Marku 8
- Në ato ditë, pasi ishte shumë popull, dhe s’kishin se ç’të hanin, Jisui thërriti pranë nxënësit e tij dhe u thotë atyre:
- Më dhimbset për turmën, sepse tanimë kanë tri ditë që rrinë pranë meje, dhe s’kanë se ç’të hanë.
- Edhe në i lëshofsha të pangrënë për në shtëpitë e tyre, do të këputen në udhë; sepse ca nga ata kanë ardhur prej së largu.
- Edhe nxënësit e tij iu përgjigjën: Nga do të mundet njeriu t’i ngopë këta me bukë këtu në shkretëtirë?
- Edhe ai i pyeti: Sa bukë keni? Edhe ata i thanë: Shtatë.
- Edhe porositi turmën të ulet përdhe; dhe si mori të shtatë bukët, falënderoi e i theu, dhe ua dha nxënësve të tij, që t’i vënë përpara njerëzve; dhe ata i vunë përpara popullit.
- Edhe kishin pak peshq të vegjël; dhe si i bekoi, u tha t’ua vënë përpara edhe ato.
- Edhe hëngrën e u ngopën. Edhe ngritën teprica copash, shtatë shporta.
- Edhe ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lëshoi ata.
- Edhe përnjëherë hyri në lundër bashkë me nxënësit e tij dhe erdhi në anët e Dalmanutasë.
- Edhe dolën Farisenjtë e zunë të bisedojnë me atë, dhe të lypin nga ai shenjë prej qiellit, duke e ngarë atë.
- Po ai si psherëtiu në shpirtin e tij, thotë: Përse kërkon shenjë ky brez? Me të vërtetë po ju them juve, nuk do t’i jepet shenjë këtij brezi.
- Edhe si i la, hyri përsëri në lundër, e shkoi në anën e përtejme.
- Edhe ata harruan të marrin bukë, dhe s’kishin me vete në lundër veçse një bukë.
- Edhe ai i porosiste, duke thënë: Shikoni, ruhuni nga brumi i Farisenjve dhe nga brumi i Irodit.
- Dhe ata mendoheshin në mes tyre, duke thënë se s’kemi bukë.
- Edhe Jisui si e kuptoi, u tha atyre: Ç’mendoni, se s’keni bukë? Ende s’merrni vesh, as nuk kuptoni? Ende po të ashpër e keni zemrën tuaj?
- Duke pasur sy, nuk shihni, dhe duke pasur veshë, nuk dëgjoni? Dhe nuk kujtoni?
- Kur ju theva të pesë bukët për të pesë mijët, sa kofinë plot me copa ngritët? I thonë: Dymbëdhjetë.
- Edhe kur ju theva të shtatë bukët për të katër mijët, sa shporta plot me copa ngritët? Edhe ata thanë: Shtatë.
- Edhe u thoshte atyre: Si nuk kuptoni?
- Pastaj vjen në Betsaida; dhe i sjellin një të verbër, dhe i luten ta prekë.
- Edhe si e preku nga dora të vërbërin, e nxori jashtë fshatit; dhe si pështyu në sytë e tij, vuri duart mbi të, dhe e pyeste në sheh gjë.
- Edhe ai si hapi sytë, tha: Shoh njerëzit që ecin si drurë.
- Pastaj përsëri vuri duart mbi sytë e atij dhe e bëri atë të hapë sytë, dhe u shërua, dhe i shihte kthjellët të gjitha.
- Edhe e dërgoi në shtëpinë e tij, duke i thënë: As në fshat të mos hysh, as të mos ia thuash këtë njeriu në fshat.
- Pastaj doli Jisui dhe nxënësit e tij nëpër fshatrat e Qesarisë së Filipit; dhe udhës pyeste nxënësit e tij, duke u thënë atyre: Cili thonë njerëzit se jam unë?
- Edhe ata iu përgjigjën: Joan Pagëzori; dhe të tjerë thonë, Ilia; dhe të tjerë, një nga profetët.
- Edhe ai u thotë atyre: Po ju cili thoni se jam unë?
- Edhe Pjetri u përgjigj, e i thotë: Ti je Krishti. Edhe Jisui i porositi ata rreptë që të mos i thonë njeriu për të.
- Edhe zuri t’i mësojë ata se i biri i njeriut duhet të pësojë shumë, dhe të mos pëlqehet nga pleqtë e nga kryepriftërinjtë e nga shkruesit, dhe të vritet, dhe pas tri ditësh të ngjallet.
- Edhe e fliste fjalën haptas. Edhe Pjetri e mori veçan dhe zuri ta qortojë.
- Po ai, si u kthye, e vuri re nxënësit e tij, qortoi Pjetrin, duke thënë: Ik prej meje, Satana; sepse s’ke ndër mend punët e Perëndisë, po punët e njerëzve.
- Edhe si thirri pranë turmën bashkë me nxënësit e tij, u tha atyre: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrerë kryqin e tij, dhe le të më vijë pas.
- Sepse kush të dojë të shpëtojë shpirtin e tij, do ta humbasë; po kush të humbasë shpirtin e tij për shkakun tim dhe të ungjillit, ky do ta shpëtojë.
- Sepse ç’dobi do të ketë njeriu, në fitoftë gjithë botën, dhe të dëmtojë shpirtin e tij?
- Apo ç’do të japë njeriu për këmbim të shpirtit të tij?
- Sepse cilitdo që t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në këtë brez të përdalë e fajtor, edhe të birit të njeriut do t’i vijë turp për atë, kur të vijë në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e shenjtë.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου