Τετάρτη 2 Σεπτεμβρίου 2009

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 16

Marku 16

  1. Edhe si shkoi e shtuna, Maria Magdalena, dhe Maria, e ëma e Jakovit, dhe Saloma, blenë erëra, që të vijnë e ta lyejnë.
  2. Edhe shumë shpejt në mëngjes, të parën ditë të javës, vijnë në varr, ndërsa po lindte dielli.
  3. Edhe thoshin në mes tyre: Cili do të na rrokullisë gurin prej derës së varrit?
  4. Edhe kur hodhën sytë, shohin se guri ishte rrokullisur; sepse ishte fort i madh.
  5. Edhe si hynë në varr, panë një djalosh duke ndenjur në të djathtë, të veshur me rroba të bardha; dhe u trembën.
  6. Po ai u thotë atyre: Mos u trembni; kërkoni Jisu Nazaretasin, që u kryqëzua? U ngjall, nuk është këtu. Ja vendi ku e vunë.
  7. Po shkoni, e u thoni nxënësve të tij dhe Pjetrit se ai shkon më përpara se ju në Galile. Atje do ta shihni, siç ju tha juve.
  8. Edhe ato dolën shpejt e ikën nga varri; sepse i kishte zënë të dridhur e habi; dhe asnjeriu s’i thanë gjë, sepse kishin frikë.
  9. Edhe si u ngjall, në mëngjes, të parën ditë të javës, iu shfaq të parën herë Maria Magdalenës, prej së cilës kishte nxjerrë shtatë djaj.
  10. Ajo shkoi e lajmëroi ata që kishin qenë me të, atje tek ishin duke vajtuar e duke qarë.
  11. Edhe ata kur dëgjuan se rron, dhe se u pa nga ajo, nuk besuan.
  12. Edhe pastaj iu tregua në tjetër formë dy vetave nga ata, ndërsa po ecnin duke shkuar në arë.
  13. Edhe ata shkuan e lajmëruan të tjerët; por as atyre s’u besuan.
  14. Pastaj u tregua tek të njëmbëdhjetët, ndërsa ishin duke ndenjur në tryezë, dhe i shau për pabesinë e tyre, dhe për zemrën e ashpër, sepse nuk u besuan atyre që e panë të ngjallur.
  15. Edhe u tha atyre: Shkoni nëpër gjithë botën, dhe predikoni ungjillin nëpër gjithë krijesën.
  16. Kush të besojë dhe të pagëzohet, do të shpëtojë; po kush të mos besojë, do të dënohet.
  17. Edhe shenja mbi ata që do të besojnë do të jenë këto: Në emrin tim do të nxjerrin djaj, gjuhë të reja do të flasin, gjarpërinj do të zënë.
  18. Edhe në pifshin ndonjë gjë që sjell vdekje, nuk do t’u bëjë dëm atyre; përmbi të sëmurë dy duar do të vënë, dhe do të shërohen.
  19. Zoti pra, pasi u foli atyre, u ngjit në qiell dhe ndenji në të djathtë të Perëndisë.
  20. Edhe ata dolën e predikuan kudo, edhe Zoti ishte duke vepruar bashkë me ta dhe duke vërtetuar fjalën me çuditë që e shoqëronin. Amin.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου