Κυριακή 9 Αυγούστου 2009

Ungjilli sipas Mattheut-KAPITULLI 23

Matheu 23

  1. Atëhere Jisui u foli turmave dhe nxënësve të tij,
  2. duke thënë: Shkruesit dhe Farisenjtë ndenjën mbi fronin e Moisiut.
  3. Gjithë sa t’ju thonë pra juve t’i ruani, t’i ruani dhe t’i bëni; por sipas punëve të tyre mos bëni; sepse thonë dhe nuk bëjnë.
  4. Sepse lidhin pesha të rënda që nuk mbahen dhe i vënë mbi kurriz të njerëzve; por me gishtin e tyre nuk duan t’i luajnë.
  5. Edhe gjithë punët e tyre i bëjnë që të duken ndër njerëzit. Dhe zgjerojnë hajmalitë e tyre dhe zmadhojnë cepat e rrobave të tyre.
  6. Edhe duan kreun e mësallës nëpër darkat dhe vendet e para nëpër sinagoga,
  7. edhe përshëndetjet nëpër tregje, dhe të quhen nga njerëzit: Rabi*.
  8. Po ju mos u quani Rabi, sepse një është mësuesi juaj, Krishti, dhe të gjithë ju jeni vëllezër.
  9. Edhe mos quani ndonjë atë për ju mbi dhe; sepse një është Ati juaj, ai që është në qiejt.
  10. As mos u quani mësues; sepse një është mësuesi juaj, Krishti.
  11. Po më i madhi prej jush do të jetë shërbëtori juaj.
  12. Edhe kush të lartësojë veten e tij, do të ulet; dhe kush të ulë veten e tij, do të lartësohet.
  13. Po mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse mbyllni mbretërinë e Perëndisë përpara njerëzve; sepse ju nuk hyni dhe as ata që hyjnë nuk i lini të hyjnë.
  14. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse hani shtëpitë e të vejave, dhe këtë e bëni me shkak se bëni falje të gjata; prandaj do të merrni më tepër mundim.
  15. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, se shëtitni detin dhe tokën për të bërë një prozelit; dhe si të bëhet prozelit, e bëni atë bir gjehene dy herë më tepër se veten tuaj.
  16. Mjerë ju udhëheqës të verbër, që thoni: Kush të betohet për tempullin, nuk është gjë; po kush të betohet për arin e tempullit, ka detyrim.
  17. Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh, ari apo tempulli që shenjtëron arin?
  18. Edhe: Kush të betohet për altarin, nuk është gjë; po kush të bëjë be për dhuratën që është mbi të, ka detyrim.
  19. Të marrë edhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, dhurata apo altari që shenjtëron dhuratën?
  20. Ai pra që betohet për altarin, betohet për atë dhe për gjithë ato që janë përmbi të.
  21. Edhe ai që betohet për tempullin, betohet për atë që rri në të.
  22. Edhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë, dhe për atë që rri mbi të.
  23. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse jepni të dhjetën e mendrës e të marajt e të barit të gjumit; dhe keni lënë më të rëndësishmet e ligjit, gjyqin dhe përdëllimin dhe besimin. Këto duhet t’i bëni, dhe ato të mos i lini.
  24. Udhëheqës të verbër, që shtrydhni mushkonjën, dhe gamilen e përpini.
  25. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës dhe të kupës, po përbrenda janë plot me rrëmbime e pa vetëpërmbajtje.
  26. Farise i verbër, pastro më përpara atë që është brenda në gotë dhe në kupë, që të bëhet e pastër edhe ana e jashtme e tyre.
  27. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse ngjani me varre të lyer me gëlqere, të cilët nga jashtë duken të bukur, po përbrenda janë plot me eshtra të vdekurish e çdo lloj ndyrësie.
  28. Kështu edhe ju, nga jashtë dukeni të drejtë tek njerëzit, po përbrenda jeni plot me hipokrizi e me paligjësi.
  29. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse ndërtoni varret e profetëve dhe stolisni përmendoret e të drejtëve.
  30. Edhe thoni: Po të ishim ne në ditët e etërve tanë, nuk do të ishim pjesëtarë me ata në gjakun e profetëve.
  31. Kështu pra dëshmoni për veten tuaj se jeni të bijtë e atyre që vranë profetët.
  32. Mbushni edhe ju masën e etërve tuaj.
  33. Gjarpërinj, pjellë nepërkash, si do të ikni nga dënimi i gjehenës?
  34. Prandaj, ja unë tek do të dërgoj tek ju profetë dhe të ditur dhe shkrues; dhe disa nga ata do t’i vrisni e do t’i kryqëzoni, dhe disa nga ata do t’i rrihni nëpër sinagogat tuaja dhe do t’i ndiqni prej qyteti në qytet,
  35. që të vijë mbi ju çdo gjak i drejtë që është derdhur mbi dhe, që nga gjaku i Abelit të drejtë e deri në gjakun e Zaharisë, të birit të Varahiut, të cilin e vratë në mes të tempullit e të altarit.
  36. Me të vërtetë po ju them juve: Të gjitha këto do të vijnë mbi këtë brez.
  37. Jerusalem, Jerusalem, që vret profetët, dhe rreh me gurë ata që janë dërguar tek ti, sa herë desha të mbledh bijtë e tu, siç mbledh pula zogjtë e saj nën krahë, por nuk deshët?
  38. Ja shtëpia juaj tek po ju lihet e shkretë.
  39. Sepse po ju them juve: Nuk do të më shihni pastaj, deri sa të thoni: I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.

* Mësues

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου