Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 9

Matheu 9

  1. Edhe si hyri në lundër ai u hodh përtej, e erdhi në qytetin e tij.
  2. Edhe ja tek i prunë një të paralizuar të dergjur mbi shtrat; dhe Jisui si pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: Merr zemër, o bir, të janë falur mëkatet e tua.
  3. Edhe ja ca nga shkruesit tek thanë me veten e tyre: Ky po blasfemon.
  4. Edhe Jisui si pa mendimet e tyre, tha: Përse mendoni ju ligësira në zemrat tuaja?
  5. Sepse ç’është më lehtë, të them: T’u falën mëkatet e tua; apo të them: Ngrihu e ec?
  6. Po që ta dini se i biri i njeriut ka pushtet mbi dhe të falë mëkate, - atëherë i thotë të paralizuarit: - Ngrihu, merr mbi krahë shtratin tënd, dhe shko në shtëpinë tënde.
  7. Edhe ai u ngrit dhe shkoi në shtëpinë e tij.
  8. Edhe turmat, kur panë, u çuditën, dhe lavdëruan Perëndinë, që u dha njerëzve një pushtet të këtillë.
  9. Edhe duke shkuar Jisui andej, pa një njeri që thuhej Mathe, duke ndenjur në doganë. Dhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij.
  10. Edhe tek po rrinte në mësallë në shtëpi të Matheut, ja tek erdhën shumë tagrambledhës e fajtorë, dhe rrinin bashkë me Jisuin dhe me nxënësit e tij.
  11. Edhe Farisenjtë kur panë, u thanë nxënësve të tij: Përse mësuesi juaj ha bashkë me tagrambledhës e me fajtorë?
  12. Po Jisui kur dëgjoi u tha atyre: Ata që janë të shëndoshë s’kanë nevojë për shërues, por ata që kanë keq.
  13. Edhe shkoni e mësoni ç’është “Dua përdëllim, e jo theror”, sepse s’kam ardhur të thërres të drejtë, por fajtorë në pendim.
  14. Atëherë vijnë tek ai nxënësit e Joanit, e i thonë: Përse ne dhe Farisenjtë agjërojmë shumë, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?
  15. Edhe Jisui u tha atyre: Mos mundin të mbajnë zi dasmorët, deri sa të jetë dhëndëri bashkë me ata? Por kanë për të ardhur ditë kur të merret dhëndëri prej tyre, dhe atëherë do të agjërojnë.
  16. Edhe askush nuk vë arnë pëlhure të re mbi rrobë të vjetër, sepse mbushja e saj heq nga rroba, dhe grisja bëhet më e keqe.
  17. Edhe as nuk vënë verë të re në kacekë të vjetër; sepse po të vënë, kacekët humbasin; por vënë verë të re në kacekë të rinj, dhe kështu ruhen të dyja.
  18. Ndërsa ai po u fliste atyre këto, ja tek erdhi një i parë, dhe i falej atij, duke thënë se ime bijë vdiq tani; por eja dhe vër dorën tënde mbi të, dhe do të rrojë.
  19. Edhe Jisui u ngrit e shkoi prapa atij, bashkë me nxënësit e tij.
  20. Edhe ja një grua që i rridhte gjak nga vetja prej dymbëdhjetë vjetësh, u afrua nga prapa, dhe preku anën e rrobës së tij.
  21. Sepse thoshte me veten e saj: Vetëm në preksha rrobën e tij, do të shërohem.
  22. Edhe Jisui kur u kthye, e pa atë, tha: Guxim, bijë; besimi yt të shpëtoi. Edhe gruaja shpëtoi që në atë çast.
  23. Edhe Jisui pasi erdhi në shtëpinë e të parit, dhe pa ata që u binin fyejve dhe turmën duke bërë gjëmë, u thotë atyre:
  24. Ikni, sepse vajza s’ka vdekur, por po fle. Por ata e përqeshnin atë.
  25. Edhe si u nxor jashtë turma, hyri dhe e zuri prej dore; dhe vajza u ngrit.
  26. Edhe ky nam doli nëpër gjithë atë dhe.
  27. Edhe duke ikur Jisui andej, i shkuan prapa dy të verbër, duke klithur e duke thënë: Përdëllena, o bir i Davidit.
  28. Edhe kur erdhi ai në shtëpi, erdhën pranë tij të verbërit, dhe Jisui u thotë atyre: Besoni se mund ta bëj unë këtë? Ata i thonë atij: Po, Zot.
  29. Atëherë preku sytë e tyre duke thënë: Sipas besimit tuaj u bëftë mbi ju.
  30. Edhe u hapën sytë e tyre. Edhe Jisui i porositi ata rreptësisht, duke thënë: Shikoni të mos e marrë vesh njeri këtë.
  31. Po ata sa dolën e përhapën lajmin për të nëpër gjithë atë dhe.
  32. Edhe kur po dilnin ata, ja tek i prunë atij një njeri shurdh të demonizuar.
  33. Edhe si u nxor djalli, foli i shurdhëri. Dhe turmat u çuditën, duke thënë se kurrë ndonjëherë nuk është parë kështu në Izrael.
  34. Por Farisenjtë thoshin: Me anë të të parit të djajve i nxjerr djajtë.
  35. Edhe Jisui shkonte përqark nëpër gjithë qytetet e kryefshatrat, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
  36. Edhe kur pa turmën, iu dhimbs për ta, sepse ishin lodhur e shpërndarë si dhen që s’kanë bari.
  37. Atëherë u thotë nxënësve të tij: Të korrat janë të shumta, po punëtorët janë të paktë.
  38. Lutjuni pra të zotit të të korrave, që të nxjerrë punëtorë për të korrat e tij.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου