veshur rroba të buta tek janë nëpër shtëpitë e mbretërve.
  9. Po ç’dolët të shihni? Profet? Me të vërtetë po ju them juve, edhe më tepër se profet.
  10. Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: “Ja unë tek dërgoj engjëllin tim përpara faqes tënde, i cili do të ndreqë udhën tënde përpara teje”.
  11. Me të vërtetë po ju them juve, se në mes të atyre që kanë lindur prej grash nuk është ngritur ndonjë më i madh se Joan Pagëzori. Por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.
  12. Edhe që nga ditët e Joan Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve dhunohet dhe dhunuesit e rrëmbejnë atë.
  13. Sepse gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri në ditët e Joanit.
  14. Edhe në doni ta pranoni këtë fjalë, ai është Ilia që kishte për të ardhur.
  15. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
  16. Po me se ta përngjaj këtë brez? U ngjan djemve të vegjël që rrinë nëpër tregjet dhe u thërrasin shokëve të tyre, e thonë:
  17. I ramë fyellit për ju dhe nuk kërcyet; ju bëmë vaj dhe nuk qatë.
  18. Sepse erdhi Joani që as hante, as pinte, dhe thonë: Ka djallin.
  19. Erdhi i Biri i njeriut duke ngrënë e duke pirë, e thonë: Ja një njeri hamës e verëpirës, mik i tagrambledhësve e i fajtorëve. Edhe doli e drejtë dituria nga bijtë e saj.
  20. Atëherë zuri të qortojë ato qytete, në të cilat u bënë çuditë e shumta të tij, sepse nuk u penduan:
  21. Mjerë ti, Horazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse çuditë që janë bërë tek ju, po të ishin bërë në Tir e në Sidonë, që kur do të ishin penduar në thes e në hi.
  22. Veç po ju them juve: Në Tir e në Sidonë më i durueshëm do të jetë mundimi në ditët e gjyqit, se tek ju.
  23. Edhe ti, Kapernaum, që je ngritur lart deri në qiell, do të zbresësh deri në had; sepse këto çudi që janë bërë tek ti, po të ishin bërë në Sodomë, banorët e saj do të kishin mbetur deri në ditët e sotme.
  24. Veç po ju them juve, se në dheun e Sodomës më i durueshëm do të jetë mundimi në ditët e gjyqit se tek ti.
  25. Në atë kohë Jisui u përgjigj e tha: Të lavdëroj ty, o Atë, Zot i qiellit edhe i dheut, se ua fshehe këto të diturve e të mençurve, dhe ua zbulove ato foshnjave.
  26. Po, o Atë, sepse kështu u pëlqye përpara teje.
  27. Të gjitha m’u dhanë në dorë nga Ati im; edhe asnjë nuk e njeh Birin, veç Ati; dhe as Atin s’e njeh njeri, veç Biri dhe ai, të cilit të dojë Biri t’ia zbulojë.
  28. Ejani tek unë gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar, dhe unë do t’ju preh ju.
  29. Ngrini zgjedhën time mbi veten tuaj, dhe mësoni prej meje, se jam i butë dhe i përulur në zemër. Edhe do të gjeni prehje në shpirtrat tuaj.
  30. Sepse zgjedha ime është e mirë, dhe barra ime është e lehtë.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου