skip to main |
skip to sidebar


Matheu 1
- Libri i gjenealogjisë së Jisu Krishtit, të birit të Davidit, të birit të Abrahamit.
- Abrahamit i lindi Isaku; dhe Isakut i lindi Jakovi; dhe Jakovit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij;
- Edhe Judës i lindi Faresi dhe Zarai nga Tamara; dhe Faresit i lindi Esromi; dhe Esromit i lindi Arami;
- Edhe Aramit i lindi Aminadavi; dhe Aminadavit i lindi Nasoni; dhe Nasonit i lindi Salmoni;
- Edhe Salmonit i lindi Vozi nga Rahaba; dhe Vozit i lindi Ovidi nga Ruthi; dhe Ovidit i lindi Jeseu;
- Edhe Jeseut i lindi Davidi, mbreti. Edhe mbretit David i lindi Solomoni nga gruaja e Uriut;
- Edhe Solomonit i lindi Roboami; dhe Roboamit i lindi Abiai; dhe Abiait i lindi Asai;
- Edhe Asait i lindi Josafati; dhe Josafatit i lindi Jorami; dhe Joramit i lindi Ozia;
- Edhe Ozisë i lindi Joatami; dhe Joatamit i lindi Akazi; dhe Akazit i lindi Ezekia;
- Edhe Ezekisë i lindi Manasiu; dhe Manasiut i lindi Amoni; dhe Amonit i lindi Josia;
- Edhe Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babilonë.
- Edhe pas shpërnguljes në Babilonë, Jehonisë i lindi Salatieli; dhe Salatielit i lindi Zorobabeli;
- Edhe Zorobabelit i lindi Aviudi; dhe Aviudit i lindi Eliakimi; dhe Eliakimit i lindi Azori;
- Edhe Azorit i lindi Saduku; dhe Sadukut i lindi Akimi; dhe Akimit i lindi Eliudi;
- Edhe Eliudit i lindi Eleazari; dhe Eleazarit i lindi Matani; dhe Matanit i lindi Jakovi;
- Edhe Jakovit i lindi Josifi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jisui që thuhet Krisht.
- Gjithë brezat pra, që nga Abrahami e deri në ditët e Davidit, janë katërmbëdhjetë breza; dhe që nga Davidi e deri në shpërnguljen në Babilonë katërmbëdhjetë breza; dhe nga shpërngulja në Babilonë e deri në ditët e Krishtit katërmbëdhjetë breza.
- Edhe lindja e Jisu Krishtit kështu ka qenë; pasi u fejua e ëma e tij, Maria, me Josifin, përpara se të bashkoheshin, u gjend shtatzënë nga Shpirti i Shenjtë.
- Edhe Josifi, burri i saj, duke qenë i drejtë, e duke mos dashur t’i nxjerrë asaj zë të lig, deshi ta lëshojë fshehurazi.
- Po ndërsa ai ishte duke menduar këto, ja një engjëll i Zotit tek iu duk në ëndërr, duke thënë: Josif, bir i Davidit, mos u frikëso të marrësh me vete gruan tënde Mariamin; sepse mbarsja që u bë tek ajo është nga Shpirti i Shenjtë.
- Edhe do të lindë djalë dhe do t’ia vësh emrin Jisu; sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga fajet e atyre.
- Edhe gjithë kjo u bë, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë:
- “Ja virgjëresha tek do të mbarset, dhe do të lindë djalë, dhe do t’ia vënë emrin Emanuel”, që e përkthyer do me thënë, Perëndia bashkë me ne.
- Edhe Josifi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç e urdhëroi engjëlli i Zotit, dhe mori pranë vetes gruan e tij.
- Edhe nuk e njohu atë, derisa bëri të birin e saj, të parëlindurin; dhe ia vuri emrin Jisu.
Matheu 2
- Edhe si lindi Jisui në Betlehem të Judesë, në ditët e mbretit Irod, ja, ca magë nga Lindja erdhën në Jerusalem,
- e thoshin: Ku është mbreti i Judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij nga lindja dhe erdhëm që t’i falemi.
- Edhe mbreti Irod kur dëgjoi, u drodh, dhe bashkë me të edhe gjithë Jerusalemi.
- Edhe si mblodhi gjithë kryepriftërinjtë dhe shkruesit e popullit, pyeste të merrte vesh prej tyre se ku lind Krishti.
- Edhe ata i thanë atij: Në Betlehem të Judesë. Sepse kështu është shkruar me anë të profetit:
- “Edhe ti, Betlehem, dheu i Judesë, aspak nuk je më i vogli ndër zotërinjtë e Judesë; sepse prej teje do të dalë një i parë, i cili do të kullosë popullin tim Izrael”.
- Atëherë Irodi thirri fshehurazi magët, dhe mori vesh mirë nga ata kohën e yllit që ishte dukur.
- Edhe duke i dërguar ata në Betlehem, tha: Shkoni e vëzhgoni mirë për djalin, dhe si ta gjeni, të më lajmëroni, që të vij edhe unë e t’i falem atij.
- Edhe ata si dëgjuan mbretin ikën; dhe ja ylli që kishin parë në lindje tek shkonte përpara tyre, deri sa erdhi e qëndroi sipër tek ishte djali.
- Edhe ata kur panë yllin, u gëzuan me gëzim fort të madh.
- Edhe si erdhën në shtëpi, gjetën djalin bashkë me të ëmën, Marinë, dhe ranë mbi dhe e iu falën atij, dhe si hapën thesaret e tyre, i prunë atij dhurata, ar e temjan e miro.
- Edhe si iu tregua atyre nga Perëndia në ëndërr të mos kthehen tek Irodi, shkuan në vendin e tyre nga një tjetër udhë.
- Edhe pasi ikën ata, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit, duke thënë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, dhe ik në Egjipt. Dhe rri atje deri kur të të them ty, sepse Irodi do të kërkojë djalin që ta vrasë.
- Edhe ai u ngrit, e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij natën, dhe iku në Egjipt.
- Edhe ndenji atje deri në vdekjen e Irodit, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë: “Nga Egjipti thirra tim bir”.
- Atëherë Irodi, kur pa se u gënjye nga magët, u zemërua fort, dhe dërgoi e vrau gjithë djemtë që ishin në Betlehem e nëpër gjithë kufijtë e tij, që nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës që kishte marrë vesh mirë nga magët.
- Atëherë u përmbush ç’është thënë nga profeti Jeremia, që thotë:
- “Zë u dëgjua në Rama, vaj e të qarë e gjëmë shumë. Rakela qante djemtë e saj, dhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë”.
- Edhe si vdiq Irodi, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit në Egjipt
- e i thotë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe shko në dhe të Izraelit; sepse vdiqën ata që kërkonin jetën e djalit.
- Dhe ai u ngrit e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe erdhi në dhe të Izraelit.
- Po kur dëgjoi se Arkelau mbretëron në Jude në vend të Irodit, të atit të tij, pati frikë të shkojë atje; dhe siç iu tregua atij nga Perëndia në ëndërr, iku në anët e Galilesë,
- dhe erdhi e ndenji në një qytet që quhet Nazaret; që të përmbushet ç’është thënë nga profetët, se Nazaretas do të quhet.
Matheu 3
- Edhe në ato ditë vjen Joan Pagëzori duke predikuar në shkretëtirën e Judesë,
- e duke thënë: Pendohuni, sepse u afrua mbretëria e qiejve.
- Sepse ky është ai që u fol nga profeti Isaia që thotë: “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit; bëni rrugët e tij të drejta”.
- Edhe Joani vetë kishte veshjen e tij prej lesh gamileje, dhe brez lëkure rreth mesit të tij; edhe ushqimi i tij ishte karkaleca dhe mjaltë i egër.
- Atëherë dilte jashtë tek ai Jerusalemi dhe gjithë Judea dhe gjithë vendi përqark Jordanit;
- Edhe pagëzoheshin në Jordan nga ai, duke rrëfyer fajet e tyre.
- Edhe kur pa se shumë nga Farisenjtë e Saduqenjtë po vinin në pagëzimin e tij, u tha atyre: Pjellë nepërkash, cili ju tregoi të ikni nga zemërimi që vjen?
- Bëni pra pemë të vlefshme për pendim.
- Edhe të mos ju shkojë ndër mend të thoni me veten tuaj: Atë kemi Abrahamin. Sepse po ju them juve, se Perëndia mundet edhe nga këta gurë t’i ngrerë djem Abrahamit.
- E tani edhe sëpata rri pranë rrënjës së drurëve; çdo dru pra që s’bën pemë të mirë pritet, dhe hidhet në zjarr.
- Unë ju pagëzoj me ujë për pendim; po ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i zoti t’i mbaj këpucët. Ai do t’ju pagëzojë ju me Shpirt të Shenjtë e me zjarr.
- Ai ka lopatën në dorën e tij, dhe do të pastrojë lëmin e tij, dhe do të mbledhë grurin e tij në grunar, por kashtën do ta djegë në zjarr të pashuar.
- Atëherë Jisui vjen nga Galilea në Jordan tek Joani, që të pagëzohet prej tij.
- Po Joani e ndaloi atë, duke thënë: Unë kam nevojë të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë?
- Edhe Jisui u përgjigj e i tha: Lëre tani, sepse kështu ne duhet të përmbushim çdo drejtësi. Atëherë e la atë.
- Edhe Jisui, si u pagëzua, menjëherë doli nga uji. Edhe ja tek u hapën qiejt dhe pa Shpirtin e Perëndisë duke zbritur si pëllumb e duke ardhur mbi të.
- Edhe ja një zë nga qiejt që thoshte: Ky është biri im i dashur, që e kam pëlqyer.
Matheu 4
- Atëherë Jisui u pru në shkretëtirë prej Shpirtit, që të ngitej prej djallit.
- Edhe si agjëroi dyzet ditë e dyzet net, pastaj i erdhi uri.
- Edhe ai që nget erdhi tek ai e tha: Në je i biri i Perëndisë, thuaj të bëhen bukë këta gurë.
- Po ai u përgjigj e tha: Eshtë shkruar: “Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo lloj fjale që del nga goja e Perëndisë”.
- Atëherë djalli e merr me vete në qytetin e shenjtë, dhe e vuri përmbi fletëzën e tempullit,
- edhe i thotë atij: Në je i biri i Perëndisë, hidhu poshtë. Sepse është shkruar: “Se do të urdhërojë engjëjt e tij për ty dhe do të të ngrenë ty mbi duart e tyre, që të mos përpjekësh këmbën tënde mbi gur”.
- Jisui i tha atij: Përsëri është shkruar: “Të mos ngasësh Zotin Perëndinë tënd”.
- Përsëri djalli e merr me vete mbi një mal shumë të lartë, dhe i tregon gjithë mbretëritë e botës edhe lavdinë e tyre,
- e i thotë: Të gjitha këto do të t’i jap ty, nëse bie të më falesh.
- Atëherë Jisui i thotë atij: Ik prej meje, Satana. Sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd do t’i falesh, dhe vetëm atij do t’i lutesh”.
- Atëherë djalli e la atë. Edhe ja engjëjt tek erdhën pranë e i shërbenin.
- Edhe Jisui kur dëgjoi se Joanin e dorëzuan, iku në Galile.
- Edhe si la Nazaretin, erdhi e ndenji në Kapernaum që është pranë detit, në kufijtë e Zavulonit dhe të Neftalimit,
- që të përmbushet ç’është thënë nga profeti Isaia, që thotë:
- “Dheu Zavulon edhe dheu Neftalim, në udhën e detit përtej Jordanit, Galilea e kombeve,
- populli që rrinte në errësirë pa dritë të madhe, dhe mbi ata që rrinin në vend e në hije vdekjeje lindi dritë”.
- Që atëherë Jisui zuri të predikojë e të thotë: Pendohuni, sepse u afrua mbretëria e qiejve.
- Edhe tek ecte Jisui pranë detit të Galilesë, pa dy vëllezër, Simonin, që thirrej edhe Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det; sepse ishin peshkatarë.
- Edhe u thotë atyre: Ejani pas meje, dhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.
- Edhe ata menjëherë lanë rrjetat, e shkuan pas tij.
- Edhe si shkoi më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakovin, të birin e Zevedheut, dhe Joanin, të vëllain e tij, në lundër bashkë me Zevedheun, të atin e tyre, duke ndrequr rrjetat e tyre, dhe i thirri ata.
- Edhe ata përnjëherë lanë lundrën dhe të atin e tyre, dhe shkuan pas tij.
- Edhe Jisui vinte përqark gjithë Galilesë, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre, dhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë, dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
- Edhe shkoi zëri i tij nëpër gjithë Sirinë, dhe sillnin tek ai gjithë ata që kishin keq, të kapur prej sëmundjesh të ndryshme e mundimesh, dhe të demonizuar, e të zënë nga sëmundja e hënës (e tokës), e të paralizuar; edhe i shëroi ata.
- Edhe i shkuan pas shumë njerëz nga Galilea e nga Dekapoli e nga Jerusalemi e nga Judea dhe që përtej Jordanit
Matheu 5
- Edhe kur pa turmat, ai u ngjit në mal, dhe si ndenji, i erdhën pranë nxënësit e tij.
- Edhe atëherë hapi gojën, e i mësonte duke thënë:
- Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
- Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.
- Lum ata që janë të butë, sepse ata do të trashëgojnë dhenë.
- Lum ata që kanë uri e etje për drejtësinë, sepse ata do të ngopen.
- Lum ata që janë përdëllimtarë, sepse ata do të përdëllehen.
- Lum ata që kanë zemër të pastër, sepse ata do të shohin Perëndinë.
- Lum ata që bëjnë paqe, sepse ata do të quhen bij Perëndie.
- Lum ata që ndiqen për punë drejtësie, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
- Të lumtur jeni ju, kur t’ju poshtërojnë e t’ju përndjekin, e të thonë kundër jush çdo lloj fjale të keqe me gënjeshtra për shkakun tim.
- Gëzohuni e gazmohuni, sepse paga juaj është e shumtë në qiej. Sepse kështu përndoqën edhe profetët që kanë qenë përpara jush.
- Ju jeni kripa e dheut. Po në u prishtë kripa, me çfarë do të kripet? Për asgjë nuk vlen më, përveçse të hidhet jashtë, dhe të shkelet nga njerëzit.
- Ju jeni drita e botës. Një qytet që është mbi mal nuk mund të fshihet.
- As nuk ndezin kandilin, që ta vënë atë nën shinik, po e vënë mbi kandilmbajtëse, dhe ndrit mbi të gjithë ata që janë në shtëpi.
- Kështu le të ndriçojë drita juaj përpara njerëzve, që të shohin punët tuaja të mira, e të lavdërojnë Atin tuaj që është në qiejt.
- Mos kujtoni se erdha të prish ligjin a profetët. Nuk erdha të prish, po të përmbush.
- Sepse me të vërtetë po ju them juve, deri sa të shkojë qielli edhe dheu, as një jota a një pikë nuk do të shkojë nga ligji, deri sa të bëhen të gjitha.
- Ai pra që të shkelë qoftë edhe një nga këto porositë e vogla, dhe të mësojë kështu njerëzit, i vogël do të quhet në mbretërinë e qiejve; por ai që t’i bëjë e të mësojë të tjerët, ky do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.
- Sepse po ju them juve, se në mos teproftë drejtësia juaj më tepër se ajo e shkruesve dhe e Farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve.
- Keni dëgjuar se u është thënë të vjetërve: “Mos vrit”, dhe ai që të vrasë do të jetë fajtor në gjyq.
- Por unë po ju them juve se kushdo që zemërohet më kot kundër vëllait të tij, do të jetë fajtor në gjyq; dhe ai që t’i thotë të vëllait: “Rraka”, do të jetë fajtor në kuvend; dhe ai që t’i thotë: “i marrë”, do të jetë fajtor për në gjehenë të zjarrit.
- Në prufsh, pra, dhuratën tënde në therore, dhe atje kujtohesh, se yt vëlla diçka ka kundër teje,
- lëre atje dhuratën tënde përpara altarit, dhe shko e pajtohu më parë me tët vëlla, dhe atëherë, si të vish, bjer dhuratën tënde.
- Ndrequ shpejt me ndërgjyqësin tënd, deri sa të jesh në udhë bashkë me të; se mos të të japë ndërgjyqësi në dorë të gjyqtarit dhe gjyqtari të jep në dorë të shërbëtorit, e hidhesh në burg.
- Me të vërtetë po të them ty: Nuk do të dalësh andej, deri sa të paguash edhe asprën e fundit.
- Keni dëgjuar se u është thënë të moçmëve: “Mos shkel kurorën”.
- Por unë po ju them juve, se kushdo që vë re grua me dëshirim, e ka shkelur atë në zemër të tij.
- Edhe në të skandalizoftë syri yt i djathtë, nxirre atë e hidhe prej teje; sepse është më mirë për ty të humbasë një nga copat e trupit tënd, dhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë.
- Edhe në të skandalizoftë dora jote e djathtë, preje atë, dhe hidhe prej teje, sepse është më mirë për ty të humbasë një nga copat e trupit tënd, dhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë.
- Edhe është thënë, se ai që të lërë gruan e tij, le t’i japë asaj letrën e ndarjes.
- Por unë po ju them juve, se ai që të lërë gruan e tij, vetëm për fjalë imoraliteti, e bën atë të bëjë imoralitet; dhe ai që të marrë grua të ndarë bën imoralitet.
- Përsëri keni dëgjuar se u është thënë të moçmëve: Mos bëj be të rreme, por t’ia japësh Zotit betimet e tua.
- Por unë po ju them juve, të mos bëni be fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë;
- as për dhenë, sepse është vendi që vë këmbët e tij Perëndia; as për Jerusalemin, sepse është qytet i mbretit të madh.
- As për kryet tënd të mos bësh be, sepse nuk mund të bësh një qime të bardhë a të zezë.
- Por le të jetë fjala juaj, Po, po; Jo, jo; sepse e tepërta e këtyre është nga i ligu.
- Keni dëgjuar se është thënë: “Sy në vend të syrit, dhe dhëmb në vend të dhëmbit”.
- Por unë po ju them juve, të mos i qëndroni kundër të ligut; por atij që të të bjerë ty një shuplakë në nofullën tënde të djathtë, ktheji atij edhe tjetrën.
- Edhe atij që do të gjykohet me ty, e do të marrë këmishën tënde, lëri atij edhe rrobën.
- Edhe ai që të të marrë ty angari një milje, ec bashkë me atë dy.
- Jepi atij që lyp prej teje; edhe mos e kthe fytyrën mënjanë prej atij që do hua prej teje.
- Keni dëgjuar se është thënë: Të duash të afërmin tënd, dhe t’i kesh mëri armikut tënd.
- Por unë po ju them juve: Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë juve, bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri juve, dhe faluni për ata që ju bëjnë keq e ju ndjekin ju;
- që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiejt, sepse ai bën diellin e tij të lindë mbi të ligj e mbi të mirë, dhe lëshon shiun mbi të drejtë e mbi të shtrembër.
- Sepse në daçi ata që ju duan, çfarë page keni? A nuk e bëjnë këtë edhe tagrambledhësit?
- Edhe në përshëndetshi vetëm vëllezërit tuaj, ç’bëni më tepër? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
- Bëhuni, pra, ju të përsosur, siç është i përsosur Ati juaj që është në qiejt.
Matheu 6
- Shikoni mos bëni lëmoshën tuaj përpara njerëzve, që të shiheni nga ata; në mos, nuk keni pagë pranë Atit tuaj që është në qiejt.
- Kur të bësh pra lëmoshën, mos fishkëlle përpara teje, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër udhë, që të lavdërohen nga njerëzit; me të vërtetë po ju them juve, se ata e kanë marrë pagën e tyre.
- Por ti, kur të bësh lëmoshën, le të mos e marrë vesh e majta jote se ç’bën e djathta jote;
- që të jetë lëmosha jote fshehurazi; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, ai do të ta shpërblejë ty haptas.
- Edhe kur të falesh, mos ji si hipokritët; sepse ata duan të falen duke ndenjur nëpër sinagogat e nëpër cepat e rrugëve, që t’u duken njerëzve; me të vërtetë po ju them juve se ata e kanë marrë pagën e tyre.
- Po ti, kur të falesh, hyr në dhomën tënde, dhe mbyll derën tënde, e falju Atit tënd që është në të fshehtë; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, do të ta paguajë ty haptas.
- Edhe kur të faleni, mos thoni fjalë të tepërta, si kombet; sepse pandehin se me fjalët e shumta të tyre do të dëgjohen.
- Mos u ngjani pra atyre; sepse Ati juaj e di për ç’gjë keni nevojë, para se të lypni ju prej tij.
- Po ju faluni kështu: Ati ynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt,
- ardhtë mbretëria jote, u bëftë dëshira jote, si në qiell, ashtu edhe mbi dhe.
- Bukën tonë të përditshme jepna neve sot,
- dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë;
- dhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu; se jotja është mbretëria dhe fuqia e lavdia në jetë të jetëve. Amin.
- Sepse nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellori.
- Po nëse nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj nuk do të falë fajet tuaja.
- Edhe kur të agjëroni, mos u bëni të vrenjtur si hipokritët; sepse ata prishin fytyrat e tyre, që të duken ndër njerëzit se agjërojnë. Me të vërtetë po ju them juve, se ata e kanë marrë pagën e tyre.
- Por ti, kur të agjërosh, lyej kryet tënd, dhe laj fytyrën tënde;
- që të mos dukesh tek njerëzit se agjëron, por tek Ati yt, që është në të fshehtë; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, do të ta shpërblejë ty haptas.
- Mos mblidhni thesarë për veten tuaj mbi dhe, ku krimbi dhe ndryshku i prish, dhe ku vjedhësit rrëmojnë dhe vjedhin.
- Po mblidhni thesarë për veten tuaj në qiell, ku nuk i prish as krimb as ndryshk, dhe ku vjedhësit nuk rrëmojnë as vjedhin.
- Sepse ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.
- Kandili i trupit është syri. Në qoftë pra se syri yt është i kthjellët, gjithë trupi yt do të jetë i ndritshëm.
- Po në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë pra se drita që gjendet tek ti është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira?
- Asnjë s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose njërit do t’i ketë mëri, dhe tjetrin do ta dojë; ose njërit do t’i ngjitet prapa, dhe tjetrit do t’i kthejë krahët. Nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe Mamonait.
- Prandaj po ju them juve: Mos u mendoni për jetën tuaj, ç’të hani a ç’të pini; as për trupin tuaj ç’të vishni. A nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi, dhe trupi se të veshurit?
- Vështroni shpendët e qiellit, se nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në grunarë, dhe Ati juaj qiellori i ushqen; a nuk ndryshoni ju më tepër se ata?
- Po cili nga ju duke pasur kujdes mund të shtojë një kut në shtatin e tij?
- Edhe ç’mendoheni për veshjen? Vështroni lulet e arës, si rriten; as mundohen, as endin.
- Po ju them juve se as Solomoni me gjithë lavdinë e tij nuk qe veshur ashtu si një nga këto.
- Po në qoftë se barin e arës, që sot është e nesër hidhet në furrë, Perëndia e vesh kështu, a nuk do t’ju veshë ju shumë më tepër, o besëpakë?
- Mos u mendoni pra duke thënë: ç’të hamë a ç’të pimë a ç’të veshim?
- Sepse gjithë këto i kërkojnë kombet; sepse Ati juaj qiellori e di se keni nevojë për gjithë këto.
- Po kërkoni më përpara mbretërinë e Perëndisë, dhe drejtësinë e tij; dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve.
- Mos u mendoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë mendim për punët e saj; mjaft është në çdo ditë e keqja e saj.
Matheu 7
- Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.
- Sepse me çfarë gjyqi gjykoni, do të gjykoheni; dhe me çfarë matësi matni, do t’ju matet edhe juve.
- Edhe pse shikon lëmishten që është në sy të vëllait tënd, dhe traun që është në syrin tënd nuk e ndjen?
- Ose si do t’i thuash vëllait tënd: Le të nxjerr lëmishten nga syri yt, dhe ja trari tek është në syrin tënd?
- Hipokrit, nxirr më përpara traun nga syri yt, dhe atëherë do të shohësh mirë të nxjerrësh lëmishten nga syri i tët vëllai.
- Mos ua jepni gjënë e shenjtë qenve; as mos hidhni margaritarët tuaj përpara derrave, se mos i shkelin ata me këmbët e tyre, dhe pastaj kthehen e ju shqyejnë edhe juve.
- Lypni, dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni, dhe do t’ju hapet.
- Sepse kushdo që lyp merr, dhe ai që kërkon gjen, dhe atij që troket do t’i hapet.
- Apo cili është ai njeri nga ju, i cili, në lyptë i biri bukë, do t’i japë atij gur?
- Edhe në lyptë peshk, mos do t’i japë atij gjarpër?
- Në qoftë pra se ju që jeni të ligj dini t’u jepni gjëra të mira bijve tuaj, sa më tepër Ati juaj që është në qiejt do t’u japë të mira atyre që lypin nga ai?
- Gjithë sa të doni, pra, t’ju bëjnë juve njerëzit, kështu u bëni edhe ju atyre; sepse ky është ligji dhe profetët.
- Hyni nëpër derën e ngushtë; sepse e gjerë është dera dhe e hapët udha që çon në humbje, dhe shumë veta janë ata që hyjnë nëpër të.
- Sepse e ngushtë është dera dhe e shtrënguar është udha që çon në jetë, dhe të paktë janë ata që e gjejnë atë.
- Edhe ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë tek ju me veshje dhensh, po përbrenda janë ujq që rrëmbejnë.
- Nga pemët e tyre do t’i njihni ata. A mos mbledhin rrush nga drizat, apo fiq nga murrizat?
- Kështu, çdo dru i mirë bën pemë të mira; po druri i dobët bën pemë të liga.
- Druri i mirë s’mund të bëjë pemë të liga, as druri i dobët të bëjë pemë të mira.
- Çdo dru që s’bën pemë të mirë pritet e hidhet në zjarr.
- Prandaj nga pemët e tyre do t’i njihni ata.
- Nuk do të hyjë në mbretërinë e qiejve kushdo që më thotë: Zot, Zot; por ai që bën dëshirën e Atit tim që është në qiejt.
- Shumë veta do të më thonë atë ditë: Zot, Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd, dhe në emrin tënd nxorëm djaj, dhe në emrin tënd bëmë shumë çudira?
- Po atëherë do t’u rrëfej atyre se kurrë nuk ju kam njohur juve. Ikni prej meje ju që keni punuar paudhësinë.
- Kushdo, pra, që dëgjon këto fjalët e mia dhe i bën ato, do ta përngjaj atë me një njeri të mençur që ndërtoi shtëpinë e tij mbi shkëmb.
- Edhe ra shiu, e erdhën lumenjtë, e frynë erërat dhe u përpoqën pas asaj shtëpie, por nuk u rrëzua; sepse ishte themelosur mbi shkëmb.
- Por kushdo që dëgjon këto fjalët e mia, dhe nuk i bën, do t’i ngjajë një njeriu të marrë, që ndërtoi shtëpinë e tij mbi rërë,
- dhe ra shiu e erdhën lumenjtë e frynë erërat, dhe u përpoqën pas asaj shtëpie, dhe u rrëzua; dhe rrëzimi i saj ishte i madh.
- Edhe kur mbaroi Jisui këto fjalë, turmat tmerroheshin për mësimin e tij. Sepse i mësonte ata si një që ka pushtet e jo si shkruesit.
Matheu 8
- Edhe kur zbriti nga mali, i shkuan prapa shumë turma.
- Edhe ja tek erdhi një i lebrosur e iu fal atij, duke thënë: Zot, nëse do, mund të më pastrosh.
- Edhe Jisui zgjati dorën, dhe e preku duke thënë: Dua, pastrohu. Edhe menjëherë iu pastrua lebra.
- Edhe Jisui i thotë atij: Shiko mos i thuash askujt; po shko e rrëfe veten tënde tek prifti, dhe ço dhuratën që ka urdhëruar Moisiu për dëshmi mbi ata.
- Edhe kur hyri Jisui në Kapernaum, i erdhi pranë një kryeqindësh, duke iu lutur atij, e duke thënë:
- Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar, dhe mundohet keq.
- Edhe Jisui i thotë atij: Unë do të vij e do ta shëroj.
- Edhe kryeqindëshi u përgjigj e tha: Zot, nuk jam i denjë që të më hysh nën strehë, por thuaj vetëm një fjalë, dhe shërbëtori im do të shërohet.
- Sepse edhe unë jam një njeri nën urdhër, edhe kam nën veten time ushtarë, edhe i them këtij: Shko, dhe shkon; edhe tjetrit: Eja, dhe vjen; edhe shërbëtorit tim: Bëj këtë, dhe e bën.
- Edhe Jisui kur dëgjoi u çudit, e u tha atyre që i vinin prapa: Me të vërtetë po ju them juve, se as në Izrael nuk kam gjetur kaq besim.
- Edhe po ju them juve, se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, dhe do të rrinë bashkë me Abrahamin e me Isakun e me Jakovin në mbretërinë e qiejve.
- Por të bijtë e mbretërisë do të hidhen në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
- Edhe Jisui i tha kryeqindëshit: Shko, edhe t’u bëftë siç besove. Edhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.
- Edhe kur erdhi Jisui në shtëpi të Pjetrit, pa të vjehrrën e atij që po dergjej ndër ethe.
- Edhe e zuri atë prej dore dhe e lanë ethet. Dhe ajo u ngrit e u shërbente atyre.
- Edhe si u ngrys, i prunë atij shumë të demonizuar; dhe ai nxori frymët e ndyra me fjalë, dhe i shëroi gjithë ata që kishin keq;
- që të përmbushet ç’është thënë nga profeti Isaia, që thotë: “Ai mori sëmundjet tona, dhe mbajti lëngatat tona”.
- Edhe Jisui kur pa shumë turma rreth vetes së tij, urdhëroi që të shkojnë përtej.
- Edhe një shkrues u afrua e i tha atij: Mësues, do të vij pas teje kudo që të shkosh.
- Edhe Jisui i thotë atij: Dhelprat kanë strofka, dhe shpendët e qiellit fole; po i biri i njeriut s’ka ku të mbështesë kryet.
- Pastaj një tjetër nga nxënësit e tij i thotë: Zot, lermë përpara të shkoj të varros tim atë.
- Po Jisui i tha atij: Eja pas meje, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre.
- Edhe kur hyri në lundër, i shkuan pas nxënësit e tij.
- Edhe ja tek u bë një tërmet i madh në det, aq sa po mbulohej lundra nga valët; por ai flinte.
- Edhe nxënësit e tij i erdhën pranë dhe e ngritën atë, duke thënë: Zot, shpëtona, se po humbasim.
- Edhe ai u thotë atyre: Pse jeni frikacakë, o besëpakë? Atëherë u ngrit e qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.
- Dhe njerëzit çuditeshin, e thoshin: Çfarë njeriu është ky që edhe erërat dhe deti e dëgjojnë?
- Edhe kur erdhi ai në anën e përtejme, në dhe të Gjergjesinëve, i dolën përpara dy të demonizuar, që dilnin nga varret, fort të egër, kaq sa s’mund të shkonte njeri nga ajo udhë.
- Edhe ja tek bërtitën duke thënë: Ç’ke me ne dhe ti, o Jisu, bir i Perëndisë? Erdhe këtu përpara kohës që të na mundosh?
- Edhe larg atyre ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur.
- Edhe djajtë i luteshin atij e i thoshin: Po na nxore që këtej, lërna të shkojmë në tufën e derrave.
- Edhe ai u tha atyre: Shkoni. Edhe ata dolën e shkuan në tufën e derrave. Dhe ja gjithë tufa e derrave tek u hodh nga gremina në det, dhe ngordhën në ujërat.
- Edhe barinjtë ikën e erdhën në qytet, e lajmëruan për të gjitha dhe për sa u ndodhi të demonizuarve.
- Edhe ja gjithë qyteti tek doli përpara Jisuit; dhe kur e panë atë, iu lutën atij të ikë nga kufijtë e tyre.
Matheu 9
- Edhe si hyri në lundër ai u hodh përtej, e erdhi në qytetin e tij.
- Edhe ja tek i prunë një të paralizuar të dergjur mbi shtrat; dhe Jisui si pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: Merr zemër, o bir, të janë falur mëkatet e tua.
- Edhe ja ca nga shkruesit tek thanë me veten e tyre: Ky po blasfemon.
- Edhe Jisui si pa mendimet e tyre, tha: Përse mendoni ju ligësira në zemrat tuaja?
- Sepse ç’është më lehtë, të them: T’u falën mëkatet e tua; apo të them: Ngrihu e ec?
- Po që ta dini se i biri i njeriut ka pushtet mbi dhe të falë mëkate, - atëherë i thotë të paralizuarit: - Ngrihu, merr mbi krahë shtratin tënd, dhe shko në shtëpinë tënde.
- Edhe ai u ngrit dhe shkoi në shtëpinë e tij.
- Edhe turmat, kur panë, u çuditën, dhe lavdëruan Perëndinë, që u dha njerëzve një pushtet të këtillë.
- Edhe duke shkuar Jisui andej, pa një njeri që thuhej Mathe, duke ndenjur në doganë. Dhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij.
- Edhe tek po rrinte në mësallë në shtëpi të Matheut, ja tek erdhën shumë tagrambledhës e fajtorë, dhe rrinin bashkë me Jisuin dhe me nxënësit e tij.
- Edhe Farisenjtë kur panë, u thanë nxënësve të tij: Përse mësuesi juaj ha bashkë me tagrambledhës e me fajtorë?
- Po Jisui kur dëgjoi u tha atyre: Ata që janë të shëndoshë s’kanë nevojë për shërues, por ata që kanë keq.
- Edhe shkoni e mësoni ç’është “Dua përdëllim, e jo theror”, sepse s’kam ardhur të thërres të drejtë, por fajtorë në pendim.
- Atëherë vijnë tek ai nxënësit e Joanit, e i thonë: Përse ne dhe Farisenjtë agjërojmë shumë, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?
- Edhe Jisui u tha atyre: Mos mundin të mbajnë zi dasmorët, deri sa të jetë dhëndëri bashkë me ata? Por kanë për të ardhur ditë kur të merret dhëndëri prej tyre, dhe atëherë do të agjërojnë.
- Edhe askush nuk vë arnë pëlhure të re mbi rrobë të vjetër, sepse mbushja e saj heq nga rroba, dhe grisja bëhet më e keqe.
- Edhe as nuk vënë verë të re në kacekë të vjetër; sepse po të vënë, kacekët humbasin; por vënë verë të re në kacekë të rinj, dhe kështu ruhen të dyja.
- Ndërsa ai po u fliste atyre këto, ja tek erdhi një i parë, dhe i falej atij, duke thënë se ime bijë vdiq tani; por eja dhe vër dorën tënde mbi të, dhe do të rrojë.
- Edhe Jisui u ngrit e shkoi prapa atij, bashkë me nxënësit e tij.
- Edhe ja një grua që i rridhte gjak nga vetja prej dymbëdhjetë vjetësh, u afrua nga prapa, dhe preku anën e rrobës së tij.
- Sepse thoshte me veten e saj: Vetëm në preksha rrobën e tij, do të shërohem.
- Edhe Jisui kur u kthye, e pa atë, tha: Guxim, bijë; besimi yt të shpëtoi. Edhe gruaja shpëtoi që në atë çast.
- Edhe Jisui pasi erdhi në shtëpinë e të parit, dhe pa ata që u binin fyejve dhe turmën duke bërë gjëmë, u thotë atyre:
- Ikni, sepse vajza s’ka vdekur, por po fle. Por ata e përqeshnin atë.
- Edhe si u nxor jashtë turma, hyri dhe e zuri prej dore; dhe vajza u ngrit.
- Edhe ky nam doli nëpër gjithë atë dhe.
- Edhe duke ikur Jisui andej, i shkuan prapa dy të verbër, duke klithur e duke thënë: Përdëllena, o bir i Davidit.
- Edhe kur erdhi ai në shtëpi, erdhën pranë tij të verbërit, dhe Jisui u thotë atyre: Besoni se mund ta bëj unë këtë? Ata i thonë atij: Po, Zot.
- Atëherë preku sytë e tyre duke thënë: Sipas besimit tuaj u bëftë mbi ju.
- Edhe u hapën sytë e tyre. Edhe Jisui i porositi ata rreptësisht, duke thënë: Shikoni të mos e marrë vesh njeri këtë.
- Po ata sa dolën e përhapën lajmin për të nëpër gjithë atë dhe.
- Edhe kur po dilnin ata, ja tek i prunë atij një njeri shurdh të demonizuar.
- Edhe si u nxor djalli, foli i shurdhëri. Dhe turmat u çuditën, duke thënë se kurrë ndonjëherë nuk është parë kështu në Izrael.
- Por Farisenjtë thoshin: Me anë të të parit të djajve i nxjerr djajtë.
- Edhe Jisui shkonte përqark nëpër gjithë qytetet e kryefshatrat, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
- Edhe kur pa turmën, iu dhimbs për ta, sepse ishin lodhur e shpërndarë si dhen që s’kanë bari.
- Atëherë u thotë nxënësve të tij: Të korrat janë të shumta, po punëtorët janë të paktë.
- Lutjuni pra të zotit të të korrave, që të nxjerrë punëtorë për të korrat e tij.
Matheu 10
- Edhe si thirri të dymbëdhjetë nxënësit e tij, u dha atyre pushtet kundër frymëve të ndyra, që t’i nxjerrin ato dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.
- Edhe emrat e të dymbëdhjetë Apostujve janë këto: i pari, Simoni, që thuhet Pjetër, dhe Andrea, vëllai i tij; Jakovi i Zevedheut edhe Joani i vëllai i atij;
- Filipi dhe Vartholomeu; Thomai dhe Mathe tagrambledhësi; Jakovi i Alfeut dhe Leveu që u quajt me përmbiemrin Tade;
- Simon Kananeasi dhe Juda Iskarioti, i cili edhe e tradhtoi atë.
- Këta të dymbëdhjetë dërgoi Jisui, pasi i porositi ata, duke thënë: Në udhë kombesh mos shkoni, dhe në qytet Samaritanësh mos hyni;
- por shkoni më tepër nëpër dhentë e humbura të shtëpisë së Izraelit.
- Edhe duke shkuar, predikoni duke thënë se u afrua mbretëria e qiejve.
- Shëroni të sëmurë, pastroni lebrozë, ngjallni të vdekur, nxirrni djaj; falas morët, falas jepni.
- Mos kini ar, as argjend, as bakër nëpër brezat tuaj.
- Mos kini trastë në udhë, as dy rroba, as këpucë, as shkop; sepse punëtori e meriton ushqimin e tij.
- Edhe në çdo qytet a kryefshat që të hyni, vëzhgoni cili është i denjë në të, dhe qëndroni atje deri sa të dilni.
- Edhe kur të hyni në një shtëpi, përshëndeteni atë.
- Edhe në qoftë shtëpia e denjë, paqja juaj le të vijë mbi të; por në mos qoftë e denjë, paqja juaj le të kthehet mbi ju.
- Edhe atij që të mos ju presë ju, as të mos dëgjojë fjalët tuaja, kur të dilni prej asaj shtëpie, a prej atij qyteti, shkundini pluhurin e këmbëve tuaja.
- Me të vërtetë po ju them juve, se më i durueshëm do të jetë mundimi në tokën e Sodomës e të Gomorrës në ditët e gjyqit, se në atë qytet.
- Ja tek po ju dërgoj unë ju si dhen në mes të ujqërve; bëhuni pra të urtë si gjarpërinjtë, dhe të butë si pëllumbat.
- Edhe ruhuni nga njerëzit; sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër kuvende, dhe do t’ju rrahin nëpër sinagogat e tyre;
- Edhe do t’ju nxjerrin për shkakun tim përpara të parëve dhe përpara mbretërve, për dëshmi mbi ata dhe mbi kombet.
- Po kur t’ju dorëzojnë, mos kini kujdes se si a se ç’do të flisni.
- Sepse nuk jeni ju ata që flisni, po Shpirti i Atit tuaj që flet ndër ju.
- Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllanë në vrasje, dhe i ati të birin; dhe bijtë do të ngrenë krye kundër prindërve e do t’i vrasin.
- Edhe do t’ju kenë mëri të gjithë për emrin tim; dhe ai që të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.
- Po kur t’ju ndjekin ju në këtë qytet, ikni në tjetrin; sepse me të vërtetë po ju them juve: Nuk do t’i mbaroni së bredhuri qytetet e Izraelit, deri sa të vijë i biri i njeriut.
- Nuk është nxënësi përmbi mësuesin, as shërbëtori përmbi të zotin.
- Mjafton për nxënësin të bëhet si mësuesi i tij, dhe shërbëtori si i zoti. Në qoftë se të zotin e shtëpisë e quajtën Velzevul, sa më shumë pjesëtarët e shtëpisë së tij?
- Mos u keni frikë pra atyre; sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet; dhe gjë të fshehur që nuk do të dihet.
- Atë që po ju them juve në errësirë, thuajeni në dritë, dhe atë që dëgjoni në vesh, predikojeni mbi shtëpi.
- Edhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, dhe shpirtin s’mund ta vrasin; por kini frikë më shumë nga ai që mund të humbasë në gjehenë edhe shpirtin edhe trupin.
- A nuk shiten dy zogj për një aspër? Po as një nga ata nuk do të bjerë mbi dhe, pa urdhrin e Atit tuaj.
- Po juve edhe qimet e kokës ju janë të numëruara.
- Mos kini frikë, pra; ju ndryshoni nga shumë zogj.
- Kushdo, pra, që të më pohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta pohoj atë përpara Atit tim që është në qiejt.
- Por këdo që të më mohojë përpara njerëzve, do ta mohoj edhe unë atë përpara Atit tim që është në qiejt.
- Mos pandehni se kam ardhur të vë paqe mbi dhe; s’kam ardhur të vë paqe, por thikë.
- Sepse kam ardhur të ndaj njeriun kundër të atit, dhe bijën kundër së ëmës, dhe nusen kundër së vjehrrës.
- Edhe armiqtë e njeriut do të jenë pjesëtarët e shtëpisë së tij.
- Ai që do të atin ose të ëmën më tepër se mua, nuk është i denjë për mua; edhe ai që do bir a bijë më tepër se mua, nuk është i denjë për mua.
- Edhe ai që nuk merr kryqin e tij e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.
- Ai që gjeti jetën e tij, do ta humbasë; dhe ai që të humbasë jetën e tij për shkakun tim, do ta gjejë atë.
- Ai që ju pret ju, më ka pritur mua; dhe ai që më pret mua, ka pritur atë që më ka dërguar mua.
- Ai që pret profet në emër profeti, pagë profeti do të marrë; dhe ai që pret të drejtë në emër të drejti, pagë të drejti do të marrë.
- Dhe ai që t’i japë vetëm një kupë ujë të ftohtë ndonjërit nga këta të vegjëlit në emër nxënësi, me të vërtetë po ju them juve, se nuk do ta humbasë pagën e tij.
Matheu 11
- Edhe kur mbaroi Jisui së porosituri të dymbëdhjetë nxënësit e tij, iku andej, që të mësojë e të predikojë nëpër qytetet e tyre.
- Edhe Joani kur dëgjoi në burg punët e Krishtit, dërgoi dy nga nxënësit e tij,
- e i tha atij: Ti je ai që ka për të ardhur, apo presim tjetër?
- Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Shkoni e lajmëroni Joanin për ato që dëgjoni e shihni.
- Të verbër shohin dhe të çalë ecin; lebrozë pastrohen dhe të shurdhër dëgjojnë; të vdekur ngjallen dhe të varfërve u rrëfehet Ungjilli.
- Edhe i lumtur është ai që nuk do të skandalizohet për mua.
- Edhe tek po shkonin këta, Jisui zuri t’i thotë turmës për Joanin: Ç’dolët të shikoni në shkretëtirë? Kallam që tundet nga era?
- Po ç’dolët të shihni? Njeri të veshur me rroba të buta? Ja ata që kanë veshur rroba të buta tek janë nëpër shtëpitë e mbretërve.
- Po ç’dolët të shihni? Profet? Me të vërtetë po ju them juve, edhe më tepër se profet.
- Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: “Ja unë tek dërgoj engjëllin tim përpara faqes tënde, i cili do të ndreqë udhën tënde përpara teje”.
- Me të vërtetë po ju them juve, se në mes të atyre që kanë lindur prej grash nuk është ngritur ndonjë më i madh se Joan Pagëzori. Por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.
- Edhe që nga ditët e Joan Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve dhunohet dhe dhunuesit e rrëmbejnë atë.
- Sepse gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri në ditët e Joanit.
- Edhe në doni ta pranoni këtë fjalë, ai është Ilia që kishte për të ardhur.
- Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
- Po me se ta përngjaj këtë brez? U ngjan djemve të vegjël që rrinë nëpër tregjet dhe u thërrasin shokëve të tyre, e thonë:
- I ramë fyellit për ju dhe nuk kërcyet; ju bëmë vaj dhe nuk qatë.
- Sepse erdhi Joani që as hante, as pinte, dhe thonë: Ka djallin.
- Erdhi i Biri i njeriut duke ngrënë e duke pirë, e thonë: Ja një njeri hamës e verëpirës, mik i tagrambledhësve e i fajtorëve. Edhe doli e drejtë dituria nga bijtë e saj.
- Atëherë zuri të qortojë ato qytete, në të cilat u bënë çuditë e shumta të tij, sepse nuk u penduan:
- Mjerë ti, Horazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse çuditë që janë bërë tek ju, po të ishin bërë në Tir e në Sidonë, që kur do të ishin penduar në thes e në hi.
- Veç po ju them juve: Në Tir e në Sidonë më i durueshëm do të jetë mundimi në ditët e gjyqit, se tek ju.
- Edhe ti, Kapernaum, që je ngritur lart deri në qiell, do të zbresësh deri në had; sepse këto çudi që janë bërë tek ti, po të ishin bërë në Sodomë, banorët e saj do të kishin mbetur deri në ditët e sotme.
- Veç po ju them juve, se në dheun e Sodomës më i durueshëm do të jetë mundimi në ditët e gjyqit se tek ti.
- Në atë kohë Jisui u përgjigj e tha: Të lavdëroj ty, o Atë, Zot i qiellit edhe i dheut, se ua fshehe këto të diturve e të mençurve, dhe ua zbulove ato foshnjave.
- Po, o Atë, sepse kështu u pëlqye përpara teje.
- Të gjitha m’u dhanë në dorë nga Ati im; edhe asnjë nuk e njeh Birin, veç Ati; dhe as Atin s’e njeh njeri, veç Biri dhe ai, të cilit të dojë Biri t’ia zbulojë.
- Ejani tek unë gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar, dhe unë do t’ju preh ju.
- Ngrini zgjedhën time mbi veten tuaj, dhe mësoni prej meje, se jam i butë dhe i përulur në zemër. Edhe do të gjeni prehje në shpirtrat tuaj.
- Sepse zgjedha ime është e mirë, dhe barra ime është e lehtë.
Matheu 12
- Në atë kohë Jisui shkonte nëpër të mbjellat një ditë të shtunë; dhe nxënësve të tij u erdhi uri, dhe zunë të shkoqin kallinj e të hanë.
- Edhe Farisenjtë kur panë i thanë atij: Ja nxënësit e tu tek bëjnë atë që nuk është e udhës ta bëjnë të shtunën.
- Po ai u tha atyre: A nuk keni lexuar ç’bëri Davidi, kur i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me të?
- Si hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paravënies, të cilat nuk ishte e lejueshme t’i hante ai, as ata që ishin bashkë me të, por vetëm priftërinjtë?
- Apo nuk keni lexuar në ligj se të shtunave priftërinjtë e prishin të shtunën në tempull, dhe janë të pafajshëm?
- Edhe po ju them juve se këtu është një më i madh se tempulli.
- Edhe po ta kishit ditur ç’është “Dua përdëllim, e jo theror”, nuk do t’i kishit dënuar të pafajshmit.
- Sepse i Biri i njeriut është i zoti edhe i së shtunës.
- Edhe si iku andej, erdhi në sinagogën e tyre.
- Edhe ja tek ishte një njeri që kishte dorën të tharë; dhe e pyetën Jisuin, duke thënë nëse lejohet të shërojë njeriu të shtunën; që ta përflisnin atë.
- Edhe ai u tha atyre: Cili nga ju është ai njeri, që, nëse do të ketë një dele, dhe në i rëntë kjo në gropë ditën e shtunë, nuk do ta zërë e ta ngrerë atë?
- Sa më tepër pra ndryshon njeriu nga delja! Prandaj është e udhës të bëjë mirë njeriu të shtunave.
- Atëherë i thotë njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai e shtriu, dhe dora u bë e shëndoshë si tjetra.
- Po Farisenjtë dolën e bënë këshillë kundër atij, që ta zhdukin.
- Po Jisui si e kuptoi, iku andej; dhe shkuan pas tij shumë turma, dhe i shëroi ata të gjithë.
- Edhe i porositi ata rreptë të mos e tregojnë atë;
- që të përmbushet ç’është thënë nga profeti Isaia, që thotë:
- “Ja shërbëtori im që e zgjodha, i dashuri im, që e pëlqeu shpirti im; do të vë Shpirtin tim mbi atë, dhe ai do t’u shpallë gjyq kombeve.
- Nuk do të bëjë fjalë, as nuk do të bërtasë; as nuk do të dëgjojë ndonjë zërin e tij nëpër rrugë.
- Kallam të shtypur nuk do të shqyejë, dhe fitil liri që nxjerr tym nuk do të shuajë, derisa të nxjerrë gjyqin në fitore.
- Edhe kombet do të shpresojnë në emrin e tij”.
- Atëherë i prunë atij një të demonizuar, të verbër e të shurdhër, dhe e shëroi atë, kaq sa i verbëri dhe i shurdhëri fliste dhe shihte.
- Edhe gjithë turmat habiteshin e thoshin: Mos është ky i biri i Davidit?
- Po Farisenjtë kur dëgjuan, thanë: Ky nuk i nxjerr djajtë, veçse me anë të Velzevulit, të parit të djajve.
- Edhe Jisui si njohu mendimet e tyre, u tha atyre: Çdo mbretëri në u ndaftë kundër vetes së saj, shkretohet; dhe çdo qytet a shtëpi në u ndaftë kundër vetes së saj, nuk do të qëndrojë.
- Edhe Satanai në nxjerrtë Satanain, u nda kundër vetes së tij; si pra do të qëndrojë mbretëria e tij?
- Dhe në qoftë se unë i nxjerr djajtë me anë të Velzevulit, bijtë tuaj me çfarë i nxjerrin? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
- Por në qoftë se unë i nxjerr djajtë me anë të Shpirtit të Perëndisë, pa fjalë arriti tek ju mbretëria e Perëndisë.
- Ose si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fortit, e të rrëmbejë enët e tij, në mos lidhtë më përpara të fortin, dhe atëherë ta bëjë rrëmujë shtëpinë e atij?
- Ai që nuk është bashkë me mua, është kundër meje; dhe ai që nuk mbledh bashkë me mua, shpërndan.
- Prandaj ju them juve: Çdo faj e çdo sharje do t’u ndjehet njerëzve; po sharja kundër Shpirtit të Shenjtë nuk do t’u ndjehet njerëzve.
- Edhe atij që të thotë fjalë kundër të Birit të njeriut, do t’i ndjehet; po atij që të thotë fjalë kundër Shpirtit të Shenjtë, nuk do t’i ndjehet as në këtë jetë, as në atë që vjen.
- Ose bëni drurin të mirë dhe pemën e tij të mirë; ose bëni drurin të lig dhe pemën e tij të ligë; sepse druri njihet nga pema.
- Pjellë nepërkash, si mund të flisni të mira, duke qenë të ligj? Sepse goja flet nga teprica e zemrës.
- Njeriu i mirë nxjerr të mirat nga thesari i mirë i zemrës; dhe njeriu i lig nxjerr të liga nga thesari i lig.
- Dhe po ju them juve se çdo fjalë të kotë në e folshin njerëzit, do të japin llogari për atë në ditën e gjyqit.
- Sepse nga fjalët e tua do të dalësh i drejtë, dhe nga fjalët e tua do të dënohesh.
- Atëherë u përgjigjën disa nga shkruesit e nga Farisenjtë, duke thënë: Mësues, duam të shohim shenjë prej teje.
- Edhe ai u përgjigj, e u tha atyre: Brez i lig dhe i përdalë lyp shenjë; dhe shenjë nuk do t’i jepet atij, përveç shenjës së profetit Jona.
- Sepse siç ishte Jonai në bark të balenës tri ditë e tri net, kështu do të jetë edhe i Biri i njeriut në zemër të dheut tri ditë e tri net.
- Burra Ninevitë do të ngjallen në ditën e gjyqit bashkë me këtë brez dhe do ta gjykojnë për të lig; sepse u penduan në predikimin e Jonait; dhe ja këtu tek është më tepër se Jonai.
- Mbretëresha e jugut do të ngjallet bashkë me këtë brez në ditën e gjyqit, dhe do ta gjykojë për të lig; sepse erdhi nga anët e fundit të dheut, që të dëgjojë diturinë e Solomonit; dhe ja këtu tek është më tepër se Solomoni.
- Edhe fryma e ndyrë kur del nga njeriu shkon nëpër vende pa ujë, duke kërkuar prehje dhe nuk gjen.
- Atëherë thotë: Le të kthehem në shtëpinë time, andej nga dola. Edhe si vjen, e gjen atë të zbrazët, të fshirë e të stolisur.
- Atëherë shkon e merr me vete shtatë frymë të tjera më të liga se veten e saj, dhe hyjnë e rrinë atje; dhe të pastajmet e atij njeriu bëhen më të këqija se të parat. Kështu do të jetë me këtë brez të lig.
- Edhe ndërsa ai ishte duke i folur turmës, ja e ëma dhe të vëllezërit e tij tek po rrinin jashtë, e kërkonin të flisnin me të.
- Atëherë një njeri i tha atij: Ja nëna jote dhe vëllezërit e tu tek po rrinë jashtë, e kërkojnë të flasin me ty.
- Po ai u përgjigj e i tha atij që tha këtë: Cila është nëna ime, dhe cilët janë vëllezërit e mi?
- Edhe shtriu dorën e vet mbi nxënësit e tij, e tha: Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
- Sepse kush të bëjë dëshirën e Atit tim që është në qiejt, ai më është vëlla dhe motër dhe nënë.
Matheu 13
- Edhe atë ditë si doli Jisui nga shtëpia, rrinte pranë detit.
- Edhe u mblodhën tek ai shumë njerëz, kaq sa ai hyri në lundër e rrinte; dhe gjithë turma rrinte buzë detit.
- Edhe u foli atyre shumë me paravoli, duke thënë: Ja mbjellësi tek doli të mbjellë.
- Edhe ndërsa ai po mbillte, disa fara ranë pranë udhës; dhe erdhën shpendët e i hëngrën të gjitha.
- Edhe të tjera ranë mbi gurishte, ku s’kishte tokë shumë; edhe përnjëherë mbinë, sepse s’kishte tokë të thellë.
- Po kur lindi dielli, u dogjën, dhe pasi nuk kishin rrënjë, u thanë.
- Edhe të tjera ranë mbi drizat, dhe u rritën drizat, e i mbytën ato.
- Edhe të tjera ranë mbi dhe të mirë; dhe jepnin fruta, njëra njëqind, e tjetra gjashtëdhjetë, e tjetra tridhjetë.
- Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
- Edhe nxënësit erdhën pranë e i thanë atij: Përse u flet atyre me paravoli?
- Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Sepse juve ju është dhënë të merrni vesh të fshehtat e mbretërisë së qiejve, po atyre nuk u është dhënë.
- Sepse atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të teprojë; kurse atij që nuk ka, edhe ç’të ketë do të merret nga ai.
- Prandaj u flas atyre me paravoli, sepse duke parë nuk shohin, dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë, as nuk kuptojnë.
- Edhe mbushet në ata profecia e Isaisë, që thotë: “Për të dëgjuar do të dëgjoni, por nuk do të merrni vesh; dhe duke parë do të shihni, por nuk do të kuptoni.
- Sepse u trash zemra e këtij populli, dhe dëgjuan rëndë me veshët e tyre, dhe mbyllën sytë e tyre, se mos shohin ndonjëherë me sytë dhe dëgjojnë me veshët, dhe kuptojnë me zemrën, edhe kthehen, e i shëron ata”.
- Po juve ju janë të lumtur sytë, se shohin; edhe veshët tuaj, se dëgjojnë.
- Sepse me të vërtetë po ju them juve, se shumë profetë dhe të drejtë dëshiruan të shohin sa shihni ju, dhe nuk panë; edhe të dëgjojnë sa dëgjoni ju, dhe nuk dëgjuan.
- Ju pra dëgjoni paravolinë e mbjellësit.
- Kujtdo që dëgjon fjalën e Perëndisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe rrëmben atë që është mbjellë në zemrën e tij; ky është si ajo fara që u mboll pranë udhës.
- Edhe ç’u mboll mbi gurishte, ky është ai që dëgjon fjalën, dhe përnjëherë e merr me gëzim;
- por s’ka rrënjë në veten e tij, prandaj është për pak kohë; sepse kur bëhet shtrëngim ose përndjekje për fjalën, menjëherë skandalizohet.
- Edhe ç’u mboll ndër drizat, ky është ai që dëgjon fjalën; por kujdesi i kësaj bote, dhe gënjimi i pasurisë mbyt fjalën, dhe bëhet i pafrytshëm.
- Edhe ç’u mboll mbi tokë të mirë, ky është ai që dëgjon fjalën, dhe e kupton; prandaj ai sjell fryte, dhe bën njëri njëqind, dhe tjetri gjashtëdhjetë, e tjetri tridhjetë.
- Një tjetër paravoli u pruri atyre, duke thënë: Mbretëria e qiejve ngjan me një njeri që mbolli farë të mirë në arën e tij.
- Po ndërsa flinin njerëzit, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit, dhe iku.
- Edhe kur mbiu bari e bëri pemë, atëherë u duk edhe egjëri.
- Edhe shërbëtorët erdhën pranë të zotit të shtëpisë e i thanë: Zot, a nuk mbolle ti farë të mirë në arën tënde? Nga doli pra egjëri?
- Po ai u tha atyre: Ndonjë njeri armik e ka bërë këtë. Edhe shërbëtorët i thanë atij: Do pra të shkojmë e ta mbledhim atë?
- Po ai tha: Jo, sepse duke mbledhur egjërin, mos shkulni edhe grurin bashkë me të.
- Lërini të rriten të dy bashkë deri në korrje dhe në kohën e korrjes do t’u them korrësve: Mblidhni më përpara egjërin dhe e lidhni dorëza për ta djegur atë; po grurin mblidheni në grunarin tim.
- Një tjetër paravoli u pruri atyre duke thënë: Mbretëria e qiejve ngjan me një kokërr sinapi, të cilën e mori një njeri dhe e mbolli në arën e tij.
- Ajo është më e vogël se gjithë farërat, po kur rritet, është më e madhe se lakrat, dhe bëhet dru, kaq sa vijnë zogjtë e qiellit e rrinë në degët e tij.
- Një tjetër paravoli u foli atyre: Mbretëria e qiejve ngjan me brumin, të cilin e mori një grua dhe e fshehu në tri masa mielli, deri sa u mbrujt i gjithë.
- Këto të gjitha ua foli Jisui turmave me paravolira, dhe pa paravoli nuk u fliste atyre;
- që të përmbushet ç’është thënë nga profeti që thotë: “Do të hap gojën time me paravolira; do të flas gjëra të fshehta që kur është themeluar bota”.
- Atëherë Jisui la turmën e erdhi në shtëpi, dhe nxënësit e tij i erdhën pranë e i thanë: Zgjidhna paravolinë e egjërit të arës.
- Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ai që mbjell farën e mirë është i Biri i njeriut;
- dhe ara është bota; dhe fara e mirë, këta janë të bijtë e mbretërisë; dhe egjëri janë të bijtë e të ligut.
- Edhe armiku që mbolli atë, është djalli; dhe korrja është mbarimi i jetës; dhe korrësit janë engjëjt.
- Pra siç mblidhet egjëri dhe digjet në zjarr, kështu do të jetë në mbarim të kësaj jete.
- I Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që punojnë paudhësinë.
- Edhe do t’i hedhin ata në furrën e zjarrit; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
- Atëherë të drejtët do të ndrisin si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
- Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në arë, të cilin kur e gjeti një njeri e fshehu; dhe nga gëzimi i tij shkon e shet gjithçka dhe blen atë arë.
- Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një njeri tregtar, që kërkonte margaritarë të mirë,
- i cili kur gjeti një margaritar shumë të vlefshëm, shkoi e shiti gjithë sa kishte dhe e bleu atë.
- Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një rrjetë që u hodh në det dhe mblodhi çdo lloj gjëje.
- Edhe si u mbush, e nxorën atë në buzë të detit dhe ndenjën e mblodhën të mirat në enë, dhe të këqijat i hodhën jashtë.
- Kështu do të jetë në mbarim të jetës. Do të dalin engjëjt e do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët,
- edhe do t’i hedhin ata në furrën e zjarrit; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
- U thotë atyre Jisui: A i kuptuat këto të gjitha? I thonë atij: Po, Zot.
- Edhe ai u tha atyre: Prandaj çdo shkrues që ka mësuar punët e mbretërisë së qiejve ngjan me një njeri zot shtëpie, që nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja dhe të vjetra.
- Edhe Jisui, si mbaroi këto paravolira, iku andej.
- Edhe si erdhi në dhe të tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kaq sa ata çuditeshin e thoshin: Nga i erdhi këtij kjo dituri e këto fuqi?
- A nuk është ky i biri i mjeshtrit? E ëma e tij a nuk quhet Mariam, dhe të vëllezërit e tij Jakov dhe Josi dhe Simon dhe Juda?
- Edhe të motrat e tij a nuk janë të gjitha ndër ne? Nga i erdhën këtij pra këto të gjitha?
- Edhe skandalizoheshin me të. Por Jisui u tha atyre: Nuk ka profet të panderuar, përveçse në atdheun e tij e në shtëpinë e tij.
- Edhe nuk bëri atje shumë çudira për shkak të pabesisë së tyre.
Matheu 14
- Në atë kohë Irodi, tetrarku, dëgjoi për Jisuin.
- Edhe u tha shërbëtorëve të tij: Ky është Joan Pagëzori. Ai është ngjallur së vdekurish, dhe prandaj bëhen çudira nga ai.
- Sepse Irodi zuri Joanin, dhe e lidhi, dhe e vuri në burg, për shkak të Irodiadës, gruas së Filipit, të vëllait.
- Sepse Joani i thoshte atij: Nuk është e lejueshme ta kesh ti atë.
- Edhe donte ta vriste atë, po kishte frikë prej turmës, sepse e kishin për profet.
- Edhe kur po bëhej festimi i ditës së lindjes së Irodit, e bija e Irodiadës luajti valle në mes, dhe i pëlqeu Irodit.
- Prandaj iu zotua asaj me be t’i japë ç’të kërkonte.
- Edhe ajo, si u mësua prej së ëmës, thotë: Jepmë kryet e Joan Pagëzorit këtu mbi një pjatë.
- Edhe mbretit i erdhi keq, po për betimet që kishte bërë, dhe për ata që ishin ndenjur në tryezë bashkë me të, urdhëroi t’i jepet.
- Edhe dërgoi e i preu kryet Joanit në burg.
- Edhe kryet e tij u pru mbi një pjatë e iu dha vajzës. Edhe ajo ia pruri së ëmës.
- Edhe si erdhën nxënësit e atij e ngritën trupin dhe e varrosën; pastaj erdhën e lajmëruan Jisuin.
- Edhe Jisui, kur dëgjoi, iku prej andej me lundër në një vend të shkretë veçan; dhe turmat kur dëgjuan, i shkuan prapa me këmbë nga qytetet.
- Edhe kur doli Jisui, pa shumë njerëz, dhe iu dhimbs për ta, dhe shëroi të sëmurët e tyre.
- Edhe si u ngrys, i erdhën pranë nxënësit e tij, e i thanë: Vendi është i shkretë dhe koha tani ka shkuar. Lësho turmën, që të shkojnë nëpër kryefshatrat të blejnë të ngrëna për veten e tyre.
- Por Jisui u tha atyre: Nuk kanë nevojë të shkojnë. Jepuni ju atyre të hanë.
- Edhe ata i thonë atij: Nuk kemi këtu veçse pesë bukë dhe dy peshq.
- Edhe ai tha: M’i sillni mua ato këtu.
- Edhe urdhëroi turmat të rrinë mbi bar, dhe mori të pesë bukët e të dy peshqit, dhe ngriti sytë përpjetë në qiejt dhe bekoi; dhe pasi i theu, ua dha bukët nxënësve, dhe nxënësit turmave.
- Edhe hëngrën të gjithë e u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, dymbëdhjetë kofinë plot.
- Edhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, veç grave e fëmijëve.
- Edhe përnjëherë Jisui i shtrëngoi nxënësit e tij të hyjnë në lundër, dhe të shkojnë përtej më përpara se ai, deri sa të lëshojë turmat.
- Edhe si lëshoi turmat, u ngjit në mal veçan që të falet; dhe si u ngrys, ishte vetëm atje.
- Edhe lundra ishte tani në mes të detit duke u përpjekur nga valët; sepse era ishte kundër.
- Edhe në orën e katërt të natës Jisui shkoi tek ata, duke ecur përmbi det.
- Edhe nxënësit kur e panë që po ecte përmbi det, u trembën e thanë se është hije. Dhe nga frika bërtitën.
- Po Jisui përnjëherë u foli atyre, duke thënë: Guxim, jam unë, mos u frikësoni.
- Edhe Pjetri iu përgjigj e tha: Zot, në je ti, urdhëromë të vij tek ti mbi ujërat.
- Edhe ai tha: Eja. Edhe Pjetri zbriti nga lundra dhe eci mbi ujërat, që të vinte tek Jisui.
- Po kur pa erën e fortë, u frikësua; dhe si zuri të zhytet, bërtiti, duke thënë: Zot, shpëtomë.
- Edhe Jisui përnjëherë zgjati dorën, e zuri, dhe i thotë: O besëpakë, përse dyshove?
- Edhe si hynë ata në lundër, pushoi era.
- Edhe ata që ishin në lundër erdhën e iu falën atij, duke thënë: Me të vërtetë je bir Perëndie.
- Edhe si shkuan përtej, erdhën në dheun Gjenisaret.
- Edhe njerëzit e atij vendi, kur e njohën, dërguan nëpër gjithë ato anë dhe i prunë atij gjithë ata që kishin keq.
- Edhe i luteshin atij të preknin vetëm cepin e rrobës së tij. Dhe gjithë sa e prekën u shëruan.
Matheu 15
- Atëherë vijnë tek Jisui shkruesit dhe Farisenjtë nga Jerusalemi, e i thonë:
- Përse nxënësit e tu shkelin fjalën që kanë lënë pleqtë? Sepse s’lajnë duart e tyre, kur hanë bukë.
- Po ai u përgjigj e u tha atyre: Përse edhe ju shkelni porosinë e Perëndisë për hir të traditës suaj?
- Sepse Perëndia porositi, duke thënë: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”, dhe: “Ai që flet keq për të atin ose për të ëmën le të vritet”.
- Po ju thoni: Kush t’i thotë të atit apo së ëmës se çdo të mirë që të shohësh prej meje është dhuratë, është mjaft, dhe mund të mos nderojë të atin apo të ëmën.
- Dhe s’mbajtët porosinë e Perëndisë për hir të traditës suaj.
- Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, duke thënë:
- “Ky popull më afrohet me gojën e tij, dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre është larg prej meje.
- Edhe kot më nderojnë, duke mësuar mësime që janë porosi njerëzish”.
- Edhe si thirri turmën, u tha: Dëgjoni dhe kuptoni.
- Ç’hyn në gojë nuk e ndyn njeriun, por ç’del nga goja, kjo e ndyn njeriun.
- Atëherë u afruan nxënësit e tij, e i thanë: A e di se Farisenjtë kur dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?
- Edhe ai u përgjigj e tha: Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellori, do të shkulet.
- Lërini ata, se janë të verbër që u heqin udhën të verbërve. Dhe në qoftë se një i verbër i heq udhën një të verbëri, të dy do të bien në gropë.
- Edhe Pjetri u përgjigj e i tha atij: Shpjegona këtë paravoli.
- Edhe Jisui tha: Ende po pa mend jeni ju?
- Edhe nuk po kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë zbret në bark, dhe nxirret në jashtëqitje?
- Por ato që dalin nga goja, dalin nga zemra, dhe ato e ndyjnë njeriun.
- Sepse nga zemra dalin mendime të liga, vrasje, ndyrësira, imoralitete, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemira.
- Këto janë ato që e ndyjnë njeriun; kurse të ngrënët me duar të palara nuk e ndyn njeriun.
- Edhe Jisui, si doli andej, iku në anët e Tirit e të Sidonës.
- Edhe ja një grua Kananease tek doli nga kufijtë e tyre, e i thërriste duke thënë: Përdëllemë, o Zot, bir i Davidit. Ime bijë mundohet keq prej djallit.
- Po ai nuk iu përgjigj asaj ndonjë fjalë. Dhe nxënësit e tij erdhën pranë e i luteshin, duke thënë: Lëshoje atë, sepse po thërret prapa nesh.
- Por ai u përgjigj e tha: Nuk u dërgova gjetiu, veç te dhentë e humbura të shtëpisë së Izraelit.
- Pastaj ajo erdhi e i falej atij, duke thënë: Zot, ndihmomë.
- Por ai u përgjigj e tha: Nuk është mirë të marrë njeriu bukën e fëmijëve, e t’ua hedhë këlyshëve të qenve.
- Edhe ajo tha: Po, Zot; por edhe këlyshët e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve.
- Atëherë Jisui u përgjigj e i tha asaj: O grua, besa jote është e madhe; t’u bëftë si do. Edhe e bija u shërua që në atë çast.
- Edhe Jisui iku andej, e erdhi pranë detit të Galilesë, dhe u ngjit në mal, e rrinte atje.
- Edhe erdhën tek ai shumë njerëz, që kishin me vete të çalë, të verbër, të shurdhër, doracë, dhe shumë të tjerë; dhe i hodhën pranë këmbëve të Jisuit, dhe ai i shëroi ata,
- kaq sa u çuditën turmat, kur panë të shurdhër të flasin, doracë të shëndoshur, të çalë të ecin, dhe të verbër të shohin; dhe lavdëruan Perëndinë e Izraelit.
- Atëherë Jisui thirri pranë nxënësit e tij, e tha: Më dhimbset për turmën, sepse kanë tashmë tri ditë që rrinë pranë meje e s’kanë ç’të hanë; dhe nuk dua t’i lëshoj ata pa ngrënë, se mos këputen udhës.
- Edhe nxënësit e tij i thonë: Ku do të na gjenden këtu në shkretëtirë kaq bukë, sa të ngopen kaq njerëz?
- Edhe Jisui u tha atyre: Sa bukë keni? Edhe ata thanë: Shtatë, dhe pak peshq të vegjël.
- Edhe ai urdhëroi turmat të ulen përdhe.
- Edhe si mori të shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, dhe i theu, dhe ua dha nxënësve të tij, dhe nxënësit turmave.
- Edhe hëngrën të gjithë e u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë shporta plot.
- Edhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, veç grave e fëmijëve të vegjël.
- Edhe si lëshoi turmat, hyri në lundër, dhe erdhi në kufijtë e Magdalasë.
Matheu 16
- Edhe i erdhën pranë Farisenjtë e Saduqenjtë, dhe duke e ngarë atë kërkonin t’u tregonte atyre shenjë nga qielli.
- Po ai u përgjigj e u tha atyre: Kur bëhet mbrëmje, thoni: Do të bëjë kohë e mirë, sepse qielli është i kuq.
- Edhe në mëngjes: Sot do të bëjë kohë e keqe; sepse qielli është i kuq e i vrenjtur. Hipokritë, faqen e qiellit dini ta shquani, po shenjat e kohërave nuk mundni?
- Brez i lig dhe i përdalë kërkon shenjë; dhe shenjë nuk do t’i jepet atij, përveç shenjës së profetit Jona. Edhe i la e iku.
- Edhe nxënësit si erdhën përtej, harruan të marrin bukë.
- Edhe Jisui u tha atyre: Shikoni e ruhuni me kujdes nga brumi i Farisenjve e i Saduqenjve.
- Edhe ata mendoheshin me veten e tyre, duke thënë se nuk morëm bukë.
- Edhe Jisui, si e kuptoi, u tha atyre: ç’mendoheni me veten tuaj, o besëpakë, se nuk morët bukë?
- Ende nuk po kuptoni, as nuk mbani mend të pesë bukët e të pesë mijëve, dhe sa kofinë morët?
- As të shtatë bukët e të katër mijëve, dhe sa shporta morët?
- Si nuk kuptoni se nuk ju thashë juve për bukë, por të ruheni nga brumi i Farisenjve e i Saduqenjve?
- Atëherë e kuptuan, se nuk u tha të ruhen nga brumi i bukës, por nga mësimi i Farisenjve e i Saduqenjve.
- Edhe Jisui, kur erdhi në anët e Qesarisë së Filipit, pyeste nxënësit e tij, duke thënë: Cili thonë njerëzit se jam unë, Biri i njeriut?
- Edhe ata thanë: Ca thonë se je Joan Pagëzori, e të tjerë Ilia, e të tjerë Jeremia, ose një nga profetët.
- U thotë atyre: Po ju cili thoni se jam unë?
- Edhe Simon Pjetri u përgjigj e tha: Ti je Krishti, i biri i Perëndisë së gjallë.
- Edhe Jisui u përgjigj e i tha: I lumtur je ti, Simon, bir i Jonait, sepse mish dhe gjak nuk ta zbuloi ty këtë, po Ati im që është në qiejt.
- Edhe unë po të them se ti je Pjetër (shkëmb), dhe përmbi këtë shkëmb do të ndërtoj kishën time; dhe dyert e hadit nuk do të kenë fuqi përmbi të.
- Edhe do të të jap ty kyçet e mbretërisë së qiejve; dhe ç’të lidhësh mbi dhe, do të jetë lidhur në qiejt; dhe ç’të zgjidhësh mbi dhe, do të jetë zgjidhur në qiejt.
- Atëherë porositi nxënësit e tij të mos i thonë asnjeriu se ai është Jisu Krishti.
- Që atëherë Jisui zuri t’u tregojë nxënësve të tij se duhet të shkojë në Jerusalem, dhe të pësojë shumë nga pleqtë dhe nga kryepriftërinjtë e nga shkruesit, dhe të vritet, dhe të tretën ditë të ngjallet.
- Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe zuri ta qortojë, duke thënë: Le të të dhimbset vetja jote, Zot. Nuk do të bëhet kjo tek ti.
- Po ai u kthye e i tha Pjetrit: Ik prej meje, Satana, se më je skandal; sepse s’ke ndër mend punët e Perëndisë, po punët e njerëzve.
- Atëherë Jisui u tha nxënësve të tij: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij, dhe le të ngrerë kryqin e tij, dhe le të vijë pas meje.
- Sepse ai që të dojë të shpëtojë shpirtin e tij, do ta humbasë atë; dhe ai që të humbasë shpirtin e tij për shkakun tim, do ta gjejë atë.
- Sepse ç’dobi ka njeriu, në fitoftë tërë botën, e të dëmtojë shpirtin e tij? Apo ç’do të japë njeriu për këmbim të shpirtit të tij?
- Sepse ka për të ardhur Biri i njeriut në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e tij dhe atëherë do t’ia shpërblejë gjithësecilit sipas punës së tij.
- Me të vërtetë po ju them juve se janë ca nga ata që rrinë këtu, të cilët nuk do të provojnë vdekje, deri sa të shohin të Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e tij.
Matheu 17
- Edhe pas gjashtë ditësh Jisui merr me vete Pjetrin dhe Jakovin dhe Joanin, vëllanë e tij, dhe i ngjit mbi një mal të lartë veçan.
- Edhe ndërroi fytyrën përpara tyre; dhe fytyra e tij ndriti porsi dielli, dhe rrobat e atij u bënë të bardha porsi drita.
- Edhe ja tek iu dukën atyre Moisiu dhe Ilia duke folur bashkë me të.
- Edhe Pjetri u përgjigj e i tha Jisuit: Zot, mirë është të jemi ne këtu. Nëse do, le të bëjmë këtu tri tenda, një për ty dhe një për Moisiun e një për Ilian.
- Edhe ndërsa ai ishte duke folur, ja tek i mbuloi ata një re e ndritshme; dhe ja një zë nga reja tek thoshte: Ky është biri im i dashuri, që e pëlqeva. Atë dëgjoni.
- Edhe nxënësit kur dëgjuan, ranë përmbys, dhe u frikësuan fort.
- Po Jisui erdhi pranë e i zuri dhe tha: Ngrihuni, e mos u frikësoni.
- Edhe kur ata ngritën sytë, nuk panë asnjë, përveçse Jisuin vetëm.
- Edhe tek zbritnin nga mali, Jisui i porositi, duke thënë: Mos i thoni asnjeriu se ç’patë, deri sa të ngjallet i Biri i njeriut prej së vdekurish.
- Dhe nxënësit e tij e pyetën, duke thënë: Përse pra thonë shkruesit se duhet të vijë më përpara Ilia?
- Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Ilia vjen më përpara, dhe do të vërë në vend gjithçka.
- Por unë po ju them juve se Ilia erdhi tashmë dhe nuk e njohën, por i bënë ç’deshën. Kështu edhe Biri i njeriut do të vuajë nga ata.
- Atëherë e kuptuan nxënësit se u tha për Joan Pagëzorin.
- Edhe kur erdhën ata tek turma, i erdhi pranë një njeri e i ra në gjunjë, duke thënë:
- Zot, përdëlle tim bir, sepse e zë sëmundja e hënës (e tokës), dhe heq keq; sepse shumë herë bie në zjarr, e shumë herë në ujë.
- Edhe e çova te nxënësit e tu, por nuk mundën ta shërojnë.
- Edhe Jisui u përgjigj e tha: O brez i pabesë dhe i shtrembër, deri kur do të jem bashkë me ju? Deri kur do t’ju duroj ju? Sillmani mua atë këtu.
- Edhe Jisui e qortoi atë, dhe djalli doli nga ai, dhe djali u shërua që në atë çast.
- Atëherë nxënësit erdhën pranë Jisuit veçan, e thanë: Pse ne nuk mundëm ta nxjerrim atë?
- Edhe Jisui u tha atyre: Për pabesinë tuaj. Sepse me të vërtetë po ju them juve: Në paçi besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: Shko së këtejmi atje, dhe do të shkojë, dhe nuk do të ketë gjë që të mos mund ta bëni ju.
- Edhe ky komb nuk del veç me falje e me agjërim.
- Edhe ndërsa ata po silleshin përqark në Galile, Jisui u tha atyre: I Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve.
- Edhe do ta vrasin atë, dhe të tretën ditë do të ngjallet. Edhe atyre u erdhi keq fort.
- Edhe kur erdhën në Kapernaum, erdhën pranë Pjetrit ata që merrnin pagesën e të dy dhrahmive, dhe i thanë: A nuk i paguan mësuesi juaj të dy dhrahmitë?
- Ai thotë: Po. Edhe kur hyri në shtëpi, Jisui e priti, duke thënë: Si të duket, Simon? Nga cilët marrin pagesa ose të ardhura mbretërit e dheut, nga bijtë e tyre, apo nga të huajt.
- Pjetri i thotë atij: Nga të huajt. Jisui i tha atij: Bijtë pra janë të çliruar.
- Por që të mos i skandalizojmë ata, shko në det e hidh një grep, dhe ngri peshkun e parë që të dalë, dhe si t’i hapësh gojën, do të gjesh një statir. Merre, dhe jepua atyre për mua dhe për ty.