Τετάρτη 2 Σεπτεμβρίου 2009

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 12

Marku 12

  1. Pastaj zuri t’u flasë atyre me paravolira. Një njeri mbolli një vresht, dhe e thuri me gardh, dhe gërmoi një sternë, dhe ndërtoi një pirg, dhe e pajtoi ndër bujq, edhe iku në dhe të huaj.
  2. Edhe në kohën e pemëve dërgoi një shërbëtor tek bujqit, që të marrë prej bujqve nga pema e vreshtit.
  3. Po ata e zunë dhe e rrahën, dhe e dërguan prapë zbrazët.
  4. Edhe përsëri dërgoi një tjetër shërbëtor tek ata; por edhe atë e rrahën me gurë, dhe i çanë kryet, dhe e dërguan prapë të turpëruar.
  5. Edhe përsëri dërgoi një tjetër; po edhe atë e vranë; dhe shumë të tjerë dërgoi, por disa i rrahën, dhe disa i vranë.
  6. Duke pasur pra edhe një bir, të dashurin e tij, e dërgoi edhe atë tek ata më në fund, duke thënë se do të kenë turp prej tim biri.
  7. Po ata bujqit thanë njëri me tjetrin se ky është trashëgimtari; ejani, le ta vrasim, dhe trashëgimi do të jetë yni.
  8. Edhe e morën, dhe e vranë, dhe e hodhën jashtë vreshtit.
  9. Ç’do të bëjë pra i zoti i vreshtit? Do të vijë e do të prishë bujqit, dhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve.
  10. As këtë shkrim s’e keni lexuar: “guri që s’e pëlqyen ata që ndërtojnë, ky u bë kreu i qoshes;
  11. prej Zotit u bë kjo, dhe është e çuditshme në sytë tanë”.
  12. Edhe ata kërkonin ta kapin; po patën frikë nga turma; sepse e kuptuan se për ata e tha paravolinë; dhe e lanë e ikën.
  13. Edhe dërgojnë tek ai disa nga Farisenjtë dhe nga Irodianët, që ta zënë me fjalë;
  14. Edhe ata erdhën e i thonë: E dimë se je i vërtetë dhe se s’do të dish për asnjeri; sepse nuk shikon në faqe njerëzish, po mëson udhën e Perëndisë me të vërtetë: Eshtë e udhës t’i japim Qezarit taksë, apo jo? Të japim a të mos japim?
  15. Edhe ai duke njohur hipokrizinë e tyre, u tha: Ç’më ngisni? Sillmëni një dinar që ta shoh.
  16. Edhe ata i prunë. Edhe ai u thotë atyre: E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim? Edhe ata i thanë: Të Qezarit.
  17. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Jepni Qezarit ato që janë të Qezarit, dhe Perëndisë ato që janë të Perëndisë. Edhe ata u çuditën për atë.
  18. Pastaj vijnë tek ai Saduqenj, të cilët thonë se s’ka ngjallje; dhe e pyetën,
  19. duke thënë: Mësues, Moisiu na ka shkruar, se në i vdektë ndonjërit i vëllai, edhe të lërë grua e të mos lërë bij, i vëllai të marrë gruan e atij, dhe të ngjallë farë për të vëllain e tij.
  20. Ishin pra shtatë vëllezër; dhe i pari mori një grua, dhe kur vdiq nuk la farë.
  21. Edhe i dyti e mori atë, dhe vdiq, po as ky s’la farë. Edhe i treti gjithashtu.
  22. Edhe të shtatë e morën atë, dhe nuk lanë farë; më pas nga të gjithë vdiq edhe gruaja.
  23. Në ngjallje pra, kur të ngjallen, e cilit nga ata do të jetë gruaja? Sepse që të shtatë e patën atë grua.
  24. Po Jisui u përgjigj e u tha atyre: A nuk gënjeheni për këtë, sepse nuk dini shkrimet, as fuqinë e Perëndisë?
  25. Sepse kur të ngjallen prej së vdekurish, as martojnë, as martohen, po janë si engjëjt që janë në qiejt.
  26. Edhe për të vdekurit, se ngjallen, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut, si i tha atij Perëndia në ferrë, duke thënë: “Unë jam Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakovit”?
  27. Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve; ju pra gënjeheni shumë.
  28. Atëherë një nga shkruesit, që i dëgjoi ata duke u ngrënë me fjalë, duke ditur se iu përgjigj mirë atyre, u afrua dhe e pyeti: Cila porosi është e para e të gjithave?
  29. Edhe Jisui iu përgjigj se e para e gjithë porosive është: “Dëgjo, Izrael, Zoti Perëndia ynë është një Zot.
  30. Edhe të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë fuqinë tënde”. Kjo është e para porosi.
  31. Edhe e dyta që ngjan me këtë është kjo: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”. Tjetër porosi më të madhe nga kjo nuk ka.
  32. Edhe shkruesi i tha: Mirë, mësues, me të vërtetë the se një Perëndi ka, dhe s’ka tjetër veç atij.
  33. Edhe se ta dojë njeriu atë me gjithë zemrën dhe me gjithë mendjen dhe me gjithë shpirtin dhe me gjithë fuqinë, dhe të dojë të afërmin si veten e tij, është më tepër se të gjithë therorët me djegie të plotë dhe flijimet.
  34. Edhe Jisui kur pa atë se u përgjigj me mend, i tha: Nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë. Edhe asnjë më s’guxonte ta pyeste.
  35. Edhe Jisui u përgjigj e tha, duke mësuar njerëzit në tempull: Si thonë shkruesit se Krishti është biri i Davidit?
  36. Sepse vetë Davidi ka thënë me anë të Shpirtit të Shenjtë: “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbje të këmbëve të tua”.
  37. Vetë Davidi pra i thotë Zot; dhe nga është bir i atij? Edhe gjithë turmës ia kishte ënda ta dëgjonte atë.
  38. Edhe u thoshte atyre në mësimin e tij: Ruhuni nga shkruesit, të cilët duan të ecin me stolira, dhe duan përshëndetje nëpër tregjet,
  39. edhe frone të para nëpër sinagogat, dhe vende të para nëpër darkat;
  40. të cilët hanë shtëpitë e grave të veja, dhe këtë e bëjnë duke nxjerrë shkak se falen shumë; këta do të marrin më tepër mundim.
  41. Edhe Jisui ndenji përballë arkës së asprave dhe vinte re se si njerëzit hidhnin të holla në arkën e asprave; dhe shumë të pasur hidhnin shumë.
  42. Edhe erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy të imëta, domethënë një kodrant.
  43. Edhe Jisui thirri pranë nxënësit e tij e u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se kjo e ve e varfër hodhi më tepër se të gjithë ata që hodhën në arkën e thesarit.
  44. Sepse të gjithë hodhën prej tepricës së tyre; por kjo prej skamjes së saj hodhi gjithë sa kishte, gjithë gjënë e saj.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου