Τετάρτη 2 Σεπτεμβρίου 2009

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 14

Marku 14

  1. Edhe pas dy ditësh ishte pashka dhe të pabrumëtat; dhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin, si ta kapin me mashtrim dhe ta vrasin.
  2. Edhe thoshin: Jo të kremten, se mos bëhet trazirë nga populli.
  3. Edhe ndërsa ai ishte në Betani, në shtëpinë e Simon lebrozit, duke ndenjur në tryezë, erdhi një grua që kishte një alabastër me vaj ere prej nardi të thjeshtë e shumë të shtrenjtë; dhe si e theu alabastrin, e derdhi vajin mbi kryet e tij.
  4. Edhe ishin ca veta që zemëroheshin në veten e tyre e thoshin: Pse të humbasë ky vaj ere?
  5. Sepse ky mund të shitej mbi treqind dinarë dhe t’u jepeshin të varfërve; edhe zemëroheshin kundër saj.
  6. Po Jisui tha: Lëreni; pse e mundoni? Punë të mirë bën për mua.
  7. Sepse të varfërit i keni gjithnjë me veten tuaj, dhe kur të doni, mund t’u bëni mirë atyre; po mua nuk më keni gjithnjë.
  8. Atë që mundi, ajo e bëri; arriti që përpara të lyejë me vaj ere trupin tim për varrimin tim.
  9. Me të vërtetë po ju them juve: Kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, edhe ç’ bëri kjo do të flitet për kujtim të saj.
  10. Edhe Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë atë atyre.
  11. Edhe ata kur dëgjuan, u gëzuan; dhe iu zotuan t’i japin argjende. Edhe ai kërkonte sesi në kohën e duhur ta tradhtojë atë.
  12. Edhe të parën ditë të të pabrumëtave, kur bënin theror pashkën, nxënësit e tij i thonë: Ku do të shkojmë e të bëjmë gati që të hash pashkën?
  13. Edhe ai dërgon dy nga nxënësit e tij, dhe u thotë atyre: Shkoni në qytet, dhe do t’ju takojë ju një njeri që mban një shtambë uji; shkoni pas tij,
  14. edhe ku të hyjë ai, thuajini të zotit të shtëpisë se Mësuesi thotë: Ku është vendi ku do të ha pashkën bashkë me nxënësit e mi?
  15. Edhe ai do t’ju tregojë juve lart një dhomë të madhe të shtruar gati; atje bëjeni gati për mua.
  16. Edhe nxënësit e tij dolën dhe erdhën në qytet, dhe gjetën siç u kishte thënë, dhe bënë gati pashkën.
  17. Edhe kur u ngrys, vjen me të dymbëdhjetët.
  18. Edhe ndërsa po rrinin në tryezë e po hanin, Jisui tha: Me të vërtetë po ju them juve se një prej jush do të më tradhtojë, ai që ha bashkë me mua.
  19. Edhe atyre zuri t’u vijë keq, dhe t’i thonë një nga një: Mos jam unë? Edhe tjetri: Mos jam unë?
  20. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Një nga të dymbëdhjetët, ai që lyen bashkë me mua në kupë.
  21. I Biri i njeriut shkon, siç është shkruar për të, po mjerë për atë njeri, me anë të të cilit tradhtohet; mirë do të ishte për atë njeri të mos kishte lindur.
  22. Edhe ndërsa po hanin, Jisui mori bukë, dhe si e bekoi, e theu, dhe ua dha atyre, dhe tha: Merrni hani. Ky është trupi im.
  23. Edhe mori kupën, dhe si falënderoi, ua dha atyre,
  24. Ky është gjaku im, ai i dhiatës së re, që derdhet për shumë veta.
  25. Me të vërtetë po ju them juve se nuk do të pi më nga pema e hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë.
  26. Edhe si psalën, dolën në Malin e Ullinjve.
  27. Edhe Jisui u thotë atyre se të gjithë do të skandalizoheni për mua këtë natë; sepse është shkruar: “Do të godas bariun dhe dhentë do të shpërndahen”.
  28. Por pasi të ngjallem, do të shkoj më përpara se ju në Galile.
  29. Po Pjetri i tha: Edhe në u skandalizofshin të gjithë, por unë jo.
  30. Edhe Jisui u thotë atyre: Me të vërtetë po të them se sot, këtë natë, para se të këndojë këndezi dy herë, tri herë do të më mohosh.
  31. Po ai edhe më tepër thoshte se në u dashtë të vdes unë bashkë me ty, nuk do të të mohoj. Po ashtu thoshin edhe të gjithë të tjerët.
  32. Pastaj vijnë në një vend që quhet Gjethsimani; dhe u thotë nxënësve të tij: Rrini këtu deri sa të falem.
  33. Edhe merr me vete Pjetrin dhe Jakovin dhe Joanin, dhe zuri të frikësohet e t’i vijë rëndë.
  34. Edhe u thotë atyre: Shpirti im është i hidhëruar deri në vdekje; qëndroni këtu, dhe rrini zgjuar.
  35. Edhe ai, si shkoi pak përpara, ra përdhe, dhe falej që, në qoftë se është e mundur, të shkojë prej atij kjo orë.
  36. Edhe thoshte: Ava, o Atë, të gjitha janë të mundura për ty; largoje prej meje këtë kupë; por le të bëhet jo ç’dua unë, por ç’do ti.
  37. Edhe vjen e i gjen ata duke fjetur; dhe i thotë Pjetrit: Simon, po fle? S’munde një orë të rrish zgjuar?
  38. Rrini zgjuar dhe faluni, që të mos hyni në ngasje. Sepse shpirti është gati, por mishi është i dobët.
  39. Edhe përsëri shkoi e u fal duke thënë po atë fjalë.
  40. Edhe kur u kthye i gjeti ata përsëri duke fjetur; sepse sytë e tyre ishin rënduar, dhe nuk dinin ç’t’i përgjigjen atij.
  41. Pastaj vjen të tretën herë, e u thotë atyre: Flini pra, dhe prehuni; mjaft; erdhi ora. Ja i Biri i njeriut tek u dorëzohet fajtorëve.
  42. Zgjohuni, le të shkojmë. Ja ai që më tradhton tek u afrua.
  43. Edhe përnjëherë, ndërsa ai ishte ende duke folur, vjen Juda, që ishte një nga të dymbëdhjetët, dhe bashkë me të një turmë e madhe me thika e me dru, nga ana e kryepriftërinjve dhe e shkruesve dhe e pleqve.
  44. Edhe ai që e tradhton u kishte dhënë atyre shenjë, duke thënë: Ai që të puth unë, ai është. Kapeni dhe çojeni duke e siguruar.
  45. Edhe kur erdhi, përnjëherë u afrua tek ai e i thotë: Rabi, Rabi. Edhe e puthi.
  46. Edhe ata vunë duart e tyre mbi të, dhe e zunë.
  47. Edhe një nga ata që rrinin atje hoqi thikën e i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin.
  48. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Si mbi një kusar keni dalë me thika e me dru të më zini?
  49. Përditë kam qenë ndër ju në tempull duke ju mësuar, dhe nuk më zutë; po kjo u bë që të përmbushen shkrimet.
  50. Edhe të gjithë e lanë e ikën.
  51. Edhe njëfarë djaloshi i vinte prapa duke qenë i mbështjellë mbi lakuriqësinë e tij me një pëlhurë; dhe djemtë e kapin.
  52. Po ai e la pëlhurën dhe iku nga ata lakuriq.
  53. Edhe prunë Jisuin te kryeprifti. Dhe mblidhen tek ai gjithë kryepriftërinjtë e shkruesit.
  54. Edhe Pjetri i shkoi pas prej së largu deri brenda në oborrin e kryepriftit; dhe ishte duke ndenjur bashkë me shërbëtorët, dhe po ngrohej në zjarr.
  55. Edhe kryepriftërinjtë e gjithë kuvendi kërkonin dëshmi kundër Jisuit që ta vritnin, po nuk gjenin.
  56. Sepse shumë veta dhanë dëshmi të rreme kundër atij; po dëshmitë nuk ishin të njëllojta.
  57. Edhe disa u ngritën e jepnin dëshmi të rreme kundër tij,
  58. duke thënë se ne e dëgjuam atë të thotë se unë do ta prish këtë tempull të bërë me dorë, dhe për tri ditë do të ndërtoj një tjetër të pabërë me dorë.
  59. Po as kështu dëshmia e tyre s’ishte e njëllojtë.
  60. Atëherë kryeprifti u ngrit në mes dhe pyeti Jisuin, duke thënë: Nuk përgjigjesh asgjë? Ç’dëshmi japin këta kundër teje?
  61. Po ai s’bënte zë, dhe nuk përgjigjej asgjë. Përsëri kryprifti e pyeti atë duke i thënë atij: Ti je Krishti, i Biri i të Bekuarit?
  62. Edhe Jisui tha: Unë jam; dhe do të shihni të Birin e njeriut duke ndenjur nga e djathta e fuqisë, dhe duke ardhur bashkë me retë e qiellit.
  63. Atëherë kryeprifti çori rrobat e tij e thotë: Ç’nevojë kemi më për dëshmitarë?
  64. E dëgjuat blasfeminë; ç’ju duket juve? Edhe ata të gjithë e gjykuan se është fajtor për vdekje.
  65. Edhe disa zunë ta pështyjnë dhe t’i mbulojnë fytyrën dhe t’i bien me shuplaka, dhe t’i thonë: Profetizo. Edhe shërbëtorët i binin me purteka.
  66. Edhe ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, vjen një nga shërbëtoret e kryepriftit,
  67. edhe kur pa Pjetrin duke u ngrohur, hodhi sytë mbi të e tha: Edhe ti ishe bashkë me Jisu Nazaretasin.
  68. Por ai e mohoi, duke thënë: Nuk di, as nuk marr vesh ç’thua ti. Edhe doli jashtë në avlli; dhe këndezi këndoi.
  69. Edhe shërbëtorja, kur e pa atë përsëri, zuri t’u thotë atyre që ishin duke ndenjur atje se ky është nga ata.
  70. Po ai përsëri e mohonte. Edhe pas pak here ata që ishin duke ndenjur atje përsëri i thanë Pjetrit: Me të vërtetë je nga ata; sepse je Galileas, dhe të folurit tënd ngjan.
  71. Po ai zuri të mallkojë edhe të bëjë be se nuk e njoh këtë njeri që thoni.
  72. Edhe këndezi këndoi për së dyti. Edhe Pjetrit i ra ndër mend fjala që i pati thënë Jisui se para se të këndojë këndezi dy herë, do të më mohosh tri herë. Edhe zuri të qajë.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου