Τετάρτη 2 Σεπτεμβρίου 2009

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 1

Marku 1

    1. Fillimi i ungjillit të Jisu Krishtit, të Birit të Perëndisë,
    2. siç është shkruar në profetët: “Ja unë tek po dërgoj engjëllin tim përpara faqes tënde, i cili do të ndreqë udhën tënde përpara teje”.
    3. “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij”.
    4. Joani ishte duke pagëzuar në shkretëtirë, dhe duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e fajeve.
    5. Edhe dilnin tek ai gjithë vendi i Judesë dhe Jerusalemasit, dhe të gjithë pagëzoheshin nga ai në lumin e Jordanit, duke rrëfyer fajet e tyre.
    6. Edhe Joani ishte veshur me lesh gamileje, dhe kishte brez të lëkurtë rreth mesit të tij dhe hante karkaleca e mjaltë të egër.
    7. Edhe predikonte, duke thënë: Prapa meje vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti të ulem e t’i zgjidh rripin e këpucëve.
    8. Unë ju pagëzova me ujë, po ai do t’ju pagëzojë me Shpirt të Shenjtë.
    9. Edhe në ato ditë erdhi Jisui nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Joani në Jordan.
    10. Edhe menjëherë, duke dalë nga uji, pa qiejt duke u hapur dhe Shpirtin e Shenjtë si pëllumb duke zbritur mbi të.
    11. Edhe erdhi një zë nga qiejt: Ti je Biri im i dashur që e kam pëlqyer.
    12. Edhe menjëherë Shpirti e nxjerr Jisuin në shkretëtirë.
    13. Edhe ishte atje në shkretëtirë dyzet ditë dhe ngitej nga Satanai. Edhe ishte bashkë me egërsirat. Edhe engjëjt i shërbenin.
    14. Edhe pasi u dorëzua Joani, Jisui erdhi në Galile, duke predikuar Ungjillin e mbretërisë së Perëndisë,
    15. duke thënë se u plotësua koha, dhe u afrua mbretëria e Perëndisë; pendohuni, dhe i besoni ungjillit.
    16. Edhe duke ecur buzë detit të Galilesë, pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetën në det; sepse ishin peshkatarë.
    17. Edhe Jisui u tha atyre: Ejani pas meje, dhe do t’ju bëj ju të bëheni peshkatarë njerëzish.
    18. Edhe ata menjëherë lanë rrjetat e tyre dhe shkuan pas tij.
    19. Edhe duke shkuar prej andej pak më tej pa Jakovin, të birin e Zevedheut, dhe Joanin, të vëllanë e tij, ndërsa ishin në lundër duke ndrequr rrjetat.
    20. Edhe menjëherë i thirri ata; dhe ata lanë të atin e tyre, Zevedheun, në lundër bashkë me punëtorët dhe shkuan pas tij.
    21. Edhe hyjnë në Kapernaum; dhe Jisui menjëherë të shtunën hyri në sinagogë e mësonte.
    22. Edhe çuditeshin për mësimin e tij, sepse ishte duke i mësuar ata si ndonjë që ka pushtet dhe jo si shkruesit.
    23. Edhe ishte në sinagogën e tyre një njeri që kishte frymë të ndyrë, dhe bërtiti duke thënë:
    24. Mjerë! ç’ke ti me ne, Jisu Nazaretasi? Erdhe të na humbasësh? Të di cili je, Shenjti i Perëndisë.
    25. Po Jisui e qortoi, duke thënë: Mbyll gojën dhe dil nga ai.
    26. Edhe fryma e ndyrë, si e shkleu dhe bërtiti me zë të madh, doli nga ai.
    27. Edhe të gjithë u habitën, kaq sa pyesnin njëri-tjetrin, duke thënë: Ç’është kjo? Ç’është ky mësim i ri? Sepse me pushtet urdhëron edhe frymët e ndyra, edhe i binden.
    28. Edhe menjëherë i doli nami nëpër gjithë vendin rreth Galilesë.
    29. Edhe përnjëherë dolën nga sinagoga e erdhën në shtëpinë e Simonit e të Andreas bashkë me Jakovin e me Joanin.
    30. Edhe e vjehrra e Simonit po dergjej në ethe; dhe menjëherë i thonë për të.
    31. Edhe ai u afrua dhe, duke e rrokur atë prej dore, e ngriti; dhe atë e lanë ethet menjëherë, dhe u shërbente atyre.
    32. Edhe si u ngrys, në perëndim të diellit, prunë tek ai gjithë ata që kishin keq dhe të demonizuarit.
    33. Edhe tërë qyteti ishte mbledhur te dera.
    34. Edhe shëroi shumë veta që vuanin prej sëmundjesh të ndryshme; dhe shumë djaj nxori, dhe s’i linte djajtë të flisnin, sepse e njihnin.
    35. Edhe në mëngjes fort me natë u ngrit e doli, dhe shkoi në një vend të shkretë, dhe falej atje.
    36. Edhe e ndoqën prapa Simoni dhe ata që ishin bashkë me të.
    37. Edhe kur e gjetën, i thonë se të gjithë po të kërkojnë.
    38. Edhe ai u thotë atyre: Le të shkojmë në kryefshatrat e afërt, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam dalë.
    39. Edhe ishte duke predikuar nëpër sinagogat e tyre, në gjithë Galilenë, dhe duke nxjerrë djajtë.
    40. Edhe vjen tek ai një lebroz e i lutet, dhe bie në gjunjë përpara tij e i thotë se po të duash, mund të më pastrosh.
    41. Dhe Jisuit iu dhimbs, zgjati dorën, e si e preku i thotë: Dua, pastrohu.
    42. Edhe sapo ai tha këtë, përnjëherë i shkoi lebra, dhe u pastrua.
    43. Edhe si e porositi rreptë, menjëherë e nxori jashtë, dhe i thotë:
    44. Vështro se mos i thuash gjë ndonjërit, po shko dhe rrëfe veten tënde te prifti, dhe sill për pastrimin tënd ato që ka urdhëruar Moisiu për dëshmi mbi ata.
    45. Por ai, si doli, nisi të predikojë shumë dhe të përhapë fjalën, kaq sa ai s’mundej më të hynte haptas në qytet, por ishte jashtë nëpër vende të shkreta; dhe vinin tek ai nga të gjitha anët

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου