Τετάρτη 2 Σεπτεμβρίου 2009

Ungjilli sipas Markut KAPITULLI 3

Marku 3

  1. Pastaj hyri përsëri në sinagogë; dhe atje ishte një njeri që e kishte dorën të thatë.
  2. Edhe vinin re atë nëse do ta shëronte të shtunën, që ta akuzonin.
  3. Edhe ai i thotë njeriut që kishte dorën e thatë: Ngrihu e qëndro në mes.
  4. Pastaj u thotë atyre: A lejohet të bëjë njeriu mirë të shtunave apo të bëjë keq? Të shpëtojë shpirt apo të vrasë? Po ata s’bënin zë.
  5. Atëherë si i vuri re përreth me zemërim, sepse i erdhi keq për ashpërsinë e zemrës së tyre, i thotë njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai e shtriu; dhe dora e tij u bë e shëndoshë si tjetra.
  6. Edhe Farisenjtë si dolën, menjëherë bënë këshillë bashkë me Irodianët kundër tij, që ta vrasin.
  7. Edhe Jisui shkoi bashkë me nxënësit e tij buzë detit; dhe i shkoi pas një turmë e madhe nga Galilea
  8. dhe nga Judea, dhe nga Jerusalemi, dhe nga Idumea, e që përtej Jordanit; dhe një turmë e madhe nga ata që ishin rreth Tirit e Sidonës, kur dëgjuan se sa punë bënte, erdhën tek ai.
  9. Edhe ai u tha nxënësve të tij ta presë atë afër një lundër, për shkak të turmës, që të mos e shtrëngojnë.
  10. Sepse shëroi shumë veta, kaq sa binin sipër atij, që ta preknin, sa veta kishin sëmundje.
  11. Edhe frymët e ndyra kur e vështronin, i binin përpara dhe bërtitnin duke thënë se ti je i biri i Perëndisë.
  12. Po ai i qortonte shumë, që të mos e shfaqnin.
  13. Pastaj ngjitet në mal dhe thërret pranë vetes sa njerëz deshi ai; dhe ata shkuan tek ai.
  14. Edhe zgjodhi dymbëdhjetë veta, që të jenë bashkë me të dhe që t’i dërgojë të predikojnë.
  15. Edhe të kenë pushtet të shërojnë sëmundjet, dhe të nxjerrin djajtë:
  16. Simonin, të cilit ia vuri emrin Pjetër;
  17. dhe Jakovin, të birin e Zevedheut, dhe Joanin, të vëllanë e Jakovit, dhe ua vuri emrin Voanergjes, që domethënë Bij bubullime;
  18. dhe Andrean, e Filipin, e Vartholomeun, e Matheun, e Thomain, e Jakovin, të birin e Alfeut, e Tadeun, e Simon Kananeasin,
  19. dhe Juda Iskariotin, i cili edhe e tradhtoi.
  20. Edhe vijnë në një shtëpi; edhe mblidhet përsëri turmë, kaq sa ata s’mund të hanin as bukë.
  21. Edhe kur dëgjuan njerëzit e tij, dolën ta mbajnë, sepse thoshin se nuk është në vete.
  22. Edhe shkruesit që zbritën nga Jerusalemi thoshnin se ka Velzevulin dhe se i nxjerr djajtë me anë të të parit të djajve.
  23. Po ai, si i thirri ata pranë, u thoshte me paravolira: Si mund të nxjerrë Satanai Satanain?
  24. Edhe një mbretëri në u ndaftë kundër vetes së saj, ajo mbretëri s’mund të qëndrojë.
  25. Edhe një shtëpi në u ndaftë kundër vetes së saj, ajo shtëpi s’mund të qëndrojë.
  26. Edhe Satanai nëse u ngrit kundër vetes së tij dhe u nda, s’mund të qëndrojë, po i erdhi fundi.
  27. Asnjë s’mund të hyjë në shtëpinë e të fortit e të rrëmbejë enët e tij, në mos e lidhtë më përpara të fortin, dhe atëherë do të rrëmbejë shtëpinë e atij.
  28. Me të vërtetë po ju them juve se bijve të njerëzve do t’u ndjehen gjithë mëkatet dhe gjithë sharjet që do të blasfemojnë.
  29. Por ai që të blasfemojë kundër Shpirtit të Shenjtë, nuk ka ndjesë për gjithë jetën, po është fajtor për dënim të pasosur;
  30. sepse thoshin: Ka frymë të ndyrë.
  31. Vijnë pra të vëllezërit dhe e ëma e tij, dhe si qëndruan jashtë, dërguan tek ai që ta thërrasin.
  32. Edhe turma rrinte rreth tij; dhe i thanë atij: Ja nëna jote dhe vëllezërit e tu po të kërkojnë jashtë.
  33. Po ai iu përgjigj atyre, duke thënë: Cila është nëna ime ose cilët janë vëllezërit e mi?
  34. Dhe si hodhi sytë rrotull mbi ata që rrinin pranë tij, tha: Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
  35. Sepse ai që të bëjë vullnetin e Perëndisë, ky është im vëlla, dhe ime motër, dhe nëna.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου