Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 21

Matheu 21

  1. Edhe kur u afruan në Jerusalem, dhe erdhën në Betfagji pranë Malit të Ullinjve, atëherë Jisui dërgoi dy nxënës,
  2. duke u thënë atyre: Shkoni në atë fshat që është përballë jush, dhe menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur dhe një pulisht bashkë me të. Zgjidhini e m’i sillni.
  3. Edhe në u thëntë gjë juve ndonjë njeri, t’i thoni se Zoti ka nevojë për atë; dhe menjëherë do t’i dërgojë ata mbrapsht.
  4. Edhe gjithë kjo u bë që të përmbushet ç’është thënë nga profeti,
  5. që thotë: “Thuajini bijës Sionë: Ja mbreti yt tek po të vjen i butë dhe hipur mbi gomare dhe mbi pulisht bir shtaze”.
  6. Edhe nxënësit, si shkuan, dhe bënë siç i urdhëroi ata Jisui, prunë gomaren dhe pulishtin.
  7. Edhe vunë mbi ata rrobat e tyre dhe e hipën atë sipër.
  8. Edhe më e shumta e turmës shtruan rrobat e tyre në udhë; dhe të tjerë këputnin degë pemësh e i shtronin në rrugë.
  9. Edhe turmat që i vinin përpara dhe ata që i vinin prapa bërtitnin, duke thënë: Hosana birit të Davidit. I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit. Hosana në më të lartat.
  10. Edhe kur ai hyri në Jerusalem, u tund tërë qyteti duke thënë:
  11. Cili është ky? Edhe turmat thoshin: Ky është Jisui, profeti, që është nga Nazareti i Galilesë.
  12. Edhe Jisui hyri në tempullin e Perëndisë dhe nxori jashtë gjithë ata që shisnin e blinin në tempull, dhe përmbysi tryezat e sarafëve dhe fronet e atyre që shisnin pëllumbat.
  13. Edhe u thotë atyre: Eshtë shkruar “Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje”; por ju e bëtë atë “shpellë kusarësh”.
  14. Edhe i erdhën pranë të verbër e të çalë në shenjtërore; dhe i shëroi ata.
  15. Po kryepriftërinjtë dhe shkruesit, kur panë çudirat që bëri, dhe djemtë duke bërtitur në tempull e duke thënë: Hosana birit të Davidit, u zemëruan dhe i thanë atij: Dëgjon se ç’thonë këta?
  16. Edhe Jisui u thotë atyre: Po. Kurrë s’keni lexuar “Se nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave bëre gati lavdërim”?
  17. Edhe si i la ata, doli jashtë qytetit në Betani, dhe e shkoi natën atje.
  18. Edhe në mëngjes kur u kthye në qytet, i erdhi uri.
  19. Edhe kur pa një dru fiku në rrugë, erdhi tek ai, po nuk gjeti gjë në të, veç fletë vetëm. Edhe i thotë: Mos u bëftë më pemë prej teje për gjithë jetën. Edhe druri i fikut menjëherë u tha.
  20. Edhe nxënësit kur panë, u çuditën, e thanë: Si u tha druri i fikut përnjëherë!
  21. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, në paçi besim, dhe të mos jeni me dy mendje, jo vetëm këtë të drurit të fikut keni për të bërë, po dhe këtij mali në i thënçi: Ngrihu dhe bjer në det, do të bëhet.
  22. Edhe gjithë sa të lypni në lutjet, duke pasur besim, do t’i merrni.
  23. Edhe kur erdhi në tempull, erdhën pranë tij atje ku mësonte, kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit, e thoshin: Me çfarë pushteti i bën këto? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?
  24. Dhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Do t’ju pyes edhe unë ju një fjalë, të cilën në ma thënshi, edhe unë do t’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto.
  25. Pagëzimi i Joanit nga ishte? Nga qielli apo nga njerëzit? Dhe ata mendoheshin me veten e tyre, duke thënë: Në thënshim: Nga qielli, do të na thotë: Pse nuk i besuat pra?
  26. Dhe në thënshim: Nga njerëzit, kemi frikë prej turmës, sepse të gjithë e kanë Joanin për profet.
  27. Dhe iu përgjigjën Jisuit, e i thanë: Nuk e dimë. Edhe ai u tha atyre: As unë s’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto.
  28. Edhe si ju duket juve? Një njeri kishte dy bij. Dhe erdhi tek i pari e i tha: Bir, shko sot e puno në vreshtin tim.
  29. Edhe ai u përgjigj e tha: Nuk dua. Po pastaj u pendua dhe shkoi.
  30. Edhe erdhi tek i dyti, e i tha po ashtu. Dhe ai u përgjigj e tha: Unë shkoj, Zot. Dhe nuk shkoi.
  31. Cili nga këta të dy bëri dëshirën e të atit? I thonë: I pari. Jisui u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se tagrambledhësit dhe të përdalat shkojnë më përpara se ju në mbretërinë e Perëndisë.
  32. Sepse Joani erdhi tek ju në udhë drejtësie, dhe nuk i besuat, po tagrambledhësit e të përdalat i besuan. Dhe ju, si patë, nuk u penduat pastaj, që t’i besoni.
  33. Dëgjoni një tjetër paravoli: Një njeri ishte zot shtëpie, i cili mbolli një vresht dhe e thuri me gardh, dhe gërmoi në të një sternë, dhe ndërtoi një pirg; dhe ua dha atë me qira disa bujqve e iku në dhe të huaj.
  34. Edhe kur u afrua koha e pemëve, dërgoi shërbëtorët e tij te bujqit, që të marrin pemët e tij.
  35. Edhe bujqit i zunë shërbëtorët e tij, e njërin e rrahën, e tjetrin e vranë, dhe tjetrin e vranë me gurë.
  36. Përsëri dërgoi të tjerë shërbëtorë, më tepër se të parët, por ashtu ua bënë edhe atyre.
  37. Edhe pastaj dërgoi të birin tek ata, duke thënë: Do të kenë turp nga im bir.
  38. Po bujqit kur panë të birin, i thanë njëri-tjetrit: Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim dhe të mbajmë trashëgimin e tij.
  39. Edhe si e zunë, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë.
  40. Kur të vijë i zoti i vreshtit, ç’do t’u bëjë atyre bujqve?
  41. I thonë: Keq e më keq do t’i zhdukë, dhe vreshtin do t’ua japë të tjerë bujqve, të cilët do t’ia japin pemët në kohët e tyre.
  42. Jisui u thotë atyre: Kurrë s’keni lexuar në shkronjat: “Guri që s’e pëlqyen ata që ndërtojnë, ky u bë kreu i qoshes; nga Zoti u bë kjo, dhe është e çuditshme në sytë tanë”?
  43. Prandaj po ju them juve, se mbretëria e Perëndisë do të merret nga ju dhe do t’i jepet një kombi që bën pemët e saj.
  44. Edhe ai që të bjerë mbi këtë gur, do të copëtohet; dhe mbi atë që të bjerë do ta dërrmojë.
  45. Edhe kryepriftërinjtë e Farisenjtë, kur dëgjuan paravolitë e tij, e kuptuan se thotë për ata.
  46. Edhe kërkonin ta zënë, po patën frikë prej turmave, sepse e kishin atë si profet.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου