Marku 6
- Edhe doli andej dhe erdhi në vendin e tij, dhe nxënësit e tij i shkojnë pas.
- Edhe kur erdhi e shtuna, zuri të mësojë në sinagogë; dhe shumë veta kur dëgjonin, çuditeshin, e thoshin: Që kur i erdhën këtij këto? Edhe ç’është kjo dituri që i është dhënë këtij, dhe të këtilla çudira bëhen nga duart e tij?
- A nuk është ky mjeshtri, i biri i Marisë, e i vëllai i Jakovit e i Josiut e i Judës e i Simonit? Dhe a nuk janë motrat e tij këtu ndër ne? Edhe skandalizoheshin për të.
- Po Jisui u thoshte atyre se nuk ka profet të panderuar, përveçse në atdheun e tij, dhe ndër njerëzit e tij, dhe në shtëpinë e tij.
- Edhe s’mundi të bënte atje asnjë çudi, veç mbi pak të sëmurë vuri duart e i shëroi.
- Edhe çuditej për pabesinë e tyre. Edhe shkonte fshatrave përreth, duke mësuar njerëzit.
- Edhe thirri pranë të dymbëdhjetët dhe zuri t’i dërgojë dy nga dy; dhe u jepte pushtet kundër frymëve të ndyra.
- Edhe i porositi ata të mos mbajnë asgjë udhës, veçse vetëm një shkop; as trastë, as bukë, as bakër në brez.
- Por të jenë mbathur me sandale dhe të mos veshin dy rroba.
- Edhe u thoshte atyre: Në ç’shtëpi që të hyni, qëndroni atje deri sa të dilni që andej.
- Edhe sa veta të mos ju presin, as të mos ju dëgjojnë, kur të dilni andej, shkunduni pluhurin që është poshtë këmbëve tuaja, për dëshmi mbi ata; me të vërtetë po ju them juve, më i durueshëm do të jetë mundimi në Sodomë e në Gomorrë në ditën e gjyqit, se mbi atë qytet.
- Edhe ata dolën e predikuan që të pendohen njerëzit.
- Edhe nxirrnin shumë djaj; dhe lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.
- Edhe dëgjoi mbreti Irod, - se emri i tij (i Jisuit) ishte bërë i njohur, - dhe thoshte se Joani që pagëzonte është ngjallur prej së vdekurish, dhe prandaj fuqitë e qiellit punojnë me anë të tij.
- Të tjerë thoshin se ai ishte Ilia. Por të tjerë thoshin se është profet ose si një nga profetët.
- Po Irodi, kur dëgjoi, tha se ky është Joani, të cilit unë i preva kryet; ai është ngjallur prej së vdekurish.
- Sepse vetë Irodi dërgoi e zuri Joanin, dhe e lidhi në burg për Irodiadën, gruan e Filipit, të vëllait, sepse e kishte marrë për grua.
- Sepse Joani i thoshte Irodit se s’është e udhës të kesh ti gruan e vëllait tënd.
- Prandaj Irodiada e kishte mëri, dhe donte ta vriste, po nuk mundej.
- Sepse Irodi kishte frikë nga Joani, duke e ditur atë për njeri të drejtë dhe për shenjt; dhe e ruante, dhe bënte shumë punë duke e dëgjuar atë, dhe me gëzim e dëgjonte.
- Edhe kur erdhi një ditë e mbarë në të cilën Irodi u bëri darkë për ditëlindjen e tij të mëdhenjve të tij e kryemijëshve e të parëve të Galilesë,
- edhe si hyri e bija e Irodiadës dhe kërceu, edhe i pëlqeu Irodit e atyre që ishin ndenjur bashkë në tryezë, mbreti i tha vajzës: Kërkomë ç’të duash dhe do të ta jap.
- Dhe i bëri be asaj, se çdo gjë që do më lypësh do të ta jap, deri në gjysmën e mbretërisë sime.
- Edhe ajo doli e i tha së ëmës: Ç’të lyp? Edhe ajo tha: Kryet e Joan Pagëzorit.
- Edhe ajo përnjëherë hyri me nxitim te mbreti, e kërkoi duke thënë: Dua të më japësh tani në pjatë kryet e Joan Pagëzorit.
- Edhe mbreti u hidhërua fort, po për betimet që kishte bërë, dhe për ata që ishin ulur bashkë me të në tryezë, nuk deshi t’ia hedhë poshtë kërkesën
- Edhe menjëherë mbreti dërgoi një trim dhe urdhëroi të sillet kryet e atij.
- Edhe ai shkoi e i preu kryet në burg; dhe e pruri kryet e tij mbi pjatë dhe ia dha vajzës; dhe vajza ia dha së ëmës.
- Edhe nxënësit e tij, kur dëgjuan, erdhën dhe ngritën trupin e tij, dhe e vunë në varr.
- Edhe apostujt mblidhen tek Jisui dhe i rrëfyen të gjitha, edhe sa bënë, edhe sa mësuan.
- Edhe u tha atyre: Ejani ju vetë veçan në një vend të shkretë dhe prehuni pak; sepse ishin shumë ata që vinin e shkonin, dhe as për të ngrënë s’kishin kohë.
- Edhe ata shkuan me lundër në një vend të shkretë veçan.
- Edhe turmat i panë ata duke shkuar, dhe shumë veta e njohën; edhe me këmbë nga gjithë qytetet u sulën atje, dhe arritën më përpara se ata, dhe u mblodhën pranë atij.
- Edhe Jisui, kur doli, pa shumë njerëz dhe iu dhimbs për ta, sepse ishin si dhen që s’kanë bari; dhe zuri t’i mësojë shumë.
- Edhe tani, meqenëse kishte shkuar shumë koha, iu afruan atij nxënësit e i thonë se vendi është i shkretë dhe tani koha ka shkuar shumë,
- lëshoi ata, që të shkojnë nëpër arat e nëpër fshatrat përreth e të blejnë bukë për veten e tyre, sepse s’kanë se ç’të hanë.
- Po ai u përgjigj e u tha atyre: Jepuni ju atyre të hanë. Edhe ata i thonë: Të shkojmë e të blejmë dyqind dinarë bukë e t’u japim atyre të hanë?
- Edhe ai u thotë atyre: Sa bukë keni? Shkoni e shihni. Edhe si shkuan e panë, i thonë: Pesë, dhe dy peshq.
- Edhe ai i urdhëroi t’i vënë ata të rrinë të gjithë grupe-grupe përmbi barin e njomë.
- Edhe ata ndenjën togje-togje, nga njëqind e nga pesëdhjetë.
- Edhe ai, si mori të pesë bukët e të dy peshqit, ngriti sytë në qiell, bekoi, dhe theu bukët e ua dha nxënësve të tij, që t’i vënë përpara tyre; edhe të dy peshqit ua ndau të gjithëve.
- Edhe të gjithë hëngrën e u ngopën.
- Edhe u ngritën dymbëdhjetë kofinë plot me copa, edhe nga peshqit.
- Edhe ata që hëngrën bukët ishin rreth pesë mijë burra.
- Edhe menjëherë i shtrëngoi nxënësit e tij të hyjnë në lundër dhe të shkojnë më parë se ai matanë, në Betsaida, deri sa ai të lëshonte turmën.
- Edhe si i lëshoi, shkoi në mal të falet.
- Edhe kur u ngrys, lundra ishte në mes të detit, dhe ai vetëm mbi tokë.
- Edhe pa ata që po mundoheshin në vozitje, sepse era ishte kundër tyre; dhe në rojen e katërt të natës vjen tek ata, duke ecur mbi det; dhe donte t’i kapërcente.
- Po ata, kur panë atë që po ecte mbi det, pandehën se ishte hije dhe bërtitën.
- Sepse të gjithë e panë dhe u drodhën. Edhe menjëherë foli bashkë me ata e u thotë atyre: Guxim, jam unë, mos u frikësoni. Edhe hipi tek ata në lundër; dhe era pushoi.
- Edhe me veten e tyre habiteshin fort tepër, dhe mahniteshin.
- Sepse nuk e morën vesh nga bukët; sepse zemra e tyre ishte ashpërsuar.
- Edhe si kapërcyen detin, erdhën në tokën Gjenisaret dhe hodhën spirancën në liman.
- Dhe kur dolën nga lundra, ata e njohën menjëherë,
- edhe u turrën nëpër gjithë ato vende përreth e zunë të sillnin mbi shtretër ata që kishin keq atje ku dëgjonin se është.
- Edhe kudo që hynte në fshatra ose në qytete ose në ara, vinin të sëmurët nëpër tregje dhe i luteshin të preknin vetëm cepin e rrobës së tij; dhe gjithë sa e preknin, shëroheshin.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου