Τετάρτη 2 Σεπτεμβρίου 2009

Ungilli sipas Markut KAPITULLI 10

Marku 10

  1. Edhe si u ngrit andej, vjen në kufijtë e Judesë, në anën e përtejme të Jordanit, dhe prapë turma mblidhen pranë tij, dhe siç e kishte zakon, përsëri i mësonte.
  2. Edhe si i erdhën pranë Farisenjtë, e pyetën duke e ngarë atë: A është e udhës burri ta lërë gruan?
  3. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ç’ju ka porositur Moisiu?
  4. Edhe ata thanë: Moisiu dha leje të shkruajë kartë ndarjeje dhe ta lërë.
  5. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Për zemrën tuaj të ashpër jua shkroi juve këtë porosi.
  6. Po që në fillim të krijesës, mashkull e femër i bëri ata Perëndia.
  7. “Për këtë punë njeriu do të lërë të atin e të ëmën,
  8. edhe do të ngjitet pas gruas së tij, dhe do të jenë të dy në një mish”, kaq sa nuk janë më dy, po një mish.
  9. Atë pra që Perëndia e bëri çift, njeriu le të mos e ndajë.
  10. Edhe në shtëpi përsëri e pyetën nxënësit e tij po për atë gjë.
  11. Edhe ai u thotë atyre: Kush të lërë gruan e tij e të martohet me tjetër, bën imoralitet me atë.
  12. Edhe gruaja, në lëntë burrin e saj dhe të martohet me tjetër, bën imoralitet.
  13. Edhe i prunë atij fëmijë të vegjël, që t’i prekë; dhe nxënësit i qortonin ata që i sillnin.
  14. Po Jisui kur pa, u zemërua dhe u tha atyre: Lerini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i ndaloni; sepse e të këtillëve është mbretëria e Perëndisë.
  15. Me të vërtetë po ju them juve, ai që të mos presë mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël nuk do të hyjë në të.
  16. Edhe si i mori në krah, vuri duart mbi ata dhe i bekoi.
  17. Edhe ndërsa po dilte në rrugë, një njeri u lëshua me vrap, edhe ra në gjunjë përpara tij, dhe e pyeste: Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?
  18. Edhe Jisui i tha: Ç’më thua i mirë? Asnjë s’është i mirë, përveç një, Perëndia.
  19. Porositë i di: “Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos jep dëshmi të rreme. Mos bëj dëm. Ndero atin tënd dhe nënën tënde”.
  20. Edhe ai iu përgjigj, e i tha: Mësues, këto i kam ruajtur që në rininë time.
  21. Edhe Jisui hodhi sytë mbi të, dhe e deshi, dhe i tha: Një gjë të mungon, shko e shit sa ke, edhe jepua të varfërve dhe do të kesh thesar në qiell, dhe eja, ngri kryqin e eja pas meje.
  22. Po ai u mërzit nga kjo fjalë, dhe iku i hidhëruar, se kishte gjë shumë.
  23. Edhe Jisui, si hodhi sytë përreth, u tha nxënësve të tij: Sa me vështirësi do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që kanë pasuri!
  24. Edhe nxënësit tmerroheshin për fjalët e tij. Po Jisui përsëri u përgjigj e u tha atyre: Djem, sa gjë e vështirë është të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që shpresojnë në pasurinë!
  25. Më kollaj është të shkojë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.
  26. Edhe ata çuditeshin tepër, duke thënë me veten e tyre: Dhe cili mund të shpëtojë?
  27. Edhe Jisui si hodhi sytë mbi ta, tha: Për njerëzit është punë e pamundur, po jo për Perëndinë; sepse të gjitha janë të mundura për Perëndinë.
  28. Edhe Pjetri zuri t’i thotë: Ja ne tek i lamë të gjitha dhe erdhëm pas teje.
  29. Edhe Jisui u përgjigj e tha: Me të vërtetë po ju them juve, se s’ka asnjë, që la shtëpi, a vëllezër, a motra, a atë, a nënë, a grua, a djem, a ara, për shkakun tim dhe të ungjillit,
  30. që të mos marrë për një njëqind tani në këtë kohë, shtëpi, e vëllezër, e motra, e nënë, e bij, e ara, bashkë me përndjekje, dhe në jetën që vjen jetë të përjetshme.
  31. Po shumë të parë do të jenë të fundit, dhe të fundit të parë.
  32. Edhe ishin në udhë duke u ngjitur në Jerusalem; dhe Jisui ishte duke shkuar përpara tyre, dhe ata çuditeshin, dhe vinin prapa duke pasur frikë. Edhe ai mori pranë përsëri të dymbëdhjetët, dhe zuri t’u thotë ato që do t’i ngjanin atij,
  33. se ja tek po ngjitemi në Jerusalem, dhe i Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve dhe shkruesve, edhe do ta gjykojnë për vdekje, dhe do t’ua dorëzojnë kombeve;
  34. edhe do ta përqeshin, dhe do ta rrahin, dhe do ta pështyjnë, dhe do ta vrasin, dhe të tretën ditë do të ngjallet.
  35. Edhe atëherë vijnë tek ai Jakovi dhe Joani, të bijtë e Zevedheut, duke thënë: Mësues, duam të na bësh atë që të kërkojmë.
  36. Edhe ai u tha atyre: Ç’doni t’ju bëj unë juve?
  37. Edhe ata i thanë: Jepna të rrimë njëri nga e djathta jote dhe njëri nga e majta jote, në lavdinë tënde.
  38. Po Jisui u tha atyre: S’dini se ç’lypni. A mundeni të pini kupën që pi unë, dhe të pagëzoheni me pagëzimin që pagëzohem unë?
  39. Edhe ata i thanë: Mundemi. Edhe Jisui u tha atyre: Kupën, që pi unë, do ta pini, dhe me pagëzimin, që pagëzohem unë, do të pagëzoheni.
  40. Po të rrini nga e djathta ime e nga e majta ime, nuk është puna ime ta jap, po do t’u jepet atyre, për të cilët është bërë gati.
  41. Edhe të dhjetët kur dëgjuan, zunë të zemërohen për Jakovin dhe për Joanin.
  42. Por Jisui, si i thirri pranë, u thotë atyre: E dini se ata që mbahen për të parë të kombeve me shtrëngim zotërojnë mbi ata, dhe të mëdhenjtë e tyre me pushtet i urdhërojnë ata.
  43. Por nuk do të jetë kështu ndër ju, po kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj.
  44. Edhe kush të dojë prej jush të bëhet i parë, do të jetë shërbëtor i të gjithëve.
  45. Sepse edhe i Biri i njeriut nuk erdhi të shërbehet, po të shërbejë, dhe të japë jetën e tij shpërblim për shumë veta.
  46. Pastaj vijnë në Jeriko; dhe ndërsa dilte prej Jerikosë ai dhe nxënësit e tij, dhe mjaft njerëz, Bartimeu i verbër, i biri i Timeut, rrinte pranë udhës duke lypur.
  47. Edhe kur dëgjoi se është Jisu Nazaretasi, zuri të thërrasë e të thotë: Jisu, bir i Davidit, përdëllemë.
  48. Edhe shumë veta e qortonin, që të mos bëjë zë; po ai thërriste shumë më tepër: Bir i Davidit, përdëllemë.
  49. Edhe Jisui qëndroi dhe tha të thërritet; dhe ata e thërresin të verbërin, e i thonë: Merr zemër, ngrihu; po të thërret.
  50. Edhe ai, si hodhi rrobën e tij, u ngrit e erdhi tek Jisui.
  51. Edhe Jisui u përgjigj e i thotë: Ç’do të të bëj? Edhe i verbëri i tha: Rabuni, të hap sytë.
  52. Edhe Jisui i tha: Shko; besimi yt të shpëtoi. Edhe përnjëherë hapi sytë, dhe vinte pas Jisuit në rrugë.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου