Marku 9
- Edhe u thoshte atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se janë disa prej këtyre që rrinë këtu, që nuk do të provojnë vdekje, deri sa të shohin mbretërinë e Perëndisë të ardhur me fuqi.
- Edhe pas gjashtë ditësh Jisui merr Pjetrin e Jakovin e Joanin, edhe i ngjit ata vetëm mbi një mal të lartë veçan; dhe ndërroi fytyrën përpara tyre.
- Edhe rrobat e tij u bënë të shkëlqyera, të bardha fort si dëbora, të tilla që rrobëzbardhës mbi dhe s’mund t’i zbardhë kështu.
- Edhe iu shfaq atyre Ilia bashkë me Moisiun; dhe ishin duke folur bashkë me Jisuin.
- Edhe Pjetri u përgjigj e i tha Jisuit: Rabi, mirë është të jemi ne këtu; dhe le të bëjmë tri tenda, një për ty, dhe një për Moisiun, dhe një për Ilian.
- Sepse s’dinte se ç’të fliste, sepse ishin trembur keq.
- Edhe një re i mbuloi, dhe erdhi një zë prej resë duke thënë: Ky është biri im i dashur, atë dëgjoni.
- Edhe befas kur vunë re përqark, s’panë më asnjë, po Jisuin vetëm bashkë me veten e tyre.
- Edhe ndërsa ata ishin duke zbritur nga mali, i porositi ata të mos i tregojnë asnjeriu sa panë, veç kur të ngjallet i Biri i njeriut prej së vdekurish.
- Edhe ata e ruajtën fjalën në vete, duke biseduar njëri me tjetrin: Ç’është kjo ngjallje prej së vdekurish?
- Edhe e pyesnin atë, duke thënë: Pse thonë shkruesit se duhet të vijë më përpara Ilia?
- Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ilia vjen më përpara, edhe vë në vend të gjitha punët; dhe pse nuk thonë edhe si është shkruar për të birin e njeriut se duhet të pësojë shumë dhe të shnderohet?
- Por ju them juve, se edhe Ilia erdhi, edhe se i bënë sa deshën, siç është shkruar për atë.
- Edhe kur erdhi tek nxënësit, pa shumë njerëz rreth tyre, dhe shkruesit duke biseduar me ata.
- Edhe menjëherë gjithë turma, kur e panë atë, u habitën, dhe duke nxituar e përshëndetnin.
- Edhe ai pyeti shkruesit, ç’bisedoni me ata?
- Edhe një prej turmës u përgjigj, e tha: Prura tek ti tim bir që ka frymë të pagojë.
- Edhe kudo ta zërë, e hedh poshtë dhe shkumëzon, e kërcëllin dhëmbët e tij, dhe thahet. Edhe u thashë nxënësve të tu ta nxjerrin, por nuk mundën.
- Edhe ai iu përgjigj e tha: O brez i pabesë, deri kur do të jem bashkë me ju? Deri kur do t’ju duroj ju? Silleni atë tek unë.
- Edhe e prunë tek ai; dhe kur pa atë, përnjëherë fryma e shkleu; dhe ai ra përdhe, dhe rrokullisej duke shkumëzuar.
- Edhe ai pyeti të atin e atij: Sa kohë ka qëkurse i ngjau kjo? Edhe ai tha: Qëkurse ishte djalë i vogël.
- Edhe shumë herë e hodhi edhe në zjarr dhe në ujëra, që ta humbasë; po nëse mund të bësh gjë, le të të dhimbset për ne dhe ndihmona.
- Edhe Jisui i tha këtë: Nëse mund të besosh, të gjitha janë të mundura për atë që beson.
- Edhe përnjëherë i ati i djalit të vogël thirri me lot, duke thënë: Besoj, Zot. Ndihmoi pabesisë sime.
- Edhe Jisui kur pa se po shtohet turmë, qortoi frymën e ndyrë, duke i thënë: Frymë e pagojë dhe e shurdhër, unë të urdhëroj, dil nga ai, dhe të mos hysh më tek ai.
- Edhe fryma duke bërtitur e duke e shklyer atë fort, doli; dhe djali u bë si i vdekur, kaq sa shumë veta thoshin se vdiq.
- Edhe Jisui e kapi për dore dhe e ngriti; edhe u ngrit.
- Edhe kur hyri në një shtëpi, nxënësit e tij e pyesnin veçan se pse ne nuk mundëm ta nxjerrim.
- Edhe ai u tha atyre: Ky farë kombi s’mund të dalë me tjetër gjë, veçse me falje e me agjërim.
- Edhe si dolën andej, shkonin nëpër Galile, dhe s’donte ta marrë vesh njeri.
- Sepse mësonte nxënësit e tij, e u thosh atyre se i Biri i njeriut u dorëzohet njerëzve, dhe do ta vrasin, dhe si të vritet, të tretën ditë do të ngjallet.
- Po ata nuk e kuptonin fjalën dhe kishin frikë ta pyesnin.
- Edhe erdhi në Kapernaum; dhe kur hyri në shtëpi, i pyeste ata: Ç’mendonit udhës në mes tuaj?
- Po ata s’bënin zë; sepse udhës flisnin në mes tyre, cili është më i madh.
- Edhe si ndenji, thirri të dymbëdhjetët, edhe u thotë atyre: Kush të dojë të jetë i parë, do të jetë i fundit i të gjithëve, dhe shërbëtor i të gjithëve.
- Edhe mori një djalë të vogël dhe e vuri në mes tyre, dhe si e mori në krah, u tha atyre:
- Kush të presë një nga të këtillët fëmijë të vegjël në emrin tim, më ka pritur mua; dhe kush të më presë mua, s’më ka pritur mua, po atë që më ka dërguar.
- Edhe Joani iu përgjigj, duke thënë: Mësues, pamë një njeri që nxjerr djaj në emrin tënd, i cili nuk na vjen pas; dhe e ndalëm sepse nuk na vjen pas.
- Po Jisui tha: Mos e ndalni, sepse s’ka asnjë që do të bëjë çudira në emrin tim, dhe do të mundë njëkohësisht të flasë keq për mua.
- Sepse kush nuk është kundër nesh, është bashkë me ne.
- Sepse kush t’ju japë juve një gotë ujë në emrin tim, sepse jeni të Krishtit, me të vërtetë po ju them juve, se nuk do ta humbasë pagën e tij.
- Edhe kush të skandalizojë një nga këta të vegjlit që më besojnë, është më mirë për atë, në iu lidhtë një gur mulliri në qafë të tij, dhe të hidhet në det.
- Edhe në të skandalizoftë dora jote, preje; është më mirë për ty të hysh në jetë dorac, se duke pasur të dy duart të shkosh në gjehenë, në zjarr të pashuar,
- ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, dhe zjarri s’ka të shuar”.
- Edhe në të skandalizoftë ty këmba jote, preje; sepse është më mirë për ty të hysh në jetë i çalë, se duke pasur të dy këmbët të hidhesh në gjehenë, në zjarr të pashuar,
- ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, dhe zjarri s’ka të shuar”.
- Edhe në të skandalizoftë syri yt, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë, se duke pasur dy sy të hidhesh në gjehenë të zjarrit,
- ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, dhe zjarri s’ka të shuar”.
- Sepse çdo njeri me zjarr do të kripet, dhe çdo theror me kripë do të kripet.
- E mirë është kripa, po në u bëftë kripa e pashëllirshme, me se do ta ndreqni? Të keni kripë në veten tuaj dhe paqe njëri me tjetrin.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου