Marku 2
- Edhe pas disa ditësh përsëri hyri në Kapernaum; dhe u dëgjua se është në shtëpi.
- Edhe përnjëherë u mblodhën shumë veta, kaq sa as vendet pranë derës s’i nxinin më; dhe ai u predikonte atyre fjalën.
- Atëherë vijnë tek ai e sjellin një të paralizuar që e ngrinin katër veta.
- Edhe pasi s’mund të afroheshin tek ai nga turma e madhe, zbuluan kulmin ku ishte ai, edhe si bënë një vrimë, zbritën shtratin, mbi të cilin dergjej i paralizuari.
- Edhe Jisui, kur pa besimin e tyre, i thotë të paralizuarit: Bir, t’u falën mëkatet e tua.
- Edhe ca nga shkruesit ishin atje duke ndenjur, dhe duke menduar në zemrat e tyre:
- Ç’flet ky kështu blasfemira? Cili mund të falë mëkate, përveçse një, Perëndia?
- Edhe Jisui menjëherë si e mori vesh me shpirtin e tij se po mendohen kështu me veten e tyre, u tha atyre: Përse i mendoni këto në zemrat tuaja?
- Ç’është më kollaj t’i them të paralizuarit: T’u falën mëkatet, apo t’i them: Ngrihu, e merr shtratin tënd, dhe ec?
- Po që ta dini se i biri i njeriut ka pushtet të falë mëkate mbi dhe, - i thotë të paralizuarit: -
- Ty të them, ngrihu dhe merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde.
- Edhe ai u ngrit menjëherë dhe mori shtratin, dhe doli përpara të gjithëve, kaq sa të gjithë çuditeshin dhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë se kurrë s’kemi parë kështu.
- Edhe doli përsëri buzë detit; dhe gjithë turma vinte tek ai, dhe ai i mësonte ato.
- Edhe duke shkuar pa Leviun, të birin e Alfeut, duke ndenjur në doganë; dhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij.
- Edhe kur po rrinte në tryezë në shtëpinë e atij, ishin ulur në tryezë edhe shumë tagrambledhës e mëkatarë bashkë me Jisuin e me nxënësit e tij; sepse ishin shumë veta, dhe shkuan pas tij.
- Edhe shkruesit e Farisenjtë, kur e panë atë duke ngrënë bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë, u thoshin nxënësve të tij: Përse ha e pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?
- Edhe Jisui, kur dëgjoi, u thotë atyre: Të shëndoshët s’kanë nevojë për shërues, po ata që vuajnë; s’kam ardhur për të thirrur të drejtë, po mëkatarë në pendim.
- Edhe nxënësit e Joanit dhe ata të Farisenjve agjëronin; dhe vijnë, e i thonë: Pse nxënësit e Joanit e ata të Farisenjve agjërojnë dhe nxënësit e tu nuk agjërojnë?
- Edhe Jisui u tha: Mos mundin të agjërojnë dasmorët, deri sa të jetë dhëndri bashkë me ta? Sa kohë kanë dhëndrin me vete, s’mund të agjërojnë.
- Por do të vijnë ditë kur do të merret dhëndri, dhe atëherë do të agjërojnë në ato ditë.
- Edhe asnjë s’qep arnë pëlhure të re në rrobë të vjetër; në mos, mbushja e saj e re heq prej së vjetrës dhe grisja bëhet më e keqe.
- Edhe asnjë s’vë verë të re në calikë të vjetër; në mos, vera e re gris calikët, edhe vera derdhet, edhe calikët prishen; po vera e re duhet të vihet në calikë të rinj.
- Edhe ndërsa ai po shkonte një ditë të shtunë nëpër ara të mbjella, nxënësit e tij, duke bërë udhë, zunë të shkoqin kallinj.
- Edhe Farisenjtë i thoshin: Shih, pse bëjnë ditën e shtunë atë që nuk lejohet?
- Edhe ai u thoshte atyre: Kurrë s’keni lexuar ç’bëri Davidi kur pat nevojë dhe i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me të?
- Si hyri në shtëpinë e Perëndisë në ditët e kryepriftit Abiatar dhe hëngri bukët e paravënies, të cilat nuk lejohet t’i hajë tjetër njeri, veç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që ishin bashkë me të?
- Prandaj u thoshte atyre: E shtuna është bërë për njeriun, e jo njeriu për të shtunën.
- Prandaj i biri i njeriut është i zoti edhe i së shtunës.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου