Marku 15
- Edhe menjëherë në mëngjes kryepriftërinjtë bashkë me pleqtë e me shkruesit, dhe gjithë kuvendi mbajtën këshillë, dhe si e lidhën Jisuin, e prunë dhe ia dorëzuan Pilatit.
- Edhe Pilati e pyeti: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe ai u përgjigj e i tha: Ti po thua.
- Edhe kryepriftërinjtë e akuzonin shumë.
- Edhe Pilati përsëri e pyeti, duke thënë: Nuk përgjigjesh asgjë? Shiko sa dëshmojnë kundër teje.
- Po Jisui nuk u përgjigj më asgjë, kaq sa Pilati çuditej.
- Edhe për të kremte u lëshonte atyre një të burgosur, cilin të kërkonin ata.
- Edhe një, që thuhej Baraba, ishte burgosur bashkë me shokët e tij kryengritës, të cilët në kryengritje kishin bërë vrasje.
- Edhe turma bërtiti, e zuri të kërkojë siç bënte përherë për ata.
- Edhe Pilati iu përgjigj atyre, duke thënë: Doni t’ju lëshoj juve mbretin e Judenjve?
- Sepse e dinte që kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar për smirë.
- Po kryepriftërinjtë shtynë turmën të lypë më tepër t’u lëshojë atyre Barabain.
- Edhe Pilati u përgjigj përsëri, e u tha atyre: Ç’doni pra t’i bëj këtij që i thoni mbret i Judenjve?
- Edhe ata përsëri bërtitën: Kryqëzoje.
- Edhe Pilati u thoshte atyre: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata më tepër bërtitën: Kryqëzoje.
- Edhe Pilati, pasi donte t’i bënte qejfin turmës, u lëshoi Barabain, dhe Jisuin e dorëzoi, pasi e rrahu me frushkull, që të kryqëzohet.
- Atëherë ushtarët e prunë brenda oborrit, që është pretorja*, edhe mbledhin gjithë togën e ushtarëve.
- Edhe i veshin një rrobë të kuqe, edhe thurën një kurorë ferrash, e ia vënë rreth kokës.
- Edhe zunë ta përshëndesin, duke thënë: Gëzohu, o mbret i Judenjve.
- Edhe i binin në kokë me kallam, dhe e pështynin, dhe i binin në gjunjë e i faleshin.
- Edhe si e përqeshën, i zhveshën rrobën e kuqe, dhe i veshën rrobat e tij, dhe e çuan jashtë, që ta kryqëzojnë.
- Edhe zënë angari, për të ngritur kryqin e atij, një farë Simon Qireneasi, të atin e Aleksandrit e të Rufit, i cili shkonte andej, duke ardhur nga ara.
- Edhe e sjellin në vendin Golgota, që e përkthyer do të thotë “Vendi i kafkës”.
- Edhe i jepnin të pijë verë të përzier me smirnë; por ai nuk e mori.
- Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short mbi to, ç’të marrë secili.
- Edhe ishte ora e tretë, dhe e kryqëzuan.
- Edhe mbishkrimi i fajit të tij ishte shkruar përsipër: Mbreti i Judenjve.
- Edhe bashkë me atë kryqëzojnë dy kusarë, një nga e djathta, e një nga e majta e tij.
- Edhe u përmbush shkronja që thotë: “Edhe me të paudhët u numërua”.
- Edhe ata që shkonin andej e shanin, duke tundur kryet e tyre, e duke thënë: Ua, ti që prish tempullin, dhe për tri ditë e ndërton,
- shpëto veten tënde, dhe zbrit nga kryqi.
- Kështu edhe kryepriftërinjtë e përqeshnin në mes tyre bashkë me shkruesit, e thoshin: Të tjerë shpëtoi, veten e tij s’mund ta shpëtojë.
- Krishti mbreti i Izraelit le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim dhe të besojmë. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e shanin.
- Edhe kur u bë ora e gjashtë, u bë një errësirë mbi gjithë dheun, deri në orën e nëntë.
- Edhe në të nëntën orë Jisui bërtiti me zë të madh, duke thënë:“Eloi, Eloi, lama Sabakthani?”, që e përkthyer do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?”.
- Edhe disa nga ata që ishin duke ndenjur atje, kur dëgjuan, thoshin: Ja tek po thërret Ilian.
- Edhe njëri u sul e mbushi një sfungjer me uthull, dhe e vuri mbi një kallam, e i dha të pijë, duke thënë: Lëreni, le të shohim nëse vjen Ilia ta zbresë.
- Edhe Jisui nxori zë të madh e dha shpirt.
- Edhe kurtina e tempullit u ça më dysh, prej së larti deri poshtë.
- Edhe kryeqindëshi, që rrinte përballë atij, kur pa se duke bërtitur kështu dha shpirt, tha: Me të vërtetë ky njeri paska qenë Bir Perëndie.
- Ishin edhe gra duke vëzhguar prej së largu; ndër ato ishte edhe Maria Magdalena, dhe Maria, e ëma e Jakovit të vogël dhe e Josiut, dhe Saloma,
- të cilat, edhe kur ishte në Galile, i vinin pas, dhe i shërbenin; si dhe shumë të tjera që qenë ngjitur bashkë me të në Jerusalem.
- Edhe tani si u ngrys, - sepse ishte e premte, domethënë dita para së shtunës, -
- erdhi Josifi që ishte nga Arimatea, këshilltar i nderuar, që edhe ai priste mbretërinë e Perëndisë; dhe guxoi e hyri tek Pilati dhe lypi trupin e Jisuit.
- Edhe Pilati u çudit, në qoftë se kishte vdekur tani; dhe thërriti pranë kryeqindëshin, dhe e pyeti në ka kohë që vdiq.
- Edhe si mori vesh prej kryeqindëshit, i fali trupin Josifit.
- Edhe ky bleu pëlhurë, dhe e zbriti, dhe e mbështolli me pëlhurën, dhe e vuri në një varr, që ishte latuar prej shkëmbi; dhe rrokullisi një gur në derën e varrit.
- Edhe Maria Magdalena, edhe Maria, e ëma e Josiut, vinin re ku po vihet.
* Pretore ishte pallati ose shtëpia e qeveritarit.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου