Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 16

Matheu 16

  1. Edhe i erdhën pranë Farisenjtë e Saduqenjtë, dhe duke e ngarë atë kërkonin t’u tregonte atyre shenjë nga qielli.
  2. Po ai u përgjigj e u tha atyre: Kur bëhet mbrëmje, thoni: Do të bëjë kohë e mirë, sepse qielli është i kuq.
  3. Edhe në mëngjes: Sot do të bëjë kohë e keqe; sepse qielli është i kuq e i vrenjtur. Hipokritë, faqen e qiellit dini ta shquani, po shenjat e kohërave nuk mundni?
  4. Brez i lig dhe i përdalë kërkon shenjë; dhe shenjë nuk do t’i jepet atij, përveç shenjës së profetit Jona. Edhe i la e iku.
  5. Edhe nxënësit si erdhën përtej, harruan të marrin bukë.
  6. Edhe Jisui u tha atyre: Shikoni e ruhuni me kujdes nga brumi i Farisenjve e i Saduqenjve.
  7. Edhe ata mendoheshin me veten e tyre, duke thënë se nuk morëm bukë.
  8. Edhe Jisui, si e kuptoi, u tha atyre: ç’mendoheni me veten tuaj, o besëpakë, se nuk morët bukë?
  9. Ende nuk po kuptoni, as nuk mbani mend të pesë bukët e të pesë mijëve, dhe sa kofinë morët?
  10. As të shtatë bukët e të katër mijëve, dhe sa shporta morët?
  11. Si nuk kuptoni se nuk ju thashë juve për bukë, por të ruheni nga brumi i Farisenjve e i Saduqenjve?
  12. Atëherë e kuptuan, se nuk u tha të ruhen nga brumi i bukës, por nga mësimi i Farisenjve e i Saduqenjve.
  13. Edhe Jisui, kur erdhi në anët e Qesarisë së Filipit, pyeste nxënësit e tij, duke thënë: Cili thonë njerëzit se jam unë, Biri i njeriut?
  14. Edhe ata thanë: Ca thonë se je Joan Pagëzori, e të tjerë Ilia, e të tjerë Jeremia, ose një nga profetët.
  15. U thotë atyre: Po ju cili thoni se jam unë?
  16. Edhe Simon Pjetri u përgjigj e tha: Ti je Krishti, i biri i Perëndisë së gjallë.
  17. Edhe Jisui u përgjigj e i tha: I lumtur je ti, Simon, bir i Jonait, sepse mish dhe gjak nuk ta zbuloi ty këtë, po Ati im që është në qiejt.
  18. Edhe unë po të them se ti je Pjetër (shkëmb), dhe përmbi këtë shkëmb do të ndërtoj kishën time; dhe dyert e hadit nuk do të kenë fuqi përmbi të.
  19. Edhe do të të jap ty kyçet e mbretërisë së qiejve; dhe ç’të lidhësh mbi dhe, do të jetë lidhur në qiejt; dhe ç’të zgjidhësh mbi dhe, do të jetë zgjidhur në qiejt.
  20. Atëherë porositi nxënësit e tij të mos i thonë asnjeriu se ai është Jisu Krishti.
  21. Që atëherë Jisui zuri t’u tregojë nxënësve të tij se duhet të shkojë në Jerusalem, dhe të pësojë shumë nga pleqtë dhe nga kryepriftërinjtë e nga shkruesit, dhe të vritet, dhe të tretën ditë të ngjallet.
  22. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe zuri ta qortojë, duke thënë: Le të të dhimbset vetja jote, Zot. Nuk do të bëhet kjo tek ti.
  23. Po ai u kthye e i tha Pjetrit: Ik prej meje, Satana, se më je skandal; sepse s’ke ndër mend punët e Perëndisë, po punët e njerëzve.
  24. Atëherë Jisui u tha nxënësve të tij: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij, dhe le të ngrerë kryqin e tij, dhe le të vijë pas meje.
  25. Sepse ai që të dojë të shpëtojë shpirtin e tij, do ta humbasë atë; dhe ai që të humbasë shpirtin e tij për shkakun tim, do ta gjejë atë.
  26. Sepse ç’dobi ka njeriu, në fitoftë tërë botën, e të dëmtojë shpirtin e tij? Apo ç’do të japë njeriu për këmbim të shpirtit të tij?
  27. Sepse ka për të ardhur Biri i njeriut në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e tij dhe atëherë do t’ia shpërblejë gjithësecilit sipas punës së tij.
  28. Me të vërtetë po ju them juve se janë ca nga ata që rrinë këtu, të cilët nuk do të provojnë vdekje, deri sa të shohin të Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου