Marku 13
- Edhe ndërsa po dilte nga tempulli, i thotë një nga nxënësit e tij: Mësues, shiko çfarë gurësh e çfarë ndërtesash!
- Edhe Jisui u përgjigj, e i tha: I sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbesë gur mbi gur që të mos rrëzohet.
- Edhe ndërsa po rrinte në Malin e Ullinjve, përballë tempullit, e pyetnin atë veçan Pjetri dhe Jakovi dhe Joani dhe Andrea:
- Thuajna, kur do të bëhen këto, dhe ç’shenjë do të jetë, kur do të mbarohen këto të gjitha?
- Edhe Jisui, duke u përgjigjur, zuri t’u thotë atyre: Vini re, se mos ju gënjejë ndonjë ju.
- Sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë se unë jam; dhe do të gënjejnë shumë veta.
- Edhe kur të dëgjoni luftra, dhe zëra luftrash, mos u frikësoni; sepse duhet të bëhen këto, po ende nuk është fundi.
- Sepse do të ngrihet komb kundër kombi, dhe mbretëri kundër mbretërie; dhe do të bëhen tërmete në vende të ndryshme, dhe do të bëhen zira e trazira. Këto janë fillimet e dhembjeve.
- Po ju vështroni veten tuaj, sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër kuvende, e nëpër sinagoga do të rriheni, dhe përpara qeveritarëve e mbretërve do të rrini për shkakun tim, për dëshmi mbi ata.
- Edhe duhet të predikohet Ungjilli më përpara nëpër gjithë kombet.
- Edhe kur t’ju çojnë që t’ju dorëzojnë ju, mos u kujdesni që më parë, se ç’do të flisni, as mos u mendoni; po ç’t’ju jepet juve në atë kohë, këtë flisni; sepse s’jeni ju ata që flisni, po Shpirti i Shenjtë.
- Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllanë për vdekje, dhe i ati të birin; dhe djemtë do të ngrenë krye kundër prindërve dhe do t’i vrasin.
- Edhe të gjithë do t’ju kenë mëri për emrin tim; po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.
- Edhe kur të shihni ndyrësinë e shkretimit, që është thënë nga profeti Daniel, të rrijë atje ku nuk duhet, - ai që lexon le të kuptojë, - atëherë ata që të jenë në Jude, le të ikin nëpër male.
- Edhe ai që të jetë mbi kulm të shtëpisë, le të mos zbresë në shtëpi, as le të mos hyjë të marrë gjë nga shtëpia e tij.
- Edhe ai që të jetë në arë, le të mos kthehet prapa që të marrë rrobën e tij.
- Po mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji në ato ditë.
- Edhe faluni që të mos bëhet ikja juaj në dimër.
- Sepse në ato ditë do të jetë i këtillë shtrëngim, që i tillë nuk është bërë që në fillim të krijimit, që krijoi Perëndia, e deri tani, dhe as do të bëhet.
- Edhe të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, s’kishte për të shpëtuar asnjë mish; po për të zgjedhurit që i ka zgjedhur i shkurtoi ditët.
- Edhe atëherë në u thëntë juve ndonjë: Ja këtu është Krishti; ose: Ja, atje, mos besoni.
- Sepse do të ngrihen krishtër të rremë e profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja e çudira, që të gënjejnë, në mundet, edhe të zgjedhurit.
- Por ju vini re; ja tek jua thashë juve të gjitha që përpara.
- Po në ato ditë, pas atij shtrëngimi, dielli do të erret, dhe hëna nuk do të japë dritën e saj,
- dhe yjet e qiellit do të bien, dhe fuqitë që janë në qiejt do të tunden.
- Edhe atëherë do të shohin të Birin e njeriut duke ardhur ndër re me fuqi shumë e me lavdi.
- Edhe atëherë ai do të dërgojë engjëjt e tij, dhe do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër erërat (anët e horizontit), prej këndit të dheut e deri në kënd të qiellit.
- Edhe prej drurit të fikut merrni vesh paravolinë: kur dega e tij bëhet e butë dhe nxjerr fletët, e dini se vera është afër.
- Kështu edhe ju, kur të shihni këto se bëhen, dijeni se është afër, në dyer.
- Me të vërtetë po ju them juve, se ky brez nuk do të shkojë deri sa të bëhen këto të gjitha.
- Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.
- Edhe për atë ditë a orë asnjë nuk di, as engjëjt që janë në qiell, as Biri, veç Ati.
- Vini re, rrini zgjuar dhe faluni, sepse nuk e dini kur është koha.
- Sepse kjo do të jetë si një njeri i ikur, i cili la shtëpinë e tij, dhe ua dha pushtetin shërbëtorëve të tij, dhe secilit punën e tij, dhe portierin e porositi të rrijë zgjuar.
- Rrini zgjuar pra, - sepse s’e dini kur vjen i zoti i shtëpisë, në të ngrysur, a në mes të natës, a në këndim të kokoshit, a në mëngjes; -
- Se mos vijë papandehur e t’ju gjejë duke fjetur.
- Edhe ato që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar.

Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου